Izraeli dhe Hamasi nisin armëpushimin

Azia

Izraeli dhe Hamasi nisin armëpushimin

Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 14:41
Foto ilustrim

Një armëpushim katër ditësh midis Izraelit dhe Hamasit filloi të premten, duke hapur rrugën për lirimin e dhjetëra pengjeve të mbajtura nga militantët dhe palestinezëve që mbahen në burgjet izraelite si dhe hyrjen e më shumë ndihmave në Gaza.

Nuk pati njoftime për luftime në orët pas fillimit të armëpushimit. Kjo duket si një lehtësim për 2.3 milionë banorët e Gazës, që kanë përjetuar javë të tëra të bombardimeve izraelite dhe pakësim të furnizimeve për nevojat themelore, si edhe për familjet në Izrael të frikësuara për fatin e të dashurve të zënë rob gjatë sulmit të Hamasit me 7 tetor, i cili çoi në luftë.

Marrëveshja ngjalli shpresat për përfundimin e luftës, e cila ka rrafshuar pjesë të mëdha të Gazës, ka nxitur një rritje të dhunës në Bregun Perëndimor dhe ka nxitur frikën për një konflikt më të gjerë në gjithë Lindjen e Mesme. Izraeli i ka hedhur poshtë spekulimet e tilla, duke thënë se është i vendosur të rifillojë ofensivën e tij masive pas përfundimit të armëpushimit.

Izareli tha se jo shumë kohë pasi armëpushimi hyri në fuqi, katër maune me karburant dhe katër me gaz të nevojshëm për gatim hynë në Rripin e Gazës nga Egjipti.

Izraeli është pajtuar të lejojë dërgimin e 130,000 litrave karburant në ditë gjatë armëpushimit, ende vetëm një pjesë e vogël e nevojave ditore të Gazës që vlerësohet se arrijnë në më shumë se 1 milion litra.

Shumicën e kohës në shtatë javë të luftës, Izraeli kishte ndaluar hyrjen e karburantit në Gaza, duke pretenduar se mund të përdorej nga Hamasi për qëllime ushtarake, ndonëse herë pas here ka lejuar sasi të vogla.

Agjencitë e ndihmës së Kombeve të Bashkuara kundërshtuan pretendimet duke thënë se dërgesat e karburantit mbikëqyreshin nga afër dhe nevojiteshin urgjentisht për të shmangur një katastrofë humanitare, pasi karburanti është i domosdoshëm për të vënë në punë gjeneratorët që furnizojnë objektet e trajtimit të ujit, spitalet dhe infrastrukturën tjetër thelbësore.

Ushtria izraelite hodhi afishe mbi Gazën jugore, duke paralajmëruar qindra mijëra palestinezë të zhvendosur që kërkuan strehim atje, të mos përpiqen gjatë armëpushimit të kthehen në shtëpitë e tyre në gjysmën veriore të territorit, që është në qendër të ofensivës tokësore të Izraelit.

Edhe pse Izraeli paralajmëroi se do të bllokonte përpjekjet për t'u kthyer, qindra palestinezë mund të shiheshin duke ecur në veri të premten.

“Ne po kthehemi për të parë shtëpitë tona, për të marrë disa rroba. Ne nuk kemi rroba, ushqim dhe ujë", tha Sofian Abu Amer, i cili është nga lagjja Shejaeia e qytetit të Gazës. “Situata është katastrofike. Është më mirë të jesh i vdekur”.

Gjatë armëpushimit, grupi Hamas u zotua të lirojë të paktën 50 nga rreth 240 pengje që ai dhe militantët e tjerë morën më 7 tetor. Hamasi tha se Izraeli do të lirojë 150 të burgosur palestinezë.

Të dyja palët u pajtuan të lirojnë fillimisht gratë dhe fëmijët, duke filluar nga e premtja pasdite. Izraeli tha se marrëveshja kërkon që armëpushimi të zgjatet një ditë shtesë për çdo 10 pengje shtesë të liruar.

Pengjet e para që do të lirohen do të jenë shtetas izraelitë, duke përfshirë disa që kanë një shtetësi të dytë, sipas një zyrtari të Hamasit, i cili foli me kusht që të mos identifikohet, meqë nuk është i autorizuar të diskutojë hollësitë me mediat.

Zyrtari nuk deshi të komentojë raportet e mediave se Hamasi është pajtuar të lirojë shtetas jo izraelitë, përfshirë 23 shtetas tajlandez. Ministri i Jashtëm i Tajlandës u tha gazetarëve në Bangkok se nuk është në gjendje të konfirmojë raportet.

Ministria izraelite e Drejtësisë publikoi një listë me 300 të burgosur që përmbushin kushtet për t’u liruar, kryesisht adoleshentë të ndaluar gjatë vitit të kaluar për hedhje gurësh dhe shkelje të tjera të vogla. Tre të burgosur palestinezë do të lihen të lirë për çdo peng të liruar.

Marrëveshja u arrit pas negociatave të ngjeshura të ndërmjetësuara nga Katari Shtetet e Bashkuara dhe Egjipti.

Kufiri verior i Izraelit me Libanin ishte gjithashtu i qetë të premten, një ditë pasi grupi militant i Libanit Hezbollah, një aleat i Hamasit, kreu numrin më të madh të sulmeve në një ditë që nga fillimi i luftimeve atje me 8 tetor.

Hezbollahu nuk është palë në marrëveshjen e armëpushimit, por pritet gjerësisht të ndalojë sulmet e tij.

Lufta shpërtheu kur disa mijëra militantë të Hamasit hynë në jug të Izraelit, duke vrarë të paktën 1200 veta, kryesisht civilë dhe duke marrë pengje të shumta, përfshirë foshnja, gra dhe të moshuar, si dhe ushtarë.

Ushtarët do të lirohen vetëm në këmbim të të gjithë palestinezëve të burgosur nga Izraeli, sipas grupit militant Xhihadi Islamik, i cili thuhet se mban rreth 40 pengje.

Nuk është e qartë se sa prej pengjeve janë ushtarë aktiv apo nëse militantët i konsiderojnë rezervistët si "pengje ushtarake".

Rreth 7,000 palestinezë janë aktualisht të burgosur nga Izraeli.

Ofensiva izraelite ka lënë të vrarë më shumë se 13,300 palestinezë, sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi, sipas së cilës rreth 6,000 veta janë raportuar të zhdukur dhe dyshohet se kanë mbetur nën rrënoja./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat