LIVE: Nuk ndalen luftimet mes Izraelit dhe Hamasit, vjen një parashikim jo i mirë – ja çka u dokumentua së fundi!

Azia

LIVE: Nuk ndalen luftimet mes Izraelit dhe Hamasit, vjen një parashikim jo i mirë – ja çka u dokumentua së fundi!

Nga: Bota sot Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 06:30 Përditësuar në ora: 20:21 më 07.12.2023
Pamje nga lufta në Gaza

Nusseibeh: Naive të besohet se lufta Hamas-Izrael do të mbarojë së shpejti

Profesori i filozofisë dhe ish-përfaqësuesi i Organizatës për Çlirimin e Palestinës në Jeruzalem, Sari Nusseibeh thotë se pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor është bërë më e vështirë të besohet një bashkëjetesë paqësore mes izraelitëve dhe palestinezëve dhe se do të ishte naive të besohej se lufta do të mbarojë së shpejti. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish-negociatori i kësaj organizate në bisedimet me Izraelin shpreh dyshimin se Hamasi mund të çrrënjoset plotësisht dhe se Izraeli duhet ta marrë parasysh një gjë të tillë.

Gjatë bisedës me kolegen Klementina Cenkollari, zoti Nusseibeh thotë se vazhdon të mendojë se zgjidhja më e mirë për konfliktin do të ishte ajo e krijimit të dy shteteve, megjithëse mendon se tani një mundësi e tillë mbetet edhe më e largët.

Zëri i Amerikës: Cila është pikëpamja juaj mbi gjendjen e tanishme në Lindjen e Mesme pas ngjarjeve të fundit atje?

Sari Nusseibeh: Sipas këndvështrimit tim, situata tani është shumë e vështirë dhe e rrezikshme.

Një situatë e dhimbshme që nuk jam i sigurt se do të na çojë diku. Mendoj se është një situatë katastrofike dhe shpresoj që në një fare mënyre njerëzit e arsyeshëm do ta kuptojnë këtë dhe do të mund të dalim paqësisht prej saj.

Pas sulmit të 7 tetorit, ju keni thënë se “viktimë e kësaj tragjedie është ëndrra jonë për një të ardhme për të dy popullsitë”. Mendoni se gjendja e tanishme do t'i ndërgjegjësojë të dyja palët se nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të bashkëjetojnë në atë pjesë të botës?

Sari Nusseibeh: Kam frikë se jo. Sepse përpara atij sulmi, ishte ende e mundur të mendohej në një mënyrë pozitive mbi aspektin e bashkëjetesës dhe të mendohej për të ardhme të mundshme. Pas sulmit, “shtegu ndarës” mes dy popujve u bë shumë më i gjerë.

E kam të vështirë të përfytyroj se izraelitët nga një anë dhe palestinezët nga ana tjetër, do të jenë në gjendje të shohin sërish mundësinë e bashkëjetesës në paqe me njëri-tjetrin. Gjithmonë ka qenë e vështirë të përfytyrohej një zgjidhje paqësore, por mendoj se tani kjo është bërë dhe më e vështirë. E kuptoj që shumë njerëz mund të mendojnë se kjo luftë paraqet një mundësi të re.

Por druhem se tani do të jetë më e vështirë dhe do të kërkojë shumë më tepër përpjekje dhe punë për të nxitur dhe një herë mbështetjen për një zgjidhje paqësore mes dy popujve.

Profesor, cila mendoni se është zgjidhja për këtë gjendje; kohët e fundit shumë njerëz kanë nënvizuar sërish nevojën për zgjidhjen me dy shtete. Ju vetë keni shprehur idenë e një federate. A mund të na thoni më konkretisht se cila do të ishte, sipas mendimit tuaj, zgjidhja pas këtij konflikti?

Sari Nusseibeh: Para së gjithash, mendoj se në politikë nuk mund të vendoset paraprakisht se cila do ishte kjo zgjidhje, ndonëse në fakt shumë shpesh politika përcakton zgjidhjet.

Zgjidhja pothuajse e përkryer e propozuar rreth 40 vjet më parë si zgjidhja me dy shtete në kufijtë e vitit 1967 dukej dhe ende duket zgjidhje e përsosur dhe e arsyeshme, mbasi i jep secilës palë siguri, paqe, sovranitet dhe kështu me radhë. Mirëpo tani është bërë dhe më e vështirë të imagjinosh se kjo do të ndodhë në një periudhë të shpejtë kohore. Gjithsesi, unë besoj se është e rëndësishme për të dyja palët dhe për bashkësinë ndërkombëtare që të bëjnë më të mirën e tyre për të arritur te një zgjidhje e tillë, sepse në fakt, ajo është, siç mund ta dini, ndoshta zgjidhja më praktike, e cila të paktën u jep ose u shkakton dhimbjet më të vogla popujve të të dyja palëve. Por në gjendjen e tanishme, nëse kjo nuk ndodh, atëherë duhet menduar për zgjidhje të tjera.

Tani, edhe federata duket gjithnjë dhe gjithnjë e më shumë një lloj zgjidhjeje pozitive, sepse aty të dy popujt mund të kombinohen në një sistem të ngjashëm, ose pak a shumë në të njëjtin sistem.

Por dhe njëherë, të kesh një federatë midis një shteti palestinez dhe të Izraelit do të thotë të supozosh se populli i Izraelit dhe ai palestinez kanë mirëbesim apo të paktën tregohen tolerantë ndaj njeri-tjetrit, qëndrojnë pranë njeri-tjetrit, ose ushqejnë ndjenja të mira për njeri-tjetrin. Mirëpo, sot fatkeqësisht ne nuk e kemi fare një situatë të tillë. Kështu që ndoshta duhet vështruar përpara, duke menduar për një periudhë kohore drejt kësaj rruge, ndoshta 10, 20, 30 vjet, nuk e di. Deri atëherë do të jetë e mundur të bëhen përpjekje dhe të krijohet një situatë e tillë.

A mund të na tregoni pak më shumë se cilat do të ishin linjat e përgjithshme të kësaj federate?

Sari Nusseibeh: Po, siç e dini, kur u propozua kjo mundësi për herë të parë, ideja ishte se ndonëse mund jetë përfytyruar një shtet palestinez përgjatë kufijve të vitit 1967 dhe shtetin e Izraelit ngjitur me të, megjithatë, mund të ketë shumë departamente shërbimesh, të përbashkëta për të dyja palët dhe për rrjedhojë, do të kishte sa më shumë departamente të kombinuara që të ishte e mundur. E kam fjalën, për shembull, le të marrim turizmin. Në këtë rast, të dyja palët mund të kenë një agjenci ose departament të përbashkët për turizmin. Nuk ka pse ato të jenë veçmas.

Në fakt ka shumë aspekte të tilla për të cilat mund të veprohet. Shembull tjetër është shëndetësia. Prandaj, nëse tani hedhim vështrimin përpara dhe shohim se si do të ecin gjërat, në një moment të caktuar mund të jetë e nevojshme të mendohet për një federatë me dy shtete, të cilat nuk do të jenë dhe aq të ndara përgjatë kufijve të vitit 1967. Kësisoj, mund të mendohet ose përfytyrohet një federatë me dy shtete, secili prej tyre i vendosur ose i përbërë nga qendra të mëdha popullate, të cilat i përkasin një grupimi të veçantë.

Në fakt, kjo ide është shumë më komplekse dhe nëse do të parashtrohet tani ajo ndoshta do të hasë në shumë kundërshtime, por ndoshta do të vijë koha kur kjo do të ndodhë, domethënë, të dy popujt mund të ndahen veç e veç mbi atë bazë dhe pastaj të bashkohen në një federatë sërish në kuptimin e shërbimeve, ose të shërbimeve të kombinuara. Në matematikë, nëse ke një problem, mund të gjesh menjëherë një përgjigje, dhe një zgjidhje.

Ndërsa në politikë, për fat të keq, nuk ndodh kështu. Aty nuk ka zgjidhje të përsosura. Dhe çdo ditë ndodhin gjëra për të cilat është e nevojshme që të vazhdojmë të mendojmë në mënyrë krijuese për hapin e madh se si të arrijmë situatën më të mirë, që të kemi paqe dhe ku të mund të trajtojmë shqetësimet e palëve në fjalë. Pra, të trajtohen çështjet e lirisë, drejtësisë dhe kështu me radhë. Kjo është e domosdoshme për arritjen e çdo lloj zgjidhjeje.

Le të flasim për një të ardhme më të afërt, atë pas konfliktit. Kush mendoni se do të drejtojë palestinezët kur të mbarojë konflikti dhe cili mendoni se do të jetë roli i Autoritetit Palestinez?

Sari Nusseibeh: Më lejoni t’ju them se nuk shoh që konflikti të jetë duke shkuar drejt fundit, siç thatë ju. Në këtë kuptim, nuk shoh dot të nesërmen pas konfliktit, ku do të ketë një situatë të qendrueshme dhe ku njëri autoritet apo tjetri do të marrë drejtimin. Mendoj se do të jetë një situatë e paqendrueshme. Dhe në një situatë të paqendrueshme, mendoj se gjëja më e rëndësishme është që të ketë sa më shumë qendrueshmëri që të jetë e mundur. Dhe në këtë kontekst, duke u kthyer te pyetja juaj mbi Autoritetin Palestinez, besoj se ai, me gjasë, duhet të mbetet, për hir të qendrueshmërisë atje dhe në rajon. Duke patur parasysh se Autoriteti Palestinez ka shumë mangësi dhe probleme, të cilat kanë ekzistuar edhe përpara luftës, mendoj se ndoshta duhen bërë më shumë përmirësime në mënyrë që më vonë ta ketë gjendjen në kontroll. Sa i përket Gazës, është ende e paqartë se çfarë do të ndodhë. Në një fare mënyre, nuk e shoh Hamasin që të largohet nga skena. Lufta e tanishme është e qartë, izraelitët, si të thuash, duan ta shuajnë Hamasin nga faqja e dheut. Megjithatë, nuk jam i sigurtë nëse kjo do të ndodhë. Dhe nëse nuk ndodh, atëherë kjo duhet marrë parasysh, i pëlqen apo nuk i pëlqen dikujt një gjë e tillë.

Me fjalë të tjera, e kuptoj që shumë njerëz po mendojnë për ditën pas mbarimit të luftës dhe për modalitetet, organizimet e me rradhë, por ndihem i brengosur se mund të jetë pak naive të mendohet që tani për atë ditë.

Mendoj se gjendja në fakt do jetë shumë më e vështirë për t’u mbajtur nën kontroll. Besoj se nga njëra anë, Izraeli do të këmbëngulë të kontrollojë sa më shumë të mundet dhe për aq kohë sa të mundet në vijim pas sulmit të 7 tetorit. Është logjikë e natyrshme që të synojë të kontrollojë më shumë nga sa kontrollonte më parë.

Pra, të them të vërtetën nuk jam shumë i sigurt për të ardhmen. Në të kaluarën i thoja vetes se mund ta shihja të ardhmen. Ndërsa tani i them vetes se e ardhmja duket shumë e mjegullt.

Dokumentohet dhuna seksuale në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit

Organizata izraelite Mjekët për të Drejta të Njeriut, përmes mbledhjes dhe analizës së dëshmive të ekipeve të shpëtimit, dëshmitarëve që mbijetuan, mjekëve dhe punonjësve që evakuuan trupat e viktimave, si dhe xhirimeve të shumta e komunikimeve në aplikacionet si Whatsapp dhe Telegram e fotografive nga vendi i ngjarjes, ngre alarmin për përdorimin e dhunës seksuale nga militantët e Hamasit gjatë sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit.

Dokumentohet dhuna seksuale në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit

Drejtorja e Organizatës Hadas Ziv thotë se Hamasi përdori dhunën seksuale si armë lufte dhe se raporti i saj hedh dritë mbi faktin që nuk bëhet fjalë për raste të izoluara, por për një praktikë të përhapur.

“Gjatë sulmit, dhuna seksuale u përdorën si armë lufte. Kjo është përshtypja ime dhe mendoj se qëllimi ishte të përhapte frikë jo vetëm tek viktimat, por edhe tek të të tjerët. Njoh shumë, shumë izraelitë, në veçanti gra, të cilat ndihen shumë të pasigurta. Andaj ndikimi i këtij lloj sulmi, që është i pari në historinë e konflikteve ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve, është shumë i madh,” thotë zonja Ziv.

Sipas zonjës Ziv, ndonëse është e vështirë të përcaktohet se se e shtrirë ishte kjo praktike, dhunimet ishte të përhapura gjatë sulmit dhe ndodhën në pika të ndryshme. Në shumicën e rasteve, objekt i dhunës seksuale ishin gratë, megjithëse sipas saj, kishte raste kur edhe burrat ishin vënë në shënjestër.

“Në fillim njerëzit menduan se ka ndodhur vetëm në festivalin e muzikës, por pastaj viktimat u gjetën me pjesët e poshtme të trupit të zhveshura, u gjetën trupa me eshtrat e legenit të thyera dhe me organe seksuale të deformuara. Gjoks të prerë, objekte në organe, e gjëra të ngjajshme. Nuk kemi ende shifra, por do të thoja se është e përhapur... Është detyrë e jona ta bëjmë të ditur dhe të bëjmë thirrje për një hetim më profesional ngase besojmë se viktimave do t’iu duhet kohë - nëse ato që kanë mbijetuar do të jenë në gjendje të flasin ndonjëherë (për përjetimet). Shumë prej tyre janë vrarë apo vazhdojnë të mbahen peng, nuk e dimë. Organizatat e grave nuk duhet të lihen vetëm. Duhet të mbështeten dhe të nxiten të punojnë,” tha zonja Ziv për Zërin e Amerikës.

Organet e rendit në Izrael publikuan këtë javë deklarata të dëshmitarëve me identitet të mbrojtur, që sipas autoriteteve, kanë qënë dëshmitarë okular, të rasteve të dhunës seksuale nga militantët e Hamasit, apo dëshmitarë që erdhën në vendin e ngjarjes pasi kishte ndodhur krimi. Dëshmi të ndryshme janë publikuar edhe nga mediat ndërkombëtare që po dokumentojnë përdorimin e dhunës seksuale nga Hamasit. Qeveria amerikane e ka shpallur Hamasin si organizatë terroriste në vitin 1997.

Këto dëshmi, të transmetuara nga agjencia e lajmeve Reuters, zbardhin detaje të dhunës së ushtruar ndaj grave, që përfshijnë prerje të gjinjve, të shtëna me armë në organet gjenitale dhe shenja tjera torturash.

“Ajo po qëndronte në këmbë dhe shihej gjaku që rridhte… Nuk e di se çfarë ndodhi me të. Ai po e tërhiqte nga flokët, i kishte flokët e gjata, ai po ia ngrinte lart,” thotë një dëshmitare në deklaratën dhënë policisë.

Zonja Ziv thotë se rrethanat e konfliktit e kanë bërë dokumentimin e këtij lloj krimi të vështirë, por qëllimi i organizatës është të publikojë këtë vlerësim fillestar për të tërhequr vëmendjen e institucioneve përkatëse që të hetojnë këtë dimension të dhunës dhe të përgatiten për të ndihmuar viktimat dhe dëshmitarët që janë përballur me këtë traumë.

“Në shumë raste trupat e viktimave janë evakuuar gjatë kohës së luftimeve. Dhe meqë ekipet e shpëtimit nuk ishin të përgatitura për abuzime seksuale, meqë deri tani nuk e kishim ndeshur këtë në konflikt, ata nuk ishin të pajisur me mjetet e duhura për të mbledhur dëshmi… Por po ashtu shumë prej viktimave dhe dëshmitarëve janë të traumatizuar dhe po shohim që vetëm tani po fillojnë të flasin. Lufta ende po vazhdon dhe shumë njerëz janë ende të preokupuar me trajtimin e të plagosurve dhe jo me mbledhjen e provave. Sistemi shëndetësor ishte i ngarkuar me shumë të plagosur, me shumë të vdekur, prandaj nuk e kishin përparësi mbledhjen e dëshmive. Dhe ndonëse njerëzit mendojnë se jemi shtet i zhvilluar dhe liberal, atmosfera këtu nuk është aq liberale. Nuk është lehtë për një viktimë përdhunimi të flasë. Trauma, turpi dhe fakti që ende ekziston stigma rreth tyre, krijojnë një situatë që mbase do të duhen vite që viktimat të flasin. Po ashtu mendoj se shumë nga viktimat tashmë kanë vdekur. Janë dhunuar dhe vrarë, abuzuar dhe vrarë, copëtuar dhe vrarë," thotë ajo.

"Për mua, njëra nga xhirimet më të vështira ishte ai i një gruaje të re, në kamion. Njerëzit e Hamasit e dërguan në Gazë, trupin e kishte gjysmë të zhveshur dhe njerëzit po e pështynin. E kishin dërguar si një trofe lufte, që po e dërgonin në Gazë. Për mua kjo ishte pamje e tmerrshme. Jo vetëm që e kishin viktimizuar, por e ekspozonin si trofe," shtoi zonja Ziv.

Sipas saj, krahas policisë, organizatat e shoqërisë civile dhe të grave janë angazhuar të mbledhin dëshmi dhe t’u ndihmojnë viktimave dhe se së fundi po shihet zbardhja e më shumë dëshmive për sulmin e 7 tetorit./VOA

Luftime të ashpra mes Izraelit dhe Hamasit në veri dhe jug të Gazës

Luftime intensive u ndezën të enjten në qytetet më të mëdha të Rripit të Gazës mes forcave izraelite dhe militantëve të Hamasit, ndërsa civilët palestinezë përpiqeshin të gjenin strehim në hapësirat e pakta të sigurta të mbetura në dispozicion.

Luftimet u zhvilluan në qytetin e Gazës, në veri ku Izraeli u përqendrua në fillim të fushatës kundër Hamasit, si edhe në Khan Younis në Gazën jugore, ku është zgjeruar lufta së fundmi.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se forcat izraelite po i afrohen vendndodhjes së kreut të Hamasit në Gazë, Yahya Sinwar dhe se “është vetëm çështje kohe derisa ta gjejmë atë”.

Luftimet i kanë detyruar civilët të shkojnë gjithnjë e më në jug, kanë shkaktuar ndërprerjen e operacioneve humanitare të OKB-së dhe kanë nxitur paralajmërime të përsëritura për rëndimin e mëtejshëm të gjendjes.Kombet e Bashkuara thanë se dhjetëra mijëra njerëz kanë mbërritur ditët e fundit në Rafah, pranë kufirit jugor. OKB-ja tha se për shkak të përshkallëzimit të dhunës më në veri, kjo zonë është e vetmja pjesë e Gazës nga ku ka hyrë një pjesë e kufizuar ndihmash humanitare këtë javë.

Banorët dhe gazetarët njoftuan për sulme të shumta ajrore izraelite në Rafah gjatë natës. Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi njoftoi për të paktën 37 të vdekur. Ushtria izraelite akuzoi të enjten militantët se kishin lëshuar raketa nga zonat pranë Rafahut.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së paralajmëron se një kolaps i përgjithshëm i sistemit humanitar në Gazë mund të ketë “pasoja të pakthyeshme për palestinezët në tërësi dhe për paqen dhe sigurinë në rajon”.

“Në mes të bombardimeve të vazhdueshme nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit, dhe pa strehim ose artikuj thelbësorë për të mbijetuar, besoj se rendi publik shumë shpejt do të shkatërrohet plotësisht për shkak të kushteve të dëshpëruara, duke e bërë të pamundur edhe ndihmën e kufizuar humanitare”, tha zoti Guterres.

Ministri i Jashtëm izraelit Eli Cohen kritikoi qendrimin e shefit të OKB-së, duke thënë se një thirrje e tij për armëpushim do të mbështeste Hamasin.

Zëdhënësi i qeverisë izraelite Eylon Levy u tha gazetarëve se Izraeli do që lufta të përfundojë, por vetëm “nëse realizohet qëllimin që Hamasi të mos mund të sulmojë më kurrë popullin tonë”.

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë thotë se rreth 1.9 milionë vetë janë zhvendosur brenda Gazës, çka përbën gati 85% të popullsisë, dhe një milion prej tyre janë të regjistruar në strehimet e OKB-së në Gazën jugore.

Izraeli ka akuzuar Hamasin, të cilin Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë një grup terrorist, se ka depërtuar në spitale dhe zona të tjera civile dhe se ka inkurajuar civilët që të shpërfillin paralajmërimet izraelite për t’u evakuuar përpara sulmeve ajrore, duke i përdorur ata si mburoja njerëzore – një akuzë që Hamasi e ka mohuar.

Izraeli filloi fushatën ushtarake për të zhdukur Hamasin në Gazë pasi luftëtarët e këtij grupi ndërmorën sulmin ndaj Izraelit më 7 tetor, duke shkaktuar vdekjen e 1200 vetëve dhe duke marrë rreth 240 pengje.

Gjatë ofensivës së tij ushtarake, Izraeli ka vrarë të paktën 16,240 njerëz në Gazë, 70% e tyre gra dhe fëmijë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi./VOA/

Izraeli ka vrarë rreth gjysmën e komandantëve të Hamasit

Ndërsa ushtria izraelite ka depërtuar në qendër të qytetit më të madh në jug në Rripin e Gazës, territoret palestineze rrezikohen nga zija e bukës.

Sipas fjalëve të kryeministrit Benjamin Netanjahu ushtria izraelite ka vrarë rreth gjysmën e të gjithë komandantëve të batalioneve të militantëve islamikë Hamas në Rripin e Gazës. Ministri i Mbrojtjes, Joav Galant, tha në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin Netanjahu, se Hamasi po humbet gradualisht kontrollin mbi zonën e rrethuar bregdetare.

Ushtria izraelite ka përparuar deri "në zemër" të Kan Junis

Sipas një deklarate të ushtrisë në Rripin e Gazës u sulmuan së fundmi rreth 250 "objektiva terroriste”. Trupat vazhduan të hidhnin në erë boshtet e tuneleve dhe të gjenin armë dhe eksplozivë.

Po ashtu njoftohet se ushtarët kanë depërtuar deri në qendër të qytetit Kan Junis, qytetit më të madh në jug të territorit palestinez në Rripin e Gazës, i cili vazhdon të mbahet i rrethuar nga forcat e armatosura izraelite.

Komandanti i Komandës Jugore të Izraelit, Jaron Finkelman, foli për luftimet më intensive që nga fillimi i ofensivës tokësore në fund të tetorit.

Rrezik për krizë urie

Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara, WFP, paralajmëron për zi buke në territorin palestinez. Ndihmat e dërguara me kamion nuk po arrijnë te njerëzit, tha drejtori i zyrës gjermane të WFP-së, Martin Frick. Koordinimi i ndihmave nuk mund të bëhet  "mes bombave që bien", tha ai mundur fjalë për fjalë. Prandaj Frick bëri thirrje për një armëpushim afatgjatë.

Operacioni ushtarak izraelit është përgjigje ndaj sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në fillim të tetorit. Anëtarët e Hamasit vranë rreth 1200 vetë dhe rrëmbyen rreth 240 pengje. Hamasi konsiderohet si organizatë terroriste nga shumë shtete.

Ushtria izraelite hedh fletushka me ajet kuranor mbi Khan Younis në jug të Gazës

Ushtria izraelite të mërkurën hodhi fletueshka mbi Khan Younis, në jug të Gazës, me ajetin kuranor për përmbytjen e madhe gjatë kohës së Noas, shkruan CNN.

“Ata i kaploi përmbytja, ndërkohë që vazhdonin të bënin keq”, thuhet në fletushkën në gjuhën arabe.

Ajeti vjen nga një sure në Kuran, në të cilën Noa është dërguar si profet për të predikuar për 950 vjet dhe për t’i paralajmëruar njerëzit para përmbytjes. Ata që janë zullumqarë do të përfshihen në përmbytje.

Fletushkat mbanin logon e Forcave Mbrojtëse të Izraeli. Në videon e filmuar nga AFP, shihen fletushkat duke rënë nga qielli mbi Khan Younis.

Fletushkat kishin të shkruar gjithashtu fjalën “tufan”, ose përmbytje – e njëjta fjalë që Hamasi përdori për të përshkruar sulmin e 7 tetorit mbi Izraelin, “Përmbytjen e Al-Aqsa”.

CNN ka kërkuar përgjigje mbi pretendimet për hedhje të fletushkave mbi Khan Younis, por zëdhënësi i IDF-së izraelite ka thënë se “nuk ka ndonjë koment”.

Senatorët republikanë në SHBA bllokojnë ndihmat për Ukrainën dhe Izraelin

Shpenzimet emergjente përmes së cilave do të ofroheshin miliarda dollarë si ndihmë e re sigurie për Ukrainën u bllokuan në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mërkurën, derisa republikanët kërkuan masa më të ashpra për të kontrolluar migrimin në kufirin me Meksikën.

Ishin 49 senatorë që votuan për, ndërsa 51 të tjerë kundër, duke e lënë kështu masën prej 110.5 miliardë dollarësh me më pak se 60 votat e nevojshme në Senatin prej 100 anëtarësh.

Votimi u bë sipas linjave partiake, me çdo republikan të Senatit që votoi kundër, së bashku me senatorin Bernie Sanders, një i pavarur që përgjithësisht voton me demokratët, por kishte shprehur shqetësime për financimin e "strategjisë aktuale çnjerëzore ushtarake" të Izraelit kundër palestinezëve.

Projektligji do të siguronte rreth 50 miliardë dollarë ndihmë të re sigurie për Ukrainën, si dhe para për ndihmë humanitare dhe ekonomike për qeverinë në Kiev, plus 14 miliardë dollarë për Izraelin derisa lufton me Hamasin, grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, në Gaza.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Chuck Schumer, gjithashtu votoi kundër, në mënyrë që të mund të prezantojë përsëri masën në të ardhmen.

Pas votimit, Schumer foli për rreziqet nëse Ukraina bie.

Republikanët thanë se ishte thelbësore të mbështesnin politikat e forta të migracionit dhe kontrollin e kufirit jugor.

Edhe nëse projektligji kalon në Senat, ai duhet të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët, ku dhjetëra republikanë kanë votuar kundër ndihmës për Ukrainën, duke përfshirë kryetarin Mike Johnson.

Republikanët dhe demokratët kanë debatuar me muaj se si të adresojnë kërkesën e Bidenit për miliarda dollarë fonde për Ukrainën derisa ajo lufton pushtuesit rusë, për Izraelin pas sulmeve të 7 tetorit nga militantët islamikë të Hamasit dhe për ndihmë humanitare ndërkombëtare.

Bëri thirrje për një armëpushim urgjent në Gaza, Josep Borrell mbështet Guterres

Izraeli ka kundërshtuar thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për një “armëpushim humanitar”. 

Guterres paralajmëroi se sistemi humanitar në Gaza mund të shembet dhe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të shmangur një “katastrofë”.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, u ka kërkuar shteteve evropiane që të mbështesin Guterres.

“U kërkoj anëtarëve të BE-së të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe partnerëve me të njëjtin mendim që të mbështesin OKB-në dhe thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm AntonioGuteres. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara duhet të veprojë menjëherë për të parandaluar një kolaps të plotë të situatës humanitare në Gaza”, postoi ai në X.

Franca dhe Malta janë dy shtetet e vetme të BE-së në mesin e 15 që përbëjnë Këshillin aktual të Sigurimit.

Ministri i Jashtëm izraelit Eli Cohen kishte thënë në X se “thirrja e Guterres për një armëpushim në Gaza përbën mbështetje të organizatës terroriste Hamas”.

Guterres aktivizon artikullin 99 të OKB: Në Gaza, armëpushim urgjent

Në një lëvizje hisotrike, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka aktivizuar artikullin 99 të OKB-së që kërkon vendosjen e një armëpushimi të menjëhershëm humanitar në Gaza.

Tashmë ky artikull i aktivizuar do dërgohet për një votë në Këshillin e Sigurimit, aty ku shumcia e anëtarëve janë pro armëpushimit, por SHBA, aleat i patundur i Izraelit, mund të vendosë veton.

Sipas BBC-së, aktivizimi i artikullit 99 ka ndodhur vetëm nëntë herë në historinë e OKB-së dhe kanë kaluar dekada që nga vendimi i fundit. Në një letër dërguar anëtarëve të OKB-së, Guterres thotë se Gaza është pranë një katastrofe humanitare, me ndihmat ushqimore që nuk po futen në sasitë e duhura, shtëpitë e shkatërruara dhe spitalet e kthyera në shesh-betejë, si dhe numrin rekord të viktimave.

Guterres theksoi se situata po përkeqësohet me shpejtësi, me pasoja potencialisht të pakthyeshme për palestinezët dhe për sigurinë në të gjithë rajonin. Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Gilad Erdan, reagoi me zemërim ndaj thirrjes së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe përsëriti thirrjet që ai të japë dorëheqjen. Ai shtoi se thirrja për një armëpushim është “në fakt një thirrje për të mbajtur mbretërimin e terrorit të Hamasit në Gaza”.

Brenda javës pritet që Këshilli i Sigurimit të mblidhet për këtë çështje.

Vdekje dhe të plagosur raportohen në sulmin e fundit izraelit në Rafah

Nga: A.Sh

Burimet mjekësore i thanë Al Jazeera-s se të paktën një person u vra dhe një numër i të tjerëve u plagosën në një sulm izraelit në një ndërtesë banimi në kampin e refugjatëve Yabna në zonën jugore të Gazës, Rafah.

Ndonëse e shpallur e ashtuquajtur "zonë e sigurt", Rafah është një nga qytetet në Rripin jugor të Gazës që ka përjetuar bombardime intensive ditët e fundit, pasi Izraeli zgjeroi operacionin e tij ushtarak tokësor që nga përfundimi i armëpushimit një javë më parë.

Republikanët bllokojnë ndihmën për Izraelin dhe Ukrainën në mosmarrëveshje mbi financimin e kufirit

Nga: A.Sh

Republikanët në Senatin e SHBA-së kanë bllokuar një projekt-ligj ndihme për Izraelin dhe Ukrainën pasi nuk arritën të sigurojnë kompromise për reformat e kufirit dhe imigracionit.

Paketa prej 87.3 miliardë £ përfshinte 49 miliardë funte për Ukrainën, rreth 8 miliardë funte për Izraelin dhe ndihmë për Gazën, si dhe disa fonde për Tajvanin.

Republikanët po këmbëngulin që çdo ndihmë për Ukrainën të lidhet me reformat e imigracionit dhe azilit në SHBA

Senatorët votuan 51 kundër 49 kundër avancimit të projektligjit, me 60 vota të nevojshme.

Çdo senator republikan votoi kundër masës, së bashku me senatorin e pavarur Bernie Sanders, i cili më herët kishte shprehur rezerva mbi legjislacionin duke përfshirë ndihmën ushtarake për Izraelin.

"Unë nuk besoj se duhet të përvetësojmë mbi 10 miliardë dollarë për qeverinë ekstremiste të djathtë Netanyahu për të vazhduar qasjen e saj aktuale ushtarake," tha zoti Sanders.

Më herët të mërkurën, presidenti i SHBA Joe Biden tha se ishte "i gatshëm të bënte kompromise të rëndësishme në kufi" në mënyrë që të miratohej projektligji i ndihmës.

"Kjo nuk mund të presë," tha ai, duke shtuar se "Republikanët në Kongres janë të gatshëm t'i japin Putinit dhuratën më të madhe që ai mund të shpresonte".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat