LIVE: Izraeli ofron armëpushim njëjavor, por ka një kusht

Azia

LIVE: Izraeli ofron armëpushim njëjavor, por ka një kusht

Nga: BOTA SOT Më: 20 dhjetor 2023 Në ora: 06:30 Përditësuar në ora: 13:47 më 20.12.2023
Gaza

Izraeli ofron armëpushim njëjavor, por ka një kusht

Mediat amerikane dhe izraelite raportojnë se Izrali i ka ofruar Hamasit një armëpushim njëjavor në këmbim të rreth 40 pengjeve.

Pengjet do të jenë kryesisht të moshuar, gra dhe fëmijë, sipas CNN dhe Axios.

Marrëveshja thuhet se do t’i paraqitet Hamasit përmes ndërmjetësve të Katarit.

Hamasi ka bërë të qartë se nuk do të lirohen më pengje derisa të ketë një armëpushim. Por ndërsa përpjekjet diplomatike vazhdojnë, kriza humanitare në enklavën e rrethuar përkeqësohet çdo ditë. Gati 20,000 njerëz janë vrarë nga aksionet ushtarake izraelite në Gaza që nga 7 tetori, dhe më shumë se 52,000 janë plagosur.

Ndërkohë, pjesa më e madhe e Gazës veriore është shkatërruar nga sulmet ajrore dhe, sipas Kombeve të Bashkuara, pothuajse 1.9 milionë njerëz – më shumë se 80% e popullsisë së enklavës – janë zhvendosur.

Dhjetëra palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

Ushtria izraelite ka bastisur dhe ndaluar stafin e dy prej spitaleve të fundit funksionale në veri të Gazës, teksa autoritetet izraelite deklarojnë se ushtria është duke punuar për të çrrënjosur krejtësisht luftëtarët e Hamasit.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën me 2.3 milionë banorë, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Izraeli ka bombarduar të martën qytezat në jug të Gazës, duke vrarë të paktën 45 palestinezë, teksa çon përpara ofensivën, me mbështetje të Shteteve të Bashkuara, pavarësisht rritjes së alarmeve ndërkombëtare.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka paralajmëruar se fushata në jug të Gazës, do të zgjasë me muaj.

Në një spital të qytezës jugore Rafah, Mahmoud Zoarab, ua ka dhënë lamtumirën dy fëmijëve të tij – të birit 2 vjeç dhe vajzës së lindur dy javë më parë – të dy të vrarë nga një sulm ajror që ka goditur shtëpinë e tyre në orët e para të së martës.

Ai dhe gruaja e tij janë plagosur në sulm.

“Vetëm dy javë jetë. Ende as nuk e kemi regjistruar emrin e saj”, ka thënë gjyshja e fëmijëve të vdekur, Suzan Zoarab.

Duke iu drejtuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ajo ka qarë dhe ka pyetur nëse “ai mendon se duke vrarë fëmijë do të arrijë diçka? A kanë fituar? A ka fituar çfarë ka dëshiruar?”

Ministri izraelit Gallant, ka thënë se forcat izraelite janë duke hyrë në sistemin e tuneleve në veri të Gazës, në kuadër të “pastrimit final” të rajonit nga militantët.

Mbi 100 palestinezë janë vrarë brenda një dite në Gaza

Më shumë se 100 palestinezë janë vrarë në një ditë të vetme në Gazë, thotë ministria e Shëndetit e drejtuar nga Hamasi.

“Sulmet e shumta izraelite në Gaza të martën lanë më shumë se 100 palestinezë të vdekur dhe qindra të tjerë të plagosur”, tha zëdhënësi i ministrisë palestineze të Shëndetësisë, Ashral al-Qidra.

Ndërkohë, një zyrtar ushtarak izraelit deklaroi se viktimat e shumta civile ishin çmimi i luftës kundër militantëve, citon reuters një zyrtar, i cili ka folur në kushte anonimiteti rreth përparimit të forcave të armatosura izraelite.

Kostoja e jetëve të civilëve është e balancuar kundrejt një vlerësimi të avantazhit ushtarak përpara çdo sulmi, raporton theguardian.

[Ka] mijëra e mijëra sulme dhe shpeshherë ato kërkojnë fuqi të madhe zjarri. Kjo rezulton në një numër të madh viktimash civile”, pohoi ai.

Ndryshe, gjatë pauzës së parë humanitare, e cila zgjati një javë, u liruan dhjetëra pengje izraelite dhe të burgosur palestinezë.

Kreu i opozitës izraelite: Autoritetet injoruan paralajmërimet e shërbimit sekret para 7 tetorit

Udhëheqësi i opozitës izraelite, Yair Lapid akuzoi qeverinë e Benjamin Netanyahut për injorimin e paralajmërimeve të shërbimit sekret përpara sulmit të Hamasit të 7 tetorit.

“Dy javë para sulmit të Hamasit, mora informacion nga shërbimi sekret izraelit se do të ketë shpërthim të dhunës në Gaza dhe Bregun Perëndimor. Unë e paralajmërova këtë në një konferencë për shtyp, por për fat të keq, askush nuk dëshironte të dëgjonte atëherë”, tha ai.

Lapid, i cili po viziton Gjermaninë, e tha këtë në një intervistë ekskluzive për Bild.

Politikani me përvojë përsëriti kritikat ndaj kryeministrit izraelit dhe partnerëve të tij politikë të ekstremit të djathtë dhe theksoi se vendi ka nevojë për ndryshime politike.

“Po, është e vërtetë, kërkova në mediat izraelite: Netanyahu duhet të kishte dhënë dorëheqje dhe të niste një ndryshim të rregullt të qeverisë. Në fakt, një ditë pas sulmit nga Hamasi. Fatkeqësia ndodhi gjatë mandatit të tij dhe ishte faji i tij”, shtoi Lapid.

Politikani izraelit mbështeti gjithashtu sugjerimet se agjencitë e sigurisë të vendit duhet të kryejnë operacione që synojnë vrasjen e udhëheqësve të Hamasit.

Ai nuk përjashtoi negociatat me Hamasin, por nuk pranoi të jepte ndonjë detaj rreth kushteve ose kërkesave të mundshme nga Izraeli.

“Ne duhet t’u bëjmë një ofertë terroristëve në një moment. Por, unë nuk dua të diskutoj publikisht se çfarë mund të jetë”, vuri në dukje Lapid.

Kur u pyet për skenarët e pasluftës, Lapid tha se ata nuk kanë ndërmend të pushtojnë Gazën pas luftës dhe se mund të ketë opsione të ndryshme që ai tha se duhet të garantojnë sigurinë e Izraelit.

Ndryshe, mediat ndërkombëtare kanë shkruar javë më parë se autoritetet izraelite kishin informacione se militantët e Hamasit po përgatiteshin të realizonin sulmin terrorist.

Biden mban qëndrim më të ashpër ndaj ‘bombardimeve pa dallim’ kundër Gazës nga Izraeli

Presidenti Joe Biden ka paralajmëruar se Izraeli po humbiste mbështetjen ndërkombëtare për shkak të “bombardimeve pa dallim” kundër Gazës, duke folur në një gjuhë jashtëzakonisht të ashpër vetëm disa orë përpara se Kombet e Bashkuara të kërkonin një armëpushim humanitar në luftën Izrael-Hamas.

“Siguria e Izraelit mund të mbështetet në Shtetet e Bashkuara, por tani ka më shumë se Shtetet e Bashkuara. Ajo ka Bashkimin Evropian, ka Evropën, ka shumicën e botës që i mbështet ata, “u tha Biden donatorëve gjatë një mbledhjeje fondesh.

Ata kanë filluar ta humbin atë mbështetje nga bombardimet pa dallim që ndodhin,” tha ai.

Presidenti tha se mendonte se kryeministri Benjamin Netanyahu e kuptonte, por ai nuk ishte aq i sigurt për kabinetin e luftës izraelite. Forcat izraelite po kryenin sulme ndëshkuese në të gjithë Gazën, duke shtypur palestinezët në shtëpitë e tyre, ndërsa ushtria shtyn përpara me një ofensivë që zyrtarët thonë se mund të vazhdojë për javë ose muaj.

Biden ofroi një vlerësim më të vështirë se zakonisht të vendimeve të Izraelit që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi dhe lëvizjet e qeverisë së tij konservatore. Ndërkohë, këshilltari i lartë i Bidenit për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, po shkon në Izrael këtë javë për t’u konsultuar drejtpërdrejt në lidhje me oraret për përfundimin e luftimeve të mëdha.

Izraeli vazhdon ofensivën në Gazë, pasi SHBA rikonfirmon mbështetjen ndaj tij

Forcat izraelite bastisën të martën një nga spitalet e fundit që ende funksiononte në veri të Gazës dhe bombarduan pjesën jugore të saj me sulme ajrore që shkaktuan vdekjen e të paktën 28 palestinezëve.

Izraeli po vazhdon ofensivën pasi Shtetet e Bashkuara rikonfirmuan mbështetjen ndaj tij, megjithë alarmin ndërkombëtar në rritje.

Lufta që filloi si kundërpërgjigje ndaj sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor, ka shkaktuar vdekjen e 20,000 palestinezëve dhe zhvendosjen e rreth 1.9 milionë të tjerëve, ka shkatërruar pjesën më të madhe të Gazës veriore.

Që nga fillimi i saj janë vënë gjithashtu në shënjestër objektiva të SHBA-së dhe Izraelit në të gjithë rajonin. Sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq nga rebelët Houthi të Jemenit të mbështetur nga Irani kanë bërë që kompanitë kryesore të transportit detar – si dhe gjiganti i naftës dhe gazit BP – të pezullojnë tregtinë përmes atij korridori jetik ujor, duke nxitur SHBA-në dhe aleatët e tyre të ndërmarrin një mision të ri kundër këtij kërcënimi.

Por gjatë vizitës në Izrael të hënën, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se nuk ishte atje për të diktuar afate kohore për përfundimin e luftimeve. Komentet e tij sinjalizuan se SHBA do të vazhdojë ta mbështesë Izraelin përballë thirrjeve ndërkombëtare në rritje për armëpushim dhe do të vazhdojë t’i ofrojë ndihmë jetike ushtarake.

Ndërkohë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po mban të martën një tjetër votim për një rezolutë të propozuar nga vendet arabe që bën thirrje për ndaljen e luftimeve dhe furnizimin me ndihma humanitare të Gazës. Takimi ishte parashikuar për të hënën por u shty.

Diplomatët thanë se po bëhen negociata për të bindur SHBA-në që të abstenojë ose të votojë "pro" rezolutës, pasi i vuri veton një thirrjeje të mëparshme nga Këshilli i Sigurimit për një armëpushim.

Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania – ndër aleatët më të ngushtë të Izraelit – iu bashkuan thirrjeve globale për një armëpushim gjatë fundjavës. Në Izrael, protestuesit kanë bërë thirrje për negociata me Hamasin për të lehtësuar lirimin e pengjeve që ende mbahen nga grupi.

Ndërkohë Drejtori i CIA-s, William Burns, u takua në Varshavë me kreun e agjencisë së izraelite të zbulimit Mossad dhe kryeministrin e Katarit të hënën. Mesa dihet ky është takimi i parë mes tyre që nga armëpushimi i përkohshëm dhe lirimi i rreth 100 pengjeve në një marrëveshje që ata ndihmuan ta ndërmjetësonin.

Por zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby tha se bisedimet nuk ishin në pikën ku mund të flitej për një marrëveshje tjetër së afërmi.

Rreth 129 persona vazhdojnë të jenë peng i Hamasit dhe militantëve të tjerë.

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka këmbëngulur se Izraeli do të vazhdojë të luftojë derisa t'i japë fund sundimit të Hamasit në Gaza, të asgjësojë aftësitë e tij ushtarake dhe të lirojë të gjithë pengjet e marra gjatë sulmit të 7 tetorit. Të paktën për momentin, ai duket se ka mbështetjen e plotë të SHBA-së për një fushatë që mund të zgjasë me muaj apo vite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat