Raisi në Turqi për bisedime për luftën në Gazë

Azia

Raisi në Turqi për bisedime për luftën në Gazë

Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 08:56
Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi. Fotografi nga arkivi.

Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, do të zhvillojë më 28 nëntor vizitën e tij të parë zyrtare në Turqi, me shpresën që dy shtetet do të tejkalojnë dallimet nga e kaluara dhe të formojnë një përgjigje të përbashkët të fuqishme për veprimet e Izraelit në Gazë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, është një prej kritikëve më të mëdhenj të botës myslimane të përgjigjes së Izraelit në Gazë pas sulmeve të 7 tetorit në Izrael të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Erdogan e ka cilësuar Izraelin si “shtet terrorist” dhe e ka quajtur Hamasin, që mbështetet nga Irani, “grup çlirimtar”.

Presidenti turk po ashtu ka sugjeruar se politikanët izraelitë dhe komandantët ushtarakë duhet të përballen me drejtësinë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë.

Por, takimet e mëhershme midis liderëve myslimanë dhe arabë – përfshirë bisedimet gjatë këtij muaji në Riad – kanë dështuar që të arrijnë një gjuhë të përbashkët lidhur me hapat e menjëhershëm ekonomikë dhe politikë që duhet të ndërmerren.

Analistët besojnë se Raisi do t’i bëjë presion Turqisë që të ndërpresë marrëdhëniet tregtare dhe të energjisë me Izraelin.

“Irani pret që Turqia t’i japë fund tregtisë direkte dhe indirekte me Izraelin”, tha për AFP-në drejtori i Qendrës për studime iraniane në Stamboll, Hakki Uyygur.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, pothuajse 15.000 persona – shumica civilë, përfshirë mijëra fëmijë – janë vrarë që kur Izraeli ka nisur sulmet hakmarrëse pas sulmeve vdekjeprurëse të Hamasit më 7 tetor, kur u vranë 1.200 persona – shumica civilë – dhe u morën pengje afër 240 të tjerë.

Vizita e Raisiti në Turqi zhvillohet në kohën kur përpjekjet janë përqendruar në zgjatjen e mëtejme të armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit. Të hënën, ishte paraparë që të skadonte armëpushimi katërditor, por ai u zgjat edhe për dy ditë, teksa Hamasi po liron pengje dhe në këmbim, Izraeli po liron të burgosur palestinezë.

Irani dhe Turqia, ndajnë një kufi prej 535 kilometrash dhe kanë raportet të ngushta ekonomike, por po ashtu kanë qëndrime të kundërta sa i përket disa çështjeve rajonale.

Turqia ka mbështetur përpjekjet e rebelëve për të rrëzuar presidentin sirian, Bashar al-Assad, gjatë luftës civile siriane. Ndërkaq, Irani dhe Rusia e kanë mbështetur Assadin.

Presidenca turke tha se Erdogan ka diskutuar me Raisin për “gjetjen e një qëndrimi të përbashkët kundër brutalitetit të Izraelit”, gjatë një bisede telefonike që liderët kanë zhvilluar të dielën.

Erdogan vazhdimisht ka shprehur shqetësim lidhur me përhapjen e luftës Izrael-Hamas.

“Irani dhe Turqia do të punojnë në unitet që marrëveshja e përkohshme e armëpushimit të shndërrohet në marrëveshje të përhershme, në mënyrë që të arrihet paqe e përhershme”, tha zyra e Erdoganit pas bisedës me Raisin./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat