Prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare viziton Izraelin

Azia

Prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare viziton Izraelin

Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 00:07
Karim Khan

Prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan, vizitoi Izraelin "me kërkesë dhe ftesë" të të mbijetuarve dhe familjeve të viktimave të sulmeve të Hamasit më 7 tetor, njoftoi të enjten gjykata.

“Vizita, megjithëse nuk ka natyrë hetimore, përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të shprehur simpatinë ndaj të gjitha viktimave dhe për t'u angazhuar në dialog”, thuhet në një postim të gjykatës në rrjetin X.

Zoti Khan do të shkojë gjithashtu në Ramallah dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, ku do të takohet me zyrtarë të lartë palestinezë, tha gjykata.

Militantët e Hamasit morën rreth 240 pengje gjatë një sulmi të paprecedentë më 7 tetor në Izrael. Zyrtarët izraelitë thonë se militantët e Hamasit vranë rreth 1200 njerëz, shumica civilë.

Izraeli është zotuar që ta eliminojë Hamasin, një lëvizje islamike me një krah të armatosur. Një ofensivë izraelite nga ajri, deti dhe toka ka varë më shumë se 15000 njerëz, sipas Hamasit që sundon Gazën. Shifrat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Një armëpushim njëjavor, që ka ndërprerë javë të tëra konflikti vdekjeprurës, do të skadojë të premten herët.

Që nga formimi i saj në vitin 2002, Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) është e vetmja gjykatë e pavarur në botë, e krijuar për të hetuar veprat më të rënda, përfshirë gjenocidin, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.

Gjykata hapi hetime ndaj Izraelit dhe Hamasit si dhe grupeve të tjera të armatosura palestineze nën akuzat për krime lufte në territoret palestineze në vitin 2021.

Zoti Khan ka thënë më parë se ky hetim tani “përfshin përshkallëzimin e konfliktit dhe dhunës që nga sulmet e tetorit 2023”.

Hetuesit e gjykatës nuk kanë mundur të hyjnë në Gaza apo të hetojnë në Izrael, i cili nuk është vend anëtar i ICC-së.

Ekspertë ligjorë i kanë thënë agjencisë së lajmeve AFP se Hamasi dhe Izraeli mund të përballen me akuza për krime lufte për konfliktin. Javë më parë, pesë vende i bënë thirrje ICC që të zhvillojë hetime lidhur me luftën mes Izraelit dhe Hamasit. Zoti Khan është shprehur se ekipi i tij ka mbledhur një "numër të rëndësishëm" provash lidhur me "incidentet përkatëse"./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat