Bëhet thirrje për hetim të bombardimeve izraelite në Gazë

Azia

Bëhet thirrje për hetim të bombardimeve izraelite në Gazë

Më: 10 nëntor 2023 Në ora: 14:37
Pamje nga shkatërrimi në Gazë, si pasojë e bombardimeve izraelite.

Shefi i Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, Volker Turk, ka bërë thirrje të premten për hetime rreth atyre që i ka quajtur “armë shpërthyese me ndikim të madh”, në Gazë.

Sipas tij, sulmet me këto armë janë duke shkaktuar shkatërrim pa dallim në këtë enklavë të rrethuar palestineze.

Turk ka thënë se Izraeli duhet t’i japë fund përdorimit të këtyre armëve në Gazë, shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve.

Rreth gjysma e tyre janë shpërngulur prej veriut në jug të Gazës, pas nisjes së luftës Izrael-Hamas, të nxitur prej sulmeve të Hamasit – grup i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – në tokën izraelite, duke i lënë mbi 1.400 njerëz të vrarë.

Megjithatë, Turk nuk e ka specifikuar se cilave armë u është referuar.

Izraeli është duke e bombarduar Gazën prej ajrit, tokës dhe detit, si dhe e ka nisur një ofensivë tokësore brenda territorit, me qëllim të shkatërrimit të Hamasit, i cili e kontrollon Gazën.

Sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, mbi 10.000 njerëz kanë vdekur si pasojë e bombardimeve izraelite.

“Bombardimet e fuqishme izraelite në Gazë, përfshirë armët shpërthyese me ndikim të madh në zonat e populluara, janë duke pasur ndikim shkatërrues te njerëzit”, ka thënë Turk, në një konferencë për media, gjatë një vizite në Amam.

“Sulmet duhet të hetohen, kemi parë shumë shqetësime serioze që këto sulme mund të përbëjnë shkelje të ligjit humanitar ndërkombëtar”.

Izraeli e fajëson grupin ekstremist Hamas për vrasjet në Gazë, duke thënë se grupi e përdor popullatën si mbrojtje dhe fsheh armët rreth spitalet, të cilat janë goditur, po ashtu, nga bombat./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat