Zgjedhjet në Tajvan ofrojnë vizione të ndryshme për ballafaqimin me Kinën

Azia

Zgjedhjet në Tajvan ofrojnë vizione të ndryshme për ballafaqimin me Kinën

Më: 8 janar 2024 Në ora: 16:13
Përkrahës të Partisë Progresive Demokratike në pushtet gjatë tubimit zgjedhor të fundjavës në Taipei. Tajvani mban zgjedhjet presidenciale më 13 janar/AP

Këtë fundjavë, Tajvani do të zgjedhë presidentin dhe legjislaturën e re. Zgjedhjet e së shtunës do të jenë përcaktuese për marrëdhëniet e Tajvanit me Kinën, që kërcënon ta marrë me forcë ishullin e vogël demokratik. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Bill Gallo nga Taipei, zgjedhjet do të kenë pasoja të mëdha globale.

Praktikat demokratike shihen në praktikë, ndërkohë që Tajvani po hyn në fazën përfundimtare të zgjedhjeve të përgjithshme.

Pyetja kryesore që rëndon mbi to është se si të ruhen këto lloj organizimesh përballë kërcënimeve të Kinës, që e konsideron Tajvanin si pjesë të saj.

Në këtë tubim të Partisë Progresive Demokratike në pushtet, zgjidhja është të vazhdohen përpjekjet për të siguruar sovranitetin e Tajvanit.

“Në vend të mbështetjes tek Kina është më mirë t’i besohet Tajvanit. Është më mirë të përqafojmë botën,” thotë zoti William Lai, kandidat presidencial nga Partia Progresive Demokratike.

Kjo është qasja e Presidentes në largim Tsai Ing-wen. Por nën udhëheqjen e saj, Kina është bërë agresive.

Kandidati kryesor opozitar Hou Yu-ih synon dialog me Kinën për të ulur tensionet. Përkrahësit e partisë së tij Koumintang, e njohur me shkurtesën KMT, thonë se rreziqet e armiqësimit me Kinën janë shumë të larta.

“Për një shtet të vogël si Tajvani, duhet të luajmë me mjeshtri. Nuk mund të hyjmë në luftë me Kinën,” thotë ish Ministri i Brendshëm Lee Hong-Yuan.

Nën udhëheqjen e Presidentes Tsai, Tajvani ka shtuar shpenzimet e mbrojtjes dhe ka kërkuar thellimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

Kina është përgjigjur me ashpërsi, në një një rast duke drejtuar raketat e saj nga të gjitha anët e ishullit, shenjë kjo që është bërë më vështirë të ruhet ‘status-quo-ja'.

“Ruajtja e stabiliteti në Ngushticën e Tajvanit (është e vështirë), duke marrë parasysh që kemi të bëjmë me Kinën që është shumë më e fuqishme, duke marrë parasysh që Shtetet e Bashkuara dhe Kina ndodhen në një rivalitet strategjik dhe Tajvani që është bëhet gjithnjë e më i painteresuar për t’u bashkuar me Kinën,” thotë analistja e lartë e Kinës pranë Grupit Ndërkombëtar të Krizës Amanda Hsiao.

Por pak njerëz në Tajvan duket se janë të shqetësuar për luftën, përkundër kërcënimit kinez.

“Vetëm pse ka shumë aeroplanë luftarakë kinezë përreth Tajvanit nuk do të thotë se njerëzit në Tajvan shkojnë më rrallë në kafene. Kjo gjë ndodh prej dekadash dhe nuk i ndalon njerëzit që të jetojnë jetën e tyre të përditshme, edhe nëse janë plotësisht të vetëdijshëm se me çfarë janë të rrethuar," thotë profesori Lev Nachman nga Universiteti Kombëtar Chengchi.

Në Tajvan, ajo që peshon tek votuesit nuk janë domosodo Shtetet e Bashkuara apo Kina. Përqëndrimi kryesor është si të ruajnë demokracinë sa më gjatë që është e mundur./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat