LIVE: Vazhdon terrori në Gaza, vjen sinjali i fundit nga Izraeli – ky është parashikimi mbi veprimet e Hamasit

Azia

LIVE: Vazhdon terrori në Gaza, vjen sinjali i fundit nga Izraeli – ky është parashikimi mbi veprimet e Hamasit

Nga: Bota sot Më: 16 nëntor 2023 Në ora: 06:19 Përditësuar në ora: 20:24 më 16.11.2023
Pamje nga lufta

Mjeku thotë se spitali i Gazës është i rrethuar

Është raportuar se një spital tjetër thuhet të jetë nën sulm në Gaza dhe tani Skynews ka folur me një nga mjekët që punonte atje.

Dr. Abu Sitta, i cili tani është larguar nga spitali Baptist al Ahli, i tha korrespondentit amerikan të këtij mediumi se kolegët e tij i kanë thënë atij se objekti është “plotësisht i rrethuar”.

Ai tha se bombardimet dhe granatimet ishin aq afër spitalit. Po bëhej gjithnjë e më e vështirë për ambulancat të lëviznin, tha ai, raporton Sky news.

Atyre u është dashur të mbyllin sallat e operacionit në spital, tha ai, i cili “është i vetmi spital funksional në qytetin e Gazës”.

“Sot ka qenë absolutisht katastrofike”, shtoi ai. “Dje ka pasur një sulm ajror veçanërisht të egër në një xhami ku njerëzit po kërkonin strehim dhe ne morëm të plagosurit me qindra. Dhe sot në mëngjes na kishin mbaruar të gjitha furnizimet dhe nuk mund të ofronim më shërbim në sallën e operacionit në asnjë mënyrë. Nuk mund të bënim më operacionet”, deklaroi ai.

Dr Sitta nuk iu referua sulmeve të drejtpërdrejta në spital, por ai tha se ata “mund të dëgjonin atë lloj gjëmimi të frikshëm paniku”.

“Ka qindra, nëse jo mijëra qytetarë civilë të plagosur rëndë në spitalet në Gaza. Ka mijëra të plagosur që po vdesin sepse u është hequr kujdesi shëndetësor sepse sistemi shëndetësor është vënë në shënjestër dhe është çmontuar plotësisht” shtoi doktori.

Dje, forcat izraelite bastisën spitalin al Shifa – më i madhi i Gazës – dhe thonë se ushtarët janë ende duke përfshirë kompleksin sot.

Izraeli pretendon se al Shifa përdoret nga Hamasi për të drejtuar operacione ushtarake – gjë që grupi militant e mohon.

Izraeli sinjalizon zgjerimin e ofensivës në jug të Gazës

Forcat izraelite paralajmëruan palestinezët që të largohen nga pjesët e Gazës jugore, thanë banorët e zonës të enjten, një sinjalizim se Izraeli mund të zgjerojë ofensivën në zonat ku tashmë kanë shkuar qindra mijëra njerëz nga veriu i territorit që ndoqën urdhrat e mëparshëm për evakuim.

Mbi 1.5 milion njerëz janë zhvendosur brenda Gazës, shumica e të cilëve ka shkuar në jug, ku ushqimi, uji dhe energjia elektrike janë gjithnjë e më të pakta.

Nuk është e qartë se ku tjetër mund të shkojnë, pasi Egjipti refuzon të lejojë një fluks masiv në territorin e tij.

Ndërkohë, ushtarët vazhduan kontrollin në spitalin al-Shifa në veri, në kuadrin e bastisjes që filloi herët të mërkurën. Ata treguan armë që thanë se u gjetën të fshehura në një ndërtesë, por ende nuk kanë nxjerrë ndonjë provë për nj qendër komanduese që Izraeli thotë se Hamasi ka ngritur poshtë kompleksit.

Hamasi dhe personeli i spitalit më të madh të Gazës, i mohojnë akuzat. Zgjerimi i operacioneve në jug - ku Izraeli kryen sulme ajrore të përditshme - kërcënon të përkeqësojë edhe më tej krizën humanitare në territorin e rrethuar.

Lufta që ka hyrë në javën e gjashtë, filloi kur Hamasi, të cilin Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë një organizatë terroriste, ndërmori një sulm të përgjakshëm ndaj Izraelit më 7 tetor, ku humbën jetën mbi 1200 vetë, kryesisht civilë, dhe morën peng rreth 240 burra, gra dhe fëmijë.

Izraeli u kundërpërgjigj me një fushatë javore ajrore dhe ndërhyrje tokësore në Gazën veriore, me synimin për të rrëzuar Hamasin nga pushteti dhe për të shtypur aftësitë e tij ushtarake. Më shumë se 11,200 palestinezë janë vrarë, prej të cilëve dy të tretat gra dhe të mitur, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, nën varësinë e Hamasit.

2700 të tjerë njoftohet se rezultojnë të zhdukur, shumica prej të cilëve besohet të kenë mbetur nën rrënoja. Këto shifra nuk bëjnë dallim mes vdekjeve të civilëve dhe militantëve dhe Izraeli thotë se ka vrarë mijëra militantë/VOA

Familjet e pengjeve në Gazë marshojnë për të dashurit e tyre

Familjet e rreth 240 pengjeve që besohet se po mbahen nga Hamasi në Gazë kanë filluar një marshim pesë ditor nga Tel Avivi në Jerusalem. Sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës në Tel Aviv Linda Gradstein, familjarët e pengjeve kërkojnë që qeveria izraelite të bëjë më shumë për të siguruar lirimin e të dashurve të tyre.

Për familjet e pengjeve këto ishin javë plot vuajtje – javë të tëra pa asnjë lajm nëse të dashurit e tyre janë gjallë. Tani ata po marshojnë drejt Jerusalemit.

Yuval Aran i mbijetoi masakrës në vendbanimin Be’eri, por shtatë anëtarët e familjes së tij, përfshirë tre fëmijë, u morën peng nga Hamasi.

“Jam i shqetësuar gjatë gjithë kohës. Jam gjithnjë duke vuajtur dhe nuk mund të rri më ulur në shtëpi. Më duhet të bëjë diçka dhe po i bashkohen këtij marshimi me të gjitha familjet e pengjeve tjera dhe me tërë vendin", thotë zoti Aran.

Në një video të Hamasit, të postuar në rrjete sociale, mbesa e zotit Shaul Levy, Naama, shihet teksa rrëmbehet nga militantët. Zoti Levy thotë se ai po marshon për t’i dërguar qeverisë një mesazh.

“Po fillojmë marshin nga muzeu i Tel Avivit për në Jerusalem. Shpresojmë të takojmë qeverinë, kryeministrin, për të theksuar se nuk ka alternativë tjetër veç t’i kthejmë të gjithë në shtëpi,” thotë ai.

Forumi i familjeve të pengjeve dhe të të pagjeturve ka kërkuar që vëmendje e posaçme t’u kushtohet mbi 30 fëmijëve që janë rrëmbyer pa prindërit e tyre. Ata besojnë se njëra nga gratë e rrëmbyera ka lindur ndërkohë që po mbahet peng.

“Kërkoj nga Benjamin Netanyahu dhe nga i tërë kabineti qeveritar të na japin përgjigje dhe vepra. Nuk na ka mbetur më forcë. Ktheni fëmijët tanë dhe ktheni familjet tona në shtëpi,” tha nëna e pengut, Shelly Shem Tov.

Izraeli beson se Hamasi dhe Xhihadi Islamik po i mbajnë pengjet në tunelet poshtë ndërtesave në Gazë, përfshirë spitalet, akuzë që Hamasi e mohon.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite tregon një tunel që çon drejt asaj që ai e quan labirinth dhomash nëntokësore nën spitalin e fëmijëve Rantisi në Gazë.

“Tani po hyni në dhomën ku dyshojmë se po mbaheshin pengjet. Dua ta shikoni këtë dhomë. Kanë vendosur perde me asgjë tjetër prapa, vetëm mur. Nuk ka arsye për të vendosur një perde këtu përpos nëse dëshiron të xhirosh pengjet dhe të bësh video,” thotë zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari.

Hamasi dhe grupi Xhihadi Islamik kanë postuar xhirime të pengjeve duke bërë deklarata në kanalet e tyre në rrjetet sociale, të cilat analistët izraelitë besojnë se janë të bëra me detyrim. Një xhirim i ri tregon një zëdhënës të Hamasit duket thënë se grupi është i gatshëm të lirojë deri në 70 pengje – si duket gra, fëmijë dhe të moshuar – në këmbim të një armëpushimi pesë ditor dhe lirimit të grave dhe të miturve palestinezë, që jane duke vuajtur dënime në burgjet izraelite.

“Armëpushimi duhet të përfshijë ndërprerjen e luftimeve dhe lejimin e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës. Por armiku po e zvarit dhe po i dredhon pagesës së çmimit të kësaj marrëveshjeje,” tha zëdhënësi i krahut të armatosur të Hamasit Abu Obeida.

Zyrtarët izraelitë thonë se kanë frikë që armëpushimi pesë ditor do t’i japë kohë Hamasit të riarmatoset dhe të vazhdojë luftën kundër Izraelit. Po ashtu ata shtojnë se trysni ndërkombëtare ndaj Izraelit do të shtohej për të vazhduar armëpushimin.

Familjet e pengjeve frikësohen se koha po skadon për të dashurit e tyre. Ata shpresojnë se marshimi i tyre do të vazhdojë t’i mbajë pengjet dhe përpjekjet për të siguruar lirimin e tyre, në qendër të vëmendjes së Izraelit dhe të botës./VOA

Izraeli thotë se ka goditur shtëpinë e liderit të Hamasit

Nga: A.Sh

Forcat izraelite thonë se kanë sulmuar shtëpinë e një lideri të lartë të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Gaza.

Në një postim në X, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se përdorën avionë luftarakë të mërkurën mbrëma për të goditur shtëpinë e kreut të byrosë politike.

Ata pretendojnë se shtëpia e tij ishte "përdorur si infrastrukturë terroriste" dhe "një vend takimi për zyrtarët e lartë të organizatës".

BBC nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimin e IDF.

Militanti i Hamasit filmoi fillimin e sulmit në Izrael

Në skajin lindor të Gazës, në mëngjesin e 7 tetorit, pak minuta para agimit, një grup militantësh të Hamasit janë duke pritur.

Disa u futën në një kamionçinë të bardhë, të tjerët në motoçikleta.

Ata bëjnë disa kontrolle përfundimtare, duke u siguruar që po regjistrojnë videon dhe se armët e tyre janë gati. Një shpërthim në distancë duket se është sinjali për të lëvizur.

Ndërsa nxitojnë drejt kufirit, burrat bërtasin, “Allahu Akbar”, një shprehje që do të thotë “Zoti është i madh” në arabisht.

Pas tre minutash me veturë, ata kalojnë gardhin e parë kufitar që ndan Gazën nga Izraeli.

Gardhi është dëmtuar duke lënë një vrimë të madhe nëpër të cilën kalojnë. Është e vështirë të dihet nëse është nga shpërthimi që u dëgjua pak çaste më parë.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) i dhanë CNN pamjet e momenteve të para të sulmit, që ofrojnë një vështrim të ri në një pjesë të operacionit të Hamasit, të nisur nga kufiri lindor i Gazës.

Videoja vjen nga kamera e vendosur në trupin e njërit prej terroristëve që morën pjesë në sulm.

IDF tha se publikoi videon për të treguar realitetin e asaj që ndodhi më 7 tetor, ditën që zyrtarët izraelitë e krahasojnë me 11 shtatorin, kur rreth 1200 njerëz u vranë dhe më shumë se 200 u morën peng. 

Biden flet për lirimin e pengjeve në Gaza

Nga: A.Sh

Presidenti i SHBA Joe Biden thotë se ai ka "me pak shpresë" se do të arrihet një marrëveshje për lirimin e më shumë se 200 njerëzve që mbahen peng në Gaza.

Ai tha në një konferencë shtypi në Kaliforni më herët se nuk donte të fliste para kohe, por se SHBA kishte parë "bashkëpunim të madh" nga Katari, i cili ka udhëhequr negociatat në vazhdim midis Izraelit dhe Hamasit.

Duke folur për operacionin e fundit të Izraelit në spitalin më të madh të Gazës - Al-Shifa - presidenti thotë se Hamasi kreu një "krim lufte" duke pasur një bazë atje.

Izraeli ka shfaqur ato që pretendon se janë armë dhe pajisje të tjera që i përkasin Hamasit që u gjetën nga spitali.

Hamasi mohon se përdor objektet mjekësore si mbulesë për operacionet e tij.

Biden thotë se SHBA-të i kanë kërkuar Izraelit të jetë i kujdesshëm që civilët të mbahen të sigurt gjatë kërkimit të bastioneve të Hamasit.

Forcat izraelite arrestojnë dy persona në Jerusalemin Lindor

Nga: A.Sh

Al Jazeera Arabic ka shpërndarë një video në rrjetet sociale që tregon arrestimin e dy vëllezërve në al-Issawiya, një lagje palestineze në Jerusalemin Lindor.

Në video, dy burrat shihen në pranga dhe të shoqëruar nga të paktën 12 ushtarë izraelitë të armatosur rëndë.

Më herët, ne raportuam gjithashtu një numër bastisjesh dhe arrestimesh në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar.

 

IDF i 'përgjigjet' sulmeve në kufirin Izrael-Liban

Nga: A.Sh

Forcat izraelite të mbrojtjes (IDF) kanë raportuar se po i përgjigjeshin një "numri lëshimesh drejt territorit izraelit" nga Libani, në një postim të mërkurën vonë, përcjell Bota sot.

IDF gjithashtu pretendoi se kishte përdorur tanke për të goditur një post vëzhgimi të Hezbollahut në Liban.

Ndërkohë, kanali televiziv i Hezbollahut, Al Manar, raportoi se grupi kishte sulmuar objektet ushtarake izraelite në kufirin me Libanin, ku thuhet se fshatrat janë granatuar.

Që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, Hezbollahu ka sulmuar pozicionet ushtarake në Izraelin verior – ndaj të cilit Izraeli është përgjigjur.

Hezbollahu e cilësoi një organizatë terroriste nga shtetet perëndimore, Izraeli, vendet arabe të Gjirit dhe Liga Arabe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat