LIVE: Kurthe, prita dhe gracka, zbardhen prapaskenat e përgatitjeve të Izraelit për fazën e re të luftës në Gaza

Azia

LIVE: Kurthe, prita dhe gracka, zbardhen prapaskenat e përgatitjeve të Izraelit për fazën e re të luftës në Gaza

Më: 26 tetor 2023 Në ora: 06:14 Përditësuar në ora: 19:32 më 26.10.2023
Pamje nga lufta Izrael-Palestinë

Kurthe, prita dhe grackat në ‘metrotë e Gazës’, sfidat më të mëdha me të cilat mund të përballet një pushtim tokësor i Izraelit

Kërcënimet e Hamasit nga ajri, toka dhe nëntoka po përballen me trupat izraelite të grumbulluara në kufi, të përgatitur për luftë brutale urbane.

Izraeli është gati të nisë një pushtim tokësor të Gazës pasi u zotua të zhdukë Hamasin.

Yoav Gallant, ministri i mbrojtjes, u tha trupave të grumbulluara në kufirin e enklavës javën e kaluar se së shpejti do të shihnin “brenda” të saj, duke premtuar se urdhri për të pushtuar do të vinte së shpejti.

Ndërsa koha dhe shkalla e saktë e inkursionit të Izraelit mbetet e paqartë, ajo që është e sigurt është se një luftë brutale urbane e pret, raporton "The Telegraph".

Hamasi, i cili kontrollon territorin në tërësi, ka krijuar një varg tunelesh që do t’i lejojnë personat e armatosur të grumbullojnë municion dhe të kryejnë sulme të befasishme ndaj trupave pushtuese.

Me nofkën “metroja e Gazës”, tunelet mund të lejojnë gjithashtu terroristët e Hamasit të shmangin zbulimin dhe të largohen nga forcat izraelite që synojnë të zhdukin çdo anëtar të fundit të grupit.

Në terren, forcat izraelite ka të ngjarë të vendosin tanke Merkava dhe buldozerë të blinduar ndërsa lëvizin nga shtëpia në shtëpi, duke çrrënjosur deri në 50,000 terroristë të Hamasit që jetojnë së bashku me civilët palestinezë.

Përparimi i tyre ka të ngjarë të pengohet nga kurthe me armë zjarri, duke përfshirë pajisje të sofistikuara eksplozive të improvizuara, prita dhe snajperë, duke kërcënuar një numër të madh të vdekjeve.

Nga lart, ata përballen me kërcënimin e sulmeve me dron, mortaja dhe raketa.

Izraeli: Bastisjet në Gazë, përgatitje për fazën e re të luftës

Trupat ushtarake izraelite kanë hyrë për pak në mesnatën e së enjtes në Gazë, për t’u përgatitur për fushëbetejë, ka thënë ushtria e Izraelit, dy javë pasi i ka shpallur luftë grupit militant palestinez Hamas.

Më 7 tetor, militantët e Hamasit kanë kryer sulme në tokën izraelite duke i lënë mbi 1.200 njerëz të vrarë. Hamasi besohet se i ka marrë nga Izraeli edhe mbi 200 pengje.

Bastisjet ushtarake të Izraelit në Gazë janë kryer teksa Kombet e Bashkuara kanë deklaruar se rrezikojnë të mbesin pa naftë në këtë territor.

Gaza është nën rrethim të ashpër – ka mbetur pa ushqim, ujë dhe ilaçe – prej kur Hamasi i ka nisur sulmet në Izrael.

Rritja e numrit të viktimave në Gazë është e pashembullt në konfliktin që vazhdon me dekada mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se mbi 7.000 palestinezë janë vrarë në konflikt, ndonëse kjo shifër nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

Ushtria izraelite ka thënë se po i sulmon vetëm shënjestrat e militantëve dhe e ka akuzuar Hamasin se po vepron në mesin e civilëve, në Gazën me popullsi të dendur.

Konflikti është duke kërcënuar me përhapje të luftës në rajon.

Hezbollahu, aleat i Hamasit në Liban, por që përkrahet nga Irani, ka shkëmbyer disa herë zjarr me Izraelin në zonën kufitare.

Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë kapacitetin e Hamasit për të qeverisur në Gazë, apo për ta kërcënuar Izraelin në të ardhmen, por ka thënë se nuk synon që ta pushtojë sërish Gazën, prej së cilës i ka tërhequr trupat më 2005.

Benny Gantz, gjeneral i pensionuar dhe anëtar i Kabinetit të luftës në Izrael, ka thënë se ofensiva tokësore do të jetë vetëm një fazë në procesin e gjatë, që përfshin aspektet sigurie, politike dhe sociale, që do të zgjasë me vite”./REL

Trupat izraelite kryejnë sulm të shkurtër tokësor në Gazë

Izraeli ndërmorri gjatë natës një sulm tokësor disa orësh me tanke në veri të Gazës, duke goditur një sërë objektesh ushtarake, që synonte përgatitjen e terrenit përpara ndërhyrjes së pritshme tokësore, sipas ushtrisë izraelite.

Sulmi ndodhi në një kohë kur OKB-ja njofton se rezervat e karburantit në Rripin e Gazës, ishin në prag të mbarimit dhe organizata është detyruar të kufizojë ndjeshëm dërgimin e ndihmës. Rripi i Gazës gjendet në rrethim të plotë, që pas sulmit të grupit militant të Hamasit ndaj Izraelit, në 7 tetor.

Sipas zyrtarëve palestinezë, gjatë 24 orëve të fundit u vranë mbi 750 persona, duke e çuar më shumë se 7 mijë numrin e viktimave në Gazë.

Bilanci mund të jetë edhe më i rëndë në rast se Izraeli ndërmerr sulmin e pritshëm tokësor.

Izraeli është zotuar të shtypë aftësitë e Hamasit për të qeverisur Gazën apo për ta kërcënuar sërish, por ka deklaruar gjithashtu se nuk synon ripushtimin e territorit, nga i cili i tërhoqi trupat në 2005.

Kjo mund të jetë një sfidë e vështirë pasi Hamasi i ka rrënjët e thella në shoqërinë palestineze, përmes organizatave politike dhe atyre të bamirësire, por gjithashtu edhe me trupat e armatosura.

Grupi i Hamasit, të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë përcaktuar organizatë terroriste qeveris Gazën që prej vitit 2007 dhe i ka mbijetuar 4 luftrave me Izraelin.

Të mërkurën, bashkëshortja, djali, vajza dhe nipi i gazetarit të vjetër të rrjetit Al Jazeera në Gazë Wael Dahdouh, u vranë nga një sulm ajror i Izraelit.

Ushtria izraelite thotë se kryen sulme vetëm ngaj objektivave ushtarake dhe akuzon Hamasin se vepron mes civilëve në Gazë, një territor me popullsi të dendur.

Që prej nisjes së luftimeve, militantët palestinezë kanë kryer sulme me raketa ndaj Izraelit.

Sipas qeverisë izraelite, 1400 persona janë vrarë në Izrael si pasojë e konfliktit, shumica gjatë sulmit të 7 tetorit nga grupi i Hamasit.

Militantët e Hamasit po mbajnë peng 224 persona në Gazë./VOA

Ndërsa shtohen viktimat, rritet edhe urrejtja mes izraelitëve dhe palestinezëve

Viktimat, që kanë arritur me mijëra, vazhdojnë të shtohen dhe imazhet tragjike nga të dyja palët e konfliktit të Gazës po qarkullojnë në mediat sociale palestineze dhe izraelite, duke shtuar urrejtjen reciproke, e cila po rrënjoset më thellë ndërsa konflikti thellohet. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Yan Boechat, bisedoi me njerëz nga të dyja palët, në Izrael dhe në territoret palestineze.

Dhuna ka qenë e pandalur ndërsa avionët luftarakë izraelitë bombardojnë Gazën dhe Hamasi vazhdon të godasë me raketa Izraelin.

Në Bregun Perëndimor filluan protestat. Përplasjet mes forcave izraelite dhe palestinezëve lanë disa të vdekur. Për herë të parë në pothuajse 20 vjet, avionët izraelitë sulmuan një qytet në Bregun Perëndimor.

Në kufirin me Libanin, dhuna gjithashtu po rritet, duke i shtuar shqetësimet se një luftë e re mes Izraelit dhe Hezbollahut është gati për të filluar.

Qeveria izraelite publikoi video ku duken pamjet e filmuara nga kamera që mbante në trup një militant i Hamasit, ndërsa qëllonte me armë ndaj një automjeti civil, si dhe pamjet nga kamera brenda makinës. Zëri i Amerikës nuk arriti të verifikojë në mënyrë të pavarur autenticitetin e videos.

Informacionin i pafiltruar dhe ndonjëherë i rremë ushqen urrejtjen e dyanshme që po bëhet më intensive dhe më e rrënjosur tek njerëzit nga të dyja anët e këtij konflikti.

“Këta fëmijë që shikoni, këta katërnjakë, prindërit e tyre pritën 16 vjet që t’i kishin; tani janë vrarë. Çfarë i bënë këta fëmijë Izraelit?”, thotë Nadoosh Mohamed, banore në Ramallah.

Zonja Mohamad jeton larg Gazës, në një shtëpi të rehatshme në Ramallah. Ajo thotë se do të preferonte të kishte vdekur se sa të shikonte gjërat që i shfaqen në telefon çdo ditë. Pasi i ke parë këto, thotë ajo, është e pamundur të mendosh për të jetuar në paqe me një izraelit.

“Jemi ndryshe nga ata. E pamë trajtimin e Hamasit ndaj fëmijëve dhe trajtimin e Izraelit. Ajo çfarë thanë për djegien e fëmijëve nuk është e vërtetë. Hamasi i trajton pengjet shumë mirë”, thotë ajo.

Ajo e ka fjalën për një video të publikuar nga grupi militant Hamas, të cilin qeveria e Shteteve të Bashkuara e konsideron grup terrorist. Në video pretendohet se Hamasi kujdeset mirë për fëmijët izraelitë që ka marrë peng. Përmbajtja e videos nuk është e verifikuar.

Prej disa ditësh, rrugët e qytetit Ramallah janë mbushur me njerëz që protestojnë kundër sulmeve izraelite në Gazë.

Në komunitetet izraelite pranë kufirit me Gazën, jeta pothuajse është ndalur. Në Ashkelon, qyteti më i madh pranë Gazës, janë të paktë njerëzit që dalin në rrugë. Sirenat nuk bien më aq shpesh sa në fillimin e luftës, por raketat vazhdojnë të vijnë nga Gaza me objektiv këtë qytet izraelit.

Përgjatë molit dikur plot me lëvizje, tashmë vetëm pak njerëz shfaqen në pasditen me diell.

Pas disa ditësh të mbyllur në shtëpi, Yana vendosi të dalë për një ecje së bashku me të dashurin e saj, Nikolay. Realiteti i tyre është krejt i ndryshëm nga i zonjës Mohamed, por çuditërisht tingëllojnë të ndërlidhur me urrejtjen që shprehin.

“Treguan videot e ushtarëve të marrë peng, të fëmijëve që i nxjerrin nga makinat; përdhunuan vajzat në sheshet e Gazës. Nuk mendoj se ka ndonjë dallim mes tyre. Janë të një lloji”, thonë Yana Ikonnikov.

Ashtu si zonja Mohamed, edhe Yana nuk mendon se do të jetë ndonjëherë e mundur, që izraelitët dhe palestinezët të bashkëjetojnë pas këtyre që ndodhën.

“Nuk mund të jetohet me ta në paqe. Në fund do të na vrasin. Ata i mësojnë fëmijët në shkolla se ne jemi armiqtë e tyre”, thotë ajo.

Yana e ka fjalën për videot që ka parë në mediat sociale ku pretendohet se shfaqen pamje në shkollat palestineze, ku fëmijët mësohen që t’i shohin izraelitët si armiq. Edhe ato pamje nuk janë të verifikuara.

Izraelitët dhe palestinezët janë rritur në një kulturë urrejtjeje dhe mosbesimi reciprok. Shumë njerëz nga të dyja anët e kësaj tragjedie, e shohin vdekjen dhe shkatërrimin, më shumë se ndonjëherë më parë, si zgjidhjen e vetme./VOA

Heshtja ndërkombëtare për masakrën e Gazës është e turpshme, thotë Erdogan

Nga: A.Sh

Sulmet e Izraelit në Gaza përbëjnë një masakër, i tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan Papa Françeskut.

Në një telefonatë, Erdogan tha se heshtja e komunitetit ndërkombëtar ishte "e turpshme".

Të gjitha vendet duhet të ngrenë zërin kundër krizës humanitare në rajon, tha zoti Erdogan.

Kjo vjen pasi presidenti akuzoi "ata që ofrojnë mbështetje të pakufizuar për Izraelin" për kryerjen e vrasjes së civilëve në Gaza.

"Sulmet e Izraelit ndaj Gazës, si për veten ashtu edhe për ata që i mbështesin, përbëjnë vrasje dhe sëmundje mendore," u tha ai ligjvënësve nga Partia e tij në pushtet AK.

Ai dënoi vdekjet e civilëve të shkaktuara nga Hamasi më 7 tetor, por tha se grupi "nuk ishte një organizatë terroriste, por një grup çlirimtar".

Komenti u hodh poshtë nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Izraelit, Lior Haiat: "Edhe përpjekja e presidentit turk për të mbrojtur organizatën terroriste dhe fjalët e tij nxitëse nuk do të ndryshojnë tmerret që ka parë e gjithë bota".

Erdogan ka anuluar një vizitë të planifikuar në Izrael, duke treguar pezullimin e përpjekjeve të normalizimit midis dy kombeve.

Britania e Madhe, SHBA dhe vende të tjera perëndimore e kanë cilësuar Hamasin si një organizatë terroriste.

Izraelitët sulmojnë pozicionet e Hamasit, i godasin rëndë me aeroplanë luftarakë

Aeroplanë luftarak të forcave izraelite gjatë 24 orëve të fundit kanë sulmuar mbi 250 objekte të Hamasit në Rripin e Gazës.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i IDF-së izraelite, Daniel Hagari, i cili theksoi se janë goditur tunelet, raketahedhësit që ishin të vendosur në zonat e banuara me civilë.

Ndryshe gjatë mbrëmjes së kaluar forcat izraelite janë futur me tanke në Rripin e Gazës, duke kryer një operacion dhe më pas janë rikthyer në territorin e Izraelit.

E qëllimi i futjes së tankeve izraelite në Rripin e Gazës, ishte sulmi mbi caqet e Hamasit dhe po konsiderohet se ishte operacioni më i madh tokësor i izraelitëve.

Në anën tjetër, kriza në qytetin e Gazës vetëm sapo vjen e rritet, për faktin se ka mungesë të ujit të pijshëm, energjisë elektrike dhe shumë medikamenteve që do t’ua shpëtonin jetën shumë civilëve. 

IDF thotë se tanket dhe këmbësoria "goditën objektiva të shumta terroriste"

Nga: A.Sh

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë konfirmuar se kanë kryer një operacion në veri të Gazës "në përgatitje për fazat e ardhshme të luftimit".

Tanket dhe këmbësoria e IDF-së "goditën një numër të madh të qelizave terroriste, infrastrukturës dhe postimeve të lëshimit të raketave antitank", shkroi ai në faqen e mediave sociale X.

Ushtria postoi gjithashtu një video, gjoja nga operacioni tokësor:

 

Protesta e Universitetit Xhorxh Uashington për luftën Izrael-Gaza ngjall zemërim

Nga: A.Sh

Një universitet prestigjioz në Uashington DC ka refuzuar një protestë në kampus pasi ajo provokoi akuza për antisemitizëm.

Policia u thirr të martën mbrëma për të ndaluar demonstruesit që projektonin slogane në anën e Bibliotekës Gelman në Universitetin George Washington.

Një nga mesazhet që iu dërgua ndërtesës thoshte "Lironi Palestinën nga lumi në det".

Aktivistët thonë se fraza është një thirrje pro-palestineze për pavarësi, por Lidhja Anti-Shpifje, një roje kundër urrejtjes, e ka përshkruar atë si kod për shkatërrimin e shtetit të Izraelit.

Universiteti tha në një deklaratë të mërkurën se protestuesit "në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e universitetit".

“Ne e njohim shqetësimin, dhimbjen dhe dhimbjen që kjo ka shkaktuar për shumë anëtarë të komunitetit tonë”, shtohet në deklaratë.

Izraeli kryen një inkursion tokësor 'relativisht të madh' në Gaza - raport

Nga: A.Sh

Forcat tokësore izraelite kryen një inkursion "relativisht të madh" gjatë natës, raporton agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar Radio Ushtrinë e Izraelit.

Sky News kupton se ishte një "sulm në shënjestër" në veri të Gazës nga Brigada Givati e Izraelit, duke përdorur tanke.

Bastisja kishte në shënjestër "infrastrukturën terroriste".

Të gjithë ushtarët tani janë larguar nga zona.

Izraeli bombardon Gazën, i gatshëm të fusë trupat tokësore

Izraeli vazhdoi sulmet ndaj objektivave të Hamasit në Gaza ndërsa përgatitet për një pushtim tokësor, ndërkohë që më shumë civilë palestinezë u vranë dhe fuqitë botërore në Kombet e Bashkuara nuk arritën të miratojnë planet për të ofruar ndihma të rëndësishme humanitare.

Duke komentuar për të ardhmen e rajonit pas luftës, Presidenti Joe Biden tha të mërkurën se palestinezët dhe izraelitët duhet të kenë dy shtete që jetojnë pranë njëra-tjetrës.

“Izraelitët dhe palestinezët meritojnë të jetojnë krah për krah në siguri, dinjitet dhe paqe”, tha zoti Biden në një konferencë të përbashkët shtypi në Uashington me kryeministrin australian Anthony Albanese.

Zoti Biden tha se ai besonte se një arsye pse grupi islamik i Hamasit sulmoi Izraelin jugor, duke vrarë 1,400 njerëz dhe duke marrë më shumë se 200 pengje të kombësive të ndryshme, ishte për të parandaluar normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite.

Sulmet hakmarrëse izraelite kanë vrarë mbi 6,500 njerëz, tha të mërkurën ministria e shëndetësisë në enklavën e drejtuar nga Hamasi. Agjencia e lajmeve Reuters nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur shifrat e viktimave.

Mbi 7600 raketa janë hedhur nga Gaza në drejtim të Izraelit që nga 7 tetori, sipas të dhënave të qeverisë izraelite, ndërkohë që ka pasur përleshje të vazhdueshme përgjatë kufirit verior.

Shërbimi i ambulancës izraelite “Magen David Adom” tha se dy persona po trajtoheshin pasi një raketë e lëshuar nga Gaza të mërkurën mbrëma goditi qytetin qendror izraelit Rishon Letzion, në jug të Tel Avivit.

PROPOZIMI PËR NDIHMA DËSHTON NË KËSHILLIN E SIGURIMIT

Në Kombet e Bashkuara, Rusia dhe Kina vendosën veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të hartuar nga SHBA-të, që bën thirrje për frenimin e luftimeve për të lejuar që ushqimi, uji dhe ilaçet shumë të nevojshme, t'u dërgohen civilëve palestinezë. Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu votuan kundër, ndërsa 10 vende anëtare votuan pro dhe dy abstenuan.

Një propozim nga Rusia për një armëpushim më të gjerë nuk arriti të merrte votat minimale. Izraeli i ka kundërshtuar të dy propozimet, duke argumentuar se Hamasi do të përfitonte dhe do të krijonte kërcënime të reja për civilët e Gazës.

Dërgesat e kufizuara të ushqimeve, ilaçeve dhe ujit nga Egjipti rifilluan të shtunën përmes vendkalimit Rafah, i vetmi që nuk kontrollohet nga Izraeli.

PËRGATITJET PËR PUSHTIM

Izraeli është zotuar se do ta zhdukë Hamasin, i cili sundon Gazën.

“Ne do të vazhdojmë ta godasim Gazën për të arritur qëllimet e luftës”, tha zëdhënësi ushtarak izraelit Daniel Hagari. “Çdo goditje na forcon dhe përmirëson situatën tonë përpara fazave të ardhshme të luftës”.

Kryeministri Benjamin Netanyahu tha në një deklaratë televizive se Izraeli “po përgatitet për një pushtim tokësor. Unë nuk do të jap hollësi se kur, si dhe sa”.

Tanket dhe trupat izraelite janë pozicionuar në kufirin me Gazën në pritje të urdhrave. Izraeli ka aktivizuar 360,000 rezervistë.

Trysnia ndërkombëtare po rritet për të shtyrë çdo pushtim të Gazës, jo më pak për shkak të pengjeve. Më shumë se gjysma e 220 pengjeve të marra nga Hamasi kanë pasaporta të huaja nga 25 vende të ndryshme, tha qeveria izraelite. Shumë prej tyre besohet se kanë shtetësi të dyfishtë izraelite.

Gazeta “Wall Street Journal”, duke cituar zyrtarë amerikanë dhe izraelitë, raportoi se Izraeli kishte rënë dakord të shtynte pushtimin e Gazës për momentin, në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të mund të përshpejtonin masat e mbrojtjes me raketa në rajon për forcat amerikane të dislokuara atje, duke reflektuar shqetësimin se lufta në Gaza mund të përhapet në pjesë të Lindjes së Mesme.

Deri tani, zyrtarët amerikanë kanë qenë në gjendje të bindin Izraelin që të ndalojë pushtimin derisa të vendosen në rajon sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore, tha gazeta.

Të pyetur në lidhje me raportin, zyrtarët amerikanë i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se Uashingtoni i kishte ngritur shqetësimet me Izraelin se Irani dhe grupet islamike të mbështetura nga Irani mund të përshkallëzojnë konfliktin duke sulmuar trupat amerikane në Lindjen e Mesme. Një inkursion izraelit në Gaza mund të jetë një shkas për mercenarët e Iranit, thanë ata./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat