LIVE: Dronët synojnë trupat amerikane në Siri, vjen reagimi nga Pentagoni – Kjo është këshilla e SHBA-së për Izraelin

Azia

LIVE: Dronët synojnë trupat amerikane në Siri, vjen reagimi nga Pentagoni – Kjo është këshilla e SHBA-së për Izraelin

Nga: BOTA SOT Më: 23 tetor 2023 Në ora: 06:24 Përditësuar në ora: 18:36 më 23.10.2023
Pamje nga lufta

Reagon Pentagoni: Asnjë urdhër i drejtpërdrejtë i Iranit që përfaqësuesit e tyre të sulmojnë trupat amerikane

Nga: A.Sh

SHBA nuk ka parë një urdhër të drejtpërdrejtë nga lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei për të sulmuar trupat në rajon, ka thënë Pentagoni, përcjell Bota sot.

Kjo pason një valë sulmesh në bazat e SHBA-së në Irak dhe Siri nga grupe të dyshuara të mbështetura nga Irani.

"Ne nuk shohim domosdoshmërisht se Irani i ka urdhëruar në mënyrë eksplicite që të ndërmarrin këto lloj sulmesh," u tha gazetarëve zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral brigade Patrick Ryder.

I shtyrë për këtë çështje, gjenerali Ryder shtoi: "Ne nuk kemi parë një urdhër të drejtpërdrejtë, për shembull, nga Udhëheqësi Suprem që thotë: "Dil dhe bëje këtë".

Por Ryder tha se SHBA përfundimisht e konsideron Iranin përgjegjës për sulme të tilla nga grupet militante "për shkak të faktit se ata mbështeten nga Irani".

Dronët synojnë trupat amerikane në Siri

Nga: A.Sh

Trupat amerikane në Siri janë shënjestruar nga dronët, por nuk ka pasur të lënduar, thanë dy zyrtarë amerikanë, përcjell Bota sot.

Zyrtarët, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se sulmi ndodhi në bazën al Tanf, pranë kufijve të Sirisë me Irakun dhe Jordaninë.

Javën e kaluar, dy drone shënjestruan bazën ajrore al Asad në Irakun perëndimor, ndërsa një tjetër dron sulmoi një bazë në Irakun verior, tha një zyrtar amerikan për Associated Press.

Forcat amerikane kapën të tre dronët, duke shkatërruar dy prej tyre.

Megjithatë, droni i tretë u dëmtua vetëm, gjë që çoi në lëndime të lehta midis forcave të koalicionit.

Milicitë irakiane, me mbështetjen iraniane, kanë lëshuar kërcënime ndaj objekteve amerikane në përgjigje të mbështetjes së Amerikës ndaj Izraelit.

SHBA këshilllon Izraelin të shtyjë ndërhyrjen me trupa tokësore në Gazë

Shtetet e Bashkuara kanë këshilluar zyrtarët izraelitë që të shtyjnë ndërhyrjen e mundshme me trupa tokësore në Gazë, çka do t’u jepte më shumë kohë Shteteve të Bashkuara të punonin me partnerët në rajon, për lirimin e personave të tjerë që po mbahen peng nga grupi militant i Hamasit, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press, një zyrtar i administratës amerikane që ka dijeni për çështjen.

Zyrtari, i cili kërkoi të mos identifikohej, tha se ishte e paqartë nëse ky argument do të ndikonte mbi Izraelin.

Zyrtari amerikan vuri në dukje se falë ndihmës së Katarit në ndërmjetësimin me Hamasin, u bë i mundur lirimi i dy pengjeve, Judith dhe Natalie Raanan.

Përpjekjet për lirimin e 2 nga 222 personat që janë marrë peng nga Hamasi, nisën menjëherë pas sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit që la 1400 viktima./VOA

Izraeli afron trupat ushtarake në Gaza, bastisje ndërkufitare për të ‘gjetur informacion’ mbi pengjet

Një zëdhënës ushtarak izraelit Daniel Hagari, i cili ka konfirmuar se ushtarët e tyre kanë kryer bastisje brenda Gazës.

Ai tha për gazetarët se sulmet “nga forcat e blinduara dhe të këmbësorisë” kishin për qëllim “për të vrarë qelizat terroriste që po përgatiteshin për fazat e ardhshme të luftës”.

Hagari shtoi se forcat izraelite po përpiqeshin të gjenin informacione për pengjet e zhdukur, që sipas tyre janë 222 të konfirmuar dhe se mes tyre ka shumë shtetas të huaj.

Kujtojmë se, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, thanë të dielën vonë se Shtetet e Bashkuara presin që lufta mes Izraelit dhe Hamasit të përshkallëzohet.

Sipas tyre kjo mund të ndodhë përmes përfshirjes së përfaqësuesve të Iranit, duke shtuar se administrata Biden është e përgatitur për t’u përgjigjur nëse personeli amerikan apo forcat e armatosura bëhen cak i luftimeve të tilla.

SHBA paralajmëron përshkallëzim të luftës Izrael-Hamas

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken dhe sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, thanë të dielën vonë se Shtetet e Bashkuara presin që lufta mes Izraelit dhe Hamasit të përshkallëzohet përmes përfshirjes së përfaqësuesve të Iranit, duke shtuar se administrata Biden është e përgatitur për t’u përgjigjur nëse personeli amerikan apo forcat e armatosura bëhen cak i luftimeve të tilla.

“Kjo nuk është çfarë duam ne, as çfarë kërkojmë. Ne nuk duam përshkallëzim”, tha Blinken.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk duan që “ndaj forcave apo personelit tonë të ketë të shtëna. Por, nëse kjo ndodh, atëherë ne jemi të gatshëm për këtë”.

Austin, ndërkohë, tha se “ajo çfarë po shohim ne është mundësi e një përshkallëzimi të madh të sulmeve ndaj trupave dhe njerëzve tanë në rajon”.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë të drejt për vetëmbrojtje “dhe ne nuk do të ngurrojmë të ndërmarrim veprime të duhura”.

Paralajmërimi i zyrtarët të lartë amerikanë vjen derisa përgjigja e ashpër e Ushtrisë së Izraelit ndaj sulmit vdekjeprurës të Hamasit në qytetet e Izraelit jugor më 7 tetor po futet në javën e tretë.

Avionët luftarakë izraelitë i vazhduan bombardimet mbi Rripin e Gazës të shtunën dhe të dielën, si dhe i sulmuan dy aeroporte në Siri dhe një xhami në Bregun e uzurpuar Perëndimor, e cila gjoja përdorej nga militantët.

Ushtria e Izraelit shkëmbeu zjarr me grupin militant të Libanit, Hezollah, në fundjavë, duke i vrarë gjashtë luftëtar të këtij grupi.

Blinken, i cili së fundmi i kaloi disa ditë në Lindjen e Mesme, foli për “mundësinë e përshkallëzimit të luftës, edhe pse askush nuk dëshiron të shohë luftime në një front të dytë apo tretë mes Izraelit dhe Hamasit”.

Ai tha se pret “përshkallëzim nga përfaqësuesit e Iranit kundër forcave tona, kundër personelit tonë”, duke shtuar se “ne po ndërmarrim hapa për t’u siguruar se mund ta mbrojmë popullin tonë dhe të përgjigjemi me vendosmëri nëse është nevoja”.

Irani është armik i Izraelit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, vazhdimisht e ka përdorur fjalën “mos” për t’i paralajmëruar armiqtë e Izraelit të mos e shfrytëzojnë situatën e tanishme në rajon./REL

Avionët luftarakë izraelitë godasin një tjetër xhami në Gaza

Avionët luftarakë izraelitë kanë goditur një tjetër xhami në Rripin e Gazës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të xhamive të shkatërruara në territor në 32 që nga 7 tetori, sipas ministrisë së Brendshme palestineze.  

Sulmi ajror kishte në shënjestër xhaminë Al-Noor Al-Mohammedi në lagjen Sheikh Radwan në Gaza, shkruan Al Jazeera.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme e Autoritetit Palestinez ka kritikuar ashpër Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për dështimin për t’u përballur me “katastrofën humanitare” në Gaza.

Ministria, e cila është e vendosur në Bregun Perëndimor tha se “Këshillit të Sigurimit të OKB-së i mungon konsensusi minimal mbi detyrat dhe përgjegjësitë e tij ndaj katastrofës humanitare që ka goditur popullin palestinez dhe është Nakba e re.”

NYT: Hamasi ende nuk ka prova nëse Izraeli është përgjegjës për sulmit në spitalit të Gazës

“Asnjë provë nuk ka ardhur ende nga Hamasi se Izraeli është përgjegjës për sulmin në spitalin në Gaza, në të cilin qindra njerëz u vranë javën e kaluar,” shkruan Neë York Times.

Hamasi pranoi, në përgjigje të një pyetjeje nga gazeta amerikane, se ata nuk ishin në gjendje të lokalizonin komponentët e municionit në vendin e bombarduar.

Një përfaqësues i lartë i organizatës në pushtet në Rripin e Gazës shpjegoi se raketa që goditi spitalin u ‘tret si kripa në ujë’.

Ministria lokale e Shëndetësisë gjithashtu nuk dha informacion për të mbështetur numrin e raportuar të vdekjeve 471. Izraeli pretendon se ishte një raketë e Xhihadit Islamik që goditi spitalin.

Mbi 5 mijë palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite

Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza thotë se 436 palestinezë.

Përfshirë 182 fëmijë, janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza në 24 orët e fundit.

Numri i përgjithshëm i të vrarëve që nga fillimi i konfliktit tani është 5,087, me 15,273 të tjerë të plagosur, shkruan Sky News.

Megjithatë, shifrat e ministrisë nuk janë verifikuar.

Të paktën 14 kamionë me ndihma humanitare hyjnë në Rripin e Gazës përmes Egjiptit

Të paktën 14 kamionë me ndihma humanitare, të sponsorizuar nga Gjysmëhëna e Kuqe egjiptiane dhe Kombet e Bashkuara, u panë duke hyrë në Rripin e Gazës nga Egjipti përmes vendkalimit Rafah të dielën vonë në mbrëmje me orën lokale.

Një zyrtar i Shoqatës Palestineze të Gjysmëhënës së Kuqe në Gaza konfirmoi për CNN se këta kamionë kanë hyrë në Gaza.

Aktualisht, kamionët janë duke u shkarkuar për të vazhduar në objektet e magazinimit të Gazës të UNRWA, agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron do të vizitojë Izraelin të martën

Presidenti francez, Emmanuel Macron do të zhvillojë një vizitë në Izrael të martën.

Njoftimi u dha nga Elysee, duke konfirmuar deklaratat nga zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu më herët gjatë ditës, shkruan Al Jazeera.

Ndërkaq, presidenti amerikan, Joe Biden dhe kryeministri Netanyahu kanë rënë dakord që ndihma do të vazhdojë në Rripin e Gazës pavarësisht nga sulmet e vazhdueshme izraelite në enklavën e rrethuar.

“Udhëheqësit pohuan se tani do të ketë rrjedhje të vazhdueshme të kësaj ndihme kritike në Gaza”, tha Shtëpia e Bardhë pasi të dy udhëheqësit zhvilluan një bisedë telefonike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat