LIVE: Netanyahu vjen me një paralajmërim të rëndë: S’do të ketë armëpushim në Gazë, është koha për luftë

Azia

LIVE: Netanyahu vjen me një paralajmërim të rëndë: S’do të ketë armëpushim në Gazë, është koha për luftë

Nga: Bota sot Më: 30 tetor 2023 Në ora: 06:27 Përditësuar në ora: 06:21 më 30.10.2023
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Konflikti me Hamasin, SHBA: Izraeli duhet të mbrojë civilët në Rripin e Gazës

Izraeli ka përgjegjësi për jetën e banorëve të pafajshëm në Gazë, tha këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

Me numrin e viktimave që ka arritur në mbi 8.000 në Rripin e Gazës, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, është nën presion që ta bëjë të qartë se mbështetja e tij për Izraelin nuk nënkupton mbështetje për gjithçka që Izraeli po bën në këtë enklavë.

Sullivan tha se Uashingtoni i ka bërë pyetje të vështira Izraelit, përfshirë edhe për çështjet që kanë të bëjnë me ndihmat humanitare, dallimin midis terroristëve dhe civilëve të pafajshëm dhe si Izraeli e ka planifikuar operacionin e tij ushtarak.

“Ajo çfarë ne besojmë është se në çdo orë, çdo ditë të këtij operacioni ushtarak, Forcat Mbrojtëse të Izraelit, Qeveria e Izraelit duhet të përdorin çdo mjet në dispozicion që të bëjnë dallimin midis terroristëve të Hamasit, që janë caqe legjitime ushtarake, dhe civilët, të cilët nuk janë caqe legjitime”, tha Sullivan për CNN.

Sullivan tha se SHBA-ja e ka bërë të qartë këtë çështje dhe do të përsërisë qëndrimin gjatë bisedës që Biden do të zhvillojë më vonë gjatë të dielës me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Sullivan po ashtu tha se Netanyahu ka përgjegjësi që të “frenojë” kolonët ekstremistë hebrenj në Bregun e pushtuar Perëndimor.

“Është plotësisht e papranueshme që kemi dhunë të kolonëve ekstremistë ndaj njerëzve të pafajshëm në Bregun Perëndimor”, tha ai.

Sulmet e militantëve të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, kur u vranë mbi 1.400 persona, kanë nxitur Izraelin që të nisë një valë të sulmeve ajrore dhe tokësore ndaj Rripit të Gazës.

Autoritetet shëndetësore në Rripin e Gazës – ku jetojnë 2.3 milionë banorë – kanë thënë se 8.005 palestinezë janë vrarë që kur ka nisur lufta.

Sullivan tha se Hamasi – që kontrollon Gazën – gjendet në mesin e popullatës palestineze dhe në infrastrukturat civile, duke e bërë operacionin kundër këtij grupi shumë të vështirë.

“Kjo krijon sfidë shtesë për Izraelin, por kjo nuk e pakëson përgjegjësinë e Izraelit, sipas ligjit ndërkombëtar, që të bëjë dallimin midis terroristëve dhe civilëve dhe të mbrojë jetën e njerëzve të pafajshëm, që përbëjnë shumicën e popullatës në Gazë”, tha Sullivan.

Izraeli ka shtrënguar rrethimin e Gazës dhe po e bombardon pareshtur këtë territor qe tre javë. Banorëve të Gazës po iu mbarojnë furnizimet me ushqim dhe ujë. Situata atje ka rritur zemërimin ndërkombëtar dhe ka shtuar thirrje për “një pauzë humanitare” në mënyrë që të dërgohen ndihma për banorët në këtë territor.

Pa drita, pa shtretër dhe pa ilaçe, rrëfime nga mjekët në Gaza: Shpesh para zgjedhjes, cilin pacient të shpëtojmë e cilin jo

Sistemi i kujdesit shëndetësor në Gazë është duke u shembur. Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se një e treta e spitaleve dhe gati dy të tretat e klinikave të kujdesit parësor atje, tashmë janë mbyllur, për shkak të dëmeve nga lufta ose mungesës së karburanteve.

Pas sulmeve të militantëve të Hamasit më 7 tetor, Izraeli ka mbyllur dy pikat e tij kufitare me Gazën dhe e ka vendosur atë nën rrethim të plotë, duke i bllokuar furnizimet me karburante, energji elektrike dhe ujë.

Kjo i ka detyruar spitalet në të gjithë Gazën, e cila varet nga Izraeli për rreth dy të tretat e energjisë elektrike, të mbështeten në rezervat e tyre me karburante.

Ministrja palestineze e Shëndetësisë, Mai al-Kaila, ka bërë thirrje për presion të shtuar mbi Izraelin për të lejuar hyrjen e karburanteve, barnave, ushqimit dhe ujit të pijshëm në Gazë. Në të kundërtën, ka thënë ajo, mijëra pacientë janë në rrezik të vdesin.

“Mjekët në shumë spitale në Rripin e Gazës duhet të kryejnë operacione urgjente në korridore, duke përdorur dritën e celularëve të tyre. Ky është skenari më i keq i mundshëm për punonjësit mjekësorë”, ka thënë al-Kaila.

Izraeli i ka bllokuar dërgesat e reja të karburanteve në Gazë, duke thënë se ato mund të vidhen dhe shfrytëzohen nga Hamasi për qëllime ushtarake. Ai, po ashtu, e ka akuzuar Hamasin se ka grumbulluar qindra mijëra litra naftë dhe se refuzon t’i ndajë ato.

Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje të dyja palëve për armëpushim të menjëhershëm, që do të mundësonte dërgimin e sigurt të furnizimeve shëndetësore dhe të tjera në spitale, ku çdo ditë trajtohet numër i madh i të plagosurve nga sulmet izraelite.

Në fillim të kësaj jave, OBSH-ja ka thënë se ka dërguar disa barna dhe furnizime të tjera në katër spitale në Gazën jugore, por se nevojat janë shumë më të mëdha. Spitalet e mbështetura prej saj, po i përdorin gjeneratorët minimalisht – vetëm për operacionet që shpëtojnë jetë, ka thënë agjencia e OKB-së.

Me gjithë përpjekjet, Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të bjerë në kontakt me ndonjë mjek apo punonjës tjetër spitalor në Gazë, për të marrë informacione nga dora e parë. Por, REL-i ka biseduar me neurologun pediatrik, Omar Abdel-Mannan, nga Kolegji Universitar i Londrës, i cili është bashkëthemelues i grupit “Gaza Medic Voices”, apo “Zërat e Mjekëve të Gazës”.

Ky grup ka profile në të gjitha rrjetet sociale, ku publikon dëshmitë e mjekëve dhe infermierëve nga spitalet e Gazës.

“Kemi marrë shumë mesazhe me tekst, mesazhe me zë dhe fotografi nga mjekët dhe infermierët në Gazë. Kemi dashur t’iu mundësojmë që t’i tregojnë rrëfimet e tyre. Kemi ndjerë se është e rëndësishme që bota ta dëgjojë atë që ata shohin”, thotë Abdel-Mannan.

Ai është pjesë e një grupi më të madh, i njohur si Nisma e Mësimdhënies e Oksfordit, dhe ka vizituar Gazën çdo vit nga viti 2011.

Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, ai sjell dëshmitë e disa mjekëve që ka marrë nga vendi në luftë:

“Kemi parë video dhe kemi marrë fotografi dhe mesazhe se si funksionojnë duke përdorur dritat e telefonave celularë, për t’i ndriçuar pacientët ose mjekët, kur ata janë duke punuar. Atyre po u mbarojnë furnizimet bazë, si antibiotikët, qeset me kripë, produktet e gjakut, të cilat janë të vështira për t’u gjetur edhe në kohë më normale”.

“Por, në kohë lufte, këto janë gjëra thelbësore që ju nevojiten për të shpëtuar pacientët. Në disa spitale, këto kanë mbaruar gati plotësisht. Rezervat private janë zbrazur gjithashtu. Të gjitha rezervat private të furnizimeve me barna i kanë çuar në spitalet kryesore dhe nuk ka mbetur asgjë. Ndihma ka shumë pak”, thotë Abdel-Mannan.

Ai thotë se disa kolegë të tij në Gazë, që edhe vetë kanë humbur familjarë në luftë, janë të detyruar të punojnë nga 24 orë. Sipas dëshmive që përmend, ka raste kur bëjnë operacione pa anestezi dhe përdorin uthull në vend të antiseptikëve. Përveç kësaj, shpesh gjenden edhe para zgjedhjes: cilin pacient ta shpëtojnë e cilin ta lënë të vdesë?!

“Një mjeke më ka thënë se nuk ka pasur shtretër në njësinë e kujdesit intensiv në spital. Jashtë ka pasur bombardime të vazhdueshme dhe transferimi i ndonjë pacienti nga kujdesi i saj intensiv në një kujdes tjetër intensiv, nuk ka qenë i sigurt. Ajo ka pasur vetëm një shtrat të lirë, ndërkohë që i kanë shkuar dy pacientë – të dy fëmijë, të dy të moshës së fëmijëve të saj”.

“Njëri ka pasur dëmtime të rënda në kokë, që ka mundur ndoshta t’iu mbijetonte nëse do të kishte burime të mjaftueshme. Tjetri ka pasur një dëmtim në gjoks që ka qenë padyshim i trajtueshëm. Ajo është dashur të vendosë se cilin do ta shpëtojë dhe cilin do ta lërë pas. Fëmijën me dëmtime në kokë e ka lënë dhe ka shpëtuar tjetrin”, thotë Abdel-Mannan.

Ekspertë të çështjeve juridike thonë se me ligjet e luftës, mbrojtja e civilëve duhet të trajtohet me prioritet, e në këtë aspekt edhe kujdesi shëndetësor. Por, ky nuk është rasti në Gazë, thotë për Exposenë Leonard Rubenstein, nga Shkolla e Shëndetit Publik Johns Hopkins Bloomberg.

“Ligjet e luftës që nga mesi i shekullit 19 e kanë trajtuar si çështje kryesore mbrojtjen e kujdesit shëndetësor. Këto ligje kërkojnë që palët ndërluftuese të mos e sulmojnë, të mos ndërhyjnë apo të mos e pengojnë kujdesin shëndetësor. Gjithashtu, sipas tyre, duhet të merren masa të veçanta paraprake për t’u siguruar që [objektet shëndetësore] nuk dëmtohen”, thotë Rubenstein.

Një ndër shpërthimet më të fuqishme ka ndodhur pikërisht pranë spitalit Al-Ahli Arab në Gazë, mbrëmjen e 17 tetorit, duke lënë të vrarë së paku 500 njerëz. Por, dhuna kundër kujdesit shëndetësor nuk është unike për këtë konflikt.

Në Ukrainë, Rusia ka sulmuar objektet shëndetësore, ambulancat dhe punonjësit shëndetësorë më shumë se 1.000 herë në vetëm 18 muajt e parë të luftës, ka bërë të ditur organizata Mjekët për të Drejtat e Njeriut, me seli në SHBA.

Sipas organizatës Insecurity Insight me bazë në Gjenevë, në vitin 2022 kanë ndodhur gati 2.000 incidente të dhunshme, të lidhura me kujdesin shëndetësor, në konflikte në 32 vende të botës.

Dhuna ndaj objekteve të kujdesit shëndetësor nuk është e re as për Gazën. Në konfliktet e viteve 2009-10, 2012 dhe 2015, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka raportuar se raketat izraelite, sulmet ajrore dhe sulmet me tanke kanë dëmtuar ose shkatërruar më shumë se 200 objekte shëndetësore dhe më shumë se 150 ambulanca. Më shumë se 30 punonjës shëndetësorë janë vrarë në detyrë, ndërsa më shumë se 175 janë plagosur.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i ka bërë thirrje si Izraelit, ashtu edhe Hamasit që t’i mbrojnë civilët në konfliktin aktual, ndërsa ka shprehur shqetësim të madh për, siç ka thënë, shkeljet e ligjit ndërkombëtar humanitar në Gazë.

“Më lejoni të jem i qartë. Asnjë palë në një konflikt të armatosur nuk është mbi ligjin ndërkombëtar humanitar”, ka thënë Guterres.

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka shprehur solidaritet të fuqishëm me Izraelin, por ka thënë se rrjedha e ndihmës humanitare në Gazë duhet të rritet.

Në mesin e shqetësimeve se bombardimet e rënda dhe rrethimi i enklavës palestineze po krijojnë një fatkeqësi të rëndë humanitare, edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se udhëheqësit e BE-së – me gjithë mospajtimet – janë të etur për të lehtësuar qasjen në ushqime, ujë, kujdes mjekësor, karburante dhe strehim.

Profesori Rubenstein thotë se presioni i huaj do të mund të shpëtonte jetë në Gazë.

“Kemi parë shumë shkelje – duhet të ketë presion mbi palët që t’i ndalojnë ato. Lufta është mjaftueshëm e keqe. Ndikimet e luftës janë të tmerrshme. Shumë dëmtime do të mund të shmangeshin. Ligji kërkon që palët t’i lejojnë ndihmat humanitare të hyjnë në një zonë lufte. Dhe, ne kemi parë që Izraeli i ka ndërprerë ato, jo vetëm ndihmat humanitare, por edhe gjërat thelbësore, ushqimet, rrymën, karburantet. Pra, duhet të ketë presion të bashkërenduar për të siguruar respektimin e ligjit”, thotë Rubenstein.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë, e drejtuar nga Hamasi, thotë se mbi 8.000 njerëz janë vrarë që nga 7 tetori, kur Izraeli ka nisur bombardimin e territorit. Sipas burimit të njëjtë, këtë javë kanë qenë dy ditë radhazi me nga mbi 700 njerëz të vrarë.

Ushtria izraelite thotë se ka në shënjestër luftëtarët e Hamasit dhe infrastrukturën e tij.

Në Izrael, nga sulmet e Hamasit janë vrarë mbi 1.400 veta, sipas Forcave të Mbrojtjes atje. Hamasi vazhdon t’i mbajë, po ashtu, mbi 200 pengje izraelite.

Netanyahu: Lufta në Gaza do të jetë ‘e gjatë dhe e vështirë’

Ushtria izraelite ka nisur “fazën e dytë” të luftës kundër Hamasit në Rripin e Gazës, tha kryeministri Benjamin Netanyahu në një fjalim televiziv, ndërsa paralajmëroi kolonët që të përgatiten për një luftë të gjatë përpara. Më shumë se 8,000 palestinezë janë vrarë në luftën e Izraelit në Gaza deri më tani.

Në javët e para të luftës, ne filluam sulme masive ajrore që i dhanë një goditje të rëndë armikut… Ne eliminuam shumë terroristë”, tha kryeministri në fjalimin e tij para izraelitëve.

Në tre javë të sulmeve ajrore izraelite, numri i të vdekurve në Gaza ka tejkaluar 8,000 njerëz, “gjysma e të cilëve janë fëmijë”, tha ministria e shëndetësisë në enklavën palestineze për AFP të dielën herët. Mbetet e paqartë se sa nga viktimat ishin luftëtarë të vërtetë.

“Megjithatë, ne jemi vetëm në fillim të rrugës. Beteja brenda Rripit të Gazës do të jetë e vështirë dhe e gjatë”, paralajmëroi Netanyahu, ndërsa theksoi se “kjo është Lufta jonë e dytë e Pavarësisë. Ky është misioni ynë, qëllimi ynë në jetë dhe së bashku do të triumfojmë”.

Zgjerimi i operacionit të IDF-së vjen pothuajse tre javë pasi luftëtarët e Hamasit filluan një sulm të befasishëm ndaj Izraelit, duke goditur qytetet izraelite me raketa dhe bastisjen e vendbanimeve pranë kufirit të Gazës. Rreth 1,400 izraelitë janë vrarë që nga fillimi i luftës dhe mbi 200 janë marrë peng, sipas zyrtarëve izraelitë.

“Mbrëmë, forca shtesë tokësore hynë në Gaza, duke shënuar fillimin e fazës së dytë të luftës, qëllimi i së cilës është të shkatërrojë aftësitë ushtarake dhe politike të Hamasit dhe të kthejë qytetarët tanë të rrëmbyer”, tha Netanyahu.

Avionët luftarakë izraelitë goditën Gazën me sulme ajrore gjatë natës së të premtes dhe të shtunës, ndërsa trupat tokësore dhe forca të blinduara u nisën në një inkursion të rëndësishëm në enklavën palestineze. Megjithatë, është e paqartë nëse operacionet e vazhdueshme tokësore “të zgjeruara” do të pasohen nga një pushtim më i madh. Ekzistojnë shqetësime se një pushtim në shkallë të plotë mund të rezultojë në viktima të rënda izraelite dhe të shkaktojë një përshkallëzim me lojtarë të tjerë rajonalë, siç është lëvizja Hezbollah i Libanit.

Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant gjithashtu deklaroi se Izraeli “ka kaluar në një fazë të re të luftës” dhe shtoi se operacionet tokësore në Gaza do të vazhdojnë “derisa të jepen urdhra të rinj”.

Gallant ka konfirmuar se operacionet ushtarake kundër Hamasit kanë përparuar, duke thënë: “Ne kaluam në një fazë të re të luftës”.

Sonte, toka në Gaza u drodh. Ne sulmuam mbi tokë dhe nën tokë. Ne sulmuam operativët terroristë në të gjitha nivelet, në të gjitha vendet. Udhëzimet për forcat tona janë të qarta: operacioni do të vazhdojë derisa të jepet një urdhër i ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat