Konflikti mes Izraelit dhe Hamasit dhe siguria e gazetarëve në terren

Azia

Konflikti mes Izraelit dhe Hamasit dhe siguria e gazetarëve në terren

Më: 22 tetor 2023 Në ora: 18:36
Foto ilustrim

Ndërsa 15 gazetarë janë vrarë gjatë javës së parë të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit, përfshirë një kameraman të agjencisë së lajmeve Reuters, redaksitë e lajmeve dhe specialistët e sigurisë po shqyrtojnë mënyrat për të mbrojtur ekipet mediatike që raportojnë nga fusha e betejës.

Kryeredaktorja e agjencisë së lajmeve Reuters, Alessandra Galloni, i bën homazh kameramanit Issam Abdallah, i cili u vra nga goditja e një predhe më 13 tetor, ndërsa filmonte luftimet ndërkufitare midis forcave izraelite dhe Hezbollahut, një grup militant në Liban.

Ai u vra në krye të detyrës. Raportimi i ngjarjeve botërore me saktësi, integritet, pavarësi dhe paanësi është shtyllë themelore e agjencisë së lajmeve Reuters”, thotë zonja Galloni.

Predha, për të cilën raportet se e kishte origjinën në Izrael, plagosi gjashtë gazetarë të tjerë. Kryeredaktorja Galloni bëri thirrje për transparencë në hetimin e Izraelit për incidentin, ndërsa theksoi nevojën që media të jetë në gjendje të raportojë për luftën.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme që gazetarët tanë të jenë në gjendje të raportojnë pa rrezikuar jetët e tyre”.

Siguria është elementi themelor për redaksitë që dërgojnë ekipe në Izrael dhe Gaza. Në javën e parë të konfliktit, të paktën 15 gazetarë, përfshirë zotin Abdallah, u vranë, thotë Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Gazetarë të tjerë janë plagosur ose penguar, në atë që UNESCO thotë se është java e parë më vdekjeprurëse për gazetarët në çdo konflikt të fundit. Por prania e medias në terren në kohë lufte është jetike.

Prania e gazetarëve për të raportuar zhvillimet është shumë kritike për të kuptuar se çfarë po ndodh, për përgjegjshmërinë, veçanërisht duke patur parasysh numrin e civilëve në këtë mes”, thotë zonja Rachel Oswald me Klubin Kombëtar të Shtypit.

Është e domosdoshme që gazetarët të raportojnë lajme të verifikuara dhe të bazuar në fakte të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, thotë Rachel Oswald, kryetare e Komitetit të Lirisë së Shtypit në Klubin Kombëtar të Shtypit.

Po shohim të gjitha palët në konflikt që përpiqen të dominojnë skenën informative me gënjeshtra, me dezinformata, me imazhe të manipuluara. Prania e gazetarëve është thelbësore për të raportuar faktet”.

Ndërsa rreziqet ndaj gazetarëve po shtohen në shkallë botërore, trajnimi dhe këshillimi për sigurinë po zhvillohen qysh në fazat e hershme, përfshirë programet e gazetarisë në shkollat e mesme dhe universitete.

Fondacioni për Trashëgiminë James W Foley, i cili mbron sigurinë e gazetarëve dhe amerikanëve të ndaluar pa të drejtë jashtë vendit, ka ngritur një grup pune për trajnimin dhe mbështetjen e brezit të ri të gazetarëve.

Çelësi i trajnimit dhe përgatitja për të mbuluar një situatë të rrezikshme është hartimi i një plani. Këtu përfshihet bashkëpunimi me individë që e njohin rajonin dhe koordinimi me drejtuesit e redaksisë së lajmeve.

Specialistët e sigurisë thonë se është gjithashtu thelbësore patja e një plani largimi në rast se situata bëhet shumë e rrezikshme.

“Nëse dikush është në një situatë të rrezikshme, ata e dinë më mirë se çfarë po ndodh. Është detyra e vet gazetarit që të marrë vendimin dhe ta njoftojë redaksinë”, thotë Jason Reich i cili drejton çështjet e sigurisë pranë gazetës New York Times.

Ndërsa shtohet numri i civilëve të vrarë dhe të plagosur në konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit, më shumë gazetarë po shkojnë në rajon për të mbuluar luftën dhe siguria është një pjesë thelbësore e planifikimit të redaksive të lajmeve./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat