LIVE: Kërkohet frenimi i luftës Izrael-Hamas, Afrika e Jugut me akuza të rënda

Azia

LIVE: Kërkohet frenimi i luftës Izrael-Hamas, Afrika e Jugut me akuza të rënda

Nga: Bota sot Më: 11 janar 2024 Në ora: 06:21 Përditësuar në ora: 19:07 më 11.01.2024
Foto ilustrim

Ligjvënësi izraelit: Shpresoj që GJND-ja t’i japë fund luftës në Gazë

Ligjvënësi në Knesset – Parlamentin izraelit – Ofer Casif, i cili ka nënshkruar peticionin për mbështetjen e rastit që Afrika e Jugut ka dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) kundër Izraelit, tha se shpreson që gjykata të marrë vendimin e duhur për t’i dhënë fund luftës.

GJND-ja më 11 janar hapi seancën dyditore në rastin e ngritur nga Afrika e Jugut, e cila e akuzoi Izraelin për gjenocid në luftën e tij në Gazë.

Në një intervistë për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë, Casif, tha se ka mbështetur peticionin për rastin e ngritur nga Afrika e Jugut në mënyrë që të hetohet nëse ka pasur krime të gjenocidit në Gazë.

“Dua të theksoj se unë nuk po them në mënyrë kategorike se Izraeli është përgjegjës për gjenocid apo për ndonjë krim tjetër botëror. Por, dua të them se nuk është vetëm legjitime, por është domosdoshmëri që të hetohet nëse ka pasur krime të tilla. Dhe unë e nënshkrova peticionin për këtë arsye”, tha ai.

“E dyta, që është më e rëndësishmja, GJND-ja ka të drejtë dhe ka autoritet të vendosë nëse lufta duhet të ndalet menjëherë. Dhe sigurisht unë shpresoj që kjo do të ndodhë në mënyrë që të shpëtohen jetë, mijëra e mijëra palestinezë të cilët po përballen me sulmin e vazhdueshëm të Izraelit, por edhe pengjet izraelite që duhet të lirohen menjëherë”, tha ai.

Casif, i cili vjen nga partia Hadash-Ta’al, tha se ka disa pengesa që duhet të kalohen për t’i dhënë fund luftës.

“E para, shpresoj që GJND-ja të marrë vendimin e duhur, që sipas meje është dhënia fund e luftës. Ky është qëllimi kryesor, por në parim Izraeli mund ta refuzojë këtë. Më pas çështja shkon në Këshillin e Sigurimit. Këshilli i Sigurimit mund të thotë se Izraeli duhet ta ndalë luftën. Nëse arrin puna deri këtu, unë mendoj se Këshilli i Sigurimit do të veprojë kështu. Problemi është, dhe pyetja më e madhe është nëse Shtetet e Bashkuara do të vendosnin veto në Këshill, nëse ky i fundit do të vendoste për këtë. Sepse ka shans që të ndodhë kështu”, tha ai.

Në GJND, avokatët për Afrikën e Jugut u kërkuan gjyqtarëve që të vendosin urdhra paraprakë detyrues ndaj Izraelit, duke përfshirë ndalimin e menjëhershëm të fushatës ushtarake të Izraelit në Gazë.

Izraeli ka hedhur poshtë akuzën për gjenocid. Ekipi ligjor i Izraelit do të ketë tri orë kohë, të premten në mëngjes, për të hedhur poshtë akuzat.

Vendimi i GJND-së ka të ngjarë të marrë javë të tëra.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, publikoi një video-deklaratë të mërkurën mbrëma duke mbrojtur veprimet e vendit të tij.

"Izraeli nuk e ka ndërmend të pushtojë përgjithmonë Gazën ose ta zhvendosë popullsinë e tij civile", tha ai duke shtuar se:

"Izraeli po i lufton terroristët e Hamasit, jo popullsinë palestineze, dhe ne po e bëjmë këtë në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar”.

Ai tha se ushtria izraelite "po bën të pamundurën për të minimizuar viktimat civile, ndërsa Hamasi po bën çmos për t'i maksimizuar ato duke përdorur civilët palestinezë si mburoja njerëzore".

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – nisi më 7 tetor, pasi radikalët palestinezë sulmuan jugun e Izraelit. Ata vranë 1.200 persona dhe morën peng afër 240 të tjerë.

Izraeli është kundërpërgjigjur me sulme ajrore, tokësore dhe detare që kanë vrarë mbi 23.000 palestinezë dhe kanë shkatërruar pjesë të mëdha të Rripit të Gazës të banuar nga 2.3 milionë persona./REL

Blinken, takim me Presidentin e Egjiptit mbi hapat për frenimin e luftës Izrael-Hamas

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua të enjten me presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sissi në kuadër të përpjekjeve për të frenuar luftën Izrael-Hamas në Rripin e Gazës dhe për të siguruar lirimin e pengjeve që mbahen nga militantët në Gaza. Egjipti luajti një rol kyç në ndërmjetësimin e një armëpushimi të përkohshëm më parë, gjatë të cilit Hamasi liroi më shumë se 100 pengje dhe Izraeli liroi 240 të burgosur palestinezë. Me vizitën në Egjipt, Sekretari Blinken e përfundoi turneun një javor në Lindjen e Mesme, gjatë të cilit siguroi mbështetjen e vendeve arabe për rindërtimin e Gazës pas mbarimit të luftës.

Bisedimet e sotme në Kajro vijnë një ditë pasi Sekretari Blinken u takua me presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas në Bregun Perëndimor, i cili më vonë zhvilloi bisedime me Presidentin e Egjiptit el-Sissi dhe mbretin e Jordanisë Abdullah II.

Udhëheqësit jordanezë, egjiptianë dhe palestinezë lëshuan një deklaratë të përbashkët duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të vazhdojë trysninë për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës dhe për mbrojtjen e civilëve palestinezë.

Me vizitën e tij në Egjipt, Sekretari i Shtetit Antony Blinken i dha fund turneut një javor në Lindjen e Mesme, që sipas zyrtarëve amerikanë ishte i suksesshëm në sigurimin e mbështetjes nga vendet arabe të planeve për rindërtimin dhe qeverisjen e Gazës pas përfundimit të luftës së Izraelit kundër Hamasit.

Sekretari Blinken siguroi mbështetjen për këtë çështje në diskutimet me udhëheqësit e Turqisë, Jordanisë, Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite dhe Bahreinit gjatë misionit njëjavor.

Secili vend, së bashku me Greqinë, të cilën Sekretari Blinken e vizitoi gjithashtu, u zotuan të marrin pjesë në planifikimet për rindërtimin e Gazës, por zyrtarët thanë se rolet e tyre ende nuk janë përcaktuar në hollësi.

Megjithatë, mbështetja arabe varet jo vetëm nga përfundimi i konfliktit, por edhe nga krijimi i një rruge specifike për krijimin e një shteti të pavarur palestinez, diçka që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e kundërshton. 

Kryeministri Netanyahu tha të mërkurën se Izraeli “nuk ka në plan të mbajë të pushtuar përgjithmonë Gazën ose të zhvendosë popullsinë e saj civile”.

Izraeli ka rënë dakord të lejojë një mision të Kombeve të Bashkuara për të vlerësuar situatën në Gazën veriore të shkatërruar nga lufta për të parë nëse është gati për kthimin e sigurt të palestinezëve të zhvendosur.

"Dua të bëj disa çështje absolutisht të qarta: Izraeli nuk ka ndërmend ta mbajë të pushtuar përgjithmonë Gazën, ose të zhvendosë popullsinë e saj civile. Izraeli po lufton terroristët e Hamasit, jo popullsinë palestineze dhe ne jemi duke bërë këtë në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Ushtria izraelite po bën të pamundurën për të minimizuar viktimat në mesin e civilëve, ndërsa Hamasi po bën të pamundurën për t'i maksimizuar ato duke përdorur civilët palestinezë si mburoja njerëzore", tha ai.

Diplomatët thanë se Izraeli ka ftuar anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të vizituar vendin më vonë këtë muaj.

Një i dërguar i posaçëm i OKB-së do të kryejë gjithashtu një mision në Izrael dhe Bregun Perëndimor në fund të janarit për të mbledhur informacion mbi dhunën seksuale ndaj pengjeve, që thuhet se është kryer nga militantët e Hamasit gjatë sulmit të 7 tetorit dhe pas tij./VOA

Afrika e Jugut në GJND: Izraeli po kryen gjenocid në Gazë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dëgjoi sot pretendimet e Afrikës së Jugut se lufta e Izraelit ndaj Hamasit paraqet gjenocid ndaj palestinezëve. Izraeli e mohon tërësisht këtë akuzë. Ndonëse shqyrtimi dhe vendimi për këtë rast do të zgjasë me vite, Afrika e Jugut po kërkon nga Gjykata e Drejtësisë të urdhërojë pezullim të menjëhershëm të ofensivës ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë hapi sot seancën dy ditore, për të dëgjuar argumentet e palëve.

Presidentja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Joan E. Donoghue tha se Afrika e Jugut pretendon që veprimet e Izraelit pas sulmit të Hamasit me 7 tetor “kanë karakter gjenocidi” dhe se Izraeli “ka dështuar të parandalojë gjenocidin dhe se po kryen gjenocid.”

“Gjykata po mblidhet sot dhe nesër për të dëgjuar qëndrimet e palëve për padinë Afrikës së Jugut lidhur me konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit në Rripin e Gazës”.

Izraeli i mohon kategorikisht akuzat.

Çështja gjyqësore ndërmjet Izraelit dhe Afrikës së Jugut shkon përtej luftës në Gazë. Ajo paraqet një ndër rastet më të rëndësishme që janë sjellë para gjykatës ndërkombëtare dhe që trajton njërin prej konflikteve më të gjata në historinë e botës.

Gjithashtu, ky proces gjyqësor prek çështjen themelore të identitetit kombëtar të Izraelit si shtet hebre, i krijuar pas gjenocidit nazist kundër hebrenjve. Afrika e Jugut i krahason politikat e Izraelit në Gazë dhe Bregun Perëndimor me historinë e vet gjatë apartheidit në sundimin e pakicës së bardhë deri në vitin 1994.

Ministri i Drejtësisë së Afrikës së Jugut Roland Lamola tha se asgjë nuk e arsyeton shkeljen e konventës.

“Asnjë sulm i armatosur ndaj territorit të një shteti, pavarësisht sa serioz të jetë, edhe në rastet kur sulmi përfshin krime lufte, nuk mund të jetë justifikim për shkeljen e konventës, qoftë në aspektin ligjor apo moral. Përgjigja e Izraelit ndaj sulmit të 7 tetorit e ka shkelur këtë vijë dhe i ka hapur rrugë shkeljes së konventës,” deklaroi ai.

Në sulmin e Hamasit ndaj vendbanimeve izraelite në tetor militantët e këtij grupi vranë 1,200 izraelitë dhe morën peng rreth 240 të tjerë. Izraeli u kundërpërgjigj me një fushatë bombardimi dhe sulmi tokësor që synon të shkatërrojë Hamasin. Ofensiva e Izraelit ka vrarë mbi 23,000 palestinezë në Gazë, sipas autoriteteve të enklavës që qeveriset nga Hamasi.

“Gaza, që është njëri prej vendeve me popullsinë më të dendur në botë, ku jetojnë rreth 2.3 milionë palestinezë, gati gjysma e të cilëve janë fëmijë. Në këto 96 ditët e fundit, Gaza i është nënshtruar asaj që është cilësuar si një nga fushatat më të rënda të bombardimit konvencional në historinë e luftës moderne. Palestinezët në Gazë po vriten nga armët izraelite, me bombardime nga ajri, toka dhe deti. Ata janë të rrezikuar nga vdekjes si pasojë e urisë, dehidrimit dhe sëmundjeve. Shkatërrimi i qyteteve palestineze, mos-lejimi i ndihmës së mjaftueshme për të shkuar tek popullsia palestineze dhe pamundësia për ta shpërndarë këtë ndihmë të kufizuar ndërkohë që bombat bien, e bën të pamundur sigurimin e kushteve bazë të jetesës,” tha në gjykatë avokatja e Afrikës së Jugut, Adila Hassim.

Ndonëse zakonisht Izraeli i konsideron mekanizmat e Kombeve të Bashkuara dhe gjykatat ndërkombëtare si të padrejta dhe të njëanëshme, kësaj radhe ka dërguar një ekip të plotë ligjor për të mbrojtur operacionin ushtarak në përgjigje ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor. Avokatët e Izraelit do të paraqesin argumentet e tyre para gjykatës gjatë ditës së premte.

Në një deklaratë të mërkurën mbrëma, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbrojti veprimet e shtetit të tij dhe këmbënguli se ato nuk përbënin akte gjenocidi.

“Izraeli nuk synon që ta mbajë Gazën të pushtuar përgjithmonë apo të zhvendosë popullatën e saj civile. Izraeli po lufton terroristët e Hamasit, jo popullatën palestineze dhe po e bëjmë këtë në përputhje me ligjin ndërkombëtar,” tha ai.

Ndërkohë që argumentet ligjore po shpaloseshin në gjykatë, përkrahës të dyja palëve protestuan në Hagë.

Në mesin e protestuesve pro-izraelitë ishin edhe familjarë të pengjeve të rrëmbyera nga Hamasi.

“Njerëzit po flasin për atë që po bën Izraeli, por Hamasi po kryen krim kundër njerëzimit çdo ditë, si në rastin e vëllait tim dhe pengjeve të tjera që mbahen atje, dhe askush nuk po flet për këtë. Andaj jam këtu të ngre zërin për pengjet,” tha vëllai i njërit prej të rrëmbyerve, Michael Nevy.

Disa nga përkrahësit pro-palestinezë në protestë thanë se identifikohen me vuajtjen e palestinezëve.

“Jam këtu për të përkrahur njerëzit e pafajshëm që po vdesin në Gazë,” deklaroi protesuesi pro-palestinez Khalil Mohamad.

Ndonëse gjyqit i duhen javë për të marrë vendime mbi masat e përkohshme të kërkuara nga palët, vendimi përfundimtar mund të zgjasë me vite.

Mbetet e paqartë nëse Izraeli do të përfillë ndonjë vendim të mundshëm të gjyqit për t’i ndalur operacionet ushtarake në Gazë. Në rast se nuk i respekton vendimet, Izraeli mund të përballet me sanksione të Kombeve të Bashkuara, por ato mund të bllokohen nga vetoja e Shteteve të Bashkuara./voa

Gjyqi në Hagë ndaj Izraelit, avokatja: 117 fëmijë e 48 nëna vriten çdo ditë në Gaza

Ditën e sotme në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë me seli në Hagë po zhvillohet seanca gjyqësore kundër Izraelit, pas padisë së Afrikës së Jugut, e cila pretendon se në Gaza është kryer gjenocid.

Sipas mediave të huaja, avokatja Blinne Ni Ghralaigh është personi i radhës që po dëshmon për situatën në Gaza.

Ajo thotë se raportet për “ekzekutimet në terren, torturat dhe keqtrajtimet po shtohen” së bashku me “imazhet e trupave të dekompozuar të burrave, grave dhe fëmijëve palestinezë të lënë të pavarrosur aty ku u vranë, disa të kapur nga kafshët”.

Zonja Ni Ghralaigh paralajmëron se ekziston gjithashtu rreziku që vdekjet nga uria dhe sëmundjet të tejkalojnë ndjeshëm vdekjet nga bombardimet.

Mesatarisht, thotë ajo, 247 palestinezë vriten ose rrezikohen të vriten çdo ditë.

Sipas saj, ky numër përfshijnë 48 nëna çdo ditë, dy në çdo orë dhe mbi 117 fëmijë çdo ditë, thotë ajo.

“Me ritmet aktuale, të cilat nuk tregojnë asnjë shenjë uljeje, tre mjekë, dy mësues, më shumë se një punonjës i OKB-së, më shumë se një gazetar do të vriten,” thotë ajo.

Kujtojmë se pas rinisjes së konfliktit në Gaza, mbi 20 mijë persona dyshohet se kanë humbur jetën, pas sulmeve agresive hakmarrëse të Izraelit.

“Nuk ka mungesë ushqimi në Gaza”, thotë zyrtari izraelit

Nga: A.Sh

Ndihma e mjaftueshme po hyn në Gaza dhe nuk ka mungesë ushqimore, thotë një zyrtar izraelit.

Moshe Tetro, me organin izraelit të mbrojtjes në krye të çështjeve civile palestineze, tha se Izraeli ka qenë i gatshëm të rrisë sasinë e ndihmës që hyn në Gaza. Ai fajësoi grupet ndërkombëtare të ndihmës për përpjekjet për të përpunuar dhe për të marrë ndihmën humanitare.

“Vlerësimi që ne të gjithë, me OKB-në dhe organizatat e tjera, tregojnë se ka ndihmë të mjaftueshme. Për sa i përket ushqimit, rezervat në Rripin e Gazës janë të mjaftueshme për një periudhë të afërt. Nuk ka mungesë ushqimore në Gaza.”

Më herët, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se agjencia u detyrua të anulojë gjashtë misione të planifikuara në Gazën veriore. “Pengesa është aksesi. Ne i bëjmë thirrje Izraelit të miratojë kërkesat e OBSH-së dhe partnerëve të tjerë për të ofruar ndihmë humanitare.

Izraeli beson se GJND-ja do të ndalojë së kërkuari ndalimin e luftës në Gaza: Raport

Nga: A.Sh

Zyrtarët në Ministrinë e Drejtësisë të Izraelit i kanë thënë gazetës Haaretz se ata besojnë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të lëshojë urdhra kundër vendit, por ajo nuk do të urdhërojë ndërprerjen e luftimeve në Gaza.

Urdhëresat mund të përfshijnë thirrjen që Izraeli të lejojë më shumë ndihma humanitare të hyjë në enklavën e rrethuar dhe lejimin e palestinezëve të kthehen në Gazën veriore.

Ju mund të ndiqni të gjitha zhvillimet më të fundit nga seancat e sotme në Hagë, duke përfshirë historikun e çështjes dhe analizat e ekspertëve, mbi çështjen tonë të gjenocidit të GJND-së

Forcat izraelite tërhiqen nga Jenin si automjete të shënjestruara me mjete shpërthyese

Nga: A.Sh

Kolegët tanë arabë të Al Jazeera dhe mediat lokale kanë raportuar për përplasje gjatë natës midis Brigadave Al-Quds, krahut të armatosur të Xhihadit Islamik Palestinez dhe forcave izraelite në qytetin e Jeninit në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Automjetet ushtarake izraelite, të cilat sulmuan Jenin gjatë natës së sotme dhe filluan të shkatërrojnë strukturat, janë shënjestruar me mjete shpërthyese dhe të shtëna me armë zjarri. Forcat izraelite kanë filluar të tërhiqen nga qyteti.

Bastisje dhe arrestime janë raportuar në vendet e mëposhtme diku tjetër në Bregun Perëndimor të pushtuar:

Kampi i refugjatëve Dheisheh në Betlehem
Një burrë u arrestua në qytetin Anabta, në lindje të Tulkarem
Një baba dhe djali i tij u arrestuan në fshatin Bitello, në perëndim të Ramallah
Dy burra u arrestuan në qytetet Qaryut dhe Beita, në jug të Nablusit

 

I dërguari special i Shtëpisë së Bardhë do të vizitojë Libanin ndërsa tensionet me Izraelin përshkallëzohen

Nga: A.Sh

Amos Hochstein, një këshilltar i lartë i presidentit amerikan Joe Biden, do të takohet me zyrtarë në kryeqytetin libanez Bejrut sot në një përpjekje për të "rikthyer qetësinë", tha një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA.

“Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se nuk e mbështesin konfliktin e vazhdueshëm që përhapet në Liban dhe vazhdojnë të shterojnë të gjitha opsionet diplomatike për të parë civilët izraelitë dhe libanezë të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të jetojnë në siguri dhe stabilitet”, tha zëdhënësi.

Ka shqetësime se përleshjet ndërkufitare midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut në Liban do të përshkallëzohen në luftë gjithëpërfshirëse, veçanërisht pasi Izraeli vrau komandantët e lartë ushtarakë në grupin e mbështetur nga Irani duke përdorur sulme me dronë këtë javë.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat