Ushtria izraelite thotë se vrau gabimisht 3 pengje izraelite në Gazë

Azia

Ushtria izraelite thotë se vrau gabimisht 3 pengje izraelite në Gazë

Më: 15 dhjetor 2023 Në ora: 21:33
Ushtarët izraelitë në Rripin e Gazës/Fotografi e ushtrisë izraelite

Ushtria izraelite thotë se ushtarët e saj vranë gabimisht tre pengje izraelite gjatë sulmit të tyre tokësor në Rripin e Gazës.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Admirali Daniel Hagari tha se forcat izraelite i gjetën pengjet të premten dhe gabimisht i identifikuan atë si kërcënim. Ai tha se është e paqartë nëse ata kishin ikur nga rrëmbyesit e tyre apo ishin braktisur.

Pengjet u vranë në zonën e quajtur Shijaija të Rripit të Gazës ku ditëve të fundit forcat izraelite janë përfshirë në beteja të ashpra me militantët e Hamasit.

Ai tha se ushtria shpreh “keqardhje të thellë” dhe po heton ngjarjen.

Lajmi u bë i ditur ndërkohë që i dërguari amerikan njoftoi se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po diskutojnë për mundësinë e zbutjes së intensitetit të luftimeve kundër Hamasit, megjithëse janë në një mendje se lufta në tërësi do të zgjasë me muaj.

Këshilltari për Siguri Kombëtare Jake Sullivan po ashtu takoi Presidentin e Autoritetit palestinez Mahmoud Abbas për të diskutuar rreth të ardhmes së Gazës. Njëri ndër planet, sipas një zyrtari të lartë amerikan, mund të përfshijë kthimin e forcave palestineze të sigurisë që Hamasi i kishte dëbuar nga detyra në Gazë kur e mori kontrollin e territorit në vitin 2007.

Zyrtarët amerikanë dhe izraelitë kanë qenë të paqartë në paraqitjet e tyre publike se si do të administrohet Gaza nëse Izraeli arrin t’i jep fund kontrollit të Hamasit atje. Ideja e kthimit të forcat palestineze të sigurisë në Gazë ka qarkulluar si njëra nga idetë. Kjo është hera e parë që Uashingtoni dha detaje për vizionin e vet rreth çështjeve të sigurisë në Gazë.

Cilido qoftë roli i forcave palestineze të sigurisë në Gazë pritet të ngjallë kundërshtimin e fuqishëm të Izraelit, që synon të mbajë një prani sigurie atje për një kohë të pacaktuar dhe thotë se nuk do të lejojë që Autoriteti Palestinez i udhëhequr nga zoti Abbas të ketë prani në Gazë. Autoriteti Palestinez qeveris Bregun Perëndimor, por nuk gëzon mbështetje nga palestinezët./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat