Sulmuesi bleu online thikën prej 18-centimetrash, dalin detaje nga rasti i opozitarit në Korenë e Jugut

Azia

Sulmuesi bleu online thikën prej 18-centimetrash, dalin detaje nga rasti i opozitarit në Korenë e Jugut

Më: 2 janar 2024 Në ora: 10:25
Lideri opozitar jugkorean, Lee Jea-myung pas sulmit me thikë.

Lideri opozitar në Korenë e Jugut, Lee Jae-myung, është therur me thikë në qafë nga një person i paidentifikuar, teksa ai po vizitonte qytetin juglindor Busan më 2 janar, tha policia.

Lee, 59 vjeç, udhëheq partinë kryesore opozitare, Partinë Demokratike. Pas sulmit, ai mori trajtim mjekësor në Busan dhe më pas u dërgua në një spital në Seul për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Polica dhe zyrtarët e emergjencës thanë më herët se ai pas sulmit ishte i vetëdijshëm dhe se gjendja e tij nuk ishte kritike, por gjendja e tij e saktë shëndetësore ende nuk dihet.

Sulmi ndodhi kur Lee po ecte përmes një turme gazetarësh dhe qytetarësh, pas një turi në një vend ku pritet të ndërtohet një aeroport i ri në Busan. Sulmuesi iu afrua atij, duke i thënë se dëshironte t’i merrte një autograf, dhe më pas e theri në qaf dhe u largua, tha zyrtari policor në Busa, Sohn Jea-han, gjatë një adresimi televiziv.

Sohn tha se zyrtarët e Partisë Demokratike që gjendeshin pranë liderit opozitar e kapën sulmuesin dhe më pas policia e arrestoi atë. Ai tha se 41 zyrtarë policorë u dislokuan në zonë për të kontrolluar turmën dhe për të menaxhuar trafikun.

Në pamjet televizive, Lee u shfaq me sy të mbyllura i shtrirë në tokë, përderisa një person i kishte vendosur një shami në qaf për t’ia ndalur gjakun. Një dëshmitar tha se Lee ka humbur shumë gjak. Në rrjetet sociale janë shpërndarë video që shfaqin të dyshuarin, i cili kishte të vendosur në kokë një kurorë prej letre ku shkruhej “Unë jam Lee Jae-myung”. Në pamjet e shpërndara shihet se si sulmuesi ndiqet nga disa persona, përfshirë edhe zyrtarë policorë.

Sohn tha se sulmuesi, rreth 67 vjeç, u tha hetuesve se e kishte blerë online thikën prej 18-centimetrash, me të cilin e kreu sulmin. Ai tha se policia ende po heton motivin e sulmit.

Partia Demokratike e Lees e cilësoi incidentin “sulm terrorist ndaj Lees dhe një kërcënim serioz për demokracinë”. Kjo parti i bëri thirrje policisë që të kryejë një hetim të mirëfilltë dhe të shpejtë.

Zyrtarët në spitalin në Busan, ku Lee mori ndihmën e parë, thanë se dyshojnë se atij i ishte dëmtuar një venë dhe shprehën shqetësime për sasinë e madhe të gjakut të humbur. Por, ata nuk pranuan të tregonin gjendjen e saktë shëndetësore të liderit opozitar.

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, shprehu shqetësim të thellë për gjendjen shëndetësore të Lees dhe urdhëroi autoritetet që të hetojnë këtë rast, duke shtuar se dhuna e tillë nuk duhet të tolerohet.

Lee më 2022 kishte humbur garën presidenciale ndaj Yoon. Sondazhet e fundit thonë se Lee dhe rivali i tij kryesor konservator, Han Dong-hoon, janë dy personat më favorit për të marrë postin e presidentit, pasi t’i përfundojë mandati presidencial Yoonit më 2027.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat