Inteligjenca e SHBA-së e “sigurt” se Hamasi përdori spitalin Shifa për fushatën kundër Izraelit

Azia

Inteligjenca e SHBA-së e “sigurt” se Hamasi përdori spitalin Shifa për fushatën kundër Izraelit

Më: 3 janar 2024 Në ora: 10:06
Ushtarët izraelitë brenda spitalit Shifa në Gazë më 15 nëntor 2023.

Shtetet e Bashkuara janë “të sigurta” se grupi palestinez, Hamas, që Uashingtoni e ka shpallur organizatë terroriste, kishte përdorur spitalin më të madh në Gazë për të mbajtur “të paktën disa” pengje që i rrëmbeu gjatë sulmit të përgjakshëm më 7 tetor në jug të Izraelit, u tha në një vlerësim të inteligjencës amerikane, që u deklasifikua më 2 janar dhe u nda për publikun nga një zyrtar.

Vlerësimi ofron mbështetjen më të fortë të SHBA-së për pretendimet e Izraelit lidhur me kompleksin e spitalit Shifa, në të cilin, forcat izraelite në nëntorin e kaluar kryen bastisje. Këto veprime të forcave izraelite nxitën dënim nga organizatat ndërkombëtare humanitare dhe disa anëtarë të partisë së presidentit amerikan, Joe Biden. Megjithatë, informacioni i publikuar nuk mbështet plotësisht pretendimin më të rëndësishëm të Izraelit se ky spital ka shërbyer si pika kyçe për aktivitetet e Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez. Zyrtari amerikan e shpërndau në kushte anonimiteti këtë vlerësim të inteligjencës amerikane.

“Komuniteti i inteligjencës në SHBA është i sigurt në gjykimin e tij për këtë çështje dhe në mënyrë të pavarur ka verifikuar informacionin se Hamasi dhe Xhihadi Islamik Palestinez kanë përdorur ndërtesën e spitalit për disa qëllime që lidhen me fushatën e tyre kundër Izraelit”, u tha në vlerësim.

Aty po ashtu u tha se inteligjenca beson se grupet “e kanë përdorur kompleksin spitalor al-Shifa dhe vendet nën spital për të vendosur infrastrukturën komanduese, për të ushtruar për aktivitete të caktuara komanduese dhe të kontrollit, për të ruajtur armë dhe për të mbajtur të paktën disa pengje”.

SHBA-ja beson se anëtarët e Hamasit u evakuuan disa ditë para se Izraeli të kryente bastisje në spital më 15 nëntor 2023 dhe se kanë shkatërruar dokumente të ndjeshme dhe pajisje elektronike para se trupat izraelite të hynin në ndërtesë.

Më herët, zyrtarët amerikanë kishin thënë se kishte inteligjencë të klasifikuar, që ishte marrë në mënyrë të pavarur nga izraelitët, për të mbështetur bastisjen e Izraelit.

“Mund të konfirmoj për ju se ne kemi informacione se Hamasi dhe Xhihadi Islamik Palestinez kanë përdorur disa spitale në Rripin e Gazës, përfshirë al-Shifa, dhe tunelet poshtë tyre për të fshehur dhe mbështetur operacionet e tyre ushtarake dhe për të mbajtur pengje”, deklaroi zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, një ditë para se Izraeli të hynte në spital.

Spitalet në Gazë kanë luajtur rol kyç në narrativët e palëve sa i përket luftës, që sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, ka lënë të vrarë 22.100 persona – edhe pse ky institucion nuk bën dallimin mes civilëve të vrarë dhe luftëtarëve.

Sipas ligjit ndërkombëtar për luftën, spitalet gëzojnë një status të posaçëm të mbrojtjes. Por, ky status mund të humbet nëse spitalet përdoren për qëllime ushtarake.

Para bastisjes në spital, ushtria izraelite publikoi një model të detajuar 3D të spitalit Shifa në Gazë, ku shfaqeshin një sërë instilacionesh nëntokësore, që ushtria tha se ishin pjesë e një qendre komanduese dhe të kontrollit të Hamasit që gjendej nën ndërtesën më të madhe të kujdesit shëndetësor në Gazë. Ushtria izraelite ende nuk ka zbuluar ndonjë infrastrukturë pothuajse aq të madhe dhe të zhvilluar sa qendra e supozuar e komandës së Hamasit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat