Izraeli zgjeron kontrollin e kamionëve me ndihma për Gazën

Azia

Izraeli zgjeron kontrollin e kamionëve me ndihma për Gazën

Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 17:26
Foto ilustrim

Kamionë me ndihma kanë hyrë çdo ditë në Gazë që nga 21 tetori, kur Izraeli filloi të lejonte dërgimin e ndihmave për palestinezët e zhvendosur si rezultat i konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Natasha Mozgovaya, nga vendkalimi kufitar Nitzana midis Izraelit dhe Egjiptit, kamionët e ndihmave duhet të bëjnë një devijim serioz, sepse Izraeli këmbëngul në kontrollin e ngarkesave përpara se të futen në enklavën e rrethuar.

700 kamionë të ngarkuar me ujë, ushqime, furnizime mjekësore dhe humanitare për strehimoret kanë hyrë në Gaza nga Egjipti që nga fillimi i konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit.

Rreth 100 prej tyre po kalojnë nga vendkalimi kufitar Nitzana mes Izraelit dhe Egjiptit. Kamionët kontrollohen për gjërat që mund të futen kontrabandë në Rripin e Gazës.

Kamionët me targa egjiptiane fillojnë të mbërrijnë në Nitzana në orën 8 të mëngjesit. Çdo kamion kontrollohet me qen që nuhasin për mjete shpërthyese.

Dy deri në tre orë më pas, një kolonë me 20 deri në 30 kamionë udhëton përgjatë anës egjiptiane të kufirit për në kalimin Rafah në Gaza. Forcat Mbrojtëse të Izraelit e vëzhgojnë karvanin e ndihmave gjatë gjithë rrugës.

Koloneli izraelit, Moshe Tetro, drejton përpjekjet e koordinimit dhe komunikimit për Gazën. Ai e quan “sfidë humanitare” gjendjen e palestinezëve të zhvendosur në Gaza dhe jo “krizë”.

“E dimë se situata e civilëve në Rripin e Gazës nuk është e lehtë. E dimë se ka shumë sfida dhe vështirësi. Mund të them se nuk ka krizë humanitare në Rripin e Gazës. Jemi në luftë. Nuk e filluam ne këtë luftë. Hamasi vendosi ta fillonte këtë luftë”.

Ai thotë se Izraelit i është dashur të dyfishojë aftësitë e kontrollit të sigurisë në vendkalimin Nitzana për të akomoduar numrin e kamionëve me ndihma.

“Po koordinojmë furnizimet mjekësore për spitalet së bashku me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Po koordinojmë çdo ditë evakuimin e të plagosurve në Egjipt. E vetmja ditë që nuk ka një lloj të tillë koordinimi është kur Hamasi e ndalon atë, jo për shkak të palës izraelite”, thotë koloneli Moshe Tetro.

Ai thotë se ndihma humanitare do të vazhdojë për aq kohë sa nuk devijohet për qëllime ushtarake. Koloneli i hedh poshtë kritikat ndaj Izraelit për refuzimin e futjes së karburantit në Gaza.

Ai thotë se karburanti atje është i mjaftueshëm nëse Hamasi lejon përdorimin për publikun në vend të operacioneve të tij ushtarake.

“Ne e dimë se sa karburant ka hyrë në Gaza para luftës. Ata që shtrojnë pyetjen për karburantin duhet ta dinë se terroristët po e përdorin karburantin për të ndriçuar tunelet e shumta poshtë Gazës”.

Në Rafah, agjencia e OKB-së për refugjatët që u shërben palestinezëve, e njohur si UNWRA, ka marrë përsipër shpërndarjen e ndihmave humanitare, duke lëvizur ngarkesat në automjete të ndryshme.

Para luftës, shumë kamionë përdorën vendkalimit Kerem Shalom duke kaluar nga Izraeli në Gaza. Aktualisht vendkalimet Kerem Shalom dhe Erez janë mbyllur.

Koloneli Tetro thotë se humbi tre nga ushtarët e tij gjatë një sulmi të Hamasit kundër vendkalimit Erez. Ai thotë se bota duhet ta dijë se Izraeli po ofron kalim të sigurt të ndihmës humanitare për popullsinë civile të kundërshtarit gjatë kohës së luftës./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat