Izraeli zgjeron ofensivën ushtarake në zonat urbane dhe kampet e refugjatëve në Gazën qendore

Azia

Izraeli zgjeron ofensivën ushtarake në zonat urbane dhe kampet e refugjatëve në Gazën qendore

Më: 27 dhjetor 2023 Në ora: 06:22
Gaza

Forcat izraelite zgjeruan të martën ofensivën e tyre tokësore në kampet urbane të refugjatëve në Gazën qendrore pasi bombarduan komunitetet e mbipopulluara palestineze dhe urdhëruan banorët të evakuoheshin. Kompania kryesore e telekomit në Gazë njoftoi një tjetër "ndërprerje të plotë" të shërbimeve në territorin e rrethuar.

Njoftimi i ushtrisë për zonën e re të betejës kërcënon shkatërrim të mëtejshëm në një luftë, që Izraeli thotë se do të zgjasë për "shumë muaj". Qeveria e Izraelit është zotuar se do të shkatërrojë Hamasin pas sulmit të të 7 tetorit. Forcat izraelite janë përfshirë në luftime të rënda urbane në veri të Gazës dhe në qytetin jugor të Khan Younisit, duke i shtyrë palestinezët në zona gjithnjë e më të vogla strehimi.

Shtetet e Bashkuara thanë se ministri i Izraelit për çështjet strategjike, Ron Dermer, po takohej me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare, Jake Sullivan. Pavarësisht thirrjeve amerikane për të shmangur viktimat civile dhe presionin ndërkombëtar për një armëpushim, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ushtria e vendit të tij po intensifikonte luftimet.

“Ne u themi terroristëve të Hamasit se ju shohim dhe do të arrijmë tek ju”, tha Netanyahu.

Ofensiva e Izraelit është një nga fushatat ushtarake më shkatërruese në dekadat e fundit. Më shumë se 20,900 palestinezë, dy të tretat gra dhe fëmijë, janë vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës, e cila nuk bën dallime midis civilëve dhe luftëtarëve. Zyrtarë të ministrisë së kontrolluar nga Hamasia, thanë se 240 njerëz u vranë gjatë 24 orëve të fundit.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut tha se bombardimet e vazhdueshme në pjesën qendrore të Gazës kanë shkaktuar vdekjen e mbi 100 palestinezëve që nga nata e Krishtlindjeve.

Izraeli tha se nuk do t'u jepte më viza automatike punonjësve të OKB-së dhe akuzoi organin e lartë botëror se është bërë "partnerë" në taktikat e Hamasit. Zëdhënësi i qeverisë Eylon Levy tha se Izraeli do të shqyrtojë kërkesat për viza në mënyrë individuale për punonjësit e OKB-së. Kjo mund të kufizojë më tej përpjekjet e shpëndarjes së ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.

Banorët e Gazës qendrore thonë se bombardimet dhe sulmet ajrore tronditën kampet Nuseirat, Maghazi dhe Bureij. Në këto qytetet kanë gjetur strehim shumë palestinezë të dëbuar nga shtëpitë e tyre nga forcat izraelite gjatë luftës së vitit 1948.

"Bombardimi ishte shumë intensiv", tha përmes telefonit Radwan Abu Sheitta nga qytetit Bureij.

Ushtria izraelite urdhëroi evakuimin e banorëve nga një rajon i Gazës qendrore, duke u kërkuar atyre të lëviznin në qytetin Deir al-Balah aty pranë. Zyra e OKB-së në Rripin e Gazës tha se zona e urdhëruar për evakuim kishte gati 90 mijë banorë para luftës dhe tani strehon më shumë se 61 mijë njerëz të tjerë, të zhvendosur kryesisht nga pjesa veriore e Gazës.

Ushtria izraelite më vonë tha se po vepronte në Bureij dhe se kishte identifikuar një kamp trajnimi të Hamasit, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste.

Zyrtari i lartë i Hamasit, Osama Hamdan tha se disa vende kishin dërguar propozime për zgjidhjen e konfliktit pas njoftimeve për një propozim egjiptian, që do të përfshinte krijimin e një qeverie kalimtare palestineze në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor. Ai nuk dha detaje të tjera rreth përmbajtjes së propozimeve.

Lindja e Mesme është shndërruar në “fuçi baruti” që kur Hamasi i mbështetur nga Irani kreu një sulm terrorist ndaj Izraelit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 1200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 240 të tjerë. Në përgjigje të këtij sulmi Izraeli filloi një operacion të madh ushtarak në Rripin e Gazës, duke shkatërruar pjesën më të madhe të brezit të ngushtë bregdetar gjatë dy muajve të fundit.

Mbi 100 Izraelitë deri më tani janë liruar nga Hamasi në këmbim të qindra palestinezëve që u liruan nga burgjet izraelite./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat