Dita e dytë e armëpushimit në Gazë, pritet shkëmbimi i 14 pengjeve izraelite dhe 42 të burgosurve palestinezë

Azia

Dita e dytë e armëpushimit në Gazë, pritet shkëmbimi i 14 pengjeve izraelite dhe 42 të burgosurve palestinezë

Më: 25 nëntor 2023 Në ora: 14:29
Foto ilustrim

Zyrtarët izraelitë bënë të ditur se të shtunën pritet lirimi i 14 personave që mbahen peng nga grupi militant në Gazë, në këmbim të 42 personave që mbahen të burgosur në Izrael. Shkëmbimi ndodh mes një armëpushimi katër ditor i cili nisi të premten.

Sipas marrëveshjes së arritur gjatë bisedimeve që përfshinë Izraelin, grupet militante palestineze, Katarin, Egjiptin dhe Shtetet e Bashkuara, do të lirohen gjithësej 50 pengje izraelite dhe 150 të burgosur palestinezë.

Ndërkohë të shtunën, Londra po përgatitej për një marshim pro-palestinez ku pritet pjesmarrja e dhjetëra mijëra vetëve. Protesta do të monitorohet nga më shumë se 1500 oficerë policie. Autoritetet thanë se do të ndalohet përdorimi në protestë i fjalëve apo imazheve "që mbështesin Hamasin ose ndonjë organizatë tjetër që është shpallur a paligjshme".

Njëzet e katër pengje, mes tyre 13 gra dhe fëmijë izraelitë, të moshës nga 2 deri në 85 vjeç, u liruan të premten në mbrëmje. Qeveria e Katarit bëri të ditur se Hamasi liroi gjithashtu edhe 10 shtetas tajlandezë dhe një filipinas.

Izraeli ka bërë të ditur gjithashtu se pauza në luftime mund të zgjatet me një ditë për çdo 10 pengje shtesë që lirohen nga Hamasi. Një zëdhënës i Katarit tha se Doha shpreson të ndërmjetësojë një marrëveshje tjetër për lirimin e më shumë pengjeve nga Gaza deri në ditën e fundit të armëpushimit.

"Shanset janë reale" për një zgjatje të pauzës në luftime, tha Presidenti Joe Biden në fjalimin e së premtes. Ai shtoi se dy gra dhe një fëmijë 4 vjeçar amerikan mbeten në mesin e personave të zhdukur./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat