LIVE: Amerika jep lajmin e rëndësishëm për luftimet në Rripin e Gazës – ja për çka u dakordua Izraeli

Azia

LIVE: Amerika jep lajmin e rëndësishëm për luftimet në Rripin e Gazës – ja për çka u dakordua Izraeli

Nga: Bota sot Më: 9 nëntor 2023 Në ora: 06:48 Përditësuar në ora: 19:21 më 09.11.2023
Pamje nga lufta në Izrael

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit dhe programi bërthamor i Iranit

Ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme po rriten nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit, çështja e programit bërthamor të Iranit mbetet e pazgjidhur. Perëndimi e sheh Teheranin si një mbështetës të madh të Hamasit dhe sulmet e militantëve të këtij grupi ndaj Izraelit kanë dëmtuar përpjekjet për të ulur tensionet me Iranin.

Udhëheqësit perëndimorë e shohin Iranin si një mbështetës të fuqishëm të militantëve të Hamasit, por nuk e kanë akuzuar Teheranin për përfshirje të drejtpërdrejtë në sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit.

Para sulmit, marrëdhëniet e vendeve perëndimore me Iranin ishin duke u përmirësuar. Në shtator, Shtetet e Bashkuara arritën një marrëveshje me Iranin për të hequr masën e ngrirjes për një fond iranian prej gjashtë miliardë dollarësh në këmbim të lirimit të pesë të burgosurve amerikanë. Por pas sulmit të Hamasit në Izrael, këto fonde sërish u ngrinë.

“Kishte hapësirë dhe plane për negociata të drejtpërdrejta mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara nga fundi i tetorit në Oman. Por, tani ato me siguri nuk do të mbahen dhe ndoshta nuk ka më hapësirë politike për një angazhim direkt mes dy vendeve”, thotë Ali Vaez, analist për Iranin i Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Bisedimet në Vjenë për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin ngecën vitin e kaluar ndonëse asnjëra palë nuk ka thënë zyrtarisht se ato kanë dështuar.

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore me Iranin në vitin 2018 dhe pak më vonë Irani i dha fund angazhimit për zbatimin e saj.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha në raportin e saj të gushtit se Irani po vazhdonte procesin e pasurimit të uraniumit në nivelin 60 për qind, më pak se niveli 90 për qind, që është i nevojshëm për prodhimin e një arme bërthamore. Irani i ka hequr pajisjet e monitorimit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe ka bllokuar vizitat e disa inspektorëve në vend.

“Në kuadër të një mase mirëkuptimi për uljen e tensioneve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, Teherani ndërpreu pasurimin e uraniumit në nivelin 60 për qind. Tani kjo mund të ketë ndryshuar për shkak të rritjes së tensioneve mes dy palëve. Iranit do t’i duhej më pak se një javë kohë për të pasuruar uranium të mjaftueshëm për prodhimin e një arme bërthamore. Për këtë arsye kjo çështje është një bombë me sahat dhe në njëfarë mënyre duhet gjetur një zgjidhje për të ndalur aktivitetin bërthamor të Iranit”, thotë analisti Ali Vaez.

Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi ka thënë se ai nuk sheh një lidhje mes luftës mes Izraelit dhe Hamasit dhe programit bërthamor të Iranit.

Nuk ka ende prova se Irani po shqyrton mundësinë e moszbatimit të angazhimeve të tij themelore ndaj Traktatit kundër Përhapjes së Armëve Bërthamore, që e ndalon atë të prodhojë armë bërthamore”, thotë Peter Jenkins, ish-ambasador britanik në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

Por a mundet ta përdorë Irani programin e tij bërthamor si një mjet kundër perëndimit, ndërsa tensionet në rajon vazhdojnë të rriten?

“Mendoj se ata mund ta shqyrtojnë këtë si një mënyrë për të rritur ankthin në vendet perëndimore rreth programit të tyre bërthamor, por jo të shkelin vijën e kuqe, duke i dhënë fund zbatimit të Traktatit kundër Përhapjes së Armëve Bërthamore”, thotë zoti Jenkins.

Ndërkohë Izraeli ka thënë vazhdimisht se nuk do të lejojë Iranin të prodhojë një armë bërthamore.

Izraeli besohet se ka armë bërthamore, por nuk i lejon inspektimet e centraleve të tij bërthamore nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike./VOA

Gazetarja palestineze: SHBA dhe BE të na ndihmojnë të jemi të sigurt

Gazetarja palestineze Taseem Amro thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian duhet të maksimalizojnë përpjekjet që populli palestinez të ndihet i sigurtë, pasi sipas saj deri më tani, nuk kanë ndërmarrë hapa seriozë për t’i dhënë fund vdekjeve masive në Gazë.

Duke folur nga Ramallahu, ajo thotë se jo vetëm ky qytet, por i gjithë Bregu Perëndimor është tërësisht i bllokuar, ndërsa po shtohet pasiguria për shkak të sulmeve nga kolonë ekstremistë.

Ajo tha se Autoriteti Palestinez, i cili kontrollon Bregun Perëndimor ka patur një rol të kufizuar në konfliktin e fundit, pasi u gjend i papërgatitur për një situatë të tillë.

Zëri i Amerikës: Ju ndodheni në Ramallah. A mund të na thoni si është akutalisht situata në Bregun Perëndimor?

Taseem Amro: Ramallahu dhe Bregu Perëndimor në përgjithësi është tërësisht i mbyllur. Qytetarët palestinezë janë të bllokuar. Ne nuk mund të shkojmë të vizitojmë familjarët tanë, të cilët, janë vetëm 30 minuta larg shtëpisë sonë. Është shumë e ndërlikuar dhe e vështirë që të lëvizësh në rrugë. Akset tona kryesore rrugore janë të lidhura me rrugët që të çojnë në vendbanimet e kolonëve dhe mund të na kërcënohej jeta nëse kalonim nëpër ato rrugë.

Si po e shohin palestinezët aty, situatën në Gazë?

Taseem Amro: Situata në Gazë është shumë e rëndë. Është shumë dramatike. Miq dhe familjarë tanë në Gazë po përjetojnë një situatë të vështirë. Numri i viktimave po rritet ditë pas dite, orë pas ore. Ata po përballen me rrezik për jetën e tyre.

Në mendimin tuaja cila është zgjidhja për konflikin mes Izraelit dhe Hamasit se çfarë roli mund të luajnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian në këtë drejtim?

Taseem Amro: Kjo është pyetja më e vështirë. Cila është zgjidhja? Nuk është e lehtë të japësh një përgjigje. Ky është një konflikt që ka nisur që në vitin 1948. Kemi tentuar të gjitha zgjidhjet që mund të çonin në vendosjen e paqes, marrëveshjet, bisedimet, por siç po e shihni ndikimi i situatës tek palestinezët është shumë i rëndë. Çfarë mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian që ky vend të jetë më i sigurtë? Duhet të pyesni ata. Ata duhet të maksimalizojnë përpjekjet për të ndihmuar popullin palestinez, që ata të gëzojnë lirinë, dinjitetin e tyre. Në këtë kuptim, ata duhet të bëjnë shumë përpjekje që një gjë e tillë të bëhet e mundur për palestinezët.

A kanë autoritetet palestineze një plan për situatën pas mbarimit të konfliktit dhe a mendoni ju se Autoriteti Palestinez mund të ishte aktor në këtë drejtim?

Taseem Amro: Duke parë atë që po ndodh tani mendoj se do të përballemi me një situatë dramatike në shumë drejtime, në ekonomi, edukim, infrastrukturë. Besoj se duhet të dëgjojmë çfarë do të ndodhë tani dhe çfarë do të ndodhë më tej, sepse Bregu Perëndimor po ecën tani në rrugën e një të ardhmeje të panjohur, por po kuptojmë se kolonët ekstremistë dhe përpjekjet e kolonëve për të ardhur në fshtarat palestinezë, apo për të sulmuar zonat palestineze po bëhen pothuajse të përditshme. Pra ne nuk po kërkojmë të dimë se çfarë do të ndodhë pas konfliktit, ne jemi realisht të shqetësuar mbi jetesën tonë të përditshme, se çfarë mund të ndodhë, çfarë mund të behet me jetët tona. Pra është shumë herët që të flasim për të ardhmen në këtë situatë.

A mund të na shpjegoni cili është aktualisht roli i Autoritetit Palestinez, ju jetoni në Bregun Perëndimor…

Taseem Amro: Nuk ka rol të madh, nuk kemi dëgjuar shumë për Autoritetin Palestinez deri më tani. Nuk është marrë ndonjë masë specifike, në drejtim të ekonomisë apo jetesës së përditshme.

Kemi dëgjuar njoftime për rritje të numrit të viktimave në Gazë apo mungesën e ndihmave humanitare në Gazë, këtë kemi dëgjuar këtu në Ramallah. Nuk ka patur ndonjë veprim tjetër serioz, ndoshta sepse nuk kishin menduar për të ndërmarrë një hap serioz në këtë situatë.

Si ka ndikuar situata në Gazë në nivel personal.

Taseem Amro: Në nivel personal… Situata në Gazë ka nxitur shumë shqetësim tek unë si palestineze, vdekja e fëmijëve më ka prekur si nënë. Humba një nga miqtë e mi në Gazë, mikun tim Tarek dhe familjen e tij. 17 anëtarë të familjes, fëmijët e tij, prindërit, motra, vllezërit ishin në kamp dhe humbën jetën nga sulmet ajrore. Mësuam për vdekjen e tyre dy ditë pasi kishin humbur jetën, pasi siç e dini mjetet e komunikimit janë ndërprerë. Ishte një lajm shumë dëshpërues.

Shtëpia e Bardhë: Izraeli është pajtuar për pauzë 4-orëshe në ditë në veri të Gazës

Shtëpia e Bardhë tha se Izraeli është pajtuar për pauza katërorëshe humanitare çdo ditë në veri të Gazës, ku po lufton me militantët palestinezë të Hamasit.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, tha se ka siguruar një rrugë të dytë për civilët që të ikin nga luftimet.

Presidenti Biden i kishte kërkuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që të vendoste pauza ditore. Këtë kërkesë ai e kishte bërë gjatë një bisede telefonike që zhvilloi në fillim të kësaj jave.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në SHBA, John Kirby, tha se pauza e parë humanitare do të shpallet të enjten. Sipas tij, izraelitët janë zotuar se do të njoftojnë për pauza katërorëshe të paktën tre orë para se të nisë pauza humanitare.

Biden u tha gazetarëve se ai u ka kërkuar izraelitëve për një “pauzë më të gjatë se tre ditë” gjatë negociatave për lirimin e disa pengjeve që po mbahen nga Hamasi, por përjashtoi mundësinë e një armëpushimi të përgjithshëm.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka paralajmëruar Izraelin javën e kaluar se po rrezikon të shkatërrojë mundësinë për paqe nëse nuk vepron menjëherë për të përmirësuar kushtet humanitare në Gazë për civilët palestinezë, teksa Izraeli po intensifikon luftën kundër Hamasit.

Në thirrjen drejtuar Izraelit për pauzë të operacioneve ushtarake në Gazë për të lejuar dërgimin e menjëhershëm të ndihmës, Blinken tha se situata mund të shtyjë palestinezët drejt radikalizmit dhe të prishë mundësitë për bisedime eventuale të paqes pas përfundimit të konfliktit.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit u nxit pasi ky grup militant palestinez më 7 tetor sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë 1.400 persona dhe duke marrë pengje mbi 200 të tjerë.

Që atëherë, Izraeli ka sulmuar nga toka dhe ajri Rripin e Gazës, që është shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve.

Izraeli u ka bërë thirrje banorëve në veri të Gazës që të largohen për në jug, përderisa po vazhdon lufta me Hamasin.

Sipas autoriteteve shëndetësore në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, si pasojë e luftimeve janë vrarë mbi 10.000 palestinezë./REL

Izraeli vazhdon sulmet në Gaza, intensifikohen thirrjet për mbrojtjen e civilëve

Sulmet izraelite ndaj qytetit të Gazës vazhduan gjatë natës së të enjtes, ndërsa forcat tokësore luftuan ndaj militantëve të Hamasit në lagjet e dendura urbane pranë një spitali ku janë strehuar dhjetëra mijëra palestinezë.

Qyteti më i madh i Gazës është në qendër të fushatës së Izraelit për të eliminuar Hamasin pas sulmit të tij vdekjeprurës të 7 tetorit – dhe ushtria izraelite thotë se qendra kryesore e komandës së Hamasit ndodhet brenda dhe nën kompleksin e spitalit Shifa.

Grupi militant dhe personeli i spitalit e mohojnë një gjë të tillë. Mes alarmit ndërkombëtar për kushtet e rënda brenda Gazës, negociatorët po bëjnë përparim drejt një marrëveshjeje të mundshme për një armëpushim tre-ditor në këmbim të lirimit të mbi 10 pengjeve të mbajtura nga Hamasi, sipas dy zyrtarëve egjiptianë, një zyrtari të Kombeve të Bashkuara dhe një diplomati perëndimor. Marrëveshja do të bëjë gjithashtu të mundur dërgimin për herë të parë që nga fillimi i luftës të një sasie të vogël karburanti në Gazë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se çdo armëpushim i përkohshëm duhet të shoqërohet me lirimin e pengjeve. Izraeli ka thënë se rreth 240 persona mbahen nga Hamasi dhe shqetësimi për gjendjen e tyre ka mobilizuar mbështetjen e izraelitëve për luftën, pavarësisht shqetësimeve ndërkombëtare në rritje.

Ndërkohë zyrtarët perëndimorë dhe arabë u mblodhën në Paris të enjten për të diskutuar mbi mënyrat për të ofruar më shumë ndihmë për civilët në Gaza, një ditë pasi G7-a ku bëjnë pjesë aleatë të ngushtë të Izraelit, bëri thirrje për shpërndarje ushqimi, ujit, ilaçesh dhe lëndësh djegëse dhe për “pauza humanitare” në luftime.

Presidenti francez Emmanuel Macron që po drejton konferencën i bëri thirrje Izraeli të mbrojë civilët, duke thënë se "të gjitha jetët kanë vlerë të barabartë" dhe se lufta kundër terrorizmit "nuk mund të kryhet kurrë pa rregulla".

Zoti Macron përsëriti thirrjet për një pauzë humanitare në operacionet e Izraelit kundër Hamasit, por theksoi gjithashtu se mbrojtja e civilëve është "e panegociueshme".

Marrëveshja e mundshme e armëpushimit po ndërmjetësohet nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari, një vend i Gjirit Persik që negocion me Hamasin.

Një zyrtar i lartë amerikan tha se administrata e Presidentit Joe Biden ka sugjeruar që Izraeli ta kushtëzojë kohëzgjatjen e një pauze me lirimin e një numri të caktuar pengjesh, në një formulë që mund të përdoret për pauza shtesë. Të gjithë zyrtarët folën në kushte anonimiteti për të mos ndikuar në negociatat delikate që janë në vazhdim e sipër./voa

Ushtria izraelite thotë se ka shkatërruar 130 tunele të Hamasit në Gaza

Nga: A.Sh

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se ushtria ka shkatërruar 130 boshte tunelesh të Hamasit që nga fillimi i ofensivës së saj tokësore në Gaza, përcjell Bota sot.

"Inxhinierët luftarakë të IDF-së janë duke punuar aktualisht për të ekspozuar dhe shkatërruar infrastrukturën terroriste të Hamasit në Gaza, duke përfshirë tunelet. Magazinimi i ujit dhe oksigjenit i zbuluar brenda tuneleve tregon përgatitjet e Hamasit për qëndrime të zgjatura nën tokë," tha IDF në një deklaratë.

Të mërkurën, ajo tha se kishte shkatërruar një tunel të Hamasit pranë një shkolle të sponsorizuar nga UNRWA në zonën Beit Hanoun të Gazës veriore.

IDF e bëri këtë pretendim në një deklaratë të lëshuar të mërkurën dhe gjithashtu shpërndau një video që supozohet se tregon shkatërrimin "afër shkollës" përmes një kamere droni.

Izraeli filloi sulmet në Gaza pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor, ku u vranë 1,400 njerëz dhe më shumë se 200 u morën peng.

IDF konfirmoi gjithashtu vdekjen e një ushtari tjetër duke e çuar numrin e ushtarëve të vrarë në ofensivën tokësore në 31.

Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se numri i njerëzve të vrarë në Gaza është rritur në 10,569 që nga fillimi i sulmeve hakmarrëse të Izraelit.

Hezbollahu paralajmëron për luftë rajonale nëse bombardimet në Gaza vazhdojnë

Nga: A.Sh

I dyti në komandën e Hezbollahut – milicia e fuqishme e mbështetur nga Irani në Liban – thotë se vrasja e civilëve nga Izraeli në Gaza rrezikon të shkaktojë një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme, përcjell Bota sot.

Grupi islamik shiit - i klasifikuar si një organizatë terroriste nga Britania e Madhe, SHBA dhe Liga Arabe - është forca më e madhe politike dhe ushtarake në Liban.

Duke folur në Bejrut, Sheikh Naim Qassem i tha Orla Guerin të BBC-së se "zhvillime shumë serioze dhe shumë të rrezikshme mund të ndodhin në rajon dhe askush nuk do të jetë në gjendje t'i ndalojë pasojat".

"Rreziku është real," thotë ai, "sepse Izraeli po rrit agresionin e tij kundër civilëve dhe po vret më shumë gra dhe fëmijë. A është e mundur që kjo të vazhdojë dhe të rritet, pa sjellë rrezik real për rajonin? Unë mendoj se jo."

Ai këmbëngul se çdo përshkallëzim do të lidhej me veprimet e Izraelit. “Çdo mundësi ka një përgjigje”, thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat