Familjet e 11 viktimave të Hamasit ankesë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Azia

Familjet e 11 viktimave të Hamasit ankesë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Më: 3 nëntor 2023 Në ora: 21:55
Foto ilustrim

Familjet e njëmbëdhjetë viktimave të sulmit të Hamasit më 7 tetor kanë akuzuar autorët për “krime kundër njerëzimit” në një ankesë të paraqitur në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Të afërmit e viktimave, të cilët ishin të gjithë civilë, i kanë bërë thirrje gjithashtu kryeprokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan, që të hetojë veprimet e Hamasit si “krime lufte” që u kryen si pjesë e një “plani gjenocidal”, sipas një deklarate për shtyp të ndarë me CNN nga avokati i tyre Francois Zimeray të premten.

“Ishte ekzekutimi i një plani gjenocidal të supozuar nga autorët e tij. Përballë mohimit në kohë reale, e vërteta duhet mbrojtur, këto mizori duhet të njihen dhe të skaliten në kujtesën kolektive”, thuhet në ankesën e paraqitur nga Zimeray, një avokat në Barin e Parisit dhe ICC.

Ankesa ka të bëjë me 11 viktima që ose u vranë ose u plagosën brenda kufijve izraelitë. Disa kishin qenë në festivalin e muzikës Nova, ku persona të armatosur të Hamasit vranë më shumë se 260 njerëz.

Sipas firmës ligjore të Zimeray, Zimeray & Finelle, “faktet materiale nuk mund të kundërshtohen pasi Hamasi ka dokumentuar dhe transmetuar gjerësisht” veprimet e tij, të cilat tronditën “ndërgjegjen universale”.

Zimeray i kërkoi prokurorisë “të konsiderojë këshillimin e lëshimit të një urdhër-arresti ndërkombëtar për liderët e Hamasit, duke ndjekur shembullin e urdhrit të lëshuar për Presidentin rus në lidhje me agresionin në Ukrainë”.

Zhvillimi vjen disa ditë pasi Khan vizitoi rajonin dhe ku, nga Kajro, mbajti një fjalim në të cilin tha se pengimi i rrjedhës së ndihmës në Gaza mund të përbëjë një krim lufte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat