​Agjencia e OKB-së: Karburanti i cili do mbarojë për tri ditë do ta pamundësojë dhënien e ndihmës humanitare

Azia

​Agjencia e OKB-së: Karburanti i cili do mbarojë për tri ditë do ta pamundësojë dhënien e ndihmës humanitare

Më: 22 tetor 2023 Në ora: 15:54
Izrael

Agjencia e OKB-së për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinë (UNRWA) njoftoi të dielën se do t'i mbarojë karburanti në Rripin e Gazës për tri ditë.

Pa karburant nuk do të ketë ujë, nuk do të ketë spitale dhe furra buke funksionale. Pa karburant, ndihma nuk do të arrijë te shumë civilë në nevojë. Pa karburant, nuk do të ketë ndihmë humanitare”, tha në një deklaratë me shkrim, Philippe Lazzarini, komisionari i përgjithshëm i Agjencisë së OKB-së.

“Kjo nuk mund dhe nuk duhet të ndodhë. U bëj thirrje të gjitha palëve dhe atyre që kanë ndikim mbi to që të lejojnë menjëherë furnizimet me karburant në Rripin e Gazës dhe të sigurojnë që karburanti të përdoret rreptësisht për të parandaluar një kolaps të dhënies së ndihmës humanitare," tha Lazzarini.

Konflikti në Gaza, nën bombardimet dhe bllokadën izraelite që nga 7 tetori, filloi kur Hamasi nisi Operacionin “Al-Aksa Flood”, një sulm i befasishëm me shumë drejtime që përfshinte një breshëri lëshimesh raketash dhe infiltrimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri. Hamasi tha se inkursioni ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë “Al-Aksa” dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës.

Të paktën 4.651 palestinezë, përfshirë 1.873 fëmijë, janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, ndërsa shifra qëndron në më shumë se 1.400 njerëz në Izrael. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat