​EANA qëndron me Anadolu pas vdekjes së gazetarit të saj në Gaza

Azia

​EANA qëndron me Anadolu pas vdekjes së gazetarit të saj në Gaza

Më: 8 dhjetor 2023 Në ora: 21:10
Foto ilustrim

Aleanca Evropiane e Agjencive të Lajmeve (EANA), pjesë e së cilës është edhe Agjencia e Lajmeve KosovaPress, shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të Montaser Al-Sawaf, kameraman i pavarur i agjencisë turke të lajmeve Anadolu, në sulmet e fundit ajrore izraelite në Gaza.

Bordi i EANA dënon çdo formë dhune ndaj gazetarëve, të cilët luajnë një rol vendimtar në sigurimin e publikut me informacion të besueshëm nga zonat e konfliktit.

“Ngushëllimet tona të përzemërta shkojnë për familjen, miqtë dhe kolegët e gazetarit të ndjerë. Në këto kohë sfiduese, ne përsërisim angazhimin tonë për sigurinë dhe mbrojtjen e gazetarëve që raportojnë nga Gaza. Kjo ngjarje tragjike është një kujtesë fatkeqe dhe brutale e rreziqeve me të cilat përballen profesionistët e medias në zonat e konfliktit”, tha Alexandru Giboi, sekretar i përgjithshëm i EANA.

Montaser Al-Sawaf, një kameraman i pavarur i Anadolu-s që raportonte në Gaza të premten, u vra në sulmet ajrore izraelite, të rifilluara rishtazi pas një pauze njëjavore.

"Sawaf, vëllai i tij Mervan dhe anëtarë të tjerë të familjes u martirizuan gjatë sulmeve ajrore izraelite në lagjen Ed-Durc të Gazës jugore," tha për Anadolu Hassan Ismameh, kushëriri i gazetarit.

Pasi u plagos rëndë nga bombardimi, Al-Sawaf duhej të priste një ambulancë për rreth gjysmë ore, shtoi ai. Al-Sawaf përfundimisht u transportua në Spitalin Baptist Al-Ahli me automjet privat pasi nuk mbërriti asnjë ekip mjekësor, tha Ismameh.

Al-Sawaf, së bashku me vëllain e tij dhe të afërmit e tjerë të vrarë në sulmin e Izraelit, u varros në varrezat al-Batsh të qytetit.

Serdar Karagoz, presidenti dhe CEO i Anadolu, përcolli ngushëllimet e tij në një deklaratë, duke denoncuar gjithashtu se si deri më sot janë vrarë 71 gazetarë në sulmet izraelite në Gaza.

"Në Anadolu, ne po luftojmë për të garantuar sigurinë e kolegëve tanë që po kryejnë detyrat e tyre në kushte jashtëzakonisht të vështira në Gaza me përkushtim të madh," tha Karagoz.

"Në emër të të gjithë kolegëve tanë që humbën jetën në sulmet e qeverisë izraelite në Gaza, duke përfshirë edhe profesionistin e pavarur të agjencisë sonë Montaser Al-Sawaf, ne do të vazhdojmë luftën tonë që ata që janë përgjegjës për këto sulme të mbahen përgjegjës sipas ligjit ndërkombëtar," shtoi ai.

Karagoz shprehu ngushëllimet e tij për të gjithë gazetarët që kanë humbur jetën në Gaza, duke shprehur ngushëllime për familjet e tyre.

"Sot, bombat e lëshuara nga qeveria izraelite mbi Palestinë, jo vetëm që bien mbi fëmijët palestinezë, spitalet, shkollat, xhamitë dhe kishat, por edhe mbi vlerat perëndimore, ligjin ndërkombëtar, të drejtat e njeriut dhe gjithçka që qëndron për mirësi," tha ai.

"Ajo i thyen këto vlera dhe komuniteti ndërkombëtar, i cili supozohet t'i mbështesë këto vlera, është një nga humbësit kryesorë në Gaza."

Duke kundërshtuar thirrjet ndërkombëtare për një armëpushim, ushtria izraelite njoftoi të premten në mëngjes se kishte rifilluar sulmet në Rripin e Gazës pasi një pauzë humanitare që kishte qenë në fuqi për një javë i erdhi fundi.

Pauza kishte filluar më 24 nëntor si pjesë e një marrëveshjeje midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas për të ndalur përkohësisht luftimet për të lejuar lirimin e pengjeve dhe të burgosurve nga të dyja palët, si dhe dërgimin e ndihmave.

Më shumë se 15.000 palestinezë, kryesisht fëmijë dhe gra, janë vrarë në sulmet izraelite që nga 7 tetori. Rreth 1.200 izraelitë janë vrarë gjithashtu, sipas vlerësimeve zyrtare. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat