Netanyahu: Izraeli do të ketë përgjegjësi për sigurinë e përgjithshme në Gazë pas luftës

Azia

Netanyahu: Izraeli do të ketë përgjegjësi për sigurinë e përgjithshme në Gazë pas luftës

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 09:43
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të martën se Izraeli do të ketë “përgjegjësi për sigurinë e përgjithshme” në Rripin e Gazës për një kohë të papërcaktuar pasi të ketë përfunduar lufta me Hamasin.

Ai, po ashtu, u shpreh i hapur për “pauza të shkurtra” në luftimet mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë në mënyrë që të lehtësohet lirimi i pengjeve.

Këto deklarata të tij, të cilat i tha gjatë një interviste me ABC News, janë shenjat më të qarta deri më tani se Izraeli synon ta kontrollojë territorin i cili është shtëpi e rreth 2.3 milionë palestinezëve.

Përsëri, Netanyahu e hodhi poshtë çdo mundësi për armëpushim, nëse nuk lirohen rreth 240 pengjet që i rrëmbeu grupi militant Hamas gjatë sulmeve të 7 tetorit në qytetet e Izraelit jugor. Megjithatë, ai tha se është i gatshëm për “pauza të shkurtra taktike”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka theksuar nevojën për pauza humanitare gjatë një bisede telefonike me Netanyahun të hënën, por nuk ka mundur të arrijë marrëveshje me të, tha Shtëpia e Bardhë.

Ministria e Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi, ka thënë se numri i të vdekurve nga sulmet izraelite ka arritur në 10.000, përfshirë më shumë se 4.100 fëmijë dhe 2.640 gra.

Në Bregun e uzurpuar Perëndimor, më shumë se 140 palestinezë janë vrarë nga dhuna dhe nga bastisjet izraelite.

Më shumë se 1.400 njerëz u vranë në Izrael, shumica dërrmuese në sulmet e 7 tetorit nga Hamasi, të cilat e nxitën këtë luftë, ndërsa 242 njerëz u rrëmbyen në Izrael dhe u dërguan në Gazë nga grupi militant.

Rreth 1.100 njerëz janë larguar nga Rripi i Gazës përmes pikëkalimit kufitar, Rafah, prej të mërkurës kur u arrit një marrëveshje mes SHBA-së, Egjiptit, Izraelit dhe Katarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat