Disa fëmijë palestinezë me kancer dërgohen në Egjipt për trajtim

Azia

Disa fëmijë palestinezë me kancer dërgohen në Egjipt për trajtim

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 21:14
Palestinezët, përfshirë edhe personat me pasaporta të huaja, duke pritur në pikëkalimin kufitar në Rafah. Fotografi ilustruese.

Disa fëmijë palestinezë në Gazë, që vuajnë nga kanceri, janë lejuar më 7 nëntor që të kalojnë kufirin në Rafah, për t’u trajtuar në Egjipt.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Egjiptit, 12 fëmijë janë transferuar në spitalet e specializuara për kancer.

Autoritetet nuk thanë nëse fëmijët kanë udhëtuar vet apo ndonjë familjarë i ka shoqëruar ata.

Evakuimet nga Gaza ngecën të premten pas një mosmarrëveshjeje midis Izraelit, Egjiptit dhe grupit militant palestinez, Hamas.

Qindra kamionë me ndihmë humanitare janë lejuar të hyjnë në Gazë nga Egjipti që nga 21 tetori.
Por, punëtorët e ndihmës kanë thënë se ndihmat që po dërgohen nuk plotësojnë kërkesat e banorëve në Rripin e Gazës.

Po ashtu, në pikëkalimin në Rafah, që lidh Gazën me Egjiptin, janë lejuar të kalojnë qindra persona që kanë pasaporta të huaja dhe pacientë.

Që kur Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor dhe vrau mbi 1.400 persona dhe rrëmbeu mbi 200 të tjerë, Izraeli ka rrethuar Rripin e Gazës dhe e ka sulmuar këtë territor nga ajri dhe toka.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, numri i palestinezëve të vrarë ka arritur në 10.328 persona. Në njoftimin e kësaj ministrie më 7 nëntor u tha se në mesin e viktimave ishin 4.237 fëmijë dhe 25.956 të tjerë ishin plagosur që nga nisja e luftës Izrael-Hamas./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat