Iraku dënon sulmet amerikane ndaj grupeve të lidhura me Iranin në territorin e tij

Azia

Iraku dënon sulmet amerikane ndaj grupeve të lidhura me Iranin në territorin e tij

Më: 27 dhjetor 2023 Në ora: 06:20
Irak

Iraku dënoi të martën sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara në territorin irakian, duke i quajtur ato një "akt armiqësor" dhe një shkelje të sovranitetit të Irakut.

Forcat amerikane kryen sulmet të hënën, të cilat kishin në shënjestër milicitë e mbështetura nga Irani në Irak në përgjigje të një sulmi me dron më herët atë ditë që plagosi tre ushtarë amerikanë.

Sipas zyrtarëve irakianë, nga sulmet amerikane u vra një anëtar i forcave irakiane të sigurisë dhe u plagosën 18 persona të tjerë, përfshirë civilë.

Qeveria i quajti sulmet e Shteteve të Bashkuara “një shkelje të papranueshme të sovranitetit të Irakut”, thuhet në një deklaratë të qeverisë në Bagdad. Deklarata theksoi gjithashtu se sulme të ngjashme nga grupet e armatosura ndaj këshilltarëve të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara janë akte armiqësore dhe shkelin sovranitetin e Irakut, një qëndrim, që grupi “Kataib Hezbollah” e kritikoi.

"Ne i paralajmërojmë ata me shpirtra të dobët, nga niveli më i lartë e deri tek ai më i ulëti, të mos testojnë durimin tonë", tha Abu Ali al-Askari, zyrtar për sigurinë i grupit “Kataib Hezbollah”.

Një breshëri raketash u hodhën të martën në mëngjes kundër forcave të amerikane dhe aleatëve në Al-Shaddadi, një bazë patrullimi amerikane në Siri, tha një zyrtar ushtarak amerikan. Nuk ka patur dëme apo viktima, tha zyrtari.

Sulmet amerikane të së hënës kishin në shënjestër tre qendra të përdorura nga grupi “Kataib Hezbollah” dhe grupe të tjera, tha përmes një deklarate Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin. Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur grupin “Kataib Hezbollah” organizatë terroriste.

“Këto sulme me saktësi të lartë janë një përgjigje ndaj një serie sulmesh kundër personelit amerikan në Irak dhe Siri nga milicitë e financuara nga Irani, duke përfshirë një sulm nga grupi Kataib Hezbollah i lidhur me Iranin dhe grupet të tjera në bazën ajrore Irbil më herët sot, dhe synojnë të degradojnë aftësitë e grupeve të lidhura me Iranin, që janë drejtpërdrejt përgjegjës për sulmet ndaj forcave amerikane”, thuhet në deklaratën e zotit Ausitn.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson tha se “Kataib Hezbollah”, si pjesë e një grupi ombrellë të militantëve të mbështetur nga Irani, mori përgjegjësinë për sulmin e së hënës, në të cilin një ushtar amerikan u plagos rëndë.

Forcat amerikane dhe ato të koalicionit kanë operuar në rajon si pjesë e misionit për të luftuar grupin Shteti Islamik në Irak dhe Siri.
Këto forca janë nën sulme të vazhdueshme nga përfaqësuesit e mbështetur nga Irani. Reth 100 sulme ndaj forcave amerikane u kryen që kur Izraeli filloi ofensivën kundër grupit militant të Hamasit në Rripin e Gazës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat