Raportohet se ka vdekur adoleshentja iraniane që u sulmua nga policia

Azia

Raportohet se ka vdekur adoleshentja iraniane që u sulmua nga policia

Më: 28 tetor 2023 Në ora: 11:11
Adoleshentja iraniane, Armita Garavand.

Adoleshentja iraniane, Armita Garavand, raportohet se ka vdekur më 28 tetor, pothuajse një muaj pasi ra në komë pas një incidenti në metronë e Teheranit.

Grupet e të drejtave të njeriut dhe gazetarët kanë thënë se Garavand dhe dy mikesha të saj më 1 tetor u konfrontuan nga zyrtarët policorë për shkak të mosveshjes së hixhabit, teksa ato tentuan të hynin në një stacion metroje në kryeqytetin iranian.

Një nga mikeshat e saj ka deklaruar se zyrtarët policorë e kanë sulmuar fizikisht Garavandën, e cila më pas humbi vetëdijen. Zyrtarët kanë thënë se Garavanda përjetoi një rënie të papritur të presionit në gjak, u alivanos dhe u rrëzua, duke goditur kokën.

Një burim në Spitalin Fajr, që foli në kushte anonimiteti për Radion Evropa e Lirë, tha se pak pas incidentit, Garavanda pësoi gjakderdhje të brendshme në tru.

“Fatkeqësisht, ajo ra në komë pasi pësoi dëmtim në tru. Ajo vdiq disa minuta më parë”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA, më 28 tetor. Edhe mediat e tjera të lidhura me shtetin iranian kanë raportuar se Garavand ka vdekur.

As familja, apo zyrtarët spitalorë, nuk kanë konfirmuar këto raportime.

Gjendja shëndetësore e Garavandës nxiti shqetësime në Perëndim dhe në mesin e grupeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, pasi në rrjetet sociale qarkulloi një video. Në video shfaqej Garavnda duke hyrë në metro, por më pas nuk tregohet se çfarë ndodhi dhe videoja më pas shfaq vetëm momentin kur trupi i saj nxirret nga metroja.

Rasti i Garavandës, dhe sugjerimet se ka pasur fshehje të rastit nga autoritetet, ka nxitur paralele me ngjarjet që çuan në vdekjen e 22-vjeçares, Mahsa Amini, vitin e kaluar. Amini vdiq pak kohë pasi u arrestua nën pretendimin se nuk kishte veshur si duhet hixhabin, apo shaminë e kokës.

Më herët gjatë këtij muaji, Amini dhe lëvizja Grua, Jetë Liri në Iran – lëvizje që u krijua pas vdekjes së Aminit – fituan Çmimin Sakharov, që është çmimi kryesor për të drejtat e njeriut që ndahet nga Parlamenti Evropian. Po ashtu, aktivistja iraniane për të drejtat e njeriut, Narges Mohammadi, këtë vit fitoi Çmimin Nobel për Paqe./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat