Presidenti izraelit: Kemi shumë ide për Gazën, duhet të lëmë forca të forta atje

Azia

Presidenti izraelit: Kemi shumë ide për Gazën, duhet të lëmë forca të forta atje

Më: 16 nëntor 2023 Në ora: 08:43
Gaza

Presidenti izraelit Isaac Herzog tha se Izraeli nuk mund të lërë një vakum në Gaza, dhe do të duhet të mbajë forca të forta atje për të parandaluar rishfaqjen e Hamasit në enklavën palestineze, raportoi sot Financial Times.

“Nëse tërhiqemi, atëherë kush do ta marrë përsipër? Ne nuk mund të lëmë vakum. Duhet të mendojmë se cili do të jetë mekanizmi; ka shumë ide”, tha Herzog në një intervistë për FT.

“Por askush nuk do të dëshirojë ta kthejë këtë vend, Gazën, në një bazë terroriste”, shtoi ai.

Javën e kaluar, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i tha ABC News se Izraeli do të kishte “pafundësisht” përgjegjësinë për sigurinë e enklavës pas luftës, por Shtetet e Bashkuara e kanë kundërshtuar këtë, duke thënë se palestinezët duhet të qeverisin Gazën pasi Izraeli të përfundojë luftën e tij kundër Hamasit.

Herzog tha për FT se qeveria izraelite po diskuton shumë ide se si të qeverisë Gazën pas përfundimit të luftës midis Izraelit dhe Hamasit, duke shtuar se supozon se Shtetet e Bashkuara dhe “fqinjët në rajon” do të përfshiheshin në një marrëveshje të pasluftës.

Presidenti amerikan Joe Biden tha të mërkurën se i bëri të qartë kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, se zgjidhja me dy shtete është e vetmja përgjigje për konfliktin izraelito-palestinez dhe se pushtimi i Gazës do të ishte një “gabim i madh”.

Izraeli filloi fushatën kundër grupit islamik që sundon Gazën pas sulmit të përgjakshëm të militantëve në jug të Izraelit më 7 tetor. Izraeli thotë se 1200 njerëz u vranë dhe rreth 240 njerëz u morën peng në ditën më vdekjeprurëse në historinë e tij 75-vjeçare.

Izraeli ka vënë nën rrethim 2.3 milionë banorët e Gazës dhe ka kryer sulme ajrore. Zyrtarët shëndetësorë të Gazës, të cilët konsiderohen të besueshëm nga Kombet e Bashkuara, thonë se rreth 11,500 palestinezë janë konfirmuar të vrarë, rreth 40 për qind e tyre fëmijë dhe të tjerë janë varrosur nën rrënoja. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat