Shefi i OBSH-së bën thirrje për qasje të qëndrueshme për ndihmë shëndetësore në Gaza

Azia

Shefi i OBSH-së bën thirrje për qasje të qëndrueshme për ndihmë shëndetësore në Gaza

Më: 21 tetor 2023 Në ora: 16:26
Foto ilustrim

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) bëri thirrje të shtunën për një qasje “të qëndrueshme” për ndihmën shëndetësore në Rripin e Gazës.

Tedros Adhanom Ghebreyesus tha në rrjetin social X, se OBSH ka bërë thirrje për kalimin e sigurt të autokolonave shtesë të ndihmës nëpër enklavë, mbrojtjen e të gjithë punonjësve humanitar dhe qasje të qëndrueshme për ndihmë shëndetësore.

Deklaratat e tij erdhën pasi një kolonë humanitare prej 20 kamionësh filloi të hyjë në Rripin e Gazës nga ana egjiptiane e kalimit Rafah, e para që nga shpërthimi i konfliktit të armatosur midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas.

“Nevojat në Gaza janë shumë më të larta", shtoi ai.

Konflikti në Gaza, nën bombardimet dhe bllokadën izraelite që nga 7 tetori, filloi kur Hamasi nisi Operacionin “Al-Aksa Flood”, një sulm i befasishëm me shumë drejtime që përfshinte një breshëri lëshimesh raketash dhe infiltrimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri. Hamasi tha se inkursioni ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë “Al-Aksa” dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës.

Të paktën 4.385 palestinezë, duke përfshirë 1.756 fëmijë, janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, ndërsa shifra qëndron në më shumë se 1.400 njerëz në Izrael. /AA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat