Si u bë faktor kryesor Hezbollahu në luftën Izrael-Hamas

Azia

Si u bë faktor kryesor Hezbollahu në luftën Izrael-Hamas

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 21:16
Sayyed Hassan Nasrallah (djathtas), Ziad al-Nakhleh (në qendër), dhe Saleh al-Arouri duke u takuar në Bejrut (25 tetor 2023)

BEJRUT – Kur grupi paraushtarak libanez Hezbollah njoftoi javën e kaluar se udhëheqësi i tij, Hassan Nasrallah, do të mbante fjalimin e tij të parë publik që nga fillimi i luftës Izrael – Hamas, pothuajse i gjithë rajoni mbajti frymën.

A do të vazhdonte Hezbollahu, forca më e madhe paraushtarake e botës arabe dhe që mbështetet nga Irani, të përmbahej nga shkëmbimet e zjarrit me Izraelin, apo do të angazhohej plotësisht në luftë? Në Liban, rrugët u boshatisën dhe njerëzit u ulën përpara ekraneve për të dëgjuar dhe analizuar më pas fjalët e tij. Po kështu vepruan edhe vendimmarrësit në Izrael dhe në mbarë Lindjen e Mesme.

Hezbollahu ka shkëmbyer zjarr me forcat izraelite përgjatë kufirit që më 7 tetor kur Hamasi bëri sulmin e befasishëm në jug të Izraelit dhe ndezi kështu luftën në Rripin e Gazës. Të dyja palët kanë pësuar humbje, por frika është se konflikti do të përshkallëzohet dhe do të zgjerohet në një konflikt rajonal. Zoti Nasrallah iu referua këtyre shqetësimeve gjatë fjalimit të tij të premten. “Disa thonë se do të njoftoj se kemi hyrë në betejë”, tha ai. “Ne jemi bërë pjesë e betejës më 8 tetor”.

Por ai nuk tha se Hezbollahu do të angazhohej më shumë në luftime. Në vazhdim i hedhim një vështrim arsyeve përse Hezbollahu dhe udhëheqësi i tij janë lojtarë kryesorë në trajektoren e luftës Izrael-Hamas.

Çfarë është Hezbollahu?

Grupi mysliman shiit Hezbollah është një ndër grupet e shumta që mbështet Irani dhe ndër qeveritë në rajon që njihen me emërtimin Boshti i Rezistencës. I themeluar në vitin 1982 gjatë luftës civile në Liban, objektivi fillestar i Hezbollahut ishte dhënia e fundit e pushtimit izraelit në Libanin jugor, gjë të cilën e arriti në vitin 2000. Ishte grupi i parë ku investoi Irani për të eksportuar llojin e tij të islamizmit politik. Në ditët e tij të fillimit, grupi bëri edhe sulme ndaj objektivave amerikane dhe në vazhdim Uashingtoni e klasifikoi organizatë terroriste. “Mbështetja e Iranit e ka ndihmuar Hezbollahun të konsolidonte pozicionin e tij si aktori më i fuqishëm politik në Liban dhe si më i mirëpajisuri ushtarakisht në të gjithë Lindjen e Mesme”, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press, Lina Khatib, nga Instituti për Lindjen e Mesme në Londër.

Pasi luftëtarët e Hezbollahut i zunë pritë një patrulle izraelite në vitin 2006 dhe morën peng dy ushtarë izraelitë, Hezbollahu dhe Izraeli bënë një luftë njëmujore që përfundoi pa fitues, por ndërkohë Izraeli bombardoi dhe shkaktoi shkatërrime të mëdha në Libanin jugor.

Në atë periudhë, objektivi i Izraelit ishte i ngjashëm me luftën e tij me Hamasin: eliminimi i Hezbollahut. Por përkundrazi, ky grup u bë edhe më i fortë – jo vetëm një forcë e armatosur, por edhe një parti kryesore politike në Liban.

Sidoqoftë, kundërshtarët brenda vendit e kritikuan Hezbollahun për mbajtjen e arsenalit luftarak dhe për dominimin e qeverisjes. Reputacioni i këtij grupi u godit për një kohë të shkurtër kur mori një pjesë të Bejrutit në maj 2008, pasi qeveria libaneze ndërmori masa ndaj rrjetit të tij privat të telekomunikacionit.

Kush është Hassan Nasrallahu?

I lindur në vitin 1960 në një familje të varfër shiite në rrethinat e Bejrutit dhe më vonë i zhvendosur në Libanin jugor, Hassan Nasrallahu studioi teologji dhe iu bashkua Lëvizjes Amal, një organizatë politike dhe paraushtarake shiite, përpara se të bëhej një ndër themeluesit e Hezbollahut. Ai u bë udhëheqës i Hezbollahut në vitin 1992, pasi pararendësi i tij u vra në një sulm izraelit. Zoti Nasrallah radhitet tashmë ndër figurat më të fuqishme politike në Liban.

I adhuruar nga shumë njerëz për shkak se gjatë drejtimit të tij Izraeli u tërhoq nga jugu i Libanit, si dhe për drejtimin e tij gjatë luftës së vitit 2006, pamjet e tij shfaqen në banderola dhe në dyqanet e suvenirëve në mbarë botën arabe. Por, ndaj tij ka edhe kundërshti nga libanezët që e akuzojnë se lidhi fatin e vendit me Iranin.

Zoti Nasrallah konsiderohet gjithashtu si pragmatik, me aftësinë për të arritur kompromise politike. Ai ka jetuar në fshehtësi prej vitesh, duke iu ruajtur një sulmi nga Izraeli, dhe mban fjalime nga vendndodhje të paditura.

Krahasimi mes Hesbollahut dhe grupeve të tjera që kanë përkrahjen e Iranit

Hezbollahu është forca paraushtarake më e rëndësishme e botës arabe, me një strukturë të brendshme të fuqishme, si dhe një arsenal të konsiderueshëm. Sipas Izraelit, grupi ka një arsenal prej 150,000 raketash me precizion të lartë. Vitet e fundit, Hezbollahu dërgoi forca në Siri për të ndihmuar presidentin aleat iranian Bashar Assad kundër grupeve të armatosura të opozitës. Ai gjithashtu mbështeti rritjen e milicive të mbështetura nga Irani në Irak, Jemen dhe Siri. Khatib e krahasoi Hezbollahun me një "vëlla të madh" të grupeve të reja të mbështetura nga Irani që "nuk gëzojnë të njëjtin nivel të infrastrukturës apo disiplinës".

Marrëdhëniet mes Hezbollahut dhe Hamasit

Ndërsa Hezbollahu është i lidhur me Iranin nga pikëpamja e doktrinës, marrëdhënia e tij me Hamasin, bazohet në pragmatizëm. Grupi militant palestinez u themelua në vitin 1987, si një degë e lëvizjes Vëllazëria Myslimane Suni. Mbështetja politike dhe financiare e grupit nga Irani dhe Siria, nuk u rrit deri në vitin 2006.

Mes Hamasit dhe boshtit të mbështetur nga Irani shpërtheu përçarja, mbi luftën civile siriane, ku Hamasi për disa kohë mbështeti luftëtarët e opozitës kryesisht sunitë të Sirisë.

Pavarësisht mosmarrëveshjeve rreth Sirisë "gjatë pesë viteve të fundit, marrëdhëniet u përmirësuan me një ritëm të shpejtë", thotë Qassim Qassir, analist libanez i afërt me Hezbollahun. Edhe pse shumë zyrtarë të lartë të Hamasit jetonin në Katar dhe Turqi, e cila mbështeste opozitën siriane, kthimi i grupit në krahun iranian, i vendosi ata në një situatë të ndërlikuar. Disa zyrtarë të Hamasit, përfshirë të dytin në komandë, Saleh al-Arouri, janë zhvendosur që atëherë në Liban, ku kanë mbrojtjen e Hezbollahut dhe një prani nëpër kampet e shumta të refugjatëve palestinezë të Libanit.

Sa larg është gati të shkojë Hezbollahu për të mbrojtur Hamasin?

Për Hezbollahun, hyrja e plotë në luftën Izrael-Hamas do të rrezikonte të tërhiqte Libanin, një vend të përfshirë nga probleme të mëdha ekonomike dhe tensione të brendshme politike, në një konflikt që nuk mund ta përballojë, duke nxitur kundërshtimin e brendshëm ndaj grupit. Por qëndrimi mënjanë ndërsa trupat izraelite marrin kontrollin e Rripit të Gazës mund të komprometojë besueshmërinë e Hezbollahut dhe një humbje e Hamasit do të ishte një goditje për Iranin. Trysnia e vazhdueshme e Hezbollahut në kufirin verior të Izraelit, tregon mbështetje për Hamasin dhe mban të hapur kërcënimin e një ndërhyrjeje më të gjerë. Zoti Qassir e interpretoi mesazhin pas fjalimit të Nasrallah si: “Nëse nuk dëshironi që lufta rajonale të zgjerohet, atëherë lufta (në Gazë) duhet të ndalet”. Por është e paqartë se për sa kohë Hezbollahu mund ta ruajë këtë balancë delikate, me Izraelin në dukje të vendosur për të shkatërruar Hamasin e ndërsa numri i palestinezëve në Gazë ka arritur në mbi 10 mijë.

"Nëse do të ketë një kolaps të plotë në Gazë dhe gjërat arrijnë në një pikë ku ata duhet të përfshihen plotësisht, atëherë ata do të jenë gati", tha zoti Qassir./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat