LIVE: Njëqind ditë luftime, Netanyahu me mesazh të fortë për Hamasin – rrezik për zgjerim të konfliktit

Azia

LIVE: Njëqind ditë luftime, Netanyahu me mesazh të fortë për Hamasin – rrezik për zgjerim të konfliktit

Nga: Bota sot Më: 14 janar 2024 Në ora: 07:30 Përditësuar në ora: 16:17 më 14.01.2024
Benjamin Netanyahu

100 ditë pas fillimit të luftës Izrael-Hamas, shqetësime për zgjerimin e konfliktit

100 ditë nga fillimi i luftës Izrael-Hamas, nuk ka shenja se konfliktit po i afrohet fundi, madje ka shqetësime se ai mund të shtrihet edhe më gjerë në Lindjen e Mesme. Lufta filloi pasi persona të armatosur të grupit militant Hamas u futën në Izrael dhe kryen sulmin më vdekjeprurës në historinë e këtij vendi. Më pas Tel Avivi u kundërpërgjigj duke bombarduar dhe nisur një sulm tokësor në Gazë.

Gjithçka nisi pasi persona të armatosur të grupit militant u futën në Izrael dhe kryen sulmin më vdekjeprurës në historinë e këtij vendi. Ky sulm e kapi ushtrinë dhe shërbimet e sigurisë së Izraelit plotësisht të papërgatitur duke rritur frikën për pasigurinë në vend, ndërsa dolën në pah detajet e masakrës nga militantët e Hamasit.

Sulmi vrau më shumë se 1200 njerëz, humbja më e madhe e jetëve në një ditë që nga themelimi i shtetit të Izraelit, në vitin 1948.

Përgjigja izraelite ishte e menjëhershme, duke filluar me bombardime sistematike ajrore dhe pasuar nga një ndërhyrje tokësore që së bashku kanë shkatërruar Gazën dhe kanë detyruar pothuajse 2 milionë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

Pothuajse 24 mijë palestinezë janë vrarë dhe 60 mijë janë plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.

Tre muaj më vonë, trupat izraelite janë ende duke luftuar me militantët e Hamasit në rrënojat e Gazës dhe po kërkojnë për arkitektët e sulmit të tetorit, si Jahya Sinwar, udhëheqësi i Hamasit në Gazë dhe Mohammed Deif, udhëheqësi ushtarak i lëvizjes.

Shumica e spitaleve të Gazës janë shkatërruar, uria është një kërcënim në rritje dhe një krizë e tmerrshme humanitare kërcënon të përfundojë duke vrarë edhe më shumë banorë se ushtria izraelite.

Familjet e pengjeve që mbahen ende në Rripin e Gazës filluan një tubim 24-orësh në Tel Aviv të shtunën mbrëma, duke i bërë thirrje qeverisë që të punojë më shumë për të kthyer në shtëpi të dashurit e tyre.

Mijëra njerëz u derdhën në “Sheshin e pengjeve” në Tel Aviv, një shesh përballë Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit që ka shërbyer si një pikë grumbullimi për aktivistët.

Më shumë se 100 pengje u liruan gjatë një armëpushimi të përkohshëm në nëntor, por 132 janë ende në Gazë.

“Në Gazë janë ende pengje. Ne po i presim të gjithë, çdo minutë, çdo sekondë. Ata u rrëmbyen sepse dështoi shteti, sepse dështuam ne dhe tani shteti duhet të bëjmë gjithçka, gjithçka, për t’i liruar”, thotë Eyal Waldman, babai i Danielle, një vajze që u vra në një festival muzikor në Izrael gjatë sulmit të Hamasit.

Të tjerë protestues bënë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Izrael dhe bllokuan një autostradë kryesore të Tel Avivit, duke u përleshur me policinë që arrestoi dhe u përpoq të zmbrapste turmën. Protestues të tjerë u mblodhën pranë rezidencës private të kryeministrit Benjamin Netanyahu duke kërkuar largimin e tij nga detyra.

Njëqind ditë pas sulmit të Hamasit në Izrael, tani Gaza është kthyer në një gërmadhë. Pamjet me dron të xhiruara gjatë ditëve të fundit tregojnë përmasat e shkatërrimit në këtë territor.

Për 64-vjeçaren, Shahinaz Bakr dhe familjen e saj, shtëpia këto ditë është një kamp i improvizuar me tenda në Rafah. Për rreth 2.3 milionë njerëz në Gaza, jeta është kthyer në një makth.

“Ne jemi zhvendosur nga një vend në tjetrin. Nuk e di ku janë djemtë, vëllezërit e mi, apo familja ime. Nuk mund të komunikoj me askënd. Nuk di asgjë për askënd, por ne jemi këtu, në kërkim të diçkaje për të ngrënë dhe për të pirë,” thotë Bakr në çadrën e saj të cilën e ndan me vajzën Heba, 32 vjeçe dhe katër nipërit e mbesat.

Heba është shtatzënë në muajin e gjashtë dhe ajo është e tmerruar për të ardhmen e fëmijës së saj të palindur.

“Nuk e di se si është gjendja e foshnjës sime, nuk di asgjë. Nuk e di se ku do të lind, si do të më trajtojnë kur të lind”, thotë ajo.

Përpjekjet për të rënë dakord për një armëpushim deri më tani kanë dështuar dhe askush nuk e di fundin e këtij konflikti. Në të gjithë botën arabe, ka pasur zemërim për vrasjet dhe shkatërrimin e Gazës. Edhe Uashingtoni, aleati më i afërt i Izraelit, ka kërkuar përmbajtje.

Ndërkohë Afrika e Jugut ka ngritur një çështje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke akuzuar Izraelin për gjenocid, një akuzë që Tel Avivi e hedh poshtë si të pabazuar në fakte.

Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera kanë bërë thirrje për një ringjallje të një procesi për krijimin e një shteti të pavarur palestinez pas luftës, por qeveria e djathtë e kryeministrit Benjamin Netanyahu deri më tani nuk është përgjigjur.

Po ashtu në lojë tani janë futur edhe dy grupet e tjera militante, Hezbollahu në Liban dhe Huthi në Jemen. Të dyja këto grupe kanë mbështetjen e Iranit, një armik i betuar ndaj Izraelit. Po ashtu në lojë është dhe e ardhmja politike e kryeministrit Izraelit, Benjamin Netanyahu që varet nga rezultati i luftës./VPA

Njëqind ditë luftime: Netanyahu thotë së askush nuk mund ta ndalë luftën e Izraelit në Gazë

Izraeli do ta vazhdojë luftën e vet kundër Hamasit derisa të triumfojë dhe nuk do të ndalet nga askush, as nga gjykata botërore, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një fjalim mospërfillës të shtunën mbrëma, një ditë para se lufta në Rripin e Gazës të futet në ditën e 100-të.

Netanyahu foli pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë i mbajti dy seanca dëgjimore rreth akuzave të Afrikës së Jugut se Izraeli është duke kryer gjenocid kundër palestinezëve.

Izraeli i ka mohuar këto akuza, duke i cilësuar si hipokrite dhe shpifje.

Afrika e Jugut i ka kërkuar gjykatës ta urdhërojë Izraelin ta ndalë ofensivën e saj ajrore dhe tokësore, e cila e ka rrënuar Gazën.

“Askush nuk do të na ndalë, as Haga, as boshti i së keqes e askush tjetër”, tha Netanyahu, duke iu referuar Iranit dhe milicive aleate të tij.

Rasti kundër Izraelit në gjykatën botërore pritet të zgjasë shumë vite, por një vendim për hapat e përkohshëm mund të merret brenda pak javësh.

Vendimet e gjykatës janë të detyrueshme por vështirë të zbatueshme. Netanyahu e bëri të qartë se Izraeli do t’i shpërfillë urdhrat për ta ndalur luftën, gjë që më gjasë do ta thellojë izolimin e tij.

Izraeli është duke u përballur me trysni të madhe ndërkombëtare për ta ndalur luftën, e cila i ka vrarë më shumë se 23.000 palestinezë në Gazë dhe ka shkaktuar vuajtje të mëdha në enklavën e rrethuar. Megjithatë, deri tani, Izraeli është mbrojtur nga mbështetje ushtarake dhe diplomatike e Shteteve të Bashkuara.

Mijëra njerëz protestuan në rrugët e Uashingtonit, Londrës, Parisit, Romës, Milanos dhe Dublinit të shtunën, duke kërkuar ndaljen e luftës.

Izraeli argumenton se përfundimi i luftës nënkupton triumf për Hamasin – grupin e shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – i cili e sundon Gazën prej vitit 2007 dhe është i vendosur ta shkatërrojë Izraelin.

Lufta u nxit nga një sulm vdekjeprurës më 7 tetor, gjatë të cilit pjesëtarët e Hamasit dhe militantë të tjerë i vranë rreth 1.200 njerëz në Izrael, kryesisht civilë. Më shumë se 250 njerëz u morën peng dhe, derisa disa janë liruar apo kanë vdekur, më shumë se gjysma e tyre besohet se janë duke u mbajtur rob ende.

E diela shënon 100 ditët e luftimeve në Gazë.

Druajtjet se konflikti mund të zgjerohet në gjithë rajonin kanë qenë të dukshme prej se nisi lufta. Fronte të reja u hapën shpejt, pasi grupet e mbështetura nga Irani – rebelët huthi në Jemen, Hezbollahu në Liban dhe milicit e mbështetura nga Irani në Irak dhe Siri – kanë kryer sulme të vazhdueshme. Prej ditës së parë, Shtetet e Bashkuara e rritën praninë ushtarake në rajon për ta parandaluar përshkallëzimin.

Pas sulmeve me raketa dhe dronë nga rebelët huthi kundër anijeve tregtare në Detin e Kuq, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe i bombarduan caqet e rebelëve në Jemen të premten. Ushtria amerikane e kreu edhe një sulm të ri të shtunën.

Izraeli ka argumentuar se Hamasi është përgjegjës për numrin e madh të civilëve të vrarë në Gazë, duke thënë se luftëtarët e tij po i përdorin ndërtesat civile dhe se po kryejnë sulme nga zonat e mbipopulluara urbane.

Prej se e nisi ofensivën tokësore në fund të tetorit, 187 ushtarë izraelitë janë vrarë dhe 1.099 të tjerë janë plagosur në Gazë, tha ushtria izraelite.

Më shumë se 85 për qind e 2.3 milionë banorëve të Gazës janë zhvendosur brenda vendit si pasojë e luftës së Izraelit, ndërsa pjesë të mëdha të vendit janë bërë rrafsh me tokën.

Më pak se gjysma e 36 spitaleve të këtij territori mund të punojnë vetëm pjesërisht, sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara për çështje humanitare, OCHA.

Palestinezët në Gazë përballen me mungesë të madhe të ushqimit, ujit të pastër dhe karburantit, dhe OCHA thotë se Izraeli i ka rritur kufizimet ndaj misioneve humanitare prej vitit të këtij viti.

Sipas saj, vetëm 21 për qind e ushqimit, barnave, ujit dhe furnizimeve të tjera të planifikuara mund të dërgohen në veri të Gazës.

Thirrjet nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera që Izraeli t’i lehtësojë vuajtjet civilëve palestinezë kanë qenë shumë pak të suksesshme./rel

Vriten dy izraelitë nga një raketë e shkrepur nga Libani

Një grua 76-vjeçare dhe djali i saj janë vrarë në një fshat në veri të Izraelit nga një raketë e hedhur nga Libani të dielën, njoftuan zyrtarët izraelitë.

Ky sulm ndodhi vetëm disa orë pasi ushtria izraelite tha se i vrau katër militantë të armatosur rëndë, të cilët po tentonin të futeshin vjedhurazi në Izrael nga Libani.

Luftimet mes Izraelit dhe lëvizjes libaneze të mbështetur nga Irani, Hezbollah, janë rritur paralelisht me luftën mbi tremujore të Izraelit kundër Hamasit në Gazë, një grupi tjetër të mbështetur nga Irani.

Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Raketa antitanke e hedhur në Kfar Yuval, një fshat bujqësor në kufi me Libanin, ra mbi një shtëpi, duke e vrarë nënën dhe djalin e saj 40-vjeçar, tha ushtria izraelite.

Një burrë 74-vjeçar u plagos, sipas një zyrtari mjekësor, i cili e përshkroi atë si anëtarë të së njëjtës familje të bujqve.

Ushtria izraelite tha se forcat e saj janë duke i goditur caqet e Hezbollahut në Liban në shenjë hakmarrjeje.

Të shtunën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do ta vazhdojë luftën e vet kundër Hamasit derisa të triumfojë dhe nuk do të ndalet nga askush.

Netanyahu foli pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë i mbajti dy seanca dëgjimore rreth akuzave të Afrikës së Jugut se Izraeli është duke kryer gjenocid kundër palestinezëve.

Izraeli i ka mohuar këto akuza, duke i cilësuar si hipokrite dhe shpifje.

Afrika e Jugut i ka kërkuar gjykatës ta urdhërojë Izraelin ta ndalë ofensivën e saj ajrore dhe tokësore, e cila e ka rrënuar Gazën.

“Askush nuk do të na ndalë, as Haga, as boshti i së keqes e askush tjetër”, tha Netanyahu, duke iu referuar Iranit dhe milicive aleate të tij.

E diela shënon 100 ditët e luftimeve në Gazë.

Izraeli është duke u përballur me trysni të madhe ndërkombëtare për ta ndalur luftën, e cila i ka vrarë më shumë se 23.000 palestinezë në Gazë dhe ka shkaktuar vuajtje të mëdha në enklavën e rrethuar.

Lufta u nxit nga një sulm vdekjeprurës më 7 tetor, gjatë të cilit pjesëtarët e Hamasit dhe militantë të tjerë i vranë rreth 1.200 njerëz në Izrael, kryesisht civilë. Më shumë se 250 njerëz u morën peng dhe, derisa disa janë liruar apo kanë vdekur, më shumë se gjysma e tyre besohet se janë duke u mbajtur rob ende./REL

"Përgjegjësia është mbi ne": Ministri izraelit Gantz merr pjesë në protestën e Tel Avivit

Nga: A.Sh

Ministri i lartë izraelit dhe anëtar i kabinetit të luftës, Benny Gantz, ka shpërndarë një fotografi të tij duke marrë pjesë në një tubim në Tel Aviv, duke bërë thirrje për lirimin e robërve në Gaza.

"Këtë mbrëmje, me familjet e të rrëmbyerve dhe shumë nga populli i Izraelit," tha Gantz në një postim në X: "Përgjegjësia është mbi ne."

Një tjetër anëtar i kabinetit të luftës Gadi Eisenkot gjithashtu mori pjesë në protestë, njoftuan mediat izraelite.

Folësit në protestë përfshinin familjet e disa prej 136 robërve që tani janë mbajtur nga Hamasi në Gaza për 100 ditë, si dhe ambasadori i SHBA në Izrael Jack Lew dhe presidenti francez Emmanuel Macron, të cilët u bashkuan përmes video-konferencës.

Tubimi 24-orësh në Tel Aviv për të shënuar 100 ditë nga sulmi

Nga: A.Sh

Dje pati dy protesta – një për të rikthyer robërit dhe një tjetër tubim antiqeveritar, anti-Netanyahu që mbylli një nga autostradat kryesore për një kohë të shkurtër. Me mijëra dolën në protestë.

Sot do të ketë një ngjarje 24-orëshe për të shënuar 100 ditët që nga 7 tetori.

Ajo filloi në Tel Aviv në orën 6:29 të mëngjesit, që është koha e fillimit të sulmit të Hamasit. Është një humor shumë i zymtë me familjet e robërve atje. Sulmi ndodhi në kohën më të polarizuar që Izraeli ka parë ndonjëherë.

Ka thirrje për unitet në një kohë kur shumë kërkojnë që qeveria duhet të largohet, që Netanyahu duhet të largohet. Veçanërisht njerëzit nuk janë të kënaqur me mënyrën se si po trajton kthimin e robërve të mbajtur në Gaza.

Videoja e Hezbollahut tregon sulmin ndaj ushtarëve izraelitë në zonën kufitare

Nga: A.Sh

Hezbollahu i Libanit thotë se kishte në shënjestër ushtarët izraelitë të mbledhur në Schtula, pranë kufirit midis dy vendeve.

Grupi publikoi një video që vendos datën e sulmit më 8 janar.

Ajo tregon një ndërtesë ku janë vendosur ushtarë dhe më pas lëshohet një raketë, duke bërë një goditje të drejtpërdrejtë.

8 janari ishte dita kur Izraeli vrau komandantin e lartë të Hezbollahut Wissam al-Tawil në një sulm ajror në Libanin jugor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat