Skadon armëpushimi, rifillojnë sulmet në Gazë

Azia

Skadon armëpushimi, rifillojnë sulmet në Gazë

Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 16:10
Foto ilustrim

Luftimet mes Hamasit dhe Izraelit rifilluan në Gazë pas ndërprerjes shtatëditore që bëri të mundur shkëmbimin e pengjeve me të burgosur palestinezë dhe hyrjen e ndihmave humanitare në enklavën e shkatërruar.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë të premten se rifillimi i luftimeve vjen pas shkeljes së armëpushimit të përkohshëm nga Hamasi dhe një sulmi me raketa nga grupi militant ndaj Izraelit.

Ndërkohë gazeta New York Times njofton se Izraeli kishte njohuri paraprake për një plan të detajuar të Hamasit për të sulmuar Izraelin, por zyrtarët e zbulimit e nënvleftësuan duke menduar se Hamasi nuk kishte aftësi për ta kryer atë.

Dokumenti prej afro 40 faqesh me emrin e koduar "Jerico Wall" i analizuar nga New York Times, përshkruan se si Hamasi do të kryente një sulm të shumëfishtë ndaj pozicioneve izraelite të mbrojtjes dhe do të merrte nën kontroll qytete. Në dokument nuk përfshihej një datë e caktuar për sulmin.

Gazeta thotë se zyrtarët e ushtrisë dhe zbulimit izraelit kishin njohuri për planin më shumë se një vit përpara sulmit të 7 tetorit. Nuk është e qartë nëse edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ishte në dijeni të tij.

Qeveria izraelite nuk ka reaguar ndaj njoftimit të gazetës. Megjithë rifillimin e luftimeve, ndërmjetësit ndërkombëtarë po vazhdojnë të negociojnë për ndalimin e tyre.

Ushtria izraelite tha në platformën e mediave sociale X, e njohur më parë si Twitter, se kishte "ndaluar me sukses" raketën e lëshuar nga Gaza. Hamasi nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Ministria e shëndetësisë e Gazës e drejtuar nga Hamasi thotë se të paktën 32 njerëz humbën jetën në orët e para të sulmit të së premtes. Fletëpalosjet e lëshuara nga Izraeli në Khan Younis në Gazën jugore po i këshillojnë njerëzit të shkojnë drejt jugut për sigurinë e tyre./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat