Ndalen luftimet para lirimit të pengjeve në Gazë

Azia

Ndalen luftimet para lirimit të pengjeve në Gazë

Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 10:56
Palestinezë të zhvendosur duke udhëtuar drejt shtëpisë së tyre, gjatë një armëpushimi të përkohshëm ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, në Han Junis, Gazë, më 24 nëntor 2023.

Një armëpushim i përkohshëm në luftën mes Izraelit dhe Hamasit ka hyrë në fuqi të premten, duke i hapur rrugën shkëmbimit të dhjetëra pengjeve të mbajtur nga luftëtarët e grupit radikal në Gazë, me palestinezë të burgosur në Izrael, raporton Associated Press.

Ndërprerja e luftimeve premton njëfarë lehtësimi për 2.3 milionë banorët e Gazës, të cilët janë përballur me bombardime të pareshtura izraelite prej javësh, si dhe për familjet në Izrael, të cilat frikohen për fatin e më të dashurve të tyre, të marrë peng gjatë sulmit të 7 tetorit nga Hamasi - i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian - i cili nxiti luftën.

Armëpushimi ka nisur në orën 7, sipas kohës lokale (6:00 sipas kohës në Evropë), dhe pritet të zgjasë të paktën katër ditë.

Gjatë armëpushimit, Hamasi është zotuar se do t’i lirojë të paktën 50 prej rreth 240 pengjeve që i ka marrë gjatë sulmit vdekjeprurës të 7 terorit në Izrael.

Në anën tjetër, Izraeli pritet t’i lirojë tre të burgosur palestinezë për çdo peng të liruar nga grupi ekstremist palestinez. Hamasi ka thënë se Izraeli do t'i lirojë 150 të burgosur palestinezë.

Lirimet pritet të ndodhin në faza, gjatë katër ditëve të ardhshme.

Pak pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, kamionët me karburante dhe me furnizime të tjera u panë duke hyrë në Gazë nga pika kufitare me Egjiptin, Rafah, teksa marrëveshja lejon një hyrje të shtuar të ndihmave për civilët që po përballen me mungesë të ushqimit, ujit, ilaçeve dhe energjisë elektrike.

Marrëveshja për armëpushim dhe lirim pengjesh e të burgosurish ishte arritur pas javësh negociata të tensionuara indirekte, teksa Katari, SHBA-ja dhe Egjipti shërbyen si ndërmjetës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat