Spitali Al-Shifa i Gazës shqetësim ndërkombëtar

Azia

Spitali Al-Shifa i Gazës shqetësim ndërkombëtar

Më: 17 nëntor 2023 Në ora: 16:14

Presidenti amerikan Joe Biden po përballet me presion në rritje për të frenuar fushatën ushtarake të Izraelit në Gazë, nxitur nga shqetësimet për numrin e lartë të civilëve palestinezë të vrarë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, videot që nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura sugjerojnë se forcat izraelite po vazhdojnë operacionin në spitalin Al-Shifa në Gazë.

Spitali Al-Shifa, më i madhi i Gazës, është kthyer në epiqendër të luftës Izrael-Hamas. Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi publikoi një video që thotë se tregon pacientët duke u zhvendosur brenda korridoreve të mbushura me tym ndërsa forcat izraelite bastisin kompleksin e madh të spitalit, ndërtesë pas ndërtese.

Ushtria izraelite publikoi video që thotë se tregon armë dhe pajisje ushtarake të Hamasit të gjetura në spital. Hamasi e mohon se po e përdor qendrën mjekësore për qëllime ushtarake.

Presidenti Joe Biden thotë se krimi i parë i luftës i kryer nga Hamasi ishte vendosja e armëve dhe luftëtarëve të tij brenda, poshtë dhe përreth spitaleve.

Izraeli nuk ndërhyri me një numër të madh trupash, nuk sulmoi, nuk nxitoi në veprimet e veta. Ata kanë hyrë brenda me ushtarët e tyre duke mbajtur armët. Më lejoni të jem i qartë. Ne kemi diskutuar për nevojën që ata të jenë tepër të kujdesshëm”, thotë Presidenti Joe Biden.

Ministria e Shëndetësisë e Hamasit thotë se më shumë se 11,400 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i luftës, shifra të pakonfirmuara nga burime të pavarura. Konflikti u shkaktua nga sulmi terrorist i 7 tetorit nga Hamasi, për të cilin Izraeli thotë se la 1200 të vdekur.

Presidenti Biden u pyet gjithashtu se kur do të përfundonte lufta?

“Në lidhje me atë se kur do të ndalet kjo, unë mendoj se do të ndalet kur Hamasi të mos ketë më aftësinë të vrasë, të abuzojë dhe të bëjë gjëra të tmerrshme ndaj izraelitëve”, u përgjigj Presidenti Biden.

Një gazetar e pyeti zëdhënësin e Departamentit të Shtetit Matthew Miller pse presidenti nuk po bën thirrje për armëpushim, duke i kujtuar se sondazhet tregojnë se shumë amerikanë e mbështesin këtë kërkesë.

“Ne nuk i marrim vendimet tona duke u mbështetur në sondazhe. Presidenti dhe Sekretari i Shtetit kanë arritur në përfundimin se nga një armëpushim tani do të përfitonte vetëm Hamasi”, thotë zoti Miller.

Një eksperte i tha Zërit të Amerikës se rritja e përkrahjes ushtarake amerikane për Izraelin ka mbështetje të gjerë, dypartiake në Kongres. Ekspertja thotë se SHBA mund të përdorë ndikimin e saj mbi Izraelin për të pakësuar numrin e civilëve palestinezë të vrarë pasi Izraeli ka vënë në shënjestër udhëheqësit e Hamasit, të cilin SHBA-ja e ka cilësuar si organizatë terroriste.

“Për shembull, një nga gjërat që kemi dëgjuar vazhdimisht, është se zyrtarët amerikanë po rekomandojnë që Izraeli të përdorë bomba më të vogla që shkaktojnë dëm më të vogël kur rrezikohen civilët”, thotë Elizabeth Shackelford nga organizata Këshilli i Çikagos për Çështjet Globale

Izraeli i urdhëroi të enjten palestinezët të largoheshin nga katër qytete në pjesën jugore të Gazës, duke ngritur shqetësimet për një zgjerim të mundshëm të luftës në zonat ku janë vendosur palestinezët e larguar nga veriu i enklavës gjatë javëve të fundit për të qenë më të sigurt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat