LIVE: Izraelitët godasin Hamasin ‘aty ku nuk e kishin menduar’ - Izraelitët e mbushin me eksplozivë shtëpinë e liderit të Hamasit

Azia

LIVE: Izraelitët godasin Hamasin ‘aty ku nuk e kishin menduar’ - Izraelitët e mbushin me eksplozivë shtëpinë e liderit të Hamasit

Nga: Bota sot Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 06:12 Përditësuar në ora: 20:48 më 07.11.2023
Foto nga lufta Hamas-Izrael

Izraelitët e mbushin me eksplozivë shtëpinë e liderit të Hamasit në Bregun Perëndimor, e demolojnë për pak sekonda

Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë hedhur në erë shtëpinë e liderit të Hamasit – duke vendosur eksploziv në pronën e tij në Bregun Perëndimor.

Departamenti i inxhinierisë pranë IDF-së izraelite ka njoftuar se në fshatin Aror kanë demoluar shtëpinë e Salah Arori, zëvendësit të kreut të zyrës politike dhe njëherit person përgjegjës për aktivitetet e Hamasit në Judea dhe Samaria.

Ata kishin lokalizuar pronën e tij në Bregun Perëndimor dhe kishin dërguar ekipet për vendosjen e eksplozivëve, dhe sapo e mbushën të tërë me lëndë shpërthyese – ata e hodhën në erë.

I tërë procesi i demolimit zgjati pak sekonda, duke u bërë kjo pronë rrafsh me tokë, kurse brenda saj siç mund të shihet në pamje nuk kishte as mobile e orendi tjera.

Ushtria izraelite prej se është futur me këmbësori thellë në Rripin e Gazës, ka filluar të publikojë pamje nga operacionet – duke zbuluar hyrjet e tuneleve që militantët e Hamasit i shfrytëzojnë për t’u fshehur. 

Netanyahu: Forcat izraelite godasin Hamasin 'aty ku nuk e kishin menduar kurrë'

Nga: A.Sh

Kryeministri i Izraelit po mban një konferencë shtypi në Tel Aviv.

Qyteti i Gazës tani është i rrethuar dhe IDF po vepron brenda qytetit, thotë Benjamin Netanyahu.

IDF po thellon presionin e saj mbi Hamasin dhe ka vrarë "shumë terroristë", duke përfshirë edhe nëntokën, thotë ai.

"Hamasi tani po zbulon se ne po vijmë në vende që nuk e kishin menduar kurrë se do t'i bënim."

Kryeministri thotë se forcat izraelite kanë "shkatërruar selinë, tunelet dhe bazat e Hamasit".

Duke iu kthyer kufirit verior, ai thotë: “Nëse Hezbollahu fillon të marrë pjesë në këtë luftë... do të bëjnë gabimin e jetës”.

Për mundësinë e ndalimit të luftimeve, ai thotë: “Nuk do të kemi armëpushim pa pengjet në shtëpi”.

Netanyahu thotë: "Ne do të shkatërrojmë plotësisht aftësinë e Hamasit për të udhëhequr Gazën".

Ai shton: “Izraeli nuk do të ndalet”.

Qeveria ka evakuuar më shumë se 100,000 njerëz në Izrael nga shtëpitë e tyre, thotë ai.

Izraeli u jep 4 orë afat banorëve të qytetit të Gazës për t’u larguar

Izraeli u dha sot civilëve të qytetit të saporrethuar të Gazës, katër orë afat për t'u larguar, përpara një sulmi të pritshëm me synimin për të asgjesuar islamistët e Hamasit.

Përpara luftës, në qytetin e Gazës jetonte një e treta e popullatës prej 2.3 milionë banorësh që ka gjithë enklava.

Të hënën Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se pasi vendi i tij të mposhtë militantët, që e kanë kontrolluar Rripin e Gazës për 16 vitet e fundit, përgjegjësinë për sigurinë e territorit do ta marrë Izraeli, për një periudhë të pacaktuar. Këto ishin disa nga komentet e para të drejtpërdrejta të zotit Netanyahu mbi planet e Izraelit mbi të ardhmen e Gazës pas luftës.

Lufta filloi më 7 tetor me një sulm të Hamasit, gjatë të cilit u vranë 1,400 izraelitë, kryesisht civilë, si dhe u morrën peng rreth 242 persona. Nga ai moment Izraeli ka goditur Gazën duke vrarë më shumë se 10 mijë vetë, sipas të dhënave të ofruara nga ministria e Shëndetësisë që drejtohet nga Hamasi. Po sipas tyre, rreth 40 për qind e të vrarëve, janë fëmijë.

"Ka qenë një muaj masakre, vuajtjesh të pandërprera, gjakderdhjeje, shkatërrimi, zemërimi dhe dëshpërimi", tha komisioneri i OKB-së për të Drejtat e Njeriut Volcker Turk, në një deklaratë në fillim të një udhëtimi në rajon, gjatë të cilit ai pritet të vizitojë edhe pikën e kalimit kufitar me Egjiptin, atë të Rafahut.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Gazës 900,000 palestinezë ndodhen ende në pjesën veriore të Gazës, përfshirë qytetin me të njëjtin emër.

Ndërsa operacioni ushtarak i Izraelit është i përqendruar në gjysmën veriore të Gazës, është sulmuar gjithashtu edhe pjesa jugore e rajonit. Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thanë se të paktën 23 persona u vranë të martën në dy sulme të veçanta ajrore izraelite në qytetet jugore të Gazës, Khan Younis dhe Rafah.

Gjatë intervistës për televizionin amerikan ABC News zoti Netanyahu tha se Izraeli do të shqyrtonte mundësinë e "pauzave të vogla taktike" gjatë luftimeve, për të mundësuar siç thaai, largimin e pengjeve ose futjen e ndihmave, por hodhi poshtë thirrjet për një armëpushim./VOA

Lufta Izrael-Gazë, Von der Leyen zbardh propozimet për bisedime paqeje

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, tha në një konferencë të ambasadorëve të BE-së në Bruksel (06.11.2023), se duhet ndërmarrë çfarëdolloj përpjekje e mundshme për të gjetur një zgjidhje të qendrueshme mbi bazën e dy shteteve, të cilët të ekzistojnë në paqë e siguri krah njeri-tjetrit. Për këtë nevojiten pesë parime themelore.

Si një parim të parë themelor të mundshëm ajo përmendi një dakordësim, që Rripi i Gazës të mos mund t’u ofrojë strehë terroristëve. Së dyti, sipas mendimit të presidentes së Komisionit të BE.së, mund të bihet dakord, që të ketë vetëm një autoritet palestinez dhe vetëm një shtet palestinez. Si organizatë terroriste Hamasi nuk duhet të kontrollojë apo të qeverisë Gazën.

“Së treti nuk mund të ketë prani afatgjatë sigurie izraelite në Gazë”, tha më tej von der Leyen. Brezi bregdetar është një pjesë substanciale e shtetit të ardhshëm palestinez. Së katërti nuk duhet të ketë dëbime të dhunshme të palestinezeve dhe palestinezëve nga Rripi i Gazës, sepse kjo vetëm sa mund të krijojë më shumë destabilitet në rajon.

Si parim të pestë themelor von der Leyen përmendi një dakordësim, që të mos ketë bllokadë të vazhdueshme në Gazë. 70 përqind e të rinjve në këtë rajon janë të papunë. Kjo detyrimisht nxit radikalizimin e mëtejshëm.

BE shton ndihmën humanitare për Gazën

BE-ja ka vënë në dispozicion edhe 25 milionë euro të tjera si ndihmë humanitare për civilët në Rripin e Gazës. Sipas të dhënave të presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, premtimet për ndihma aktualisht arrijnë një volum gjithsej rreth 100 milionë euro. Gjithashtu po punohet, që të rritet numri i autokolonave me ndihma dhe për të mundësuar transportin edhe me anije. Një korridor detar nga Qiproja mund të garantojë afatgjatë lëvrimin rregullisht të ndihmave.

“Ne të gjithë si demokraci dhe si njerëz kemi përgjegjësinë, për të bërë ç’është e mundur që të mbrojmë civilët e rrezikuar”, theksoi von der Leyen. Konkretisht ajo iu adresua edhe Izraelit, që ndërkohë si reagim ndaj ofensivës në shkallë të gjerë të Hamasit islamist-militant, ka bombarduar në masë objektiva në Rripin e Gazës. Izraeli ka të drejtë të luftojë kundër regjimit të Hamasit në Gazë. Por është gjithashtu e rëndësishme, që ai të përpiqet të shmangë viktimat civile. Sepse ka prioritet çdo jetë njerëzore, qoftë izraelite apo palestineze. 

Më shumë shtetas të huaj do të largohen nga Gaza sot

Një grup tjetër shtetasish të huaj do të largohen sot nga Gaza përmes pikëkalimit Rafah në Egjipt.

Rreth 600 mbajtës të pasaportave të huaja janë në një listë të re të publikuar nga Autoriteti i Përgjithshëm për Kalimet dhe Kufijtë – duke përfshirë dy shtetas nga Mbretëria e Bashkuar.

Lista përfshin gjithashtu njerëz nga Gjermania, Rumania, Franca, Filipinet, Ukraina, Kanadaja dhe Moldavia, raporton BBC.

Pikëkalimi i Rafah u hap për disa mbajtës të pasaportave të huaja dhe palestinezë të plagosur më 1 nëntor pasi u mbyll për më shumë se tre javë. Ajo u mbyll përsëri të shtunën dhe u rihap të hënën.

Netanyahu: Izraeli do të ketë përgjegjësi për sigurinë e përgjithshme në Gazë pas luftës

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të martën se Izraeli do të ketë “përgjegjësi për sigurinë e përgjithshme” në Rripin e Gazës për një kohë të papërcaktuar pasi të ketë përfunduar lufta me Hamasin.

Ai, po ashtu, u shpreh i hapur për “pauza të shkurtra” në luftimet mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë në mënyrë që të lehtësohet lirimi i pengjeve.

Këto deklarata të tij, të cilat i tha gjatë një interviste me ABC News, janë shenjat më të qarta deri më tani se Izraeli synon ta kontrollojë territorin i cili është shtëpi e rreth 2.3 milionë palestinezëve.

Përsëri, Netanyahu e hodhi poshtë çdo mundësi për armëpushim, nëse nuk lirohen rreth 240 pengjet që i rrëmbeu grupi militant Hamas gjatë sulmeve të 7 tetorit në qytetet e Izraelit jugor. Megjithatë, ai tha se është i gatshëm për “pauza të shkurtra taktike”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka theksuar nevojën për pauza humanitare gjatë një bisede telefonike me Netanyahun të hënën, por nuk ka mundur të arrijë marrëveshje me të, tha Shtëpia e Bardhë.

Ministria e Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi, ka thënë se numri i të vdekurve nga sulmet izraelite ka arritur në 10.000, përfshirë më shumë se 4.100 fëmijë dhe 2.640 gra.

Në Bregun e uzurpuar Perëndimor, më shumë se 140 palestinezë janë vrarë nga dhuna dhe nga bastisjet izraelite.

Më shumë se 1.400 njerëz u vranë në Izrael, shumica dërrmuese në sulmet e 7 tetorit nga Hamasi, të cilat e nxitën këtë luftë, ndërsa 242 njerëz u rrëmbyen në Izrael dhe u dërguan në Gazë nga grupi militant.

Rreth 1.100 njerëz janë larguar nga Rripi i Gazës përmes pikëkalimit kufitar, Rafah, prej të mërkurës kur u arrit një marrëveshje mes SHBA-së, Egjiptit, Izraelit dhe Katarit.

Zyrtari i Hamasit: Civilët izaelitë nuk ishin në shënjestër nga sulmet e 7 tetorit

Një zyrtar i Hamasit deklaroi se civilët izraelitë nuk ishin në shënjestër të luftëtarëve më 7 tetor dhe se vetëm personeli ushtarak u sulmua.

Moussa Abu Marzouk i tha BBC-së se “gratë, fëmijët dhe civilët ishin të përjashtuar” nga sulmet e Hamasit – në kundërshtim me provat e shumta video dhe fotografike që sugjerojnë se civilët ishin në të vërtetë objektiva.

Kur u hetua për komentet e tij, ai pretendoi se Mohamed el Deif, udhëheqësi i krahut të armatosur të Hamasit, kishte urdhëruar njerëzit e tij të kursenin civilët.

“El Deif u tha qartë luftëtarëve të tij ‘mos vrisni një grua, mos vrisni një fëmijë dhe mos vrisni një burrë të vjetër’, tha ai.

Izraeli pretendon se mbi 1,400 njerëz u vranë më 7 tetor nga Hamasi.

Një muaj kërdi: Si t’i jepet fund konfliktit mes Izraelit e Hamasit?

Një muaj më parë, Izraelin e zgjoi tragjedia më vdekjeprurëse në historinë e tij 75-vjeçare.

Militantë të Hamasit hynë në territorin e tij më 7 tetor, duke vrarë dhe masakruar më shumë se 1.400 njerëz dhe duke marrë pengje 239 të tjerë.

Qeveria izraelite i shpalli luftë Hamasit në Gazë dhe krijoi terren për një përgjigje masive ushtarake ndaj sulmit të befasishëm.

“Kjo luftë do të marrë kohë. Do të jetë e vështirë”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, duke u zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin.

Kërdia që pasoi, u shndërrua në muajin më të përgjakshëm për 2.3 milionë palestinezët në Rripin e Gazës.

Ushtria izraelite u hakmor me një fushatë të përditshme të sulmeve ajrore - me në shënjestër, sipas saj, infrastrukturën e Hamasit - si dhe dislokoi trupa që rrethuan qytetin strategjik të Gazës.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë, e udhëhequr nga grupi militant, tha të hënën se 10.022 njerëz janë vrarë - në mesin e tyre 4.104 fëmijë - prej se Izraeli ka nisur sulmet në enklavë.

Izraeli i cilëson veprimet e tij si vetëmbrojtje, por jo të gjithë pajtohen.

“Gaza po privohet nga ushqimi, uji, barnat dhe karburantet. Izraeli po lejon brenda sasitë më të vogla të mundshme. Është tronditëse se si komuniteti ndërkombëtar është duke lejuar që 2.3 milionë njerëz të jenë të uritur, të dehidratuar dhe pa gjërat e domosdoshme për jetesë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Khaled Elgindy, drejtor i Programit për Palestinën dhe Çështjet Palestineze-Izraelite në Institutin për Lindjen e Mesme.

Gjëja e vetme që lufta ka krijuar, sipas tij, është “një katastrofë e madhe humanitare”.

“... dhe nuk ka një fund në horizont. Është një situatë shumë tronditëse, si në aspektin njerëzor, ashtu edhe atë politik dhe diplomatik. Një dështim i plotë”, thotë Elgindy.

Situata humanitare në Gazë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e vuri në pikëpyetje saktësinë e informacioneve të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, në lidhje me viktimat, derisa Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë, po ashtu, se “çdo informacion i dhënë nga një organizatë terroriste, duhet të merret me kujdes”.

Hamasi, që kontrollon Gazën nga viti 2007, është shpallur organizatë terroriste nga shumë vende, përfshirë SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Megjithatë, drejtori rajonal i urgjencave pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Richard Brennan, tha javën e kaluar se beson se shifrat e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë në Gazë, janë të besueshme.

“Kemi besim se sistemet e menaxhimit të informacionit, që Ministria e Shëndetësisë i ka vendosur ndër vite, përkojnë me analizat”, tha ai.

Udhëheqësit e të gjitha agjencive kryesore të OKB-së bënë thirrje të hënën për “armëpushim të menjëhershëm humanitar”, duke thënë se “mjaft është mjaft”.

Vrasjet e tmerrshme të më shumë civilëve në Gazë janë një mizori, ashtu siç është edhe privimi i mbi 2 milionë palestinezëve nga ushqimi, uji, barnat, energjia elektrike dhe karburantet”, thanë ata në deklaratë.

Sipas tyre, më shumë se 23.000 njerëzve të plagosur “u duhet trajtim i menjëhershëm brenda spitaleve të mbingarkuara”.

Shërbimet e telefonit dhe internetit ndërpriten vazhdimisht në Gazë, duke i lënë njerëzit në pamundësi për të thirrur ambulancat.

Shumë familje jetojnë bashkërisht në shtëpi, ose flenë në tenda.

Egjipti hapi në disa raste pikën kufitare Rafah, duke i lejuar qindra shtetas të huaj dhe palestinezë të plagosur rëndë të kalojnë në territorin e tij.

Situata me pengjet

Udhëheqësit e agjencive të OKB-së kërkuan, gjithashtu, lirimin pa kushte të pengjeve që mbahen nga Hamasi.

Në ditën e sulmit, më 7 tetor, Hamasi mori 239 pengje në qytetet kufitare me Gazën, në një festival muzikor në natyrë dhe në disa baza ushtarake.

Ato përfshijnë civilë të moshave të ndryshme - në mesin e tyre 33 fëmijë dhe një foshnje 9-muajshe - si dhe shërbyes ushtarakë.

Sipas Qeverisë izraelite, më shumë se gjysma e pengjeve besohet se kanë pasaporta të huaja dhe se vijnë nga 25 vende të ndryshme, përfshirë SHBA-në, Francën, Gjermaninë, Argjentinën, Tajlandën dhe Rusinë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se është “shumë e shqetësuar” për gjendjen e tyre, sidomos të fëmijëve, të moshuarve dhe atyre me shëndet të dobët.

Hamasi thotë se i mban pengjet fshehur në të gjithë Gazën, përfshirë edhe në tunele.

Sipas tij, së paku 50 prej tyre janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite, por kjo shifër nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

Deri më tash, pesë prej pengjeve dihet se janë liruar.

Mendohet se grupi militant mund t’i ketë kapur pengjet për t’i bërë presion Izraelit që të lirojë disa ose të 5.100 palestinezët që mbahen në burgjet izraelite.

Netanyahu i hodhi poshtë thirrjet e familjarëve për armëpushim.

“Vlerësimi ynë i përbashkët, jo vetëm i anëtarëve të kabinetit, por i të gjitha forcave të sigurisë dhe ushtrisë, është se aksioni tokësor krijon mundësi për shpëtimin e pengjeve tona, sepse Hamasi nuk do t’i lirojë ato nëse nuk është nën presion. Thjesht, nuk do ta bëjë”, tha ai.

Cila është rruga përpara?

“E vetmja rrugë përpara është armëpushimi i menjëhershëm”, thotë Elgindy nga Instituti për Lindjen e Mesme.

Sipas tij, edhe çështja e pengjeve, edhe situata humanitare në Gazë duhet të zgjidhen në tryezën e bisedimeve, me ndërmjetësim ndërkombëtar.

“Zgjidhje ushtarake të këtij problemi nuk ka. Dikush duhet të jetë në gjendje që t’ia thotë Izraelit këtë në mënyrë eksplicite. Shpresoj SHBA-ja”, thotë Elgindy.

Si alternativë, ai përmend zgjidhjen me dy shtete, e cila prej vitesh shtyhet përpara edhe nga SHBA-ja.

Kjo zgjidhje kërkon krijimin e një shteti të pavarur për palestinezët, krahas atij të Izraelit.

Por, thotë Elgindy, kjo duket vështirë e arritshme tash për tash.

Sipas tij, udhëheqja palestineze në Ramallah do të donte ta shihte zgjidhjen e tillë, por jo edhe “Qeveria ekstremiste e Izraelit”, e përbërë nga partitë e krahut të djathtë, të ekstremit të djathtë dhe ato ultra-ortodokse.

Për SHBA-në, Elgindy thotë se “nuk mund ta bindë Izraelin për të bërë pauzë të përkohshme humanitare në bombardimin e Gazës”, e “lëre më për zhvillime të mëdha politike, siç është zgjidhja me dy shtete”.

I pyetur nëse kjo zgjidhje është opsioni i vetëm, Elgindy përgjigjet:

“Ka edhe opsione të tjera që duhen konsideruar. Është mundësia e një shteti për të gjithë njerëzit midis Lumit Jordan dhe Detit Mesdhe - pa marrë parasysh a janë arabë apo hebrenj”.

Konflikti mes izraelitëve dhe palestinezëve është i vjetër me dekada dhe lidhet kryesisht me çështjen e territoreve.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha më 25 tetor se situata mes tyre nuk mund të kthehet në status quo-në e para 7 tetorit.

Kur kriza të përfundojë, sipas tij, duhet të ketë një pamje të asaj që vjen më pas.

“Sipas mendimit tonë, duhet të jetë një zgjidhje me dy shtete”, tha Biden.

“Dhe kjo nënkupton një përpjekje të përqendruar të të gjitha palëve - izraelitëve, palestinezëve, partnerëve rajonalë, udhëheqësve globalë - për të na vënë në rrugë drejt paqes”, tha presidenti amerikan.

Cila është historia e konfliktit të Izraelit me Hamasin?

Izraeli ka një histori të gjatë armiqësie me Hamasin.

Ai luftoi me të në Gazë katër herë dhe kreu shumë operacione të tjera, duke shkaktuar qindra viktima palestineze.

Militantët e Hamasit lëshuan mijëra raketa kundër Izraelit, duke vrarë qindra izraelitë.

Izraeli e akuzon Hamasin për rrëmbimin e qytetarëve izraelitë dhe organizimin e protestave që kërcënojnë kufijtë e tij.

Hamasi dhe mbështetësit e tij, në anën tjetër, e akuzojnë Izraelin për shtypjen e palestinezëve dhe shkeljen e të drejtave të tyre./REL

Ambasadori francez në OKB bën thirrje për armëpushim humanitar

Ambasadori francez në Kombet e Bashkuara ka bërë thirrje për një “armëpushim humanitar” në Gaza.

Pas një takimi me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit, ambasadori Nicolas De Riviere, tha se një armëpushim i tillë duhet të jetë i qëndrueshëm dhe të çojë në një armëpushim.

Ky qëndrim duket se ndryshon nga aleatët e tjerë perëndimorë si ShBA-ja dhe Britania e Madhe, të cilët thonë se nga një armëpushim do të përfitonte vetëm Hamasi.

Më herët të hënën, John Kirby, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, tha se ShBA-ja nuk besonte se një armëpushim i përgjithshëm ishte “i përshtatshëm në këtë kohë”.

De Rivière tha gjithashtu se Franca do të presë një konferencë humanitare në Paris të enjten në një përpjekje për të marrë ndihmë shtesë për Gazën, shkruan BBC.

Sulmet ajrore izraelite goditën pranë Spitalit Al-Quds të Gazës

Nga: A.M.

Të hënën mbrëma, sulmet ajrore izraelite goditën afër Spitalit Al-Quds në qytetin e Gazës, sipas një deklarate të Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.

“[Izraeli] synoi afërsinë e Spitalit Al-Quds në Rripin e Gazës me dy raketa, afërsisht 50 metra larg nga porta e spitalit”, tha grupi.

CNN kontaktoi ushtrinë izraelite, por nuk mori përgjigje menjëherë, transmeton "Bota sot".

Në deklaratat e mëparshme, ushtria izraelite pohoi se u ka kërkuar civilëve në qytetin e Gazës të lëvizin në jug të Wadi Gazës, një rrugë ujore që përgjysmon qendrën e enklavës, për siguri. Më herët, ajo tha se kishte goditur 450 objektiva të Hamasit në brez në 24 orë.

Të dielën, shpërthime të mëdha tronditën afërsinë e spitalit Al-Quds, duke rezultuar në viktima, duke përfshirë një numër vdekjesh, sipas Gjysmëhënës së Kuqe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat