LIVE: Vdekje masive, rifillojnë sulmet në Gaza – Blinken ka një thirrje për Izraelin

Azia

LIVE: Vdekje masive, rifillojnë sulmet në Gaza – Blinken ka një thirrje për Izraelin

Nga: Bota sot Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 06:51 Përditësuar në ora: 19:21 më 01.12.2023
Pamje nga lufta në Gaza

Irani mbetet sponsori kryesor shtetëror i terrorizmit, sipas SHBA-së

Irani mbeti sponsori kryesor shtetëror i terrorizmit global vitin e kaluar, duke u përshirë në mbështetjen e rekrutimit të terroristëve, financimit dhe komploteve nëpër Afrikë, Azi, Evropë dhe në të dyja Amerikat, tha Departamenti amerikan i Shtetit raportin e tij për terrorizmin 2022, i cili u publikua më 1 dhjetor.

Në Lindjen e Mesme, Irani e vazhdoi mbështetjen për Hezbollahun, një grup i shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni më 1997, thuhet në raport, i cili shton se Teherani i dha armë Hamasit dhe grupeve të tjera palestineze të cilësuara si terroriste nga SHBA-ja.

“Këto grupe ishin përgjegjëse për sulme të shumta vdekjeprurëse që kishin zanafillën në Rripin e Gazën dhe Bregun Perëndimor”, thuhet në raport.

Teherani i ka përkrahur edhe grupet ekstremiste në Bahrejn, Irak dhe Siri, përmes Forcës Quds të Gardës Revolucionare të Iranit(IRGC-QF), për të ofruar mbështetje për organizatat terroriste me qëllim që të krijojnë trazira në rajon, sipas raportit.

Irani vazhdimisht ka nxitur dhe komplotuar sulme ndaj Shteteve të Bashkuara, përfshirë kundër ish-zyrtarëve amerikanë, si hakmarrje për vdekjen e komandantit të Forcave Quds, Qasem Soleimani në janar 2020.

Departamenti amerikan i Drejtësisë tha më 2022 se e kishte parandaluar një komplot të udhëhequr nga IRGC-QF për ta vrarë ish-këshilltarin për siguri kombëtare, John Bolton, dhe e kishte arrestuar një iranian të akuzuar për komplotin.

Sipas raportit, në Afganistanin e sunduar nga talibanët, anëtarët e Al-Qaeda, grupit të Shtetit Islamik, dhe grupet terroriste rajonale ishin aktive edhe në vitin 2022, megjithëse talibanët ishin përkushtuar për të mos i lejuar ekstremistët ta përdornin vendin e tyre për të kryer sulme kundër shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, pas tërheqjes së forcave amerikanë në gusht 2021.

Raporti përmend se “Shtetet e Bashkuara nuk kanë vendosur ende nëse do t’i njohin talibanët apo entitetet e tjera si qeveri të Afganistanit”, dhe thotë se talibanët e strehuan një lider të Al-Qaeda, Ayman al-Zawahri, në Kabul, para se ai të vritej nga një sulm ajror amerikan në korrik të vitit të kaluar./REL

Skadon armëpushimi, rifillojnë sulmet në Gazë

Luftimet mes Hamasit dhe Izraelit rifilluan në Gazë pas ndërprerjes shtatëditore që bëri të mundur shkëmbimin e pengjeve me të burgosur palestinezë dhe hyrjen e ndihmave humanitare në enklavën e shkatërruar.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë të premten se rifillimi i luftimeve vjen pas shkeljes së armëpushimit të përkohshëm nga Hamasi dhe një sulmi me raketa nga grupi militant ndaj Izraelit.

Ndërkohë gazeta New York Times njofton se Izraeli kishte njohuri paraprake për një plan të detajuar të Hamasit për të sulmuar Izraelin, por zyrtarët e zbulimit e nënvleftësuan duke menduar se Hamasi nuk kishte aftësi për ta kryer atë.

Dokumenti prej afro 40 faqesh me emrin e koduar "Jerico Wall" i analizuar nga New York Times, përshkruan se si Hamasi do të kryente një sulm të shumëfishtë ndaj pozicioneve izraelite të mbrojtjes dhe do të merrte nën kontroll qytete. Në dokument nuk përfshihej një datë e caktuar për sulmin.

Gazeta thotë se zyrtarët e ushtrisë dhe zbulimit izraelit kishin njohuri për planin më shumë se një vit përpara sulmit të 7 tetorit. Nuk është e qartë nëse edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ishte në dijeni të tij.

Qeveria izraelite nuk ka reaguar ndaj njoftimit të gazetës. Megjithë rifillimin e luftimeve, ndërmjetësit ndërkombëtarë po vazhdojnë të negociojnë për ndalimin e tyre.

Ushtria izraelite tha në platformën e mediave sociale X, e njohur më parë si Twitter, se kishte "ndaluar me sukses" raketën e lëshuar nga Gaza. Hamasi nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Ministria e shëndetësisë e Gazës e drejtuar nga Hamasi thotë se të paktën 32 njerëz humbën jetën në orët e para të sulmit të së premtes. Fletëpalosjet e lëshuara nga Izraeli në Khan Younis në Gazën jugore po i këshillojnë njerëzit të shkojnë drejt jugut për sigurinë e tyre./V0A

Blinken thirrje Izraelit të shmangë vdekjet masive në jug të Gazës

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i tha kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu se ndërhyrjet ushtarake në jug të Gazës nuk duhet të shkaktojnë vdekjen një numri të lartë të civilëve dhe zhvendosjen e popullsisë siç ndodhi në pjesën veriore të rajonit.

Zoti Blinken mbajti të enjten një sërë takimesh me zyrtarë izraelitë dhe palestinezë. Siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, mesazhi i zotit Blinken ndaj Izraelit për fazën tjetër të luftës ndaj Hamasit, ishte i prerë.

Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken u rikthye në Izrael për herë të katërt që prej sulmit të Hamasit në 7 tetor, duke nxitur zgjatjen e armëpushimit mes palëve.

Duke folur me një gjuhë të drejtpëdrejtë, të pazakontë, ai bëri thirrje për mbrojtjen e civilëve palestinezë.

“Biseduam mbi hollësitë e planit të Izraelit dhe nënvizova se për Shtetet e Bashkuara është kritike që vdekjet masive të civilëve dhe zhvendosja e popullsisë që pamë në veri të Gazës, të mos përsëriten edhe në jug. Sikurse ia bëra të ditur edhe kryeministrit, objektivi është i rëndësishëm, por edhe pasojat kanë rëndësi”, tha Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Mediat izraelite kanë njoftuar se gjatë takimeve me dyer të mbyllura, Sekretari Blinken i shprehu kabinetit të luftës në Izrael se lufta ndaj Hamasit mund të zgjasë me javë por jo me muaj.

I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara kishin sugjeruar ndonjë kufi kohor për luftën, zoti Blinken nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke rikonfirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj të drejtës së Izraelit për t’u mbrojtur, por duke përsëritur se është tejet e rëndësishme që civilët palestinezë dhe infrastruktura civile të mos jenë në shënjestrën e sulmeve të ardhshme.

Analisti Lawrence Korb i tha Zërit të Amerikës se kishte pritur që zoti Blinken t’u përcillte një mesazh të qartë nga Presidenti Joe Biden autoriteteve izraelite, në mesin e një trysnie të lartë që kanë shkaktuar njoftimet për vdekjen e më shumë se 15 mijë palestinezëve në Gazë, si pasojë e sulmeve izraelite.

“...Të mos përdorë të njëjtat taktika që përdori herën e parë, ku shqetësohej më shumë për kapjen e Hamasit se sa për vrasjen e civilëve të pafajshëm, veçanërisht nëse vendoset për të kryer bombardime në jug”, thotë Lawrence Korb, nga Qendra për Përparimin Amerikan.

Një tjetër ekspert i tha Zërit të Amerikës, se larg syve të opinionit publik ka shumë tension mes zyrtarëve më të lartë amerikanë dhe atyre izraelitë, lidhur me mbrojtjen e civilëve palestinezë dhe të ardhmen e Gazës dhe të Bregut Perëndimor.

“Ky është një moment vërtet interesant për qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Çfarë do të bëjë ajo? A do të rivlerësojë marrëdhëniet e saj me Izraelin dhe mbështetjen e pakushtëzuar ushtarake? Apo do të bëhet pak më e ashpër dhe do të shtrojë për diskutim mbështetjen ushtarake ?”, thotë Sarah Yager nga organizata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut “Human Rights Watch”.

Disa ligjvënës demokratë i kanë bërë thirrje Izraelit të tregojë vetëpërmbajtje dhe të mos bombardojë zonat me popullsi të dendur në Gazë, duke thënë se Shtetet e Bashkuara mund të vendosin kushte për ndihmën ushtarake.

Të enjten në mëngjes zoti Blinekn u takua në Ramallah me Presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas. Zoti Abass nënvizoi unitetin e palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Gazë dhe bëri thirrje për zgjatjen e armëpushimit.

Hamasi shpreh gatishmëri për bisedime për rinisjen e armëpushimit

Një zyrtar i lartë i Hamasit tha më 1 dhjetor se ky grup palestinez – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – është i gatshëm për bisedime të menjëhershme për lirimin e pengjeve të tjera civile, në këmbim të ripërtëritjes së armëpushimit me Izraelin.

Khalil al-Hayeh, zyrtar i lartë në krahun politik të Hamasit, e dha këtë deklaratë disa orë pasi armëpushimi i përkohshëm njëjavor me Izraelin përfundoi dhe dyja palët rinisën luftimet.

Al-Hayeh i tha Al Jazeeras se negociatat për lirimin e pjesëtarëve të ushtrisë së Izraelit, që po mbahen nga Hamasi, do të mbahen vetëm në kontekstin e një armëpushimi gjithëpërfshirës e jo të ndërprerjeve të luftimeve.

“Kjo është një çështje e ndërlikuar dhe ka kushte të ndryshme”, tha ai për lirimin e trupave. “Por, kur bëhet fjalë për civilët, ne jemi të hapur për çfarëdo marrëveshje të re armëpushimi për lirimin e pengjeve civile”.

Al-Hayeh tha se ai nuk ka shifra të pengjeve që ende po mbahen nga Hamasi. Ai tha se disa persona të moshuar janë në mesin e pengjeve që po mbahen nga grupi radikal palestinez.

Marrëveshje e armëpushimit, hyri në fuqi më 24 nëntor. Ajo ishte paraparë të zgjaste katër ditë, por ajo u zgjat deri më 1 dhjetor, me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit.

Marrëveshja parashihte lirimin e pengjeve që Hamasi mori gjatë sulmit fillestar të 7 tetorit, në këmbim të lirimit të palestinezëve që mbahen në burgjet izraelite.

Gjatë shtatë ditëve armëpushim u liruan 83 izraelitë, përfshirë persona me shtetësi të dyfishtë. Po ashtu, 24 pengje të tjerë – 23 tajlandezë dhe një filipinas – u liruan, përfshirë edhe disa burra.

Izraeli ka thënë se afër 125 burra janë ende duke u mbajtur peng.

Lufta midis Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 240 të tjerë.

Si pasojë e sulmeve hakmarrëse të Izraelit në Rripin e Gazës – shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve – mbi 13.300 persona janë vrarë./rel

Katari kritikon Izraelin për bombardimet në Gazë

Katari tha se po vazhdon përpjekjet për të ringjallur armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – duke shprehur “keqardhje të thellë” për rinisjen e bombardimeve izraelite në Rripin e Gazës.

Katar, që ka luajtur rolin e ndërmjetësuesit, duket se ka veçuar vetëm rolin e Izraelit në rikthimin e dhunës.

Ministria e Jashtme e Katarit tha se “bombardimet e vazhdueshme në Rripin e Gazës në orët e para pas përfundimit të pauzën [së luftimeve], ndërlikojnë përpjekjet ndërmjetësuese dhe përkeqësojnë katastrofën humanitare” në Gazë.

Kjo ministri i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që “të veprojë menjëherë që të ndalet dhuna”.

Mëngjesin e 1 dhjetorit, Izraeli nisi sulmet ajrore në Rripin e Gazës, pasi marrëveshja njëjavore e armëpushimit përfundoi.

Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi, akuzuan njëri-tjetrin për dështim të arritjes së një pajtimi për zgjatjen e armëpushimit.

Katari ka luajtur rol kyç në ndërmjetësimin e marrëveshjes së parë të armëpushimit, që hyri në fuqi më 24 nëntor. Marrëveshja fillestare ishte paraparë të zgjaste katër ditë, por ajo u zgjat deri më 1 dhjetor, me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit.

Marrëveshja parashihte lirimin e pengjeve që Hamasi mori gjatë sulmit fillestar të 7 tetorit, në këmbim të lirimit të palestinezëve që mbahen në burgjet izraelite.

Gjatë shtatë ditëve armëpushim u liruan 83 izraelitë, përfshirë persona me shtetësi të dyfishtë. Po ashtu, 24 pengje të tjerë – 23 tajlandezë dhe një filipinas – u liruan, përfshirë edhe disa burra.

Është e paqartë se në mesin e pengjeve të mbetura në Gazë sa prej tyre janë gra e sa ushtarë.

Izraeli ka thënë se afër 125 burra janë ende duke u mbajtur peng.

Lufta midis Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 240 të tjerë.

Izraeli u kundërpërgjigj me një fushatë të pareshtur ajrore dhe tokësore në Gazë, duke vrarë mbi 13.300 persona. Si pasojë e luftimeve, mbi tri e katërta e popullsisë prej 2.3 milionë banorëve në Gazë është zhvendosur.

Sulmet fillestare të Izraelit u përqendruan në veri të Gazës, por me rinisjen e luftimeve, zyrtarët izraelitë kanë paralajmëruar banorët në jug të territorit palestinez që të largohen, duke sugjeruar se Izraeli po e zgjeron ofensivën e saj edhe në jug.

​Tajani: Hamasi nuk dëshiron dialog, ne duhet të punojmë për pengjet

Hamasi nuk dëshiron dialog, por Izraeli dhe Perëndimi duhet të vazhdojnë të negociojnë për lirimin e pengjeve izraelite, tha të premten zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani.

Duke folur për Radio24 pasi Hamasi vrau tre izraelitë në një sulm në Izrael të enjten, Tajani tha se "në këto orë fatkeqësisht ka pasur një përkeqësim të situatës midis Izraelit dhe Hamasit".

Ai tha se “pas armëpushimit ne shpresonim se mund të zgjatej, të gjithë këmbëngulëm që duhet të kishte edhe disa ditë, për të lejuar ndihmën për civilët në Gaza.

“Por qartësisht Hamasi me sulmin e djeshëm dhe lëshimin e raketave këtë mëngjes ka vendosur të komunikojë qartë se nuk ka mundësi për dialog.

“Por tani ne duhet të vazhdojmë të punojmë sepse ka shenja se mund të ketë ende dialog falë Katarit.

“Dialogu ndërkombëtar vazhdon, por nuk është i lehtë, le të shpresojmë se mund ta zgjidhim çështjen e pengjeve”.

​32 palestinezë të vrarë dhe shumë të plagosur brenda 3 orëve pas përfundimit të pauzës humanitare në Gaza

Të paktën 32 palestinezë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në sulmet ajrore izraelite në Rripin e bllokuar të Gazës menjëherë pasi pauza humanitare përfundoi të premten në mëngjes.

“Brenda tre orëve pas përfundimit të pauzës humanitare, numri i të vdekurve të palestinezëve të vrarë në sulmet izraelite shkoi në 32”, tha Ministria e Shëndetësisë në Gaza në një deklaratë, shkruan Anadolu Agency.

“Dhjetëra njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, u plagosën”, shtoi ministria.

Pauza midis Izraelit dhe Hamasit, e cila hyri në fuqi më 24 nëntor, përfundoi të premten në mëngjes.

Të shtënat e rënda dhe granatimet e artilerisë izraelite në Rripin lindor të Gazës rifilluan menjëherë pas përfundimit të pauzës humanitare, sipas një korrespondenti të Anadolu në terren.

Përleshjet midis forcave izraelite dhe fraksioneve palestineze po zhvillohen gjithashtu në Rripin verior dhe qendror të Gazës, raportoi gjithashtu korrespondenti.

Sulmet ajrore janë dëgjuar në Gaza pas rifillimit të luftimeve të paralajmëruara

Nga: Bota sot

Mediat në Gaza raporton sulme ajrore në veri dhe jug të Gazës, pasi ushtria izraelite njoftoi se po rifillonte operacionet luftarake atje pas një pauze në luftime.

Mediat e lidhura me Hamasin thanë se kishte përleshje në veri të Gazës, duke e bërë këtë pretendim në Telegram.

IDF thotë se ka rifilluar luftimet në Gaza

Nga: Bota sot

Ushtria izraelite tha se "ka rifilluar luftimet kundër organizatës terroriste Hamas në Rripin e Gazës" pas një pauze në luftime prej rreth një jave.

“Hamasi shkeli pauzën operacionale dhe përveç kësaj, qëlloi në drejtim të territorit izraelit”, tha Forcat e Mbrojtjes të Izraelit.

Pauza hyri në fuqi me marrëveshje më 24 nëntor.

Gjatë kësaj kohe 105 pengje janë liruar nga Gaza, thanë zyrtarët. Izraeli ka liruar 240 palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite.

Prokurori i ICC-së do të takohet me të mbijetuarit e sulmit të 7 tetorit

Nga: Bota sot

Prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan, po viziton Izraelin “me kërkesë dhe ftesë të të mbijetuarve dhe familjeve të viktimave të sulmeve të 7 tetorit”, tha gjykata në një postim në Twitter.

Ai tha se Khan do të vizitojë gjithashtu Ramallah për të takuar zyrtarë të lartë palestinezë.

“Vizita, megjithëse nuk ka natyrë hetimore, përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të shprehur simpatinë për të gjitha viktimat dhe për t'u angazhuar në dialog”, tha gjykata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat