I dyshuari për sulmin ndaj tre studentëve me origjinë palestineze deklaron se është i pafajshëm

Azia

I dyshuari për sulmin ndaj tre studentëve me origjinë palestineze deklaron se është i pafajshëm

Më: 27 nëntor 2023 Në ora: 20:52
I dyshuari për sulmin ndaj tre studentëve

Një burrë nga Vermonti deklaroi se është i pafajshëm për tentativën për vrasje të hënën në lidhje me sulmin ndaj tre studentëve me origjinë palestineze, të cilët po kalonin festën e Falënderimeve në Burlington.

Jason J. Eaton, 48 vjeç, u arrestua të dielën, një ditë pas incidentit jashtë banesës së tij, që ndodhet pranë kampusit të Universitetit të Vermontit. Ai u paraqit në gjykatë virtualisht të hënën përmes videos nga burgu, duke folur vetëm për të konfirmuar identitetin e tij. Avokati i tij deklaroi qëndrimin e tij në emër të tij dhe një gjykatës urdhëroi që ai të mbahej në arrest pa patur të drejtë të kërkojë lirim me kusht në pritje të një seance gjyqësore që ka të ngjarë të mbahet në ditët e ardhshme.

Sipas një deklarate të policisë, agjentët federalë gjetën një armë gjahu në banesën e zotit Eaton. Ai nuk pranoi të identifikohej, por u tha oficerëve se po i priste.

Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland tha të hënën se Departamenti i Drejtësisë po heton nëse sulmi ishte një krim urrejtjeje. FBI-ja dhe Byroja e Alkoolit, Duhanit, Armëve dhe Eksplozivëve po ndihmojnë autoritetet e Vermontit në hetimin e incidentit.

Ka patur një rritje të të madhe të kërcënimeve ndaj komuniteteve hebreje, myslimane dhe arabe në të gjithë Shtetet e Bashkuara që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas, tha ai. "Ka frikë të kuptueshme në komunitetet në të gjithë vendin", tha zoti Garland.

Tre personat e sulmuar, të gjithë të moshës 20 vjeç, ishin duke ecur kur u përballën me një burrë të bardhë me pistoletë, tha policia. Ata ishin në Burlington në shtëpinë e një të afërmi të njerit prej tyre.

Agjentët nga Byroja e Alkoolit, Duhanit, Armëve dhe Eksplozivëve arrestuan 48 vjeçarin Jason J. Eaton ndërsa po kryenin një kontroll në zonën e incidentit në Burlington në orën 3:38 pasdite të dielën, tha në një deklaratë Departamenti i Policisë së Burlingtonit.

Autoritetet mblodhën prova gjatë një kontrolli të banesës së të dyshuarit Eaton në një ndërtesë përballë vendit ku ndodhi incidenti me armë.

Dy personat e plagosur janë në gjendje të qëndrueshme, ndërsa i treti mori "plagë shumë më të rënda", tha në një deklaratë të dielën shefi i policisë së Burlingtonit, Jon Murad.

“Pa folur, ai qëlloi të paktën katër herë me pistoletë dhe besohet se më pas ka ikur nga vendi i ngjarjes”, tha zoti Murad. “Të tre viktimat u goditën nga plumbat”.

Të tre personat e sulmuar janë me origjinë palestineze. Dy janë shtetas amerikanë dhe i treti ndodhet në Shtetet e Bashkuara me leje qëndrimi. Dy nga burrat kishin veshur shallet palestineze me ngjyrat bardh e zi, tha shefi i policisë së Burlingtonit, Jon Murad.

Kryetari i Bashkisë së Burlingtonit, Miro Weinberger pritet të marrë pjesë në një konferencë shtypi bashkë me zotin Murad të hënën për të diskutuar hetimin.

Jon Murad, i cili shprehu ngushëllimet për viktimat dhe familjet e tyre, tha se nuk ka informacion shtesë për motivin e sulmit.

“Në këtë moment të ngarkuar, askush nuk mund ta shikojë këtë incident dhe të mos dyshojë se mund të ketë qenë një krim i motivuar nga urrejtja. Dhe unë kam qenë tashmë në kontakt me partnerët federalë të hetimit dhe prokurorinë për t'u përgatitur për këtë nëse vërtetohet", tha ai.

“Fakti është se ne nuk i dimë ende të gjitha detajet. Por i bëj thirrje publikut që të shmangë nxjerrjen e përfundimeve bazuar në deklaratat e palëve të papërfshira që dinë edhe më pak për këtë rast
”, shtoi shefi i policisë së Burlingtonit, Jon Murad.

Komiteti Amerikano-Arab Kundër Diskriminimit lëshoi një deklaratë të dielën duke thënë se viktimat ishin studentë palestinezo-amerikanë dhe se ka "arsye për të besuar se sulmi ka ndodhur sepse viktimat janë arabë".

Një burrë bërtiti dhe i ngacmoi viktimat, të cilët po bisedonin në arabisht, dhe më pas i qëlloi me armë, thuhet në deklaratën e Komiteti Amerikano-Arab Kundër Diskriminimit.

Zyra e FBI-së në Albany, kryeqyteti i shtetit të Nju Jorkut, postoi një deklaratë të dielën vonë në platformën X, në cilën thotë se po heton në mënyrë aktive sulmin në bashkëpunim me Departamentin e Policisë së Burlingtonit dhe agjenci të tjera federale, shtetërore dhe lokale.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Joe Biden u informua për sulmin dhe do të vazhdojë të marrë informacione të reja nga forcat e rendit.

Udhëheqësi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, i inkurajoi njerëzit që "të denoncojnë pa mëdyshje rritjen befasuese të urrejtjes ndaj arabëve dhe islamofobisë në Amerikë".

"Askush në vendin tonë nuk duhet të jetë në shënjestër për shkak të përkatësisë etnike ose fetare", tha demokrati nga Nju Jorku në deklaratën e postuar në platformën X. "Ne nuk do të lejojmë që urrejtja të fitojë."

Senatori i pavarur nga Vermonti, Bernie Sanders, denoncoi gjithashtu incidentin.

“Është tronditëse dhe thellësisht shqetësuese që tre të rinj palestinezë u qëlluan këtu në Burlington, në shtetin e Vermontit. Urrejtja nuk ka vend këtu dhe askund. Pres një hetim të plotë të ngjarjes”, tha senatori Sanders përmes një deklarate.

Guvernatori i Vermontit, Phil Scott e quajti sulmin një tragjedi, duke u bërë thirrje banorëve të shtetit të bashkohen dhe "të mos lejojnë që ky incident të nxisë më shumë urrejtje apo ndasi".

Dega në Vermont e organizatës Zëri i Hebrenjve për Paqe, e cila ka kërkuar t'i jepet fund luftës Izrael-Hamas, lëshoi një deklaratë, në të cilën thotë se është "e tmerruar nga incidenti".

"Ne jemi në solidaritet me studentët, familjet e tyre dhe të gjithë ata që janë prekur nga ky akt i qartë i urrejtjes", tha organizata të dielën.

Muajin e kaluar, ndaj pronarit të një banese në Ilinoi u ngritën akuzua për një krim urrejtjeje pas vrasjes me thikë të një 6-vjeçari mysliman dhe plagosjes së rëndë të nënës së tij në Çikago. Policia dhe të afërmit thanë se ai i vuri në shënjestër viktimat për shkak të besimit të tyre.

Rritja e numrit të viktimave në luftën Izrael-Hamas ka çuar në përhapjen e protestave dhe përshkallëzimin e tensioneve në Shtetet e Bashkuara. Hamasi është në listën e organizatave terroriste të qeverisë amerikane. Në ditët e fundit ka patur një ndërprerje të luftimeve pas arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, pjesë e së cilës ishte lirimi i një numri pengjesh izraelite në shkëmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë. Sipas autoriteteve izraelite, Hamasi mori peng rreth 240 persona më 7 tetor në ditën e sulmit të përgjakshëm, që u bë shkak për një fushatë ushtarake nga ajri dhe toka të Izraelit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat