Izraeli intensifikon sulmet ndaj Gazës

Azia

Izraeli intensifikon sulmet ndaj Gazës

Më: 2 dhjetor 2023 Në ora: 14:30
Foto ilustrim

Të shtunën forcat izraelite intensifikuan bombardimet e përgjakshme ndaj Rripit të Gazës. Kjo shënon ditën e dytë të luftimeve pas përfundimit të një armëpushimi njëjavor mes Izraelit dhe grupit të militantëve të Hamasit.

Zyrtarët ushtarakë izraelitë thanë të shtunën se forcat ajrore, detare dhe tokësore, kishin goditur më shumë se 50 objektiva të Hamasit në Khan Yunis, në jug të Gazës. Po kështu ushtria bëri të ditur se ka kryer sulme edhe në veri. Që nga rifillimi i luftimeve dy ditë më parë, janë goditur më shumë se 400 objektiva të grupit militant.

Një ditë më parë, si pasojë e sulmeve ajrore izraelite, u vranë 184 persona bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi.

Ndërkohë në Siri, Ministria e Mbrojtjes tha se Izraeli kishte kryer sulme ajrore pranë Damaskut të shtunën herët në mëngjes. Media shtetërore siriane njoftoi se sistemet e mbrojtjes ushtarake, kishte rrëzuar shumicën e raketave dhe se nuk kishte njoftime për viktima.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të premten se Izraeli ka filluar të ndërmarrë hapa për të reduktuar numrin e viktimave civile në përballjen e tij me Hamasin.

"Ne vumë re se Izraeli ka ndërmarrë hapa menjëherë sot për t'u dhënë informacion njerëzve se ku janë zonat e sigurta që ata të shmangin rrezikun", tha zoti Blinken në Dubai, ndërsa ndodhej për të marrë pjesë në konferencës mbi ndryshimet klimatike (COP28).

Megjithatë, zoti Blinken tha se ishte ende shumë herët për të thënë nëse Izraeli po i zbatonte plotësisht angazhimet që kishte ndërmarrë, për të garantuar që operacioni i tij ushtarak në Gazën jugore, të mos çonte në të njëjtin numër të lartë viktimash, sikurse në pjesën veriore të rajonit.

Sulmet ajrore dhe tokësore të Izraelit në Gazë, që synojnë çrrënjosjen e Hamasit, kanë vrarë më shumë se 15 mijë vetë e me mijëra të tjerë të plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Ndërsa ndodhej në Dubai, zoti Blinken u takua me homologët e tij nga Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Jordania dhe Bahrejni, si dhe përfaqësues të Autoritetit Palestinez, bëri të ditur zëdhënësi i Departamentit të amerikan të Shtetit Matthew Miller./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat