LIVE: SHBA i jep goditjen e fuqishme Hamasit, zbulohen detajet e fundit nga lufta në Gaza

Azia

LIVE: SHBA i jep goditjen e fuqishme Hamasit, zbulohen detajet e fundit nga lufta në Gaza

Nga: Bota sot Më: 14 nëntor 2023 Në ora: 06:16 Përditësuar në ora: 13:59 më 14.11.2023
Pamje nga lufta Izrael - Hamas

Vdes një ushtare izraelite që po mbahej peng nga Hamasi

Një ushtare 19-vjeçare, e cila ishte në mesin e afër 240 personave që u morën peng nga Hamasi – organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – gjatë sulmeve të 7 tetorit, ka vdekur në robëri, thanë të dyja palët.

Ushtria izraelite tha të martën se Noa Marciano ka vdekur, pa dhënë detaje për shkakun e vdekjes së saj. Ajo është pengu i parë që është konfirmuar se ka vdekur në robëri.

Mbrëmjen e së hënës, Hamasi publikoi një video ku Marciano shfaqej duke e identifikuar veten. Në një deklaratë të dhënë nën detyrim, ajo deklaroi se sulmet ajrore izraelite kishin goditur pranë vendit ku ajo po mbahej dhe në video ajo dëgjohet duke i bërë thirrje Izraelit që të ndalë sulmet.

Më pas videoja shfaqi trupin e pajetë, që dukej se i përkiste asaj. Hamas tha se ajo u vra gjatë një sulmi izraelit, pa dhënë dëshmi.

Ushtria izraelite nuk konfirmoi menjëherë vdekjen e saj pas publikimit të videos, por tha se Hamasi “vazhdon të shfrytëzojë terrorizmin psikologjik dhe të veprojë në mënyrë çnjerëzore përmes videove dhe fotografive të pengjeve”.

Hamas ka thënë se dhjetëra pengje janë vrarë gjatë sulmeve ajrore izraelite, por nuk ka dhënë prova për këto pretendime. Izraeli i ka hedhur poshtë këto pretendime dhe i ka cilësuar si luftë psikologjike.

Izraeli, që po lufton me Hamasin që nga 7 tetori, është zotuar për kthimin e pengjeve. Hamasi i ka ofruar lirimin e pengjeve në këmbim të palestinezëve që mbahen në burgjet në Izrael, por Izraeli ka hedhur poshtë një ofertë të tillë, duke u zotuar se do të shkatërrojë Hamasin./REL

Zbrazet veriu i Gazës, përkeqësohet kriza humanitare në jug

Edhe 200.000 persona janë larguar nga veriu i Gazës që nga 5 nëntori, tha Zyra humanitare e Kombeve të Bashkuara, përderisa forcat izraelite po vazhdojnë përleshjet me luftëtarët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – rreth spitaleve, ku pacientët, foshnjat dhe punëtorët shëndetësorë kanë mbetur pa rrymë e me pak furnizime.

Zyra humanitare e OKB-së, e njohur si OCHA, tha se vetëm një spital në veri është në gjendje që të pranojë pacientë. Të gjitha spitalet e tjera më nuk janë funksionale dhe shumica shërbejnë si vendstrehim, përfshirë edhe spitalin më të madh të Gazës, Shifa, i cili është i rrethuar nga trupat izraelite. Në këtë spital, 36 foshnja janë në rrezik që të vdesin pasi nuk ka energji elektrike për funksionalizimin e inkubatorëve.

Lufta, që tani është në javën e gjashtë, u nxit nga sulmet befasuese të Hamasit në Izrael më 7 tetor. Hamasi vrau të paktën 1.200 persona dhe mori afër 240 pengje. Izraeli është kundërpërgjigjur ashpër me sulme ajrore dhe tokësore në veri të Gazës. Si pasojë e luftës janë vrarë mijëra civilë palestinezë.

Izraeli u ka bërë thirrje civilëve që të largohen nga veriu i qytetit të Gazës për në jug. Por, as pjesa jugore nuk është e sigurt, pasi atje Izraeli po kryen sulme ajrore.

Vendstrehimet e udhëhequra nga OKB-ja janë të stërmbushura dhe një tualet mesatarisht është për 160 persona. Në të gjitha vendstrehimet janë afër 1.5 milion palestinez, apo më shumë se dy e treta e popullsisë së Gazës, të cilët janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Banorët presin me orë të tëra në rradhë për ushqim dhe ujë, përderisa kjo enklavë ka mbetur pa karburante. Izraeli ka ndaluar importet e karburanteve që kur ka nisur lufta, duke thënë se Hamasi i përdor karburantet për qëllime ushtarake.

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, që mezi po ofron shërbimet bazike për mbi 600.000 persona të strehuara në shkollat dhe ndërtesat e tjera të saj në jug, tha se deri të mërkurën mund t’i përfundojnë rezervat me karburante, duke e detyruar këtë agjenci që të ndalë shumicën e operacioneve të ndihmës. Kjo agjenci e OKB-së tha se nuk është në gjendje të vazhdojë dërgimin e furnizimeve ushqimore dhe ilaçeve përmes pikëkalimit Rafah, që lidh Gazën me Egjiptin.

Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi këtë javë nuk ka përditësuar të dhënat e viktimave. Por, sipas të dhënave të fundit, që datojnë nga 10 nëntori, në Gazë janë vrarë mbi 11.000 palestinezë, dy e treta e të cilëve gra dhe fëmijë. Kjo ministri nuk bën dallimin midis civilëve të vrarë dhe luftëtarëve të Hamasit. Afër 2.700 persona janë raportuar të zhdukur.

Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se nuk kanë përditësuar numrin e viktimave pasi po kanë vështirësi në mbledhjen e informacioneve.

Në Izrael, të paktën 1.200 persona janë vrarë gjatë sulmeve të Hamasit. Ushtria ka thënë se 46 ushtarë janë vrarë gjatë operacionit tokësor në Gazë, duke shtuar se kanë vrarë mijëra luftëtarë të Hamasit./REL

A po fshihet Hamasi në spitalin kryesor të Gazës?

Spitali Shifa në Gazë është shndërruar në fokus të një përleshjeje disaditore në luftën e Izraelit kundër Hamasit, organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Shifa është spitali më i madh dhe më i pajisur në Gazë. Izraeli, pa dhënë prova vizuale, ka pretenduar se ndërtesa e spitalit po ashtu përdoret nga Hamasi për qëllime ushtarake. Ai ka thënë se Hamasi ka ndërtuar një qendër komanduese nëntokësore përfundi spitalit, që është e lidhur me tunele, diçka që Hamasi dhe punëtorët shëndetësorë në Gazë e mohojnë.

Që kur Izraeli ka shpallur luftë kundër Hamasit në përgjigje të sulmeve vdekjeprurëse të Hamasit më 7 tetor, forcat izraelite kanë lëvizur në Shifa.

Përderisa Izraeli ka thënë se do të lejojë stafin dhe pacientët që të largohen, palestinezët kanë thënë se forcat izraelite kanë shtënë drejt të evakuuarve dhe se është shumë e rrezikshme që të lëvizen pacientët në gjendje më të rëndë.

Ndërkaq, mjekët kanë thënë se spitali ka mbetur pa karburante dhe pacientët kanë filluar të vdesin.

Më poshtë mund të mësoni më shumë për situatën në Shifa.

Spital dhe vendstrehim

Shifa është spitali kryesor në sistemin e kujdesit shëndetësor që ka kolapsuar për shkak të konfliktit përgjatë viteve, financimit të pakët dhe bllokadës izraelito-egjipitiane që synon të dobësojë Hamasin.

Shifa ka mbi 500 shtretër dhe ofron shërbime sikurse skanimet MRI, dializë dhe ka një njësi të kujdesit intensiv. Në këtë spital kryhen afërsisht gjysma e të gjitha ndërhyrjeve kirurgjike në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi.

Pasi nisi lufta, dhjetëra mijëra persona u dyndën në mjediset e spitalit për të kërkuar strehim. Përderisa lufta i është afruar spitalit, shumica e atyre që u strehuan në spital janë larguar drejt jugut, duke u bashkuar dy të tretat e 2.3 milionë banorëve të territorit që janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Por, qindra persona, përfshirë punëtorë shëndetësorë, foshnje të lindura para kohe dhe pacientë në gjendje të rëndë, vazhdojnë të jenë në spital, kanë thënë pjesëtarët e stafit.

Të shtunën, spitali njoftoi se gjeneratori i fundit kishte mbeti pa karburante. Zyrtarët shëndetësorë thanë se të paktën 32 pacientë, përfshirë tri foshnje, kanë vdekur. Ata thanë se edhe 36 foshnje janë në rrezik që të vdesin pasi pajisjet shëndetësore kanë dalë jashtë funksionit.

Ministria e Shëndetësisë publikoi të hënën një fotografi që shfaqte dhjetëra foshnja të lindura para kohe të mbështjella me batanije për t’i mbajtur të ngrohta. “Shpresoj që foshnjat të vazhdojnë të jetojnë pavarësisht fatkeqësisë nëpër të cilën po kalon spitali”, tha zëdhënësi i Ministrisë, Medhat Abbas.

Të porsalindurit të vendosur në një shtrat pasi janë larguar nga inkubatorët në spitalin Al Shifa të Gazës pas ndërprerjes së energjisë elektrike, mes luftimeve të pareshtura mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza, 12 nëntor 2023.

Ligji ndërkombëtar u ofron mbrojtje të posaçme spitaleve gjatë luftës. Spitalet mund të humbin këto mbrojtje nëse këto ndërtesa përdoren nga luftëtarët për t’u fshehur, apo për të ruajtur armë, ka thënë Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

Megjithatë, duhet të ketë paralajmërime të mjaftueshme për të lejuar evakuimin e stafit dhe pacientëve. Nëse shkaktohen dëme ndaj civilëve gjatë një sulmi shpërpjesëtimor ndaj një objektivi ushtarak, kjo është e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Akuzat e Izraelit ndaj Hamasit

Izraeli për një kohë të gjatë e ka akuzuar Hamasin se i përdorë civilët si mburoja njerëzore. Grupi shpesh ka lëshuar raketa drejt Izraelit nga zona të populluar dhe luftëtarët kanë luftuar me trupat izraelite brenda lagjeve të banuara.

Përgjatë luftës, Izraeli ka publikuar fotografi dhe video që kanë shfaqur atë që ai ka thënë se janë armë dhe instalacione të tjera ushtarake brenda apo afër xhamive, shkollave dhe spitaleve.

Mbrëmjen e 13 nëntorit, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, shfaqi imazhe që tha se ishin armë të Hamasit të gjetura në bodrumin e spitalit për fëmijë, Rantisi, në Gazë.

Hagari tha se ai ka hyrë, së bashku me ushtarët izraelitë, në spital të hënën, një ditë pasi nga spitali u evakuuan pacientët e fundit. Javën e kaluar spitali mbeti pa karburante dhe Izraeli kishte urdhëruar qytetarët që të largoheshin përderisa po kryen ofensivën e tij tokësore.

Ai tha se hyri në një dhomë të dekoruara me ngjyra për fëmijët, ndërkaq armët ishin të vendosura në tokë. Ai tha se në spital u gjetën jelekë, armë automatike, bomba dhe granatahedhës.

“Hamasi përdor spitalet si instrument të luftës”, tha ai.

Ai në video shfaqi edhe një vend tjetër që tha se duket se aty janë mbajtur pengje.

Në video po ashtu u shfaq një tualet, një shishe për foshnja dhe një motoçikletë – vrima të plumbave dhe një vend që dukej se ishin mbajtur pengjet. Një dhomë pa dritare kishte perde në mur dhe Hagari tha se perdja mund të jetë përdorur si prapavijë gjatë incizimit të videove. Ai shtoi se ekspertët e forenzikës po ekzaminojnë këtë vend.

“Ky nuk është spitali i vetëm në Gazë që duket kështu dhe bota duhet ta dijë këtë”, tha Hagari.

Ushtria ka pretenduar se Hamasi po operon brenda Shifas dhe nëntokë në bunkerët e tij, disa prej të cilëve kanë thënë se janë të qasshëm nga vetë spitali. Po ashtu, ushtria ka pretenduar se qindra luftëtarë të Hamasit janë strehuar në spitalin Shifa pas sulmeve të 7 tetorit, kur u vranë të paktën 1.200 persona në Izrael.

Izraeli ka thënë se këto pretendime i bazon në informacione të inteligjencës. Megjithatë, nuk ka ofruar prova vizuale për t’i mbështetur këto pretendime. Muajin e kaluar, Hagari publikoi harta që tha se shfaqnin atë që Izraeli beson se janë vendndodhjet e qendrave nëntokësore komanduese të Hamasit, përfshirë një afër dhomës së pritjes dhe departamentit të dializës së spitalit.

Ai shfaqi ilustrime të stimuluara se si mund të dukeshin këto qendra të dyshuara komanduese, por e pranoi se “ky është vetëm një ilustrim”.

Izraeli, po ashtu, publikoi një video që tha se tregon luftëtarë të kapur të Hamasit teksa ai u përgjigjej pyetjeve. Luftëtari, që në video shfaqet duke folur qetësisht, por qartësisht duket se është i detyruar, dëgjohet duke thënë se shumica e tuneleve “janë të fshehura nën spitale”.

“Në Shifa, për shembull, ka nivele nëntokësore”, është shprehur ai. “Shifa nuk është e vogël. Është një vend i madh që mund të fshehë gjëra”.

Ushtria, gjithashtu, ka publikuar një audio-incizim të gjoja dy palestinezëve anonimë në Gazë që diskutojnë për praninë e një tuneli nën Shifa. Autenticiteti i incizimit nuk ka mundur të verifikohet.

Ghazi Hamad, zyrtar i lartë i Hamasit, hodhi poshtë pretendimet izraelite rreth Shifas, duke i cilësuar si “të rreme dhe propagandë”.

“Forcat pushtuese nuk kanë dëshmi për këto pretendime”, tha Hamad. “Ne kurrë nuk i kemi përdorur civilët si mburoja njerëzore, sepse kjo është në kundërshti me fenë tonë, moralin dhe parimet”.

Si do të marrë fund përleshja?

Izraeli të dielën tha se ka tentuar që të dërgojë rreth 300 litra me karburante në spital dhe i ka lënë shishet e plastikës me karburante disa metra larg ndërtesës. Por, deri të hënën, këto karburante duket se nuk janë marrë nga stafi.

Izraeli ka akuzuar Hamasin se po ua ndalon punëtorëve shëndetësorë që t’i marrin karburantet. Zyrtarët spitalorë kanë thënë se ky karburant do të duhej të dërgohej nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze dhe se sasia e karburantit gjithsesi ishte e pamjaftueshme.

Izraeli ka ofruar korridor të sigurt për largimin e njerëzve. Por, ata që kanë tentuar të ikin, e kanë përshkruar si një përvojë të frikshme.

Goudhat Samy al-Madhoun, punëtor shëndetësor, tha se afër 50 persona u larguan nga spitali të hënën, përfshirë edhe një grua që ishte në dializë. Ai tha se forcat izraelite kanë qëlluar disa herë drejt grupit që po evakuohej, duke plagosur një person.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se spitali “duhet të mbrohet”, duke kërkuar “veprime më pak ndërhyrëse” nga forcat izraelite.

“Shpresa dhe pritja ime është që të ketë veprime më pak ndërhyrëse nga forcat izraelite”, tha Biden në Zyrën Ovale.

Ushtria izraelite tha se është e vetëdijshme për kompleksitetin, por Hamasi nuk duhet të presë imunitet.

“Ne nuk po kërkojmë që të marrim kontrollin e spitaleve. Ne po synojmë të shkatërrojmë infrastrukturën e tyre”, tha zëdhënësi tjetër i ushtrisë, Richard Hecht.

“Ne do të hyjmë, do të bëjmë atë që duhet të bëjmë dhe do të largohemi”, tha ai.

“Se si do të duket kjo, është vështirë të thuhet”./REL

Biden: Spitali më i madh në Gazë duhet të mbrohet

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se spitali më i madh në Gazë, Shifa “duhet të mbrohet”. Luftimet midis forcave izraelite dhe luftëtarëve të Hamasit – organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – kanë bërë që spitali të rrethohet, duke detyruar mijëra persona që të largohen.

“Shpresa dhe pritja ime është që të ketë veprime më pak ndërhyrëse” nga forcat izraelite, tha Biden në Zyrën Ovale.

Qe tre ditë, spitali Shifa ka mbetur pa rrymë dhe ujë, përderisa luftimet me armë zjarri dhe bombardimet jashtë ndërtesës së spitalit e kanë bërë edhe më të vështirë situatën.

“Ne nuk duam të shohim luftime në spitale”, tha këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

“Ne duam që pacientët të jenë të mbrojtur. Ne duam që spitalet të jenë të mbrojtura. Ne kemi biseduar me Qeverinë izraelite për këtë çështje dhe ata kanë thënë se ndajnë mendimin se nuk duan të shohin luftime në spitale”.

Sullivan tha se nuk ka përgjigje të lehta lidhur me atë se si Izraeli shtyn përpara operacionet ushtarake rreth spitaleve, por shtoi se këto pyetje janë për ushtrinë izraelite e jo për SHBA-në.

Mijëra persona ishin strehuar në spitalin Shifa, por zyrtarët shëndetësorë në Gazë një ditë më herët njoftuan se shumë palestinezë janë zhvendosur nga spitali si pasojë e luftimeve.

Izraeli ka thënë se ka ofruar korridor të sigurt për ata që duan të largohen. Izraeli ka akuzuar se nën spitalin Shifa, Hamasi ka një qendër komanduese.

Hamasi – që nisi sulmet ndaj Izraelit më 7 tetor, që nxitën luftën aktuale – por edhe stafi shëndetësor në Shifa, mohojnë pretendimet e Izraelit./REL

Dënohet deklarata e ministrit izraelit për sulm bërthamor në Gazë

Kina, Irani dhe disa shtete arabe kanë dënuar deklaratën e një ministri izraelit i cili ka thënë se hedhja e një bombe bërthamore në Rripin e Gazës ishte një opsion në luftën Izrael-Hamas, duke e quajtur këtë qëndrim si kërcënim për botën.

Në konferencës e së hënës në Kombet e Bashkuara, qëllimi i së cilës ishte krijimi i një zone pa armë bërthamore në Lindjen e Mesme, shumë ambasadorë dënuan dhe kritikuara deklaratat e bëra nga ministri i Trashëgimisë së Izraelit, Amihai Eliyahu, i cili më vonë i quajti deklaratat e tij si “metaforike”. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, shpejt hodhi poshtë deklaratat e tij dhe e pezulloi atë nga pjesëmarrja në takimet e Qeverisë.

Izraeli as nuk ka konfirmua e as mohuar se ka aftësi bërthamore. Gjerësisht besohet se ky shtet ka armë bërthamore, dhe një ish-punonjës i një reaktori bërthamor ka kaluar 18 vjet në burg, pasi ka publikuar detaje dhe fotografi të arsenalit të dyshuar bërthamor të Izraelit në një gazetë britanike më 1986.

Zëvendësambasadori i Kinës në OKB, Geng Shuang, tha se Pekini ishte i “tronditur” dhe i cilësoi deklaratat si “ektremisht të papërgjegjshme” që duhen menjëherë të dënohen.

Ai u bëri thirrje zyrtarëve izraelitë të reagojnë ndaj deklaratës dhe të bashkohen në Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.

Geng tha se Kina është e gatshme të bashkohet me shtete të tjera për të punuar në krijimin e një zone pa armë bërthamore në Lindjen e Mesme.

Shefja për çarmatim në OKB, Izumi Nakamitsu, e cila bëri hapjen e konferencës, nuk e përmendi Izraelin. Por, ajo tha se “çdo kërcënim për të përdorur armë bërthamore është i papranueshëm”.

Ajo po ashtu përsëriti thirrjen që Lindja e Mesme të jetë një zonë pa armë bërthamore dhe armë të tjera të shkatërrimit në masë, duke thënë se duhet të arrihet paqe mes Izraelit dhe palestinezëve përmes zgjidhjes me dy shtete.

Ambasadori i Omanit në OKB, Mohamed Al-Hassan, që foli në emër të gjashtë shteteve të Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit – ku përfshihet edhe Arabia Saudite – tha se kërcënimi për të përdorur armë bërthamore në Gazë, “riafrimon brutalitetin e pushtimit izraelit kundër popullit palestinez” dhe “mosshpërfilljes ndaj jetëve të pafajshme”.

I ngarkuari me punë i Libanit, Hadi Hachem, po ashtu dënoi komentet e ministrit të Trashëgimisë së Izraelit, duke thënë se “kjo është vetëpranim për armë bërthamore dhe kërcënimi i tyre për t’i përdorur paraqet kërcënim serioz ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe të rajonit”.

Ambasadori i Iranit, Amir Iravani, tha se kërcënimet bërthamore drejtuar palestinezëve nga zyrtarë të lartë izraelitë paraqesin “krenarinë” e Izraelit për posedimin e armëve të tilla.

Përfaqësuesit izraelitë nuk folën në konferencë, por Netanyahu ka thënë se kërcënimi kryesor ndaj shtetit të tij është që Irani të ketë armë bërthamore, duke shtuar se është i gatshëm që të parandalojë që kjo të ndodhë.

Përpjekjet që Lindja e Mesme të jetë një zonë pa armë bërthamore datojnë që nga vitet ’60 dhe përfshijnë thirrjet e bëra përmes Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore të vitit 1995 dhe një rezolute të vitit 1998 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që u ka kërkuar shteteve që të kontribuojnë në krijimin e kësaj zone./REL

Mjeku trondit me rrëfimin: Njerëzit po vdesin, qentë po hanin kufomat

Dr Mohamed Abu Selmia, menaxher i spitalit kyç Al-Shifa, i ka thënë BBC-së se 32 persona kanë vdekur ditët e fundit.

"Tre foshnja të parakohshme dhe shtatë persona kishin vdekur për shkak të mungesës së oksigjenit", tha ai, transmeton "Bota sot".

Disa pacientë të tjerë që kanë nevojë për dializë rrezikojnë të vdesin në "dy ditët e ardhshme" pasi trajtimi nuk është më i disponueshëm, tha ai.

Spitali është pothuajse pa karburant dhe burime të tjera për të vazhduar funksionimin - me foshnjat e parakohshme që janë nxjerrë nga inkubatorët që nuk funksionojnë më. Aty janë më shumë se 600 pacientë të lënduar.

BBC e pyeti doktorin nëse ushtria izraelite kishte bërë ndonjë kontakt në lidhje me evakuimin e pacientëve apo foshnjave të lindura para kohe. Izraeli ka thënë se ka dërguar karburant pranë spitalit dhe burimeve të tjera.

Por doktori tha: “Jo, ata nuk kanë kontaktuar, përkundrazi ne iu drejtuam atyre... por deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

"Ka negociata për evakuimin e foshnjave të lindura para kohe, por deri më tani asgjë nuk ka ndodhur."

Abu Selmia tha se spitali kishte qenë gjithashtu në kontakt me Kryqin e Kuq për të provuar dhe koordinuar varrimin e trupave, nga të cilët ishin rreth 150 në spital - por iu tha se aktualisht nuk ishte e mundur.

Ai shtoi - ky është një detaj që disa lexuesve mund t'u duket shqetësues - se qentë po hanin kufomat.

Këshilltari i Netanyahu fajëson Hamasin për situatën në spitalin Al-Shifa

Mark Regev, një këshilltar i lartë i kryeministrit izraelit, ka argumentuar se Hamasi është fajtor për kthimin e spitalit Al-Shifa - më i madhi në Gaza - "në një zonë lufte".

Për BBC, ai tha se Hamasi kishte "ndërtuar qëllimisht" infrastrukturën ushtarake nën spital dhe kishte "përdorur ato foshnja për të mbrojtur makinën e tij ushtarake".

Hamasi dhe zyrtarët e spitalit gjithashtu i kanë hedhur poshtë vazhdimisht këto pretendime që justifikojnë sulmet e Izraelit rreth spitaleve të Rripit. Regev argumentoi se Izraeli nuk po shqyrtonte shënjestrimin e spitaleve, transmeton "Bota sot".

Ai tha se Hamasi dëshironte "fotografi për të treguar një krizë" dhe ata nuk ishin të gatshëm të pranonin zgjidhje për karburantin në mënyrë që spitali të mund të vazhdonte funksionimin.

Izraeli thotë se Hamasi po e përdor spitalin Shifa si mburojë; mijëra vetë janë të bllokuar brenda tij

Spitali Shifa i Gazës prej disa ditësh është në qendër të luftimeve në luftën e Izraelit kundër Hamasit. Shifa është spitali më i madh i Gazës. Por Izraeli pretendon se Hamasi po e përdor atë për qëllime ushtarake dhe ka ndërtuar një qendër të madhe komplekse komanduese nëntokësore poshtë spitalit që lidhet përmes tuneleve.

Që kur Izraeli i shpalli luftë Hamasit në përgjigje të një sulmit të përgjakshëm ndërkufitar nga grupi islamik më 7 tetor, forcat e tij kanë përparuar drejt Shifas.

Ndërsa Izraeli thotë se është i gatshëm të lejojë personelin dhe pacientët të evakuohen, palestinezët thonë se forcat izraelite kanë hapur zjarr ndaj të evakuuarve dhe se është shumë e rrezikshme të zhvendosen pacientët më të dobët. Ndërkohë, mjekët thonë se objekti nuk ka më gaz dhe se pacientët kanë filluar të vdesin.

Ja një vështrim ndaj situatës rreth Shifas

Spital dhe strehim


Shifa është spitali kryesor i një sistemi të kujdesit shëndetësor kryesisht të rrënuar pas vitesh konflikti, mungesës së financimit dhe një bllokade izraelito-egjiptiane që synon dobësimin e Hamasit.

Shifa ka mbi 500 shtretër dhe ofron shërbime si skanime MRI, dializë dhe një njësi të kujdesit intensiv. Në këtë spital kryhet afërsisht gjysma e të gjitha operacioneve mjekësore që zhvillohen në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së drejtuar nga Hamasi.

Pas shpërthimit të luftës, dhjetëra mijëra vetë u dyndën në mjediset e spitalit për të kërkuar strehim. Ndërsa luftimet i janë afruar spitalit, shumica e atyre që strehoheshin atje janë larguar drejt jugu, ashtu si rreth dy të tretat e 2.3 milionë banorëve të territorit që kanë lënë shtëpitë e tyre.

Por qindra njerëz, përfshirë punonjësit e shëndetësisë, foshnjat e lindura para kohe dhe pacientë të tjerë në gjendje të rëndë vazhdojnë të jenë në spital, thonë punonjësit.

Të shtunën, spitali njoftoi se i kishte mbetur pa karburant. Zyrtarët shëndetësorë thonë se të paktën 32 pacientë, përfshirë tre foshnja, kanë vdekur. Ata thonë se 36 foshnja të tjera janë në rrezik për jetën sepse pajisjet e nevojshme për të shpëtuar jetën e tyre nuk funksionojnë.

E drejta ndërkombëtare parashikon mbrojtje të posaçme për spitalet gjatë luftës. Por spitalet mund ta humbasin të drejtën për t’u mbrojtur nëse përdoren për të fshehur luftëtarë ose për të mbajtur armë, sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Megjithatë, duhet të bëhen paralajmërime për të lejuar evakuimin e perosnelit dhe pacientëve. Nëse pasojat tek civilët nga një sulm janë në disproporcion me objektivin ushtarak, ai sulm konsiderohet i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare.

Akuzat e Izraelit kundër Hamasit

Izraeli ka akuzuar prej kohësh Hamasin për përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore. Grupi i cili konsiderohet një organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara shpesh hedh raketa drejt Izraelit nga zonat e banuara plot me njerëz dhe luftëtarët e tij kanë luftuar me trupat izraelite brenda lagjeve me popullsi të dendur.
Gjatë gjithë luftës, Izraeli ka publikuar foto dhe video që tregojnë ato që thotë se janë armë dhe objekte të tjera ushtarake brenda ose pranë xhamive, shkollave dhe spitaleve.

Të hënën vonë, zëdhënësi kryesor i ushtrisë së Izraelit, adm. Daniel Hagari, tregoi pamje të asaj që ai tha se ishte një depo armësh e Hamasit e gjetur në bodrumin e Spitalit Rantisi për Fëmijë të Gazës.

Zëdhënësi Hagari tha se ai kishte hyrë në spital me trupat izraelite të hënën, një ditë pasi pacientët e fundit të objektit u evakuuan.

Spitalit i mbaroi karburanti javën e kaluar dhe Izraeli kishte urdhëruar njerëzit të largoheshin ndërsa vazhdonte ofensivën tokësore.

Adm. Hagari hyri në një dhomë ku pa në mur një vizatim fëmijësh që tregonte një pemë, ndërsa në dysheme kishte armë, mes së cilave jelekë me eksplozivë, pushkë automatike, bomba dhe granata.

“Hamasi përdor spitalet si instrument lufte,” tha ai. Ai tregoi një pjesë tjetër të kompleksit që ai tha se duket se është përdorur për të mbajtur pengje.

"Ky nuk është spitali i vetëm i përdorur kështu në Gaza dhe bota duhet ta dijë këtë," tha Hagari.

Ushtria izraelite thotë se Hamasi po vepron brenda Shifas dhe në bunkeret poshtp saj, tek disa prej të cilëve Izraelit thotë se mund të hyhet nga spitali.

Izraeli thotë gjithashtu se qindra luftëtarë të Hamasit u strehuan në Shifa pas masakrës së 7 tetorit, sipas informacioneve të zbulimit. Megjithatë, Izraeli ka dhënë pak prova për të mbështetur këto pretendime.

Zëdhënësi Hagari tregoi muajin e kaluar harta që Izraeli beson se tregojnë qendrat e komandës nëntokësore të Hamasit, përfshirë një pranë sallës së pranimit të spitalit dhe një tjetër pranë departamentit të dializës. Ai gjithashtu tregoi ilustrime të simuluara se si dukeshnin këto qendra, por e pranoi se është “është vetëm një ilustrim".

Provat e tjera që ka paraqitur Izraeli kanë qenë po aq të vështira për t'u verifikuar.

Ghazi Hamad, një zyrtar i lartë i Hamasit, hodhi poshtë pretendimet izraelite lidhur me Shifan duke e quajtur "propagandë të rreme dhe mashtruese".

Çfarë ndodhë më tej?

Izraeli të dielën tha se ishte përpjekur t’i jepte spitalit rreth 300 litra gaz duke i lënë disa qindra metra larg objektit. Por deri të hënën kishte mbetur i paprekur. Izraeli akuzoi Hamasin se nuk ka lejuar punonjësit e spitalit që t’i merrnin ato. Zyrtarët e spitalit thanë se karburanti duhet të dorëzohej nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze dhe se ajo ishte gjithsesi e pamjaftueshme.

Izraeli ofroi kalim të sigurt për njerëzit që të largoheshin. Por ata që u përpoqën të largoheshin përshkruan një përvojë të tmerrshme. Goudhat Samy al-Madhoun, një punonjës i kujdesit shëndetësor, tha se rreth 50 vetë u larguan nga institucioni të hënën, përfshirë një grua që kishte marrë dializë në veshka.

Ai tha se forcat izraelite qëlluan disa herë ndaj grupit, duke plagosur një burrë që nuk mundi të largohej.

Presidenti amerikan Joe Biden tha të hënën se spitali "duhet të mbrohet" dhe bëri thirrje për "veprime më pak agresive" nga forcat izraelite.

Ushtria izraelite ka thënë se është e vetëdijshme për kompleksitetin e gjendjes, por thotë se Hamasi nuk duhet të shpresojë për imunitet. “Ne nuk po përpiqemi të marrim kontrollin e spitaleve. Ne po përpiqemi të shkatërrojmë infrastrukturën e tyre”, tha nënkoloneli Richard Hecht, një tjetër zëdhënës i ushtrisë izraelite./VOA

Paralajmëron ministri palestinez: Gaza është në prag të ndërprerjes së komunikimit

Rripi i Gazës po përballet me një ndërprerje të afërt dhe të plotë të komunikimeve dhe shërbimeve të internetit, tha ministri palestinez i telekomunikacionit.

Ndërprerja e pritshme është për shkak të varfërimit të furnizimeve me karburant dhe pritet të përkeqësojë krizën e vazhdueshme humanitare duke penguar aftësinë e palestinezëve për të arritur shërbimet e emergjencës, ndihmës dhe shpëtimit, sipas Ishaq Sidr, ministrit të telekomunikacionit dhe teknologjisë së informacionit, raporton CNN, transmeton "Bota sot".

Një ndërprerje mund të pengojë ekipet e Mbrojtjes Civile dhe Gjysmëhënës së Kuqe të koordinojnë një përgjigje ndaj vendeve të emergjencës, tha Sidr në një konferencë shtypi nga Bregu Perëndimor i pushtuar.

Çdo ndërprerje ndërmjet ekuipazheve të këtyre grupeve në terren dhe qendrave të tyre të komunikimit "mund të shkaktojë pamundësinë për t'i drejtuar këto ekuipazhe në vendet e fatkeqësisë, që do të thotë humbjen e shumë jetëve dhe privimin e qëllimshëm të njerëzve tanë në Gaza nga e drejta e tyre për të komunikuar. veçanërisht në dritën e zhvendosjes dhe bombardimeve të vazhdueshme”, tha Sidr.

Ministri i cilësoi këto zhvillime si “shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave themelore të njeriut”.

Që nga mëngjesi i së premtes, CNN nuk ka mundur të kontaktojë palestinezët në Gazën veriore përmes internetit, megjithëse telefonatat e rregullta kanë qenë të mundshme pavarësisht shkëputjeve të shpeshta. Në Gazën jugore, aksesi me ndërprerje në internet është ende i disponueshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat