Shkarkimi i dy ministrave, shenjë dobësie apo force për udhëheqësin kinez Xi Jinping?

Azia

Shkarkimi i dy ministrave, shenjë dobësie apo force për udhëheqësin kinez Xi Jinping?

Më: 25 tetor 2023 Në ora: 20:20
Xi Jinping

Shkarkimi i dy ministrave kinezë, atij të jashtëm dhe të mbrojtjes, duket se forcon synimin e udhëheqësit Xi Jinping për kontroll dhe bindje të plotë si dhe elimimimin e çdo rivali të mundshëm si drejtues i Partisë Komuniste, thonë analistët.

Gjatë kësaj jave, media shtetërore kineze konfirmoi se ish-ministri i mbrojtjes, gjenerali Li Shangu dhe ish-ministri i jashtëm Qin Gang “nuk ishin më në detyrë”, por pa dhënë më shumë detaje.

Mungesa e transparencës në sistemin autoritar njëpartiak të Kinës nxit spekulime të mëdha se përse u larguan nga detyra dy zyrtarët.

Të dy u emëruan nën udhëheqjen e zotit Xi, që nënkupton se duhet t’i jenë nënshtruar një kontrolli të fortë, por më vonë u përballën me dyshime mbi sjelljen personale dhe aleancat politike.

“Këto ndryshime mund t’i shohësh edhe si dëshmi të dobësisë së zotit Xi edhe si shenjë e forcës së tij. Anoj tek pikëpamja e pasigurisë së tij”, thotë June Teufel Dreyer, eksperte mbi politikat kineze pranë universitetit të Majemit në Shtetet e Bashkuara.

Udhëheqësi Xi po bën atë që nuk e ka bërë më parë, po shkarkon zyrtarët e fuqishëm që i ka emëruar vetë, duke e kthyer të gjithë Partinë Komuniste “ në fraksionin Xi”, thotë Steve Tsang, drejtor i Institutit për Kinën në Universitetin e Londrës.

Nuk është dhënë thuajse asnjë informacion mbi fatin e ish ministrave Li dhe Qin.

Ish-ministri i Jashtëm, Qin Gang u shkarkua nga detyra në muajin korrik, mes spekulimeve se kishte shkelur një kod etike të pashkruar, që shpesh përdoret për të fshehur përplasjet e brendshme politike.

Li Shangu, i cili u emërua si ministër i Mbrojtjes gjatë një riorganizimi të kabinetit në mars dhe u dërgua për të vizituar Moskë, për të dëshmuar mbështetjen e Kinës ndaj Rusisë, nuk është parë publikisht që prej një fjalimi të dhënë më 29 gusht.

Nuk ka ndonjë të dhënë se largimet e dy ish ministrave sinjalizojnë një ndryshim të politikës së jashtme apo asaj të mbrojtjes së Kinës, ndërsa Pekini synon të krijojë aleanca në kundërshti me rendin demokratik liberal të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

Shkarkimi i zotit Li ka gjasë të jetë bazuar në shumë faktorë, përfshirë një hetim anti-korrupsion në vitin 2017, tha Meia Nouwens, eksperte mbi Kinën në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

“Nuk duket të jetë diçka e mirë. Ata kanë qenë aleatë të tij të ngushtë, të sapoemëruar dhe tani duket qartësisht se diçka ka ndodhur dhe nuk është pozitive për ta marrja e këtyre veprimeve drastike dhe shkarkimi nga detyra në atë që duket se ka qenë një vendim i marrë me nxitim”, thotë ajo.

Në të njëjtën kohë, disa mund ta shohin këtë lëvizje si shenjë e forcës së zotit Xi, shprehet ajo.

“Tregon dobësi në rrethin e ngushtë, por qartësisht forcë në kuptim të faktit se ai mund të marrë veprime të tilla në mënyrë të vendosur, nëse gjykon ta bëjë një gjë të tillë”.

Zoti Xi njihet se mbi gjithçka, vlerëson besnikërinë dhe ka goditur korrupsionin, ndonjëherë në forma të tilla që janë parë si një mënyrë për të eliminuar rivalët politikë dhe forcuar pozitat politike në mes të përkeqësimit të gjendjes ekonomike dhe tensioneve në rritje mbi tregtinë dhe teknlogjinë me Shtetet e Bashkuara, si dhe tensioneve me Tajvanin.

Zoti Li, është vënë nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara për shkak të blerjeve të avionëve luftarakë rusë, saksione që nuk e lejojnë të vizitojë vendin.

Pas sanksioneve, Kina ka ndërprerë kontaktet me Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara, kryesisht në shenjë proteste për shitjen e armëve amerikane për Tajvanin dhe ka sugjeruar, jo në mënyrë të drejtpëdrejtë, se Uashigntoni duhet të heq masat ndaj zotit Li, të cilat Pekini ka refuzuar t’i pranojë publikisht.

Gjatë kësaj jave, televizioni shtetëror kinez CCTV njoftoi emërimin e ministrave të rinj të Financave, Shkencës dhe Teknologjisë.

Sistemi politik dhe ligjor i Kinës vazhdon të jetë jo transparent, duke nxitur diskutime mbi mundësinë e dukurisë së korrupsionit, dobësive personale apo përplasjeve të zyrtarëve me figura të larta të fuqishme, që për pasojë shkakton zhveshjen e tyre nga postet.

Partia në pushtet e Kinës po përpiqet gjithashtu të ringjallë ekonominë që është ndikuar rëndë nga masat e forta "zero COVID", popullsia në plakje, papunësia e lartë mes të diplomuarve dhe zhvendosja e shumë të pasurve dhe të arsimuarve kinezë, drejt shoqërive më liberale jashtë vendit.

Në sajë të ideologjisë së tij, të njohur si "Mendimi i Xi Jinping", që është përfshirë në kushtetutën e partisë dhe me heqjen e kufizimeve të mandatit presidencial, Presidenti Xi e ka strukturuar sistemin në mënyrë të tillë që të mund të qëndrojë sa të ketë jetë, në pushtet.

70-vjeçari drejton gjithashtu komitetet që mbikëqyrin Ushtrinë Çlirimtare Popullore, ushtria më e madhe në botë, me më shumë se 2 milionë pjesëtar aktivë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat