Hamasi i liron dy pengje, 10 të tjera pritet t’i lirojë më vonë

Azia

Hamasi i liron dy pengje, 10 të tjera pritet t’i lirojë më vonë

Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 21:17
Një automjet i Kryqit të Kuq mbërrin në pikëkalimin kufitar, Rafah, për transportimin e pengjeve të liruara nga Hamasi, 29 nëntor 2023.

Ushtria e Izraelit tha të mërkurën mbrëma se Hamasi – grupi radikal palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ka filluar t’i lirojë 12 pengje të tjera nga Rripi i Gazës në ditën e gjashtë të armëpushimit.

Ajo tha se dy pengjet e para u dërguan nga Gaza në Egjipt, ndërsa 10 të tjera pritet të lirohen së shpejti.

Kjo është hera e gjashtë e lirimit të pengjeve izraelite në përputhje me një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit.

Në këmbim, Izraeli pritet t’i lirojë 30 të burgosur palestinezë sonte më vonë.

Ujdia e armëpushimit pritet të skadojë të enjten herët në mëngjes. Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë janë duke punuar për ta zgjatur atë edhe për disa ditë, në mënyrë që të mundësohet lirimi i pengjeve të tjera.

Hamasi i rrëmbeu rreth 240 pengje më 7 tetor, kur i theu pengesat kufitare dhe u fut në jug të Izraelit, duke i vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke e nxitur një luftë shkatërruese.

Besohet se edhe rreth 150 pengje janë duke u mbajtur ende nga Hamasi në Gazë.

Më shumë se 15.000 palestinezë janë varë gjatë ofensivës ajrore dhe tokësore të Izraelit në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila kontrollohet nga Hamasi./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat