Ushtria izraelite thotë se e ka zgjeruar ofensivën në Gazën qendrore

Azia

Ushtria izraelite thotë se e ka zgjeruar ofensivën në Gazën qendrore

Më: 27 dhjetor 2023 Në ora: 08:49
Palestinezët në rrënojat e një ndërtese pas bombardimeve izraelite në Rripin jugor të Gazës më 26 dhjetor 2023.

Forcat izraelite zgjeruan ofensivën e tyre të martën pasi bombarduan kampet palestineze të refugjatëve në Gazën qendrore dhe u kërkuan banorëve të evakuoheshin.

Ofruesi kryesor i telekomit i Gazës njoftoi për një tjetër "ndërprerje të plotë" të shërbimeve në territorin e rrethuar.

Izraeli thotë se lufta do të zgjasë për "shumë muaj" ndërsa zotohet të shtypë grupin militant Hamas i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Forcat izraelite janë përfshirë në luftime të rënda urbane në veri të Gazës dhe në qytetin jugor të Kan Junis, duke i shtyrë palestinezët në zona gjithnjë e më të vogla në kërkim të strehimit.

Pavarësisht thirrjeve të SHBA-së për Izraelin që të reduktojë numrin e viktimave në mesin e civilëve dhe presionin ndërkombëtar për një armëpushim, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ushtria po thellonte luftimet. “Ne u themi terroristëve të Hamasit: Ne ju shohim dhe do të arrijmë tek ju”, tha Netanyahu.

Ofensiva e Izraelit është një nga fushatat ushtarake më shkatërruese në historinë e fundit.

Më shumë se 20.900 palestinezë, dy të tretat gra dhe fëmijë, janë vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Ministria tha se 240 njerëz u vranë gjatë 24 orëve të fundit.

Si pasojë e sulmeve të Hamasit, në Izrael janë vrarë 1.200 persona dhe janë zënë rob 240 të tjerë.

Zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut tha se bombardimet e vazhdueshme të Gazës kishin marrë jetën e më shumë se 100 palestinezëve që në prag të Krishtlindjeve.

Izraeli tha se nuk do t'u jepte më viza automatike punonjësve të OKB-së dhe akuzoi si "partnerë bashkëfajtorë" në taktikat e grupit palestinez Hamas.

Zëdhënësi i qeverisë, Eylon Levy tha se Izraeli do të shqyrtojë kërkesat për viza rast pas rasti. Kjo mund të kufizojë përpjekjet e ndihmës në Gaza.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat