Shpërthime në jug të Gazës ndërsa Izraeli vazhdon ofensivën

Azia

Shpërthime në jug të Gazës ndërsa Izraeli vazhdon ofensivën

Më: 8 janar 2024 Në ora: 16:11
Gaza

Izraeli ka vazhduar ofensivën ushtarake në Gazë ndërsa dëshimtarët kanë njoftuar për shpërthime në pjesën jugore ku forcat izraelite po vazhdojnë luftimet kundër Hamasit. Forcat Mbrojtëse të Izraelit ndërkaq kanë publikuar imazhe të reja ku sipas tyre shihen duke inspektuar “infrastrukturën terroriste që grupi militant palestinez, Hamas ka ndërtuar në dhe përreth zonave civile”.

Një shpërthim tronditi pjesën jugore të Gazës të hënën ndërsa luftimet mes forcave izraelite dhe militantëve palestinezë vazhduan.

Luftimet pranë spitalit kryesor në Gazën qendrore kanë bërë që mijëra njerëz, përfshirë mjekë dhe pacientë, të ikin në jug, thanë dëshmitarët.

Autoritetet e Hamasit në Gazë kanë njoftuar për disa viktima, ndërsa të plagosurit u dërguan në spitalin e Kuvajtit në Rafah në kufrin me Egjiptin.

Ushtria izraelite publikoi të hënën imazhe të trupave që operojnë në Rripin e Gazës duke njoftuar se ushtarët po bëjnë verifikimin e “infrastrukturës terroriste të vendosur pranë rezidencave civile dhe zyrave të terroristëve”.

Ushtria izraelite shtoi se “gjatë këtyre inspektimeve u gjetën eksplozivë, armë, granata, pajisje komunikimi dhe sasi të mëdha dokumentesh inteligjence”.

Ushtria tha gjithashtu se ata gjetën një tunel pranë një shkolle ku u zbuluan edhe fotografi që sipas Izraelit dokumentojnë se si nxënësit palestinezë të shkollës janë stërvitur për përdorimin e armëve.

Izraeli thotë se kryesisht i ka përfunduar operacionet e mëdha në pjesën veriore dhe tani po përqëndrohet në rajonin qendror dhe qytetin jugor të Khan Younisit.

Zyrtarët izraelitë kanë thënë se luftimet do të vazhdojnë edhe për shumë muaj të tjerë, ndërsa ushtria kërkon të shpërbëjë Hamasin dhe të lirojë pengjet e marra gjatë sulmit terrorist të grupit militant më 7 tetor.

Gjatë sulmit Hamasi vrau 1200 njerëz, shumica izraelitë, ndërsa ofensiva ushtarake që Izraeli, që nisi si kundërpërgjigje, sipas të dhënave të Hamasit, të pakonfirmuara nga burime të pavarura, ka ka shkaktuar vrasjen e mbi 22 mijë palestinezëve./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat