Irani i ekzekuton katër persona që i akuzonte si spiunë të Izraelit

Azia

Irani i ekzekuton katër persona që i akuzonte si spiunë të Izraelit

Më: 30 dhjetor 2023 Në ora: 12:12
Flamuri i Iranit

Katër iranianë – tre burra dhe një grua – janë ekzekutuar të premten, pasi akuzoheshin se spiunonin për Izraelin, raportoi agjencia e lajmeve Mizan.

Wafa Hanareh, Aram Omri, Rahman Parhazo dhe Nasim Namazi, u akuzuan dhe u gjetën fajtorë për “armiqësi kundër Zotit dhe për korrupsion në Tokë”, gjoja për shkak se kishin bashkëpunuar me inteligjencën izraelite, Mossad, raportoi të premten Mizan, e cila është e afërt me gjyqësorin iranian.

Ata ishin dënuar me vdekje në shkurt 2023.

Rrjeti Kurdistan për të Drejtat e Njeriut tha se, sipas një familjari të njërit prej katër të burgosurve, dënimet me vdekje u zbatuan edhe pse avokatët e tyre kishin shtruar kërkesë për rigjykim në gjykatën e njëjtë dhe se kishin nisur një peticion, po ashtu, në Komisionin për Amnisti dhe Mëshirë.

“Gjatë rishikimit të ankesave të tyre, të burgosurit u dërguan në izolim në Teheran, ku u ekzekutuan, mbase si një shenjë hakmarrjeje ndaj Izraelit”, tha familjari.

Grupet për të drejtat e njeriut i kanë akuzuar autoritetet iraniane për torturimin e tyre në burg.

Ndërkohë, organizata për të drejtat e njeriut me bazë në Norvegji, Hengaw, e dënoi ekzekutimin e tyre dhe i bëri thirrje komunitetit global të reagojë, duke thënë se ndëshkimi i tyre “jo vetëm që ishte shkelje e qartë e të drejtës për të jetuar dhe e dinjitetit njerëzor, por edhe shpërfillje e madhe e ligjeve ndërkombëtare dhe parimeve të të drejtave të njeriut”.

Ata u ekzekutuan pak pasi u vra Razi Musavi, komandant i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike në Siri, duke nxitur thashetheme për motive të mundshme hakmarrëse.

Irani dhe Izraeli kanë mosmarrëveshje të moçme mes vete. Tensionet mes tyre u rritën nga lufta e tanishëm në Rripin e Gazës mes Izraelit dhe Hamasit, i cili është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Evropian.

Teherani është mbështetës i moçëm i Hamasit, edhe pse marrëdhëniet mes tyre kanë qenë të koklavitura kohë pas kohe.

Ndërkohë, shkalla e ekzekutimeve në Iran është duke u rritur me shpejtësi, posaçërisht pas protestave të mëdha të nxitura nga vdekja e Mahsa Aminit në paraburgimin policor.

Grupi iranian për të drejtat e njeriut tha se më shumë se 700 njerëz janë ekzekutuar në Iran deri në dhjetor 2023, që shënon një rritje në muajt e fundit.

Amnesty International thotë se regjimi në Teheran ka ekzekutuar më shumë njerëz se çdo vend tjetër në botë, përjashtuar Kinën, deri tani këtë vit./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat