LIVE: Sulme në spitalin Al-Shifa të Gazës, evakuohen mijëra persona – Netanyahu sfidon amerikanët, ja çfarë thotë!

Azia

LIVE: Sulme në spitalin Al-Shifa të Gazës, evakuohen mijëra persona – Netanyahu sfidon amerikanët, ja çfarë thotë!

Nga: Bota sot Më: 10 nëntor 2023 Në ora: 06:58 Përditësuar në ora: 19:53 më 10.11.2023
Gaza

Netanyahu sfidon amerikanët thotë se ushtria izraelite do të kontrollojë Gazën pas luftës

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të premten se Forcat e Mbrojtjes Izraelite (IDF) do të mbajë kontrollin në Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës aktuale dhe nuk do të mbështetet në forcat ndërkombëtare për të mbikëqyrur sigurinë përgjatë kufirit.

Netanyahu i bëri komentet në një takim me kryetarët e qyteteve kufitare të Gaza-s në selinë e IDF në Tel Aviv.

Udhëheqësit lokalë mbikëqyrin shumë nga komunitetet që u sulmuan dhe u vranë dhe nga Hamasi më 7 tetori në komunitetet jugore.

“Forcat e IDF do të mbajnë nën kontroll Rripin e Gazës, ne nuk do t’ia japim atë forcave ndërkombëtare”, tha Netanyahu.

Vetëm disa orë më parë, kryeministri izraelit i tha Fox News se Izraeli nuk dëshiron të ripushtojë ose të qeverisë Rripin.

Në fillim të kësaj jave, Netanyahu i tha ABC News se Izraeli do të ketë “përgjegjësi të përgjithshme të sigurisë” mbi Rripin e Gazës “për një periudhë të pacaktuar” pas përfundimit të luftës kundër Hamasit.

Zyrtarët amerikanë kanë ngritur mundësinë gjatë javëve të fundit që një forcë ndërkombëtare, ndoshta me trupa nga aleatët fqinjë arabë, mund të menaxhojnë sigurinë në Rripin e Gazës për një periudhë të përkohshme derisa të mund t’i kthehet një qeverie palestineze funksionale, e cila Washingtoni shpreson se do të jetë Autoriteti Palestinez.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i bëri thirrje të mërkurën Izraelit që të mos e ripushtojë Rripin pasi të përfundojë lufta e tij me Hamasin.

Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas përsëriti të premten se Autoriteti Palestinez është gati të rimarrë kontrollin e Gazës, por tha se kjo do të ndodhte vetëm nëse masa është pjesë e një zgjidhjeje politike gjithëpërfshirëse që përfshin një shtet palestinez të krijuar përgjatë kufijve të vitit 1967. 

Forcat e Mbrojtjes izraelite: Dy avionë nga Libani u rrëzuan në veri të Izraelit

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit njoftuan se zbuluan tre avionë që hynë në territorin e saj nga Libani.

Ende nuk dihet se kush e drejtonte avionin dhe nëse ka të lënduar. Detajet kanë qenë të kursyera nga autoritetet në lidhje me këtë ngjarje.

“Njëri u kap nga grupi i mbrojtjes ajrore të IDF dhe dy të tjerët ranë në një zonë në veri. Ngjarja ka përfunduar dhe ngjarja është nën shqyrtim”, njoftoi IDF.

Libani jugor është shtëpia e grupit Hezbollah të mbështetur nga Irani, i cili prej kohësh është lidhur me Hamasin dhe Xhihadin Islamik në Gaza, por nuk është e qartë nëse ata ishin të përfshirë në këtë incident.

Akuza për gjenocid, palestinezët i kërkojnë Gjykatës së Krimeve të Luftës të hetojë Izraelin

Tre grupe palestineze të të Drejtave të Njeriut kanë kërkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare të hetohet Izraeli, pasi e akuzojnë për kryerjen e krimeve të luftës, duke përfshirë gjenocidin e bërë në bombardimin dhe rrethimin e Gazës.

Izraeli i konsideron akuzat për gjenocid të mjerueshme dhe se veprimet e tij synojnë militantët e grupit Hamas, jo civilët.

Ajo nuk është anëtare e gjykatës me bazë në Hagë dhe nuk e njeh juridiksionin e saj, ndërkohë që territoret palestineze janë të listuara në mesin e anëtarëve të GJNP-së.

Izraeli po mbledh gjithashtu prova për krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të kryera nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit dhe më pas, duke përfshirë përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore”, tha një zëdhënës i ministrisë së jashtme të Izraelit sipas Sky News.

Tre grupet e të drejtave,Al-Haq, Al-Mezan dhe Kampanja për të Drejtat e Njeriut në Palestinë, njoftuan se kanë kërkuar nga ICC-ja që të fokusohej në sulmet ajrore izraelite në zonat me popullsi të dendur civile të Gazës, rrethimin e territorit dhe zhvendosjen e popullsisë.

Këto veprime përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke përfshirë gjenocidin dhe nxitjen për gjenocid”, u shprehën ata.

ICC reagoi, duke deklaruar se do të vlerësojnë informacionin që kanë marrë nga grupet e të drejtave të njeriut, pa hyrë në detaje mbi përmbajtjen e tij.

Mijëra persona largohen nga një spital ku po strehoheshin në Gazë

Palestinezëte evakuuar nga zona e luftës në veri të Gazës thanë se mijëra persona të zhvendosur, që ishin strehuar në spitalin Shifa që gjendet në zemër të qytetit të Gazës, janë larguar pasi gjatë natës aty ka pasur shpërthime.

Në spitalin Shifa ishin strehuar pothuajse 80.000 persona, të cilët kishin ikur nga luftimet e ashpra tokësore dhe nga sulmet ajrore.

Disa që u larguan të premten thanë se vetëm disa qindra pacientë të plagosur rëndë dhe mjekë kanë mbetur në spital.

Nuk ka qenë e mundur që menjëherë të kontaktohet mjekët në spitalin Shifa për shkak të pengesave në shpërbimet të internetit.

Largimi nga ky spital vjen në kohën kur Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi – organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – tha të premten se numri i palestinezëve të vrarë që nga nisja e luftës Izrael-Hamas, ka tejkaluar shifrën prej 11.000.

Mijëra palestinezë më 10 nëntor u nisën drejt autostradës së vetme të Gazës, duke u larguar nga zona e luftës në veri, pasi Izraeli njoftoi për mundësinë e evakuimit të sigurt.

SHBA-ja një ditë më herët njoftoi se Izraeli është pajtuar për pauzë humanitare katërorëshe për çdo ditë, me qëllim që civilët të largohen nga veriu i Gazës, ku ushtria izraelite po zhvillon luftime me luftëtarët e Hamasit.

Por, gjetja e një vendi të sigurt në enklavën e rrethuar nuk është aq e lehtë, pasi Izraeli vazhdimisht e bombardon këtë territor që kur Hamasi nisi sulme të befasishme në jug të Izraelit më 7 tetor.

Si pasojë e sulmeve të Hamasit më 7 tetor, në Izrael janë vrarë mbi 1.400 persona./REL

Sekretari Blinken mirëpret pauzat humanitare në luftën Izrael-Hamas

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken përshëndeti njoftimin e Izraelit për pauza të përditshme humanitare katër-orëshe të luftimeve në zona të caktuara në Gazë si dhe dy korridore humanitare për të lejuar largimin e njerëzve nga rreziku.

Njoftimi vjen krahas shtimit të zemërimit për numrin në rritje të viktimave palestineze. Reagime vijnë edhe nga disa anëtarë demokratë të Kongresit.

Sekretari amerikan i Shtetit e përshëndeti vendimin e Izraelit për pauza humanitare, por tha se duhet bërë më shumë për të mbrojtur civilët në Gazë dhe për t’u siguruar se ndihmat arrijnë tek ata që kanë nevojë.

Ai i bëri këto komente në Nju Delhi, ku së bashku me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, po zhvillon takime me diplomatë të lartë dhe udhëheqësit e mbrojtjes në Indi.

“Shumë palestinezë janë vrarë. Shumë kanë vuajtur gjatë javëve të fundit dhe ne duam të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar humbjet tek ta dhe për të maksimalizuar ndihmën që u vjen” – tha zoti Blinken, ndërsa shtoi se bisedimet me Izraelin për këto çështje, të ardhmen e Izraelit dhe të territorive palestineze po vazhdojnë.

“Ne do të vazhdojmë të përqëndrohemi në hapat që mund të ndërmerren tani për të nisur vendosjen e themeleve për paqe të qëndrueshme, e cila, siç kemi thënë vazhdimisht, besojmë se duhet të përfshijë zgjidhjen me dy shtete për dy popujt” - theksoi zoti Blinken.

Sekretari Blinken ndodhet në Azi në kuadër të angazhimeve intensive diplomatike me partnerë rajonalë për të parandaluar thellimin e dallimeve ekzistuese mbi luftën në Gazë dhe për të shfaqur unitet mbi luftën e Rusisë në Ukrainë.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë e drejtuar nga Hamasi thotë se më shumë se 10 mijë persona janë vrarë që nga sulmi i Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor, që shkaktoi fillimin e konfliktit. Militantët e Hamasit, që konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, shkaktuan vdekjen e 1 mijë e 400 njerëzve.

Në konferencën e përditshme të Departamentit të Shtetit të enjten, zëvendës-zëdhënësi Vedant Patel dha disa hollësi mbi njoftimin e Izraelit për pauzat e përditshme humanitare në Gazën veriore.

"Do të ketë dy korridore humanitare që do të lejojnë largimin e njerëzve nga zonat e luftës në pjesën veriore të Gazës. Korridori i parë i tillë, i hapur nga katër deri në pesë orë çdo ditë së fundmi, u ka mundësuar mijëra njerëzve të largohen drejt zonave më të sigurta. Korridori i dytë përgjatë vijës bregdetare do t’u mundësojë mijëra të tjerëve të arrijnë në zona më të sigurta në jug”, tha zoti Patel.

Në Kapitol, të mërkurën protestuesit kundër qeverisë izraelite u shfaqën gjatë një senace ku shumica e ligjvënësve demokratë dhe republikanë shprehën mbështetjen e tyre të fortë për Izraelin.

Por, disa demokratë u shprehën të shqetësuar me numrin e madh të civilëve të vrarë në Gazë. Ligjvënësi demokrat Joaquin Castro tha se Izraeli ka goditur Gazën me më shumë se 20 mijë raketa dhe se vetëm rreth pesë pengje janë liruar.

“Më duket se kryeministri izraelit Netanyahu po i jep më shumë përparësi ndëshkimit kolektiv sesa lirimit të pengjeve dhe unë jam i shqetësuar për këtë” – tha ai.

Një tjetër demokrat u shpreh i shqetësuar se kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson do të politizojë fondet ushtarake amerikane për Izraelin.

"Kryetari Johnson solli në Kongres një paketë ndihme vetëm për Izraelin. Kjo shtesë është e paprecedentë. Ai kushtëzon ndihmën për Izraelin me objektivat politikës së brendshme dhe nuk ka asnjë shans të miratohet, tha ligjvënësi demokrat Gregory Meeks.

Kryetari republikan i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Michael McCaul tha se është dakord.

“Duhet të lëvizim më me shpejtësi drejt një pakete ndihme për sigurinë kombëtare që trajton kërcënimin rus ndaj Ukrainës dhe Evropës, kërcënimin e Kinës komuniste ndaj Tajvanit dhe Paqësorit, kërcënimin e Iranit dhe organziatave që ajo mbështet ndaj Izraelit në kufirin jugperëndimor” – tha ai.

Senati me shumicë demokrate nuk do ta mbështesë projektligjin prej 14.3 miliardë dollarësh për financimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe raketore të Izraelit të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane javën e kaluar.

Demokratët kundërshtuan propozimin e republikanëve që të ndihmohet Izraeli, duke bërë shkurtime në buxhetin e agjencisë amerikane për taksat./VOA

Pikëpyetje mbi të ardhmen e Gazës pas konfliktit

Ndërsa trupat izraelite përparojnë në qendër të qytetit të Gazës, ka pikëpyetje në rritje mbi të ardhmen e territorit palestinez pas përfundimit të luftës mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridwell, Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se nuk do të mbështesin një tjetër pushtim të Gazës, rreth 18 vjet pas tërheqjes së banorëve izraelitë dhe forcave ushtarake nga enklava.

Çfarë do të ndodhë me Gazën pas përfundimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit? Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i tha këtë javë kanalit televiziv ABC se për një periudhë të pacaktuar Izraeli do të mbajë përgjegjësitë për sigurinë e territorit.

Pas një takimi dy-ditor të kryediplomatëve të shtatë vendeve më të industrializuara të botës në Tokjo, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të mërkurën se Hamasi duhet të mposhtet, por gjithashtu kishte edhe një mesazh për Izraelin.

“Është gjithashtu e qartë se Izraeli nuk mund ta pushtojë Gazën. Realiteti është se mund të ketë nevojë për një periudhë tranzicioni në fund të konfliktit, por është e domosdoshme që populli palestinez të marrë qeverisjen në Gaza dhe në Bregun Perëndimor, që mos të kemi një pushtim tjetër”.

Izraeli dhe mbështetësit e tij perëndimorë duhet të kenë një plan për Gazën pas konfliktit, thotë për Zërin e Amerikës analisti Yossi Mekelberg.

“Çfarë ndodh nëse Hamasi zhduket si fuqi politike dhe ushtarake? Kush mund ta zërë vendin e lënë bosh? Mund të jetë edhe më i keq se Hamasi. Duhet të ketë në një periudhë të ndërmjetme dhe është shumë e rëndësishme përfshirja e një elementi rajonal”.

Zoti Mekelberg thotë se lidhjet SHBA-Izrael mbeten të forta, por ka mosmarrëveshje.

“Ata nuk i besojnë Netanyahut dhe qeverisë aktuale. E dinë se një çek bosh i tepruar mund të jetë e rrezikshme”.

Vetëm në deklaratën e dytë të përbashkët që nga sulmi i 7 tetorit, ministrat e jashtëm të G7 e dënuan Hamasin dhe kërkuan lirimin e pengjeve, duke bërë thirrje për pauza në konflikt për lejimin e ndihmës humanitare në Gaza.

“Është e rëndësishme që G7 ishte në gjendje të nxirrte mesazhin e parë të unifikuar në një deklaratë me shkrim në lidhje me marrëveshjen [për pauzat humanitare në Gaza]”, tha Yoko Kamikawa, Ministre e Jashtme e Japonisë.

G7 nuk bëri thirrje për një armëpushim më të përhershëm. Në të gjithë botën ka pasur protesta me thirrjet për t'i dhënë fund luftës. Ekziston rreziku që konflikti të thellojë ndarjet globale, sipas analistit Mekelberg.

“Është shumë e ndërlikuar sepse G7 përfaqëson padyshim pjesën më të pasur të botës, ndaj së cilës është drejtuar pjesa më e madhe e pakënaqësive për neglizhim dhe qasje që mbron interesat e veta, por jo interesat e pjesës tjetër të botës. Sepse neglizhimi i konfliktit izraelito-palestinez ishte kriminal”.

Ndërkohë, G7 përsëriti mbështetjen për Ukrainën ndërsa ai vend vazhdon të luftojë agresionin rus. Grupi dënoi gjithashtu testet e Koresë së Veriut me raketa dhe furnizimin e Moskës me armë./VOA

Bëhet thirrje për hetim të bombardimeve izraelite në Gazë

Shefi i Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, Volker Turk, ka bërë thirrje të premten për hetime rreth atyre që i ka quajtur “armë shpërthyese me ndikim të madh”, në Gazë.

Sipas tij, sulmet me këto armë janë duke shkaktuar shkatërrim pa dallim në këtë enklavë të rrethuar palestineze.

Turk ka thënë se Izraeli duhet t’i japë fund përdorimit të këtyre armëve në Gazë, shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve.

Rreth gjysma e tyre janë shpërngulur prej veriut në jug të Gazës, pas nisjes së luftës Izrael-Hamas, të nxitur prej sulmeve të Hamasit – grup i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – në tokën izraelite, duke i lënë mbi 1.400 njerëz të vrarë.

Megjithatë, Turk nuk e ka specifikuar se cilave armë u është referuar.

Izraeli është duke e bombarduar Gazën prej ajrit, tokës dhe detit, si dhe e ka nisur një ofensivë tokësore brenda territorit, me qëllim të shkatërrimit të Hamasit, i cili e kontrollon Gazën.

Sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, mbi 10.000 njerëz kanë vdekur si pasojë e bombardimeve izraelite.

“Bombardimet e fuqishme izraelite në Gazë, përfshirë armët shpërthyese me ndikim të madh në zonat e populluara, janë duke pasur ndikim shkatërrues te njerëzit”, ka thënë Turk, në një konferencë për media, gjatë një vizite në Amam.

“Sulmet duhet të hetohen, kemi parë shumë shqetësime serioze që këto sulme mund të përbëjnë shkelje të ligjit humanitar ndërkombëtar”.

Izraeli e fajëson grupin ekstremist Hamas për vrasjet në Gazë, duke thënë se grupi e përdor popullatën si mbrojtje dhe fsheh armët rreth spitalet, të cilat janë goditur, po ashtu, nga bombat./REL

Ministria e Shëndetësisë në Gazë: Mbi 11.000 palestinezë të vrarë në luftën Izrael-Hamas

Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi – organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – tha se numri i palestinezëve të vrarë ka kaluar shifrën prej 11.000.

Ministria tha të premten se 11.078 persona janë vrarë që kur lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pasi luftëtarët e Hamasit kryen sulm të befasishëm ndaj Izraelit.

Mbi 1.400 persona janë vrarë në Izrael, në sulmin e parë të Hamasit. Ndërkaq, 41 ushtarë izraelitë janë vrarë në Gazë që nga nisja e ofensivës tokësore.

Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë aftësinë e Hamasit për të qeverisur me Gazën dhe për të sulmuar Izraelin.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se pasi të përfundojë lufta dhe të mposhtet Hamasi, trupat izraelite do të mbajnë “përgjegjësinë për sigurinë e përgjithshme” për një periudhë të pacaktuar./REL

Blinken thotë se "duhet të bëhet më shumë" për t'i mbrojtur civilët palestinezë

Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, tha të premten se e ka mirëpritur dakordimin e Izraelit për pauzë humanitare në ofensivën e tij në Gaza, por duhet të bëhet më shumë.

"Shumë palestinezë janë vrarë. Ka shumë që kanë vuajtur javët e fundit, dhe ne duam të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar dëmtimin e tyre, dhe për të rritur ndihmën që u jepet atyre," tha Blinken duke folur në Nju Delhi.

Të enjten, Shtëpia e Bardhë tha se Izraeli është pajtuar për pauza katërorëshe humanitare çdo ditë në veri të Gazës, ku po lufton me grupin palestinez Hamas - i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, tha se ka siguruar një rrugë të dytë për civilët që të ikin nga luftimet.

Presidenti Biden i kishte kërkuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që të vendoste pauza ditore.

Këtë kërkesë ai e kishte bërë gjatë një bisede telefonike që zhvilloi në fillim të kësaj jave.

Luftimet kanë shpërthyer në veri të Gazës që kur grupi ekstremist Hamas sulmoi komunitetet në jug të Izraelit dhe sipas zyrtarëve izraelitë, vranë 1.400 njerëz dhe morën peng rreth 240 të tjerë, në atë që njihet si sulmi më i keq në historinë e vendit.

Izraeli, më pas, është hakmarrë me bombardime ajrore dhe ofensivë tokësore, që sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës, të drejtuar nga grupi ekstremist palestinez, kanë vrarë më shumë se 10.800 njerëz, në mesin e të cilëve shumë fëmijë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, mirëpriti të enjten pauzat, të cilat zyrtarizojnë një marrëveshje.

“Unë mendoj se është bërë njëfarë progresi. Por unë, gjithashtu, isha shumë i qartë se duhet bërë më shumë për të mbrojtur civilët dhe për dhënien e ndihmës humanitare për ta”, tha Blinken.

Sipas tij, pauzat katërorëshe të dakorduara nga Izraeli, si dhe dy korridore humanitare, do t’i lejojnë njerëzit të largohen nga lufta.

“Këta hapa do të shpëtojnë jetë dhe do të mundësojnë më shumë ndihmë për të arritur te palestinezët në nevojë,” shtoi ai.

Vizita e Blinkenit në Indi është ndalesa e fundit e një udhëtimi maratonë që ka përfshirë Korenë e Jugut dhe një takim të ministrave të jashtëm të G7-ës [shtatë vendeve më të industrializuara në botë], në Japoni.

Atje, ai synoi të gjente gjuhë të përbashkët për luftën Izrael-Hamas.

​Izraeli nuk planifikon të pushtojë, okupojë apo qeverisë Gazën

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, thotë se vendi nuk po kërkon të pushtojë, okupojë apo qeverisë Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës së tij me Hamasin.

Benjamin Netanyahu i tha televizionit amerikan Fox News se një "forcë e besueshme" do të ishte e nevojshme për të hyrë në enklavë nëse është e nevojshme për të parandaluar shfaqjen e kërcënimeve militante.

"Ne nuk kërkojmë të pushtojmë Gazën, nuk kërkojmë të okupojmë Gazën dhe nuk kërkojmë të qeverisim Gazën," tha ai, duke shtuar se do të kërkohet një qeveri civile, por se Izraeli gjithashtu do të duhet të sigurojë se një sulm si ai i 7 tetorit, në të cilin Hamasi vrau rreth 1400 njerëz, nuk do të përsëritet më.

"Pra, ne duhet të kemi një forcë të besueshme që, nëse është e nevojshme, do të hyjë në Gaza dhe do të vrasë vrasësit. Sepse kjo është ajo që do të parandalojë rishfaqjen e një entiteti të ngjashëm me Hamasin", tha ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat