Zëvendësimi i punëtorëve palestinezë të ndërtimit në Izrael, me punëtorë nga India

Azia

Zëvendësimi i punëtorëve palestinezë të ndërtimit në Izrael, me punëtorë nga India

Më: 2 nëntor 2023 Në ora: 16:14
Foto ilustrim

Firmat e ndërtimit në Izrael thonë se i kanë kërkuar qeverisë t’i lejojë të punësojnë deri në 100 mijë punëtorë indianë, për të zëvendësuar palestinezët që humbën lejet e punës me fillimin e luftës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Yan Boechat, njofton se sipas ndërtuesve gati 90 mijë palestinezë nga Bregu Perëndimor dhe Gaza punonin në sektorin e ndërtimit në Izrael.

Në fillim të tetorit, gumëzhinte puna në objektet e ndërtimit për një projekt të ri pranë Tel Avivit, ndër to edhe tre godina apartamentesh.

Pronarët e kompleksit thonë se 180 njësi u shitën për gati 1 milion dollarë secila dhe po përgatiteshin për t’ia dorëzuar blerësve.

Por, Hamasi sulmoi Izraelin në 7 tetor, duke ndezur kështu luftën me Izraelin.

Papritur u larguan punëtorët, shumica palestinezë.

Zëvendës presidenti i Shoqatës së Ndërtuesve të Izraelit, Haim Feiglin, thotë se për shkak të luftës, kompanitë izraelite dhe qeveria nuk i lejuan palestinezët të rikthehen në punë.

“Situata e sektorit të ndërtimit është tashmë shumë e komplikuar. Jemi në luftë dhe punëtorët palestinezë, që përbëjnë gati 25% të burimeve njerëzore në këtë sektor, nuk po vijnë në punë. As nuk po përpiqen të vijnë dhe as nuk u lejohet të punojnë në Izrael”, thotë zoti Feiglin.

Edhe në qytetet e tjera të Izraelit janë ndalur shumica e ndërtimeve.

Zoti Feiglin thotë se kryebashkiakëve po u kërkohet të lejojnë rifillimin e ndërtimeve kur ndërtuesit të kenë marrë të punësuar të rinj nga vende joarabe.

Ndërtuesit izraelitë shpresojnë të tërheqin punonjës të huaj për të zëvendësuar mbi 90 mijë palestinezë që punonin në ndërtim përpara se të fillonte lufta dhe që tashmë u janë anuluar lejet e punës, ose nuk u lejohet të vijnë në punë.

Shoqata e Ndërtuesve Izraelitë thotë se 10% e tyre ishin punonjës palestinezë nga Gaza dhe pjesa tjetër nga Bregu Perëndimor.

Por tashmë, zoti Feiglin thotë se nuk shikon më një të ardhme për punëtorët palestinezë në Izrael.

“Jemi duke negociuar tani me Indinë. Po presim një miratim nga qeveria izraelite, dhe shpresojmë të angazhojmë 50 - 100 mijë punëtorë nga India që ta rikthejmë sektorin në funksionim”, thotë ai.

Rreth 140 mijë palestinezë nga Bregu Perëndimor punonin me dhe pa dokumente në Izrael përpara se të fillonte lufta, thotë Samir Huleileh, ekonomist dhe ish-ministër në Autoritetin Palestinez.

“Është shkatërrimtare, është një katastrofë. Do të shoqërohet me varfëri, dhe reaksione të tjera. Dhe sigurisht që do të varet nga mënyra se si do t’i japim fund kësaj lufte”, thotë ai.

Në shumë fshatra, burrat që dikur punonin në Izrael, si Isa Zeita në Ramallah, po presin se çfarë do të ndodhë në vazhdim.

“Vij të pij një kafe në mëngjes dhe të ulem me shokët. Shkoj në shtëpi për drekë, dhe vij prapë këtu për të luajtur letra”, thotë Isai.

Ai nuk ka punuar më që nga dita kur Hamasi sulmoi Izraelin dhe punëdhënësi i tha të mos vinte më në punë.

Shoqata e Ndërtuesve të Izraelit thotë se objektet ku po vazhdon ndërtimi po funksionojnë kryesisht me punëtorë kinezë.

Ndërtuesit thonë se e vetmja mënyrë për t’iu rikthyer funksionimit normal është punësimi i njerëzve nga vendet e tjera./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat