Lehtësim në Izrael, brohorima tek palestinezët

Azia

Lehtësim në Izrael, brohorima tek palestinezët

Më: 26 nëntor 2023 Në ora: 09:42
Automjete të Kryqit të Kuq me pengjet, 25 nëntor 2023

Pritet që lirimi i pengjeve të marra nga organizata terroriste e Hamasit pas sulmit të 7 tetorit vazhdojë edhe të dielën. Zyra e kryeministrit izraelit , Benjamin Netanjahu bëri të ditur të dielën herët, se ka marrë një listë me emrat e pengjeve të tjerë që do të lirohen. Të shtunën vonë u lirua grupi i dytë i pengjeve. Ishte Kryqi i Kuq ai që mori 13 pengjet izraelitë dhe katër tajlandezë që u dërguan në Egjipit. Mes 13 izraelitëve të dorëzuar tek Kryqi i Kuq ndodheshin edhe 4 shtetas gjermanë me nënshtetësi të dyfishtë, edhe një vajzë 9 vjeçare irlandeze, që mendohej e vdekur. Ndërkohë në rrugët e Jordanit Perëndimor dhe në Jeruzalemin lindor u përshëndetën me brohorima 39 të burgosurit palestinezë të liruar nga burgjet izraelite. Njerëzit valëvisnin flamuj të Hamasit, sipas gazetës së Izraelit "The Times of Israel" që vendosi edhe një video përkatëse.

Baerbock: Lirohen katër qytetarët gjermanë

Pas lirimit të pengjeve, ku ndodheshin edhe katër qytetarë gjermanë, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock shkroi  në platformën X. "Mendoj për ju dhe për ata që janë ende në duart e Hamasit. Ne po punojmë me të gjitha forcat, që edhe ata të lirohen." Tek katër gjermanët e liruar bëhej fjalë për një grua 67 vjeçare dhe vajzën e saj 38 vjeçare dhe fëmijët e saj në moshën 3 dhe 8 vjeç.

Pas lirimit të grupit të parë të pengjeve, 24 vetë të premten, në duart e Hamasit duhet të ndodhen edhe rreth 200 pengje të tjerë. Ndalimi i luftimeve është planifikuar të zgjasë katër ditë. Një zgjatje e tij deri në 10 ditë është e mundur, bëri të ditur Katari, vendi që po ndërmjetëson në konfliktin e Izraelit dhe Hamasit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Maied Al-Ansari tha për CNN, se përmes arritjes së ndalimit të luftimeve të ditëve të shkuara na "mundësohet të zgjasim ndalimin e luftimeve përtej këtyre katër ditëve dhe kështu të zhvillojmë bisedime serioze për lirimin e pengjeve të tjera." Al-Ansari tha se Katari bashkë me Egjiptin, SHBA dhe palët në konflikt do të punojnë së bashku të sigurojnë mbërritjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.

Biden ndërmjetësoi në konflikt

Lirimi i grupit të dytë të pengjeve nga Hamasi u bllokua të shtunën në minutën e fundit. Si arsye organizata e Hamasit, që kategorizohet si organizatë terroriste nga SHBA, Gjermania, BE, e disa vende arabe përmendi se Izraeli, sipas saj, kishte shkelur një pjesë të marrëveshjes për pengjet. Ajo akuzoi Izraelin, se nuk ka mundësuar sa duhet lejimin e furnizimeve të ndihmës në pjesën veriore të Rripit të Gazës. Izraeli e hodhi poshtë këtë dhe kërcënoi me ndërprerjen e marrëveshjes. Ishte presidenti amerikan, Joe Biden që u angazhua personalisht, siç bëri të ditur një zëdhënëse e Këshillit Kombëtar të Sigurisë. Marrëveshja parashikon lirimin e 50 pengjeve nga Hamasi dhe 150 të burgosur izraelitë si edhe dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.

Ndërkohë të dielen vizitojnë Izraelin në një vizitë solidariteti presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier dhe presidentja e Bundestagut, Bärbel Bas, SPD me ftesë të presidentit izraelit, Isaak Herzog. Para udhëtimit, Steinmeier bëri të ditur në një mesazh me video, se "askush nuk mund t'ia mohojë Izraelit të drejtën për të luftuar me vendosmëri terrorin"./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat