LIVE: Zbulohet tuneli “misterioz” në Gaza, reagon Amerika – ka një kërkesë për Izraelin

Azia

LIVE: Zbulohet tuneli “misterioz” në Gaza, reagon Amerika – ka një kërkesë për Izraelin

Nga: Bota sot Më: 18 dhjetor 2023 Në ora: 06:25 Përditësuar në ora: 20:51 më 18.12.2023
Admirali Daniel Hagari duke u treguar gazetarëve hyrjen e tunelit të zbuluar. 15 dhjetor 2023.

Dronët izraelitë hedhin bomba gjatë varrimit të luftëtarit të Hezbollahut në Liban

Funerali i një luftëtari të Hezbollahut të vrarë në luftimet përgjatë kufirit izraelito-libanez, u ndërpre të hënën nga një sulm ajror izraelit në një varrezë në qytetin jugor të Libanit, Ayta Al Shaab.

Incidenti ndodhi pak para mbërritjes së ministres së Jashtme franceze Catherine Colonna në Bejrut, në një përpjekje të Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të rivendosur paqen përgjatë kufirit.

Një video që qarkullon në mediat sociale tregon funeralin e luftëtarit të Hezbollahut, Hassan Srour, duke u zhvilluar në një oborr kur një ndërtesë aty pranë u bombardua, duke shpërndarë pjesëmarrësit. Nuk ka raportime për të lënduar.

Varrimi vazhdoi normalisht pas incidentit, njoftoi Agjencia kombëtare e lajmeve libaneze.

Ushtria izraelite tha në një deklaratë se fluturaket “sulmuan një numër objektesh të terroristëve të Hezbollahut, duke përfshirë infrastrukturën terroriste, një pikë nisjeje dhe një vendndodhje ushtarake”. Nuk dihet nëse deklarata i referohet incidentit në varrim.

Srour ishte një nga tre luftëtarët e vrarë të dielën mbrëma, duke e çuar numrin e përgjithshëm të luftëtarëve të Hezbollahut të vrarë në 111, që nga shpërthimi i armiqësive midis grupit libanez dhe Izraelit më 8 tetor.

Tuneli i zbuluar në kufirin me Gazën nxit kritika ndaj inteligjencës izraelite

Ushtria izraelite tha më 17 dhjetor se ka zbuluar një tunel të madh në Gazë, afër atij që dikur ishte një pikëkalim shumë i frekuentuar për në Izrael, duke ngritur pyetje të reja lidhur me atë se si inteligjenca izraelite nuk detektoi përgatitjet e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania – për sulmin vdekjeprurës të 7 tetorit.

Hyrja e tunelit gjendet vetëm disa qindra metra nga pikëkalimi i fortifikuar rëndë i Erezit dhe afër një baze ushtarake izraelite.

Ushtria tha se tuneli shtrihet përgjatë më shumë se 4 kilometra dhe lidhet me rrjetin e tuneleve që gjendet në mbarë Gazën dhe është i gjerë mjaftueshëm që në të të kalojnë edhe makina. Ushtria tha të dielën se tuneli kishte lehtësuar kalimin e makinave, luftëtarëve të Hamasit dhe furnizimeve gjatë përgatitjeve për sulmin e 7 tetorit.

Atë ditë, luftëtarët e Hamasit përdorën raketahedhës për të shkatërruar një pjesë të murit afër pikëkalimit Erez dhe hynë në bazën ushtarake, duke vrarë të paktën tre ushtarë dhe duke rrëmbyer disa të tjerë, tha ushtria izraelite. Kjo ishte një prej disa vendeve përgjatë kufirit prej muri që luftëtarët e Hamasit me lehtësi kaluan mbrojtjen e Izraelit dhe hynë në territorin izraelit, ku vranë afër 1.200 persona dhe rrëmbyen afër 240 persona.

Ky sulm i paprecedent nxiti luftën shkatërruese që tashmë është në javën e dhjetë dhe ka marrë jetën me më shumë se 18.000 personave në Rripin e Gazës të kontrolluar nga Hamasi, sipas të dhënave të prezantuara nga zyrtarët shëndetësorë palestinezë. Izraeli tha se shkatërrimi i rrjetit të tuneleve të Hamasit është një objektiv i madh i tij dhe se shumica e rrjetit nëntokësor kalon përfundi shkollave, spitaleve dhe zonave të banuara.

Zyrtarët e ushtrisë izraelite, të inteligjencës dhe politikanët po përballen me kritika të mëdha për shkak të dështimit që të detektojnë paraprakisht sulmin.

Majori Nir Dinar, zëdhënës i ushtrisë, tha se shërbimet izraelite të sigurisë nuk ishin në dijeni për tunelin para 7 tetorit, sepse mbrojtja kufitare e Izraelit ka detektuar tunele që kishin për synim hyrjen në Izrael.

“Me sa e di, ky tunel nuk kalon nga Gaza në Izrael dhe përfundon 400 metra nga kufiri, që nënkupton se indikatorët nuk do të tregonin se tuneli po ndërtohet”, tha Dinar. Ai shtoi se vendndodhja e hyrjes së tunelit, në formë rrethore e ndërtuar me çimento e që gjenden nën një garazh, kishte bërë që të mos shihej nga dronët izraelitë dhe imazhet satelitore.

Përderisa ushtria izraelite ishte në dijeni se Hamasi kishte një rrjet të gjerë të tuneleve, Dinar tha se ata nuk mendonin se luftëtarët e grupit radikal do të ishin në gjendje të zbatonin planet e tyre për një sulm të shkallës së gjerë.

“Nuk është befasi që kjo gjatë gjithë kohës ishte strategjia e Hamasit”, tha Dinar. “Befasia është se ata patën sukses dhe befasi është edhe madhësia e këtij tuneli... vërtet ishte tronditëse”.

Pikëkalimi i Erezit, një strukturë e ngjashme me një fortifikatë që kontrollonte lëvizjen e palestinezëve që shkonin në Izrael për të punuar dhe kujdes shëndetësor, por mbikëqyrte edhe transitin për në Jordaninë fqinje, ka një rëndësi të madhe simbolike për Hamasin. Ky pikëkalim mbrohej nga kamerat e sigurisë dhe patrullat ushtarake, si dhe nga baza ushtarake që gjendet ngjitur tij. Ky pikëkalim ka pësuar dëme të mëdha më 7 tetor dhe që atëherë nuk është rihapur.

Ushtria tha se njësia speciale “Yahalom”, që është e specializuar në luftime në tunele, ka punuar për të gërmuar tunelin që kur ai u zbulua. Ushtria tha se në të ka gjetur armë.

“Deri më tani, ky është tuneli më i madh në Gazë”, tha admirali Daniel Hagari, zëdhënës kryesor i ushtrisë, teksa bisedoi me gazetarët afër hyrjes së tunelit të zbuluar të premten.

Duke folur me gazetarët të dielën, Hagari tha se trupat kanë zbuluar të paktën dy tunele të tjera “të përmasave të një qyteti”, të cilat ende po i analizojnë për të mësuar madhësinë e tyre reale.

“Ky ishte projekti kryesor që u përfundua dhe u bë gati për përdorim”, tha Hagari gjatë një konference për media. Ai theksoi se tuneli ishte në përdorim gjatë luftës dhe se ushtarët izraelitë kishin vrarë luftëtarë të Hamasit brenda tunelit.

Ushtria, po ashtu, u tregoi gazetarëve kazermat e ushtarëve në bazën që gjendet afër dhe tha se atyre u ishte vënë flaka nga luftëtarët e Hamasit. Kazermat ishin bërë shkrumb e hi, me mure të djegura dhe shtretër të shkrumbuar. Ushtria njoftoi të premten se kishte marrë nga Gaza trupat e dy ushtarëve që kishin qenë në këtë bazë më 7 tetor.

Dinar, i cili vizitoi tunelin të premten, tha se ai ishte dy herë më i lartë dhe tri herë më i gjerë sesa tunelet e tjera që janë gjetur në Gazë. Ai tha se tuneli kishte ventilim dhe energji elektrike dhe në disa pjesë ishte thellë 50 metra nëntokë. Ai tha se ishte qartë se miliona dollarë dhe shumë karburante e fuqi punëtore ishte e nevojshme për të ndërtuar një tunel të tillë të qëndrueshëm.

Hagari tha se ushtria ka planifikuar që ta shkatërrojë tunelin dhe të vazhdojë “të ndjekë” luftëtarët e Hamasit që fshihen në tunele të tjera.

“Ne do t’i ndjekim ata edhe nëse do të na duhet që të futemi në tunele”, tha Hagari. “Ne, po ashtu, duhet ta bëjmë këtë duke pasur vëmendjen në shpëtimin e pengjeve tona dhe duke pasur në mendje që disa prej tyre mund të jenë në tunele”.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë: Mbi 100 të vrarë nga sulmet e fundit izraelite

Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës të kontrolluar nga Hamasi – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania – tha se që nga 17 dhjetori, nga sulmet izraelite në veri të territorit janë vrarë të paktën 110 palestinezë.

Përmes një deklarate të shkurtër, Ministria tha se 50 persona janë vrarë “nga sulmet e pushtuesit ndaj shtëpive në Xhabalia”, duke bërë që numri i viktimave në këtë zonë që nga dita e diel të arrijë në 110.

Këto pretendime të Ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Të premten, më 15 dhjetor, Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se mbi 18.700 persona janë vrarë që kur Izraeli nisi ofensivën hakmarrëse në Gazë në fillim të tetorit.

Lufta u nxit pasi grupi radikal, Hamas, kreu sulme të befasishme në jug të Izraelit më 7 tetor. Gjatë këtyre sulmeve u vranë 1.200 persona, shumica civilë, dhe u morën peng afër 240 burra, gra dhe fëmijë.

Liderët izraelitë po përballen me thirrje ndërkombëtare për arritjen e një armëpushimi të ri me Hamasin, me qëllim që të lirohen më shumë pengje.

Izraeli ka thënë se ofensiva e tij në Gazë – që ka pësuar shkatërrim të madh si pasojë e luftës – do të vazhdojë derisa të largohet nga pushteti Hamasi, të shkatërrohen aftësitë ushtarake të këtij grupi radikal dhe të shpëtohen të gjitha pengjet./REL

SHBA-ja kërkon ndryshimin e qasjes së ofensivës së Izraelit në Gazë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, pritet t’i bëjë presion Izraelit që të përfundojë ofensivën e tij të madhe në Gazë gjatë vizitës të hënën, më 18 dhjetor.

Kjo vizitë paraqet testin e fundit nëse SHBA-ja mund të përdorë mbështetjen e saj të palëkundur për Izraelin për të zbutur ndikimin shkatërrues të ofensivës ndaj civilëve palestinezë.

Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, që janë disa prej aleateve më të ngushta të Izraelit, iu bashkuan thirrjes globale për armëpushim gjatë fundjavës dhe protestuesit izraelitë kërkuan që Qeveria të rinisë bisedimet me Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Britania – për të liruar më shumë pengje, pasi tri pengje u vranë gabimisht nga trupat izraelite.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka insistuar që Izraeli do të vazhdojë të luftojë derisa të largojë nga pushteti Hamasin, të shkatërrojë aftësitë e tij ushtarake dhe të kthejë pothuajse 129 pengjet që ky grup radikal mori gjatë sulmit fillestar të 7 tetorit, që nxiti luftën.

SHBA-ja ka vendosur veto ndaj thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim dhe i ka dërguar armatim Izraelit, por po ashtu ka kërkuar që Izraeli të ndërmarrë hapa për të shmangur viktimat në mesin e civilëve.

Gjatë dhjetë javëve luftë mes Izraelit dhe Hamasit janë vrarë mbi 18.700 palestinezë dhe Gaza ka pësuar dëme të mëdha.

Rreth 1.9 milion palestinezë – pothuajse 85 për qind e popullsisë së Gazës – janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe shumica janë vendosur në strehimore të udhëhequra nga Kombet e Bashkuara dhe kampe të tjera në pjesën jugore të territorit të rrethuar.

Austin, që së bashku me kryetarin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralin CQ Brown do të qëndrojnë në Izrael, pritet t’i bëjë presion liderëve izraelitë që të kalojnë në një fazë më precize, me operacione të shënjestruara që do të synonin vrasjen e liderëve të Hamasit, shkatërrimin e tuneleve dhe shpëtimin e pengjeve.

Lufta Izrael-Hamas nisi pas sulmeve befasuese të grupit radikal në jug të Izraelit. Hamasi vrau 1.200 persona, shumica civilë, dhe rrëmbeu afër 240 burra, gra dhe fëmijë./rel

Irani paralajmëron Biden për pasojat globale nëse konflikti në Gaza vazhdon

Amir Saied Iravani, Ambasadori i Përhershëm i Iranit në Kombet e Bashkuara, ka ngritur shqetësime për pasojat e mundshme për Shtetet e Bashkuara për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në Rripin e Gazës.

Në një intervistë ekskluzive me Newsweek, Iravani vuri në dukje se vazhdimi i konfliktit midis Izraelit dhe Gazës mund të njollosë perceptimin global të Shteteve të Bashkuara dhe të përbëjë një kërcënim për fushatën e rizgjedhjes së Presidentit të SHBA Joe Biden.

Iravani i kërkoi Shteteve të Bashkuara të kryejnë një rivlerësim gjithëpërfshirës të strategjisë së tyre të sigurisë kombëtare në Azinë Perëndimore. Ai shprehu rezerva të thella për mbështetjen në rritje të ofruar nga SHBA për Izraelin, duke theksuar se kapaciteti ushtarak i Izraelit, përfshirë pushtimet, mbështetet shumë në mbështetjen e qartë të Shteteve të Bashkuara. Ndërsa konflikti vazhdon, Iravani nënvizoi koston në rritje eksponenciale të kësaj mbështetjeje për SHBA-në.

Izraeli është bërë gjithnjë e më shumë një barrë për Amerikën për sa i përket kostove materiale, politike dhe veçanërisht morale dhe reputacioni në skenën globale,” vuri në dukje ai, duke nënvizuar nevojën që Shtetet e Bashkuara të rishqyrtojnë mbështetjen e tyre për Izraelin për të shmangur ngatërresat e mëtejshme në ambiciet e Izraelit.

Ambasadori i Iranit theksoi gjithashtu konfliktin në rritje të interesave midis Presidentit Biden dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Netanyahu e gjen të ardhmen e tij politike të lidhur me vazhdimin e luftës në Gaza, ndërsa Presidenti Biden i percepton perspektivat e tij për rizgjedhje të ndërlidhura me përfundimin e armiqësive. Ky konflikt interesash bëhet gjithnjë e më i pamenaxhueshëm ndërsa lufta vazhdon, duke paraqitur një sfidë të rëndësishme”, shtoi Iravani.

Duke u thirrur në precedentë historikë, Iravani i referoi përvojat në Afganistan dhe Irak si tregime paralajmëruese që kërkonin një rishqyrtim të politikave aktuale të Shteteve të Bashkuara. Ai theksoi më tej urgjencën që Presidenti Biden të ndërhyjë dhe t’i japë fund luftës së vazhdueshme në Gaza.

Angazhimi i Iranit për të mbrojtur jetët e civilëve në mes të konfliktit në Gaza

Ambasadori Iravani theksoi prioritetin më të lartë për Iranin: mbrojtjen e jetëve të civilëve gjatë konfliktit të Gazës.

Qëndrimi i palëkundur i Iranit mbron për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm, duke sinjalizuar fundin e bombardimeve dhe masakrës tragjike të civilëve në Gaza”,” pohoi ai.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, numri i të vdekurve nga lufta gjenocidale e Izraelit në territor u rrit në të paktën 18,700 javët e fundit, me afër 70 për qind të të vrarëve gra dhe fëmijë.

Frymëzimi i Revolucionit Islamik të Iranit për lëvizjet e rezistencës rajonale

Iravani theksoi më tej ndërthurjen e thellë të çështjes palestineze me “esencën dhe ADN-në e Revolucionit Islamik në Iran”.

Ambasadori nënvizon se si revolucioni iranian nguliti një ndjenjë të thellë vetësigurie brenda grupeve të rezistencës palestineze, duke nxitur besimin se ata mund të përballeshin me pushtuesin dhe të dilnin fitimtarë. “Zanafilla e Hamasit dhe Lëvizjes së Xhihadit Islamik në Palestinë buroi nga ndikimi i ushtruar nga lëvizja islamike e revolucionit iranian,” tha ai për Newsweek.

Duke theksuar etosin kulturor të rezistencës kundër okupimit, Iravani vuri në dukje se sakrifica e udhëheqësve të Hamasit forcon qëndrueshmërinë e lëvizjes. Ndërsa veprimet e Izraelit mund të synojnë figura brenda Hamasit, Iravani e bëri të qartë se organizata nuk mund të fshihet. “Në vend të kësaj, këto veprime përforcojnë forcën e rezistencës, duke paralajmëruar shfaqjen e luftëtarëve të rinj që rreshtohen me Hamasin ose lindjen e grupeve krejtësisht të reja të angazhuara për kauzën e rezistencës,” pohoi ambasadori.

Iravani pohoi se pavarësisht përparimeve ushtarake të luftës, shkaku i konfliktit palestinez do të vazhdojë. “Mbetet bindja jonë e fortë se kriza palestineze nuk mund të gjejë zgjidhje me mjete ushtarake; përkundrazi, zgjidhja qëndron në përfundimin e okupimit dhe respektimin e parimit themelor të së drejtës së popullit palestinez për vetëvendosje”, komentoi Iravan.  Ai sqaroi se një strategji parandaluese e luftës nuk ka vend brenda doktrinës mbrojtëse të Iranit.

Megjithatë, ai theksoi se Irani mban nivelin më të lartë të gatishmërisë për t’iu përgjigjur kërcënimeve të perceptuara dhe për të mbrojtur fuqishëm veten, popullsinë dhe interesat e tij. Ambasadori kërkoi zgjidhje diplomatike për të lehtësuar tensionet dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm në rajon.

Izraeli thotë se goditi objektiva të Hezbollahut në Liban

Izraeli njoftoi të dielën se kishte goditur objektiva të Hezbollahut në Liban si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ndërkufitare. Izraeli tha se kishte goditur objektet dhe zonat nga ku lëshoheshin predhat e Hezbollahut. Grupi i mbështetur nga Irani tha se kishte sulmuar objektivat e ushtrisë izraelite.

Izraeli dhe luftëtarët e Hezbollahut kanë shkëmbyer zjarr përgjatë kufirit pothuajse çdo ditë që kur shpërtheu lufta në Gaza më shumë se dy muaj më parë.

Dhuna, e cila është zhvilluar kryesisht në zonën kufitare, ka vrarë më shumë se 130 njerëz në Liban, përfshirë 94 luftëtarë të Hezbollahut dhe 17 civilë. Në Izrael janë vrarë tetë ushtarë dhe katër civilë.

Ushtria izraelite tha se u ishte përgjigjur sulmeve të Hezbollahut me artileri, zjarr tankesh dhe sulme ajrore ndaj bazës të grupit libanez.

Hezbollahu tha se kishte qëlluar një sërë objektivash ushtarake izraelite përgjatë kufirit, përfshirë një kazermë, një qendër komandimi dhe një vinç ushtrie që instalonte pajisje vëzhgimi.

Izraeli nuk raportoi për viktima nga sulmet e Hezbollahut me raketa në pjesë të Izraelit verior.

Konflikti në Gazë dhe shtimi i sulmeve ndaj pranisë amerikane në rajon

Që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit, grupet e mbështetura nga Irani i kanë shtuar sulmet ndaj ushtrisë amerikane në Lindjen e Mesme. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb, lëvizja Houthi në Jemen e mbështetur nga Irani ka sulmuar me raketa balistike dhe dronë disa anije ushtarake dhe tregtare.

Që nga mesi i tetorit, forcat amerikane janë sulmuar rreth 100 herë në 10 zona të ndryshme në Irak dhe Siri.

“Ka patur më shumë sulme muajin e kaluar sesa kur shërbeja në Irak dhe Siri si zëdhënës i koalicionit global midis gushtit 2019 dhe shtatorit 2020”, thotë koloneli në pension, Myles Caggins, ekspert ushtarak në institutin New Lines.

Ajo periudhë kohe ka qenë e paqëndrueshme, kur një seri sulmesh të mbështetura nga Irani i nxitën Shtetet e Bashkuara që ta eliminojnë udhëheqësin e forcave iraniane elitë, Qassem Soleimani, me një sulm ajror në janar të vitit 2020.

Ushtria amerikane tha se asgjësimi i tij ishte për të parandaluar sulmet e tjera që ishin tashmë në fazat e planifikimit.

Ishte një periudhë serioze dhe intensive. Aktualisht po shohim veprime edhe më vdekjeprurëse, më kërcënuese, dhe më provokuese nga grupet e armatosura të mbështetura nga Irani, të cilët qartazi po përpiqen të vrasin forcat amerikane në Irak dhe Siri”, thotë për Zërin e Amerikës eksperti Myles Caggins.

Ushtria amerikane ka reaguar me disa sulme hakmarrëse. Kjo video tregon goditjen e një objekti trajnimi në Siri të përdorur nga ushtria iraniane.

Kohët e fundit kanë rifilluan patrullimet kundër Shtetit Islamik që ishin vënë në pauzë që nga fillimi i sulmeve. Analistët thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë më shumë për t'i mbajtur përgjegjëse këto grupe të mbështetura nga Irani.

“Nuk mund të presim që këto sulme të jenë diçka e zakonshme, sepse përfundimisht mund të jenë shumë të suksesshme dhe të shkaktojnë viktima amerikane”.

Kundëradmirali në pension, Mark Montgomery me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD) thotë se qeveria amerikane është tejet e përqendruar për të parandaluar zgjerimin e luftës mes Izraelit dhe Gazës në të gjithë Lindjen e Mesme.

Problemi është se nuk po frenojnë kërcënimet kundër forcave amerikane. Nëse ato sulmohen rëndë dhe ka të vrarë, atëherë Shtetet e Bashkuara do të detyrohen të kundërpërgjigjen rreptë. Kjo në fakt do të shkaktonte përshkallëzimin, të cilit ata i druhen”.

Ndërsa grupet e mbështetura nga Irani kanë ndërmarrë sulme tokësore ndaj forcave amerikane, militantët Houthi në Jemen kanë lëshuar raketa dhe dronë ndaj anijeve amerikane ushtarake dhe tregtare.

Përfundimisht do të shkaktojë të vrarë në det, kufizime të transportit detar, rritje të tarifave të sigurimit dhe transportit, dhe ndikojë tek ekonomia globale”, thotë kundëradmirali në pension, Mark Montgomery, me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD)

Ushtria amerikane thotë se po punon me një koalicion ndërkombëtar për t'iu përgjigjur sulmeve detare, por refuzon të japë detaje se si mund të duket kjo përgjigje.

Burimet egjiptiane: Izraeli dhe Hamasi të hapur për armëpushim, por mosmarrëveshjet vazhdojnë

Dy burime egjiptiane të sigurisë thanë të dielën se Izraeli dhe Hamasi janë të hapur për një armëpushim të ri dhe lirimin e pengjeve, por shtuan se mes tyre vazhdojnë të ketë mosmarrëveshje mbi mënyrën se si do të zbatohej një gjë e tillë.

Sipas të njëjtave burime Egjipti dhe Katari, dy vende që negociuan një armëpushim njëjavor të arritur më parë gjatë të cilit u lirua një pjesë e pengjeve, këmbëngulën në përshpejtimin e ndihmës dhe hapjen e vendkalimit Kerem Shalom, përpara fillimit të çdo negociate.

Po ndërsa kalimi rezulton të jetë i hapur, ata thanë se ndihma po vonohej për shkak të inspektimeve dhe se ende nuk kishte hyrë në Egjipt.

Të shtunën shpresat për armëpushim u rritën, kur një burim tha se shefi i spiunazhit të Izraelit, kishte biseduar të premten me kryeministrin e Katarit.

Hamasi këmbëngul që të jetë ai që përcakton listën e pengjeve që do të lirohen dhe kërkon që forcat izraelite të tërhiqen pas zonave të paracaktuara, thanë burimet për agjencinë Reuters.

Ndërsa Izraeli bie dakord që Hamasi të përcaktojë listën, ai kërkon ta shohë atë, përpara përcaktimit të një kohe për armëpushimin si dhe kohëzgjatjen e tij.

Burimet shtuan gjithashtu se Izraeli refuzon që të tërhiqet.

Izraeli zbulon ‘tunelin më të madh të Hamasit’

Forcat izraelite thonë se kanë zbuluar një tunel jashtëzakonisht të madh prej betoni dhe hekuri, i projektuar për të transportuar makina me militantë të Hamasit, nga Rripi i Gazës deri në kufi.

Rrafshimi ose dëmtimi i qindra kilometrave tunele nëntokësore e bunkerë, është ndër qëllimet e ofensivës së Izraelit.

"Pa shkatërrimin e tuneleve të Hamasit, ne nuk mund ta shkatërrojmë Hamasin. Ai ka shpenzuar miliona dollarë për këtë projekt”, tha zëdhënësi i ushtrisë së Izraelit, Daniel Hagari.

Ndër rajonet që Hamasi sulmoi më 7 tetor, kur ndërmori sulmin e beftë, ishte pika kufitare Erez, mes Gazës dhe Izraelit. Sipas ushtrisë izraelite dalja e tunelit, ndodhej vetëm 100 metra në jug të pikës së kontrollit në Erez.

Tuneli ka një thellësi prej 50 metrash dhe është i gjerë 3 metra. Sipas zyrtarëve izraelitë për ndërtimin e tij duhet të jenë shpenzuar me miliona dollarë.

Zëdhënësi i ushtrisë së Izraelit Daniel Hagari tha se tuneli është 4 kilometra i gjatë, mjaftueshëm për të arritur në pjesën veriore të Gazës, nga dhe qeveriste Hamasi, shndërruar tashmë në një zonë të shkatërruar.

Hamasi nuk iu përgjigj kërkesës së agjencisë së lajmeve ‘Reuters’ për koment.

Për ta kuptuar se sa i madh është tuneli, zoti Hagari u tregoi një grupi gazetarësh një video, ku shfaqej Mohammed Sinwari, vëllai i udhëheqësit të Hamasit, Yahya Sinwarit, i cili gjithashtu është një operativ i rëndësishëm i grupit, i ulur në sediljen e një automjeti që po lëvizte brenda tunelit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat