LIVE: SHBA dërgon 300 trupa në Lindjen e Mesme - Izraelitët vrasin komandantin e lartë të Hamasit; Tym e zjarr mbi Liban

Azia

LIVE: SHBA dërgon 300 trupa në Lindjen e Mesme - Izraelitët vrasin komandantin e lartë të Hamasit; Tym e zjarr mbi Liban

Nga: Bota sot Më: 31 tetor 2023 Në ora: 06:32 Përditësuar në ora: 22:44 më 31.10.2023
Pamje nga vendi i ngjarjes

Tym dhe zjarr mbi Liban

Nga: A.Sh

Zjarri është vënë re mbi Liban mbrëmjen e sotme.

Dy imazhet e para janë marrë nga Izraeli verior duke parë drejt Libanit, ndërsa e treta është marrë nga qyteti port i Tirit në Liban.

Izraeli dhe grupi militant Hezbollah i Libanit kanë shkëmbyer zjarrin çdo ditë përgjatë kufirit.

Zjarrfikësit në Liban kanë luftuar me zjarret në pyll këtë mbrëmje vonë, për të cilat mbrojtja civile libaneze tha se ishte shkaktuar nga bombardimet izraelite.

Flakët ishin të dukshme për kilometra të tëra kur binte errësira.

Izraelitët thonë se kanë vrarë komandantin e lartë të Hamasit

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thonë se kanë vrarë komandantin e lartë të Hamasit.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Daniel Hagari, tha: “Këtë mbrëmje arritëm të eliminonim vrasësin terrorist Ibrahim Biari”.

“Biari është individi që ishte drejtuesi kryesor i luftimeve që kur forcat tona hynë në veri të Gazës pas masakrës së 7 tetorit”.

“Gjatë këtij operacioni u vranë shumë terroristë. Terroristët që ishin me të brenda ndërtesës si dhe nën ndërtesën në tunele”, citohet të ketë thënë ai, raporton SkyNews.

SHBA dërgon 300 trupa të tjerë në Lindjen e Mesme

Shtetet e Bashkuara po dërgojnë 300 trupa të tjerë në Lindjen e Mesme, duke përfshirë specialistë të komunikimit dhe asgjësimit të mjeteve shpërthyese, njoftoi sot Pentagoni.

Zëdhënësi i Pentagonit, Patrick Ryder tha se trupat do të largohen nga Shtetet e Bashkuara, por nuk do të jenë në Izrael.

“Ato kanë për qëllim të mbështesin përpjekjet rajonale të parandalimit dhe të përmirësojnë më tej aftësitë tona të mbrojtjes së forcave,” tha Ryder.

Ai shtoi se këtë muaj ka pasur 27 sulme kundër forcave amerikane në Irak dhe Siri. Konkretisht, në dy javët e fundit, forcat amerikane janë sulmuar 14 herë në Irak dhe 9 herë në Siri, sipas Pentagonit.

Izraeli sulmohet me raketa nga një grup islamik

Ushtria izraelite njoftoi të martën se ndërpreu një sulm ajror në zonën e Detit të Kuq, sulm ky për të cilin organizata islamike Huthi (e mbështetur nga Irani) në Jemen mori përgjegjësinë.

Sipas CNN-it, në një deklaratë të transmetuar në TV Al-Masirah në pronësi të ‘Hothi’, Yahya Saree, zëdhënës i forcave të grupit islamik, njoftoi lëshimin e raketave balistike dhe dronëve nga Forcat e Armatosura të Jemenit kundër objektivave në Izrael.

“Forcat tona të armatosura lëshuan një grup raketash balistike dhe me krahë, si dhe një numër të madh dronësh në objektiva të ndryshëm kundër armikut izraelit”, tha zëdhënësi.

Saree tha se ky është operacioni i tretë në mbështetje të popullit palestinez, me plane për më shumë sulme derisa të pushojë “agresioni izraelit”.

Houthi-t janë organizatë politike dhe ushtarake shiite e mbështetur nga Irani në Jemen që kanë luftuar një luftë civile në vend kundër një koalicioni të mbështetur nga Arabia Saudite.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë në një deklaratë më herët të martën se kishin përdorur sistemin e mbrojtjes ajrore ‘Arrow’ për herë të parë për të sulmuar me sukses një raketë tokë-tokë që u qëllua nga zona e Detit të Kuq. Përdorimi i sistemit mbrojtës ‘Arrow’, i cili është projektuar për të rrëzuar raketa në lartësi të mëdha, tregon se ‘Houthi’ përdorën raketë më të avancuar, me rreze të gjatë veprimi në tentativën e sulmit.

Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar mbi shpërthimin në kampin e refugjatëve

Nga: A.Sh

Ushtria izraelite nuk ka komentuar ende mbi shpërthimin në kampin e refugjatëve Jabalia në Gazën veriore.

Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza ka fajësuar një sulm ajror izraelit për shpërthimin, duke thënë se të paktën 50 njerëz u vranë.

Fotot e regjistruara nga një fotograf i Reuters në vendngjarje tregojnë ndërtesa të rrafshuara dhe trupa që po nxirren nga rrënojat.

BBC News ka kontaktuar IDF për koment.

Trupat dhe të mbijetuarit janë nxjerrë nga rrënojat e Jabalia

Nga: A.Sh

Në fotot e paraqitura nga një fotograf i Reuters në vendngjarje, një zonë e konsiderueshme e kampit të refugjatëve Jabalia duket se është rrafshuar.

Në një ndërtesë të shkatërruar pranë një krateri, një fëmijë - i cili duket se ka mbijetuar - po transportohet në siguri nga një burrë nga një kat i sipërm. Dyshemeja pothuajse është shembur nën to.

Dhjetra njerëz po kërkojnë në rrënoja për të mbijetuar.

Një fotografi tregon një trup, fytyrë të mbuluar, duke u nxjerrë nga rrënojat e një ndërtese. Disa fotografi duket se tregojnë fëmijë të vdekur ose të plagosur rëndë.

Raportohen vdekje në kampin e refugjatëve Jabalia në Gaza

Nga: A.Sh

Shumë vdekje dhe lëndime janë raportuar në kampin e refugjatëve Jabalia në Gazën veriore.

Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi dhe drejtori i spitalit indonezian aty pranë, thonë se të paktën 50 persona janë vrarë.

Ministria tha se shpërthimi ishte shkaktuar nga një sulm ajror izraelit.

Nuk ka ende asnjë koment nga Izraeli për shpërthimin e raportuar. BBC po punon për të verifikuar detajet e incidentit.

Shtëpia e Bardhë mirëpret rikthimin e telekomunikimeve dhe futjen e ndihmave në Gazë

Mijëra palestinezë janë vrarë nga operacionet tokësore katërditore të Izraelit në Gazë, që filluan në përgjigje të sulmit tronditës ndaj civilëve të grupit militant Hamas më 7 tetor, që shkaktoi vdekjen e rreth 1400 izraelitëve. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, ndërkohë që Izraeli po lufton brenda territorit të mbipopulluar të Gazës, zyrtarët e Uashingtonit, Moskës, Teheranit dhe Ankarasë po shprehin qëndrimet e tyre për konfliktin.

Shtëpia e Bardhë mirëpriti lejimin, megjithëse të kufizuar, të ndihmave humanitare dhe rikthimin e funksionimit të rrjeteve të telekomunikacionit në Gazë, ndërsa Izraeli vazhdon ofensivën tokësore në këtë enklavë, në përgjigje të sulmit të 7 tetorit të grupit militant Hamas, të cilin Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë grup terrorist. Administrata e Presidentit Biden gjithashtu po përsërit paralajmërimet e saj ndaj grupeve të armatosura, që të mos përfshihen në luftime.

“Mesazhi ynë për çdo aktor që dëshiron të shfrytëzojë këtë konflikt është: Mos e bëni këtë. Siç e dini, kemi shtuar praninë ushtarake në rajon. Vëzhgojmë vazhdimisht për t’u siguruar se çdo aktor që mund të tundohet për t’u bërë pjesë, ta dijë se i marrim shumë seriozisht interesat tona në rajon, për të mos përmendur detyrimin për të mbrojtur forcat tona në bazat për luftën kundër ISIS-it, në vende si Iraku dhe Siria”, tha John Kirby, nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

Por konflikti po shpërthen edhe në rrafshin e opinionit publik. Qindra njerëz sulmuan një aeroport në rajonin rus Dagestan gjatë fundjavës, duke hedhur parrulla antisemite ndaj një avioni pasagjerësh të ardhur nga Tel Avivi.

Presidenti i Rusisë fajësoi ndërhyrjen e jashtme për këtë ngjarje – një lëvizje që zoti Kirby e quajti “retorikë klasike ruse”.

“Ngjarjet mbrëmjen e kaluar në Makhachkala, përfshirë përmes rrjeteve të mediave sociale, u frymëzuan nga brenda territorit të Ukrainës nga agjentë të shërbimeve perëndimore të zbulimit”, deklaroi zoti Putin.

Presidenti i Turqisë është bërë gjithashtu edhe më i vendosur në mosmarrëveshjen me Shtetet e Bashkuara në lidhje me klasifikimin e Hamasit si grup terrorist dhe e kalon fajin gjetiu.

“Perëndimi ka përgjegjësinë më të madhe për masakrën në Gazë”, tha zoti Erdogan.

Edhe zyrtarët iranianë janë shprehur publikisht. Ministri i jashtëm iranian shfrytëzoi foltoren e OKB-së javën e kaluar për të paraqitur pikëpamjen e vendit të tij. Iranianët gjithashtu kanë dalë në protesta.

“Jemi bërë dëshmitarë prej tre javësh të krimeve të luftës dhe gjenocidit të regjimit pushtues izraelit në Gazë dhe Bregun Perëndimor në Palestinë. Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane kanë marrë anën e regjimit pushtues të Izraelit, pa respektuar kartën e OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar”, tha ministri iranian Amirabdollahian.

Zoti Kirby thotë se Shtëpia e Bardhë mendon se ekziston një dallim mes mendimit ndryshe dhe mosmarrëveshjes, dhe se administrata amerikane po qëndron vigjilente ndaj ndonjë vale antisemitizmi.

“Ne besojmë tek e drejta për protesta paqësore, siç e dini edhe kur nuk jemi dakord me idetë në fjalë. Askush nuk dëshiron t’i shohë protestat paqësore të bëhen të dhunshme apo të rrezikshme, siç veproi turma dje në Dagestan. Pra, është shqetësuese dhe është diçka për të cilën do të vazhdojmë të bisedojmë me aleatët tanë dhe partnerët”, tha zoti Kirby.

Kjo është sidoqoftë diçka me të cilën po përballet gjithnjë e më shumë Shtëpia e Bardhë, ndërsa protestat – shumë prej tyre në mbështetje të palestinezëve dhe kundër Izraelit – janë shfaqur në universitetet kryesore amerikane gjatë javëve të fundit./VOA

Thellohet kriza humanitare në Gazë, thirrje Izraelit për të lejuar më shumë ndihma

Operacionet ushtarake izraelite në Gazë vazhdojnë, ndërsa kriza humanitare po thellohet dhe janë shtuar thirrjet për ndaj Izraelit për të lejuar më shumë ndihma. Ndërkohë, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein familjet e pengjeve të rrëmbyer druhen se operacioni nga toka e shtojnë rrezikun e atyre që janë në duart e Hamasit.

Forcat izraelite njoftuan të martën se u përfshinë në “beteja të ashpra” me militantët e Hamasit brenda Rripit të Gazës ndërsa vazhdoi të godasë territorin palestinez me sulme ajrore dhe artilerie.

Izraeli gjithashtu thotë se ka vrarë dhjetëra militantë palestinezë, përfshirë katër operativë të lartë të Hamasit.

Operacioni i zgjeruar tokësor izraelit po kryhet në mes të një krize humanitare në rritje në Rripin e Gazës. Ministria palestineze e shëndetësisë tha se numri i të vdekurve që nga fillimi i sulmeve ajrore izraelite më shumë se tre javë më parë kaloi shifrën 8,300, më shumë se gjysma prej tyre gra dhe fëmijë. Zyrtarët e organizatave humanitare thonë se Izraeli duhet të lejojë ardhjen e më shumë ndihmave në Gaza.

“Nuk duhet të ketë asnjë pengesë që furnizimet me ndihma humanitare të shkojnë për fëmijët, gratë, burrat dhe civilët. Ata janë të pafajshëm. Ata kanë të drejta sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare. Këto të drejta janë pjesë e Konventave të Gjenevës”, thotë Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Izraeli thotë se po lejon ndihmat humanitare në pjesën jugore të Gazës, zonën ku iu ka thënë të ikin nga lufta më shumë se 1 milion palestinezëve. Ndërkohë, ushtria izraelite thotë se Hamasi po devijon ndihmat dhe karburantet dhe po përdor spitalet si qendra komandimi në vend të zonave të sigurta për civilët.

“Hamasi i ka kthyer spitalet në qendra komandimi dhe kontrolli dhe strehë për terroristët dhe komandot e Hamasit. Gjithashtu, mund të konfirmoj se sipas inteligjencës që kemi, në spitalet e Gazës ka karburante”, tha Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite.

Ndërsa shumica e izraelitëve mbështesin operacionin tokësor dhe synimet e shtetit për të zhdukur Hamasin, familjet e më shumë ((ec credit)) se 230 izraelitëve të marrë peng shqetësohen se ky operacion tokësor mund të rrezikojë pengjet.

Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant u takua me familjet e pengjeve dhe i siguroi ata se rritja e presionit ushtarak ndaj Hamasit ishte e vetmja mundësi për lirimin e tyre.

Por djali i aktivistes kanadezo-izraelite të paqes Vivian Silver, që besohet se mbahet peng në Gazë, nuk pajtohet me këtë qasje.

“Unë nuk mendoj se funksionon kështu pasi lufta është kaotike. Përveç kësaj Hamasi i mori të burgosurit për t’i përdorur ata si mjet presioni dhe nëse e humbin një gjë të tillë, atëherë nuk kanë më nevojë për ta. Pra, më duket se operacioni tokësor shkakton më shumë rrezik”, thotë zoti Zeigen.

Zyrtarët izraelitë thonë se presin që lufta në Gazë të vazhdojë për disa muaj./VOA

Izraeli kundërshton thirrjet për armëpushim, ushtria depërton më thellë në Gazë

Tanke izraelite u pozicionuan në pjesën jugore të Izraelit të martën në përgatitje për të hyrë në Gazë ndërkohë që ushtria izraelite vazhdoi sulmet ndaj infrastrukturës së grupit militant palestinez Hamas dhe bombardimet ajrore përgjatë Rripit të Gazës si pjesë e operacionit të zgjeruar.

“Njësi të Komandës Jugore – ju flet komandanti. Po nisim sulmin ndaj Hamasit dhe organizatave terroriste në Rripin e Gazës. Qëllimi ynë i vetëm – fitorja. Pavarësisht se sa të gjata do të jenë luftimet, sa të vështira, nuk ka alternativë tjetër përveç fitores,” deklaroi Gjeneral-majori Yaron Finkelman, shef i Komandës jugore të Ushtrisë së Izraelit.

Deklaratat e ushtarakëve u bënë jehonë komenteve të Kryeministrit izraelit Netanyahu që kundërshtoi thirrjet ndërkombëtare për armëpushim për të mbrojtur civilët. Ai u betua të shkatërrojë grupin militant Hamas dhe aftësinë e kësaj organizate, të shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të kërcënuar Izraelin.

“Ashtu si Shtetet e Bashkuara nuk do të pajtoheshin për armëpushim pas sulmit në Pearl Harbor apo pas sulmit terrorist të 11 shtatorit, Izraeli nuk do të pajtohet për armëpushim me Hamasin pas sulmit të tmerrshëm të 7 tetorit. Thirrjet për armëpushim janë thirrje Izraelit për t’iu dorëzuar Hamasit, për t’iu dorëzuar terrorizmit, për t’iu dorëzuar barbarizmit. Nuk ka për të ndodhur,” tha Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Bombardimet në Gaza që filluan pas sulmit të brutal të Hamasit në Izrael, që shkaktoi vdekjen e mbi 1400 personave, kanë shkaktuar një krizë humanitare në këtë enklavë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së kontrolluar nga Hamasi, mbi 8,300 persona kanë vdekur nga bombardimet, shumica gra dhe fëmijë. Sipas organizatës ndërkombëtare Save the Children, 3,000 fëmijë janë vrarë gjatë këtij konflikti.

Ndërkohë, konflikti është zgjeruar edhe në pjesën veriore të Izraelit me incidente të shpeshtuara ndërmjet forcave izraelite dhe grupit militant Hezbollah me bazë në Liban dhe të mbështetur nga Irani.

Gjatë natës në pjesën veriore, aeroplanët bombardues të ushtrisë izraelite sulmuan dhe shkatërruan infrastrukturën e Hezbollahut. Politika jonë është e qartë: do të sulmojmë si reagim ndaj çfarëdo tentim sulmi dhe do ta shkatërrojmë secilin njësit që provon të infiltrohet apo të qëllojë në drejtim të territorit të Izraelit,” tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Admirali Daniel Hagari.

Ushtria izraelite po ashtu përditësoi numri e pengjeve të Hamasit në 240 persona të rrëmbyer. Deri më tani, vetëm 5 pengje janë liruar – katër përmes negociatave të ndërmjetësuara nga Katari dhe Egjipti dhe një rreshtere ushtrie, që u lirua të hënën të mbrëmje gjatë operacionit të forcave izraelite në Gazë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat