Jordania kritikon ashpër Izraelin për luftën në Gazë

Azia

Jordania kritikon ashpër Izraelin për luftën në Gazë

Më: 18 nëntor 2023 Në ora: 09:47
Ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi. Fotografi nga arkivi.

Ministri i Jashtëm i Jordanisë më 18 nëntor kritikoi ashpër luftën e Izraelit ndaj Hamasit – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë. Kryediplomati jordanez e përshkroi luftën si “agresion flagrant” ndaj civilëve palestinezë që kërcënon të përfshijë Lindjen e Mesme.

Kritikat e ashpra të Ayman Safadi, i cili pretendoi se Izraeli po kryen “krime lufte” duke e rrethuar Rripin e Gazës dhe duke ndërprerë furnizimet me ushqim, ilaçe dhe karburante, tregojnë se sa të tensionuara janë raportet midis Izraelit dhe Jordanisë, shtete që kanë arritur një marrëveshje paqeje më 1994.

“Të gjithë ne duhet të flasim qartë dhe me zë lidhur me katastrofën që lufta e Izraelit po sjell, jo vetëm për Gazën, por për rajionin në përgjithësi”, tha Safadi gjatë një samiti në Bahrejn. “Nuk është koha që t’i kursejmë fjalët. Është koha që t’i paraqesim faktet ashtu siç janë”.

Ajo shtoi se “kjo nuk është vetëmbrojtje. Është agresion flagrant, viktimë e të cilit janë palestinezët e pafajshëm”.

Izraeli nuk është përgjigjur menjëherë për deklaratat e Safadit, i cili po ashtu bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm. Megjithatë, Brett McGrubk, koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, tha se “lirimi i një numri të madh të pengjeve do të rezultonte në një pauzë të konsiderueshme të luftimeve... dhe dërgim masiv të ndihmës humanitare”.

Safadi po ashtu ka insistuar që mënyra e vetme përpara do të ishte zgjidhja me dy shtete për izraelitët dhe palestinezët, edhe pse procesi i paqes është bllokuar për vite të tëra. Edhe Shtetet e Bashkuara kanë shtyrë përpara planin e zgjidhjes me dy shtete.

Lufta nisi pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor në jug të Izraelit. Luftëtarët e Hamasit vranë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe rrëmbyen afër 240 të tjerë.

Izraeli u përgjigj me sulme të ashpra ajrore dhe më pas me një sulm tokësor që çoi në rrethimin e qytetit të Gazës dhe veriut të Rripit të Gazës. mbi 11.400 palestinezë janë vrarë gjatë luftës, dy të tretat gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze. Edhe 2.700 të tjerë janë raportuar të zhdukur dhe besohet se janë të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara. Në shifrat për viktimat, të prezantuara nga autoritetet palestineze, nuk bëhet dallimi mes luftëtarëve të Hamasit dhe civilëve. Izraeli ka thënë se ka vrarë mijëra sulmues të Hamasit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat